Për ta vlerësuar një intelektual nuk mjafton vetëm t’i lexojmë veprat e tij, por edhe korrespondencën e tij me figurat e kohës si dhe raportet e organeve të sigurimit të regjimit komunist. Për mua, mbi të gjitha është korrespondenca e tij me figurat e kohës (M. Kruja, E. Bej Vlora, Xh. Deva, Lec Shllaku e të tjerë), e cila është pjesë intime dhe e pasur e intelektualit në raport me figurat e kohës. Në vepra si këto, portreti i Tahir Kolgjinit (1903 – 1988) është ai i një intelektuali të kohës së vet, figura e të cilit mbeti nën hije deri me ardhjen e demokracisë
Deri më 1990 në historiografinë zyrtare në Shqipërinë moniste s’kishin vend figura të shquara të kohës si: Mehdi Frashëri (1872-1963), Mustafa Kruja (1887 – 1958), Ernest Koliqi(1901 – 1975), Tahir Kolgjini(1903 – 1988) e të tjerë. Edhe nëse përmenden, citohen si bashkëpunëtorë të fashizmit e nazizmit.
Me gjithë kthesën që u bë me demokratizimin në Shqipëri e më vonë në Kosovë, që na solli një historiografi më ndryshe, është dashur të presim shumë kohë që të njohim më ndryshe figurat e kohës si: Mehdi Frashëri, Mustafa Kruja, Tahir Kolgjini e të tjerë, me botimin e veprave të tyre. Për shembull: M. Frashëri në fund të viteve ‘90, M. Kruja më 2014, T. Kolgjini më 2022). E kështu, tani me kompletin e T. Kolgjinit mund të njohim mirë formimin dhe aktivitetin e tij si intelektual.
Në bazë të këtij kompleti me shtatë vëllime (plus një vëllim me raportet e organeve të sigurimit për të) mund të themi se Tahir Kolgjini ishte intelektual i kohës së vet pasi ai si poet, gjuhëtar e historian, dëshmohet në nivel të kohës duke sjellë risi në çdo fushë. Për ta vlerësuar një intelektual nuk mjafton vetëm t’i lexojmë veprat e tij, por edhe korrespondencën e tij me figurat e kohës si dhe raportet e organeve të sigurimit të regjimit komunist. Për mua, mbi të gjitha është korrespondenca e tij me figurat e kohës (M. Kruja, E. Bej Vlora, Xh.Deva, Lec Shllaku e të tjerë), e cila është pjesë intime dhe e pasur e intelektualit në raport me figurat e kohës.
Vërtetë, vëllimi i 7-të, që përfshin nja 530 faqe, ka një vlerë të veçantë, sepse na sjell shumë risi pasi atje kishte hapësirë të shprehej më ndryshe, më lirë e më me guxim ndaj temave, ngjarjeve e figurave të kohës. Gati dy të tretat e këtij vëllimi përfshijnë korrespondencën e tij me politikanin dhe intelektualin e kohës Mustafa Kruja (1887-1958), i cili veç me botimin e veprave të tij (Tiranë, 2014) u pa se çfarë intelektuali ishte. Në këtë korrespondencë shihej niveli i tyre, ngase secili fliste disa gjuhë dhe merrej me disa disiplina shkencore, duke diskutuar tema të ndryshme. Gati një e treta e këtij vëllimi përmban korrespondencën e tyre në gjuhën osmane, që del tani për herë të parë në gjuhën shqipe me përshtatje profesionale. Në këtë vëllim shihet interesimi i vazhdueshëm i Tahir Kolgjinit për Kosovën e për gjendjen e shqiptarëve pas vitit 1945.
Sa për formimin intelektual të T. Kolgjinit (i lindur më 1903 në Lusën e Lumës) vlen të përmendet se ai (pasi e kreu shkollën fillore në vendlindje) kaloi me familje më 1913 në Stamboll, ku mbeti për ta vazhduar shkollimin dhe për të kaluar në Medresenë e Lartë (Dar al-Hilafa al-Alija) gjatë 1915-1924. Kjo medrese dallohej me program të pasur gjuhësor (turqisht, arabisht e persisht), disiplina të ndryshme fetare, historike e juridike. Kështu me diplomë të kësaj medreseje u punësua gjatë viteve 1924-1928 dhe kaloi më vonë në shërbimin civil të shtetit në gjykata të ndryshme.
Vitet ‘30 ishin për politikë pasi më 1933 mori pjesë në zgjedhjet për një vend në parlament, por u pengua nga pushteti. Si pasojë, ai mori pjesë në formimin e një partie opozitare në një vend që nuk e njeh pluralizmin politik, ndaj u arrestua dhe u internua. Me formimin e “Shqipërisë etnike" më 1941, Kolgjini paraqitet fuqimisht prefekt i Prizrenit dhe bashkëthemelues i Lidhjes së Dytë të Prizrenit më 1943, kurse më 1944 bëhet prefekt i Shkodrës, ku mbeti atje deri në nëntor të vitit 1944, kur u largua me kapedanin e Mirditës, Gjon Mark Gjoni, për në Vjenë e më pas në Itali si refugjat politik deri më 1948.
Nga Italia kaloi në Turqi më 1948 e mbeti atje deri në vdekje më 1988. Ndonëse atëherë kushtet ishin shumë të vështira për jetë e për punë në Turqi, T. Kolgjini u angazhua maksimalisht në 40 vjet të fundit (1948-1988) për kauzën kombëtare me aktivitete të ndryshme dhe angazhimin e tij të madh me revistën “Shejzat” që e nxirrte në Romë, Ernest Koliqi, si dhe me botimin e veprave kryesore në poezi, gjuhësi dhe histori.

Në jetën e tij si intelektual mund t’i veçojmë disa segmente kryesore.
Në vitet ‘20 të shekullit XX ai u kthye në Shqipëri më një kulturë të gjerë fetare-juridike pasi u formua komuniteti mysliman shqiptar në Tiranë më 1923, duke kontribuuar me atë kulturë në konceptim kombëtar të fesë në shtetin laik. Në këtë drejtim, do të veçohet me kontributin e organizimit të Kongresit Mysliman Shqiptar në Prizren më 1941 në bashkëpunim me Hafiz Ali Telakun, pasi që shqiptarët u bënë bashkë në një shtet. Në lidhje me këtë kongres ai shpreh Mustafa Krujës në një letër, motivin dhe konceptin e dëshiruar për shtetin kombëtar, duke shprehur besimin në laicizmin që e shpreh kështu: “As qeveria të mos lidhet mbas fesë dhe as feja mbas qeverisë”. Kjo kishte rëndësi për klerikët myslimanë në Kosovë, të cilët ishin të mbyllur prej zhvillimeve në Shqipëri gjatë viteve 1920 – 1941.
Në vitet ‘40 u zhvilluan në mërgim (Itali, Egjipt, Turqi etj.) shumë aktivitete për krijimin e partive të reja si dhe për një komitet të përbashkët që përfaqëson partitë politike shqiptare. Në këtë kontekst, përveç Ballit Kombëtar dhe Legalitetit u paraqitën dy forca të reja me 1946: Blloku Kombëtar Independent në krye me Shefqet Vërlacin dhe Grupi Kosovar në krye me Xhafer Devën. Në saje të lidhjes me Kosovën, T. Kolgjini ishte pjesë e procesit të formimit të partisë Blloku Kombëtar Independet dhe u emërua përfaqësues i kësaj partie në kampin e refugjatëve në Itali (1946 – 1948), pasi kjo parti dallohej me Ballin Kombëtar, i cili u përqendrua më shumë në Shqipërinë e 1913-s.
Në vitet ’50, T. Kolgjini ndërmori një iniciativë më 1952 për themelimin e Shoqatës për Miqësi Shqiptare-Turke, kurse filloi më 1955 me botimin e shumë shkrimeve në turqisht për shqiptarët në Kosovë e Shqipëri. Në atë kohë, siç dëshmon korrespodenca e tij e pasur me figurat e kohës, se ai e përcillte aq mirë gjendjen në Kosovë para e pas 1955. Shkrimet e tij në turqishte kishin vlerën e vet për prezantimin e gjendjes së shqiptarëve në një kohë delikate. Nga ana tjetër, më 1957, T. Kolgjini – kur nisi të paraqitet vazhdimisht në revistën “Shejzat” që e botonte në Romë E. Koliqi – sillte tema origjinale në gjuhësi e histori.
Vitet ‘60 shënuan një ngritje në aktivitetin intelektual të T. Kolgjinit duke botuar libra me vlerë në gjuhën shqipe në Turqi, në gjuhësi e në histori. Në lidhje me gjuhësinë vlen të përmendet libri i tij “Shpalime rreth Lahutës” më 1969. Vërtetë, ajo që befason në kompletin e tij, është vëllimi i 7-të që përmban korrespondencën e tij me M. Krujën, ku diskutonin çështje gjuhësore që tregojnë njohjen e thellë dhe disa herë mospajtime rreth disa çështjeve. Në bazë të kësaj kulture të thellë gjuhësore ai shprehu rezervat e tij me rastin e Kongresit të Tiranës më 1972 për njësimin e gjuhës shqipe, për çka ai botoi më 1974 në revistën “Shejzat” punimin: “Shqiptarët në Jugosllavi dhe gjuha e unisuar, dy dialektet kryesore dhe pikëpamja jonë”. Në këtë studim ai u shpreh kundër ngutjes në këtë proces me sakrifikimin e gegnishtes së pasur. Me fjalë të tjera, T. Kolgjini ishte i mendimit që shkrimtarët kosovarë të vazhdojnë të krijojnë poezi e prozë në gegnishte derisa të piqen kushtet e të harmonizohen dy dialektet.
Në vitet ‘70 do të shquhet si historian me botimin e librit “Esad pashë Toptani dhe akuzat q’i bahen” botuar më 1977. Ai kishte botuar më parë më 1968 librin e parë për rajonin që e njihte më se miri, “Një pjesë nga historia kombëtare: Luma dhe historia e saj” , kurse me këtë libër për Esat pashë Toptanin ai shtron një imazh tjetër fare në krahasim me historiografinë zyrtare në Shqipërinë moniste. Me fjalë të tjera, ky libër paraqiste një provokim të atij versioni të imponuar për figurat shqiptare, kurse më vonë (pas vitit 1990 e gjerë më tani) u paraqitën pikëpamje të ndryshme rreth kësaj figure, gjë që e hapi rrugën për ribotimin e këtij libri në Tiranë më 2003.
Në Kosovë, T. Kolgjini u njoh më ndryshe pas vitit 1945, pra gjatë regjimit komunist, ku imponohej vetëm një version edhe në enciklopedi e jo vetëm në kujtime e monografi. Për Kosovë ka mbetur për një kohë të gjatë figura e T. Kolgjinit siç u prezantua në ditarin e Fadil Hoxhës “Kur pranvera vonohet”, ku ai tregon më datën 13.4.1943 për dy mësues shqiptarë simpatizues për LNÇ-në që “treguan se si prefekti, Tahir Kolgjini, me atë demagogjinë e vet djallëzore, me dua e sure dhe me Kuran në dorë, i ka shtie burrat e Kosovës që të betohen se do të luftojnë kundër partizanëve”, ndaj ai e ka ngarkuar një mësues prej tyre me dy partizanë që ta vrasin T. Kolgjinin (fq.122-123). Por tani, me rastin e promovimit të kompletit të veprave të Tahir Kolgjinit me 12.04.2025, del Sanije Kolgjini, vajza e madhe e Tahirit, me një dëshmi të prekshme për vuajtjet e tyre duke treguar se si Fadil Hoxha e Xhavit Nimani erdhën te shtëpia e tyre në Prizren në nëntor 1944, duke e nxjerrë familjen prej shtëpisë e duke i marrë plaçkat e shtëpisë në një kamion, kurse ajo me familje u dërgua në Shqipëri ku hoqën të zinjtë e ullirit deri më 1990.
Ky tekst bazohet në kumtesën e lexuar në diskutimin për kompletin e veprave të Tahir Kolgjinit, të mbajtur më 12 prill në Qendrën Islame Shqiptare-Amerikane në qytetin Garfield të shtetit New Jersey, SHBA.