“Shkolla e Athinës”, afresku i famshëm i shekullit të 16-të i realizuar nga artisti ikonik, Raphael, është riimagjinuar për shekullin 21 nga artisti italian i pop-surrealizmit, Angelo Accardi. Vepra e re e artistit, e ekspozuar në librarinë “Veneranda Biblioteca Ambrosiana” në Milano, bashkon filozofë të vjetër dhe artistë modernë, duke përfshirë një takim absurd midis Sokratit dhe Inteligjencës Artificiale, Po, kam dashur ta përfshij këtë përbindësh që është Inteligjenca Artificiale”, ka thënë Accardi
Kryevepra e artistit Raphaelit, “The School of Athens” (Shkolla e Athinës), vjen ndryshe nga ajo që publiku e njeh. Për ekspozitën e re të hapur në fillim të këtij muaji në Milano, e titulluar “Art Crimes”, artisti italian i pop-surrealizmit, Angelo Accardi, ka riinterpretuar kryeveprën e Raphaelit, duke e krijuar një lloj “shkurtimi”, ku e kaluara futet në dialog me të tashmen.
Vepra artistike origjinale e Raphaelit është shkatërruar, duke krijuar një panteon të ri ku, për shembull, Platoni bisedon me Duchampin, Aristoteli me Dalin dhe Sokratin. Në versionin e Accardit për veprën, Sokrati e gjen veten ballë për ballë me Inteligjencën Artificiale, të përfaqësuar nga një robot humanoid.
“Në këtë pjesë e shohim Sokratin, i cili provon të bisedojë me Inteligjencën Artificiale, gati sikur po i kërkonte shpjegime, por gjen një vështrim të ftohtë, mekanik që nuk ka ndërmend të japë asnjë sqarim. Po, kam dashur ta përfshij këtë përbindësh që është Inteligjenca Artificiale, ndoshta hajduti më i madh i të gjitha kohërave, që ka vjedhur më së shumti në aspektin intelektual”, ka thënë Accardi.
Në versionin e tij të ri të veprës “Shkolla e Athinës”, Bacon, Warhol, Picasso, Velázquez, Cattelan, por edhe Steve Jobs kanë gjetur një vend. Aty është edhe Michelangelo, i përjashtuar nga Raphaeli në skicën e tij përgatitore origjinale, por i përfshirë nga Accardi në të tijën.
“Rreth një vit më parë, pashë për herë të parë skicën përgatitore të Raphaelit për veprën ‘The School of Athens’ dhe u mahnita nga ajo. Kam vënë re gjithashtu disa implikime lidhur me plaçkitjen e artit që Raphael ka kryer për të ndërtuar këtë vepër. Ai vodhi perspektivat nga Bramante, nuancat nga Leonardo, monumentalitetin e figurave. Aty erdhi shkëndija që më bëri të mendoj për prodhimin e një ekspozite rreth krimeve të artit”, ka thënë artisti italian.

Ajo që e bën këtë vepër të re edhe më interesante është vendndodhja e zgjedhur për ekspozitën – libraria historike “Veneranda Biblioteca Ambrosiana” në Milano, një vend për ruajtjen dhe studimin e artit klasik. Skica origjinale e veprës së Raphaelit ruhet këtu dhe mendohet të jetë “vizatimi” më i madh i Rilindjes që ka mbijetuar deri më sot.
Vizatimi u bë nga Raphaeli si një punë përgatitore për një pikturë murale të porositur nga Papa Giulio II dhe që u pikturua në Vatikan, ndoshta mes viteve 1509 dhe 1511.
“Skica e vizatimit të veprës ‘The School of Athens’ në aspektin e madhësisë dhe rëndësisë është ndoshta e vetmja, apo kodi më i rëndësishëm që historia na la”, ka shpjeguar Nino Florenzano, kuratori i ekspozitës së Accardit. “Për çudi, ajo i mbijetoi fatit që patën të gjitha vizatimet përgatitore, atë të riciklimit, pasi ato nuk ishin të destinuara për publikun, por ishin një lloj udhëzuesi që çuan nga projekti i afreskut deri te transferimi në mur”.
Po ashtu pjesë e koleksionit të “Veneranda Biblioteca Ambrosiana” vepra “Basket of fruit” e Caravaggios, e konsideruar si një lloj prototipi për zhanrin e natyrës së qetë, si dhe “Atlantic Codex” nga Leonardo da Vincit, që është seti apo koleksioni më i madh i shkrimeve dhe vizatimeve të Da Vincit.
“Përgatitja e një ekspozite këtu nuk është rastësi. Në një epokë në të cilën me Inteligjencën Artificiale dhe mbingarkesën e imazheve që na bombardojnë, mjafton të mendojmë se si në mesjetë, një njeri mund të shihte trembëdhjetë imazhe të reja në jetën e tij, ndërkohë që ne bombardohemi me miliona në pak sekonda, kështu që në këtë kaos në të cilin ka rënë bota, gjetja e kodeve origjinale, kodeve burimore të një rëndësie të tillë, është thelbësore për t’u lidhur përsëri me një lloj humanizmi që po humbasim në këtë epokë transhumane”.
Ekspozita, e kuruar nga Nino Florenzano, premton të jetë një interpretim unik i një prej kryeveprave të artit perëndimor. Ky instalacion gërsheton artin tradicional dhe bashkëkohor, duke shfaqur video, skulptura dhe vepra dizajni të ndërthurura me kryeveprat e vendosura brenda koleksionit të librarisë “Veneranda Ambrosiana”. Qasja e Accardit rikontekstualizon veprën ikonike të Rilindjes, duke prezantuar figura bashkëkohore dhe duke krijuar atë që ai i referohet si një version i rishpikur i “The School of Athens”. Ky prezantim inovativ jo vetëm që nxjerr në pah vazhdimësinë e dialogut artistik nëpër mosha, por gjithashtu trajton drejtpërdrejt konceptin provokues të vjedhjes intelektuale. “Art Crimes” qëndron e hapur në Milano deri më 28 prill.