Piktura e Tahir Emrës, edhe pse ka dramë, është estetikisht e bukur në kuptimin e zgjidhjes kompozicionale, njollave në akord, linjave elegante, raporteve dritë-hije dhe teksturës së sipërfaqes. Por Tahir Emra është mjeshtër edhe i planit lirik. Shpërthimet e Tahir Emrës kanë qenë të vazhdueshme. Ai kurrë s’ka qëndruar i qetë dhe i vetëkënaqur. Modest dhe kërkues, i bindur për çka ka arritur, njëherësh i vetëdijshëm për misionin e artistit, origjinën dhe përpjekjet për të ardhmen. Për mendimin tim, Tahir Emra është një ndër piktorët më të shquar kombëtarë me vlera bashkëkohore.
Tahir Emra kaloi gjysmë shekulli krijimtari. Vepra e tij e bën personalitet të shquar të kulturës dhe të artit tonë kombëtar, individualitet të spikatur krahas me më të çmuarit e pikturës shqiptare. Piktor shumëplanësh në ide dhe në mënyrën interpretuese, me një stil individual dhe shprehje origjinale, gurthemel në pikturën tonë bashkëkohore.
Po çka e karakterizon veprën e Tahir Emrës?
Në punimet e para me laps dhe thëngjill (1955-1959) nisur qysh në rini si nxënës i Shkollës së Artit në Pejë, si dhe kur i vazhdonte studimet e larta në Beograd u dallua si vizatues i talentuar që me magjinë e majës së mprehtë të plumbit penetroi në botën e vizave, njollës së përhimtë dhe pasurisë tonale të këtij mjeti të thjeshtë, por nga më të pazëvendësueshmit. Duke marrë lëndën nga kontaktet direkte, nga ngjarjet përreth, përmes emocionesh figurative ai risillte në jetë gjithçka që seleksiononte dhe e intrigonte me formën, lëvizjen, shkapërderdhjen groteske që veç talentit dhe virtuozitetit plot fantazi shprehte pjesë nga biografia e tij. Mendoj që ky ka qenë një fillim i mbarë, inkurajim i saktë nga kritikë dhe selektorë, shtysë për më tej në universin e “lojës” me ngjyra.
Janë disa nga artistët tanë që “armën” e vizatimit ditën ta përdorin në fiksimin dhe thellimin më tej të figuracionit artistik, duke zhvilluar memorien figurative, risjelljen në jetë në mënyrë krijuese të imazheve që buronin nga takime me modelin, përfytyrime dhe informacione selektive tërheqëse. Zhvillimi i intuitës me ndërtimin grafik bardhezi ka qenë një nismë që shërbeu si kockë në themelet e pikturës së Tahir Emrës. Jo vetëm ndërtimi intuitiv bardhezi, por edhe mbushja me nënshtresa lineare dhe xhiblat e lapsit plot emocion e kanë bërë ngjyrën në pikturën e tij të vibrojë, të pasur, të tingullt dhe të harmonishme në akord.
Në piedestalin e një mjeshtri me nivel profesional
Zhvillimi i koncepteve grafike e futi piktorin në botën e thjeshtësuar të perceptimit lakonik-figurativ, shtresëzoi mbi telajo një organizim që në të ardhmen do të kalonte në tensione koloristike plot variacion. Mendoj se njohja me themel e mjeshtërisë artistike, me vizatimet e para e çoi artistin nga peizazhet romantike: “Çarshia e Gjakovës”, “Ura e Taliqit” , “Ura e Tabakut” , “Ura e Terzive”, “Gjakova e Vjetër” etj., që natyrisht janë mbresa të pashlyeshme nga vendlindja në vizatime si: “Lumi Erenik”, “Mulli i Vjetër në Gjakovë”, “Peizazh dimri”, “Furtuna” etj., për të kaluar mandej te “Duart e pajtimit”, “Masakra”, “Kroi i vendlindjes” e të tjera që trokasin në ngarkesa ekspresive, klithmë dhe protestë e artistit të ri që kërkon të shprehë ideale të përgjithshme humane të veçanta në kushtet dhe rrethanat e vendit të tij. Nga butësia dhe natyra e brishtë lirike e “Mështeknave” (laps, thëngjill), impresioni njollë-vizë në akorde të plota shpirtërore te “Peizazh dimri” 1, 2 (teknikë e kombinuar), “Foleja e shqiponjave” 1, 2 (tush në letër), “Peizazhi” (thëngjill, tush), ku piktori kalon në shpërthime njollash që gjallojnë dhe ndërthuren në letër me lëvizje penelatash, cekje të gjera, grimca vijëzash që i japin punimit atmosferë. “Lumi Erenik” (vizatim) nuk ka preokupim nga artisti të transmetojë figurativisht relievin, por zbulimin e gjendjes së zhurmshme të lumit që sjell histori, dritëhije njollash, ushtimë dhe rrokullisje gurësh.

Vizatimi në letër “Furtuna” (teknikë e kombinuar) mbledh kruspull një figurë që mezi përcaktohet dhe duket sikur fundoset në atë blozë, në mëshirë të fatit.
Vizat e lakuara mbi një të bardhë që hiron në hapësira të paditura ngrihet mbi “gropën e errët” si një shtëllungë rrotulluese tornadoje. Të njëjtin emocion të krijon edhe vizatimi “Pa titull” (tush në karton) që deri në fshirje konturash, njolla tonesh lëvizëse të fut në mendime drithëruese. Por dy vizatimet: “Masakra I” dhe “Masakra II” nuk janë më një peizazh sado fantastik dhe i trazuar qoftë ai, por dy punime me përmasa humane të cilat e ngritin artistin në piedestalin e një mjeshtri me nivel profesional e që me virtuozitetin e tij konturon, pikturon me të errëta, thekson me penelin e njomë atë çka ai pa, vrojtoi dhe përjetoi në ditët tragjike.
Tahir Emra me vizatimet e tij shpreh dhuntitë e veçanta të një artisti sa të ndjeshëm dhe emocional, aq edhe të pamëshirshëm ndaj dhunës dhe mizorisë.
Ai nuk është aq i butë dhe lirik, kur ia dikton motivi dhe gjendja e tij shpirtërore turfullon duke shpërthyer në vizatime tragjike shumë prekëse. Ai ka forcë të kalojë nga butësia e mështeknave në humnerat e peizazheve të shkapërderdhura, nga eleganca e figurave që pozonte në britma, thirrje e vikama shpellash. Seria me vizatime e Tahir Emrës përbën një opus të veçantë në krijimtarinë e tij, që e përmbledhur me kujdes do të kishte përmasat e një cikli me vlera në vazhdë të traditës me “Kapricio” të mjeshtërve të shquar. Vizatimet e tyre janë jo vetëm vepra të kryera artistike, me tipare të veçanta profesionale, por që shprehin njëherësh qartë aspiratat e artistit të lidhur ngushtësisht me idealet e popullit të tij në kohëra dhe situata të caktuara.
Metafora e artistit mbi dramën njerëzore
Vizatimet e T. Emrës të numëruara dhe të panumëruara kanë luajtur një rol të veçantë në gjithë krijimtarinë e artistit. Ato kanë orientuar dhe strukturuar për më tej pikturën e tij duke e “mveshur” me ngjyra që përputhen dhe i shkojnë për shtat temës dhe idesë. Ato e bëjnë atë aktiv dhe kërkues, novator dhe zbulues shtigjesh të reja. Cikli me vizatime e pasuroi dhe i shtoi fantazinë krijuese artistike, duke e shtyrë në gjetje të reja edhe më të përkryera.
Peizazhet e viteve 1964-1968 kanë një ndjesi të veçantë, ato janë silueta dyqanesh me pak dritë të përthyer, të përhime si afreske.
Modelojnë plot poezi, mall dhe dhimbje, kujtime që autori s’kishte se si mos t’i fiksonte në mënyrën më romantike të interpretimit në plane të mëdha, me kontura të fshira por të sakta. Më tej, me peizazhet “Mulliri i Vjetër” (1979), “Peizazh” (1980), piktori filloi të largojë dhe të fusë në thellësi, të zvogëlojë dhe të bëjë gati të padukshëm objektin për t’u marrë me konstruktimin e një teksture të përgjithshme, të bukur estetikisht. Në silueta malesh, kodrash, figurash që mezi dallohen, gati zhduken, ngrihet metafora e artistit mbi dramën njerëzore. Piktura konceptohet si shprehje tërësore me penela që prekin njëra-tjetrën duke krijuar kalime të buta tonale tepër delikate. Duket që piktori po kërkon të penetrojë në të tjera imazhe. Njollat e qymyrit plot grimca në punimet e hershme tani kalojnë në ngjyrë, në shtëllunga ajri që zbresin në një rrafsh lirik e si një simfoni pa mbarim më kujton velaturat e Ternerit në dramë detesh dhe oqeanesh.

Tahir Emra gjithmonë është në kërkim dhe prodhon nga vetvetja. Ai ecën dhe zbulon shtigje, gërmon brenda “pronave të tij” ndonëse nuk është i heshtur dhe i pavëmendshëm ndaj përpjekjeve dhe rezultateve të kolegëve brenda dhe jashtë kufijve, zhvillimeve të artit të traditës dhe të artit bashkëkohor.
Në vitet ‘80 të shekullit të kaluar piktori thellon më tej kërkesat artistike, rrit proporcionet e figurës njerëzore dhe e bën atë objekt themelor domethënës të tablove që edhe ato rriten në përmasa më të mëdha. E gjen personazhin rrugëve, në mjedise familjare, në treg dhe në jetën e zakonshme të përditshme. Ky fenomen ka ndodhur edhe te disa piktorë të tjerë, por te Tahir Emra ata fokusohen ndryshe, disi struken në pjesë të veçanta të tyre dhe thellohet në zbulimin psikologjik të detajit.
“Shitësi i pulave” (vaj, pëlhurë, 81x72cm, 1978), “Në kolltuk” (vaj, pëlhurë, 129×120cm, 1981), “Druprerësi” etj. janë vepra që përfaqësojnë këtë periudhë të rëndësishme të rrugëtimit artistik, të thellimit në botën shpirtërore të figurës vendosur në situata të përcaktuara, të gjendjes së tij sociale dhe derteve të njeriut të thjeshtë. Dikur pëlhurat e Pikasos i pushtoi bota e dëshpëruar e periudhës blu ku penelat e tij marrin formë siluetash melankolike, fytyra fëmijësh të mjerë si: “Djali me pëllumb”, “Sakati”, “Hekurosja”, “Legeni”, “Nëna dhe fëmija”, “Jeta” si një nga veprat më të rëndësishme të kësaj periudhe që përshkohet tej e mbarë nga bluja, ngjyrë e ftohtë e dhimbjes, hijes dhe natës. Lindin kështu vepra konvencionale me tendencë ekspresionizmi. Stërzgjatja e personazheve të tij vinte nga ndikimi i El Grekos, ndërsa Tuluz Lotreku dhe imazhet e varfërisë së Steinlenit i kishin bërë shumë përshtypje Pikasos.
Oskar Kokoshka i ka parë personazhet e veprave të tij, sidomos fëmijët, me shumë dashuri dhe dhimbje të thellë duke pikturuar me përkushtim melankolinë dhe ngathtësinë e gjesteve mbështetur në doktrinën ekspresioniste, ku u mbështet edhe Egon Schiele, Ernst Barlach, Edvard Munch, Kathe Kolleitz etj. Ky ndikim u ndie në gjithë artin evropian dhe atë botëror në forma dhe interpretime të ndryshme. Në “Shkollën kosovare” të pikturës, nëse mund ta quajmë kështu, kjo çështje erdhi natyrshëm në intonacionet e veta dhe tiparet karakteristike mbështetur në ndryshimet sociale dhe në botëkuptimin filozofik që mbizotëronte. Në veprën e M. Mulliqit e veçanërisht te piktura “Hamalli”, në pikturat e Gj. Gjokajt e sidomos në tablonë “Sofra”, pjesërisht në serinë e veprave me temë të fshatit të piktorit naiv A. Kastratit manifestohet një lloj ekspresionizmi me tipare lokale të një lloj grotesku që buron nga vetë drama e këtij populli plot episode tragjike. Të tilla për sa i takon gjendjes psikologjike, konvencionalizmit ekspresionist, janë edhe punimet e Tahir Emrës, personazhet e të cilave struken nëpër qoshe të tablove të përhime, të murrme apo në gama neutrale të errëta. Figurat janë skalitur mjeshtërisht. Tiparet e përcaktuara të kosovarit dallohen shkoqur. Ato aksentohen dhe tensionohen me dëshirën e artistit për të shprehur sa më qartë kuptimin e veprës. Ekspresionizmi i tij klasik nuk e shkatërron figurën, as e karikaturizon dhe skematizon atë. Artisti përqendrohet në ekuilibrin mes figurës, mjedisit, koloritit dhe vendosjes kompozicionale.

Metafora jepet qartë dhe në mënyrë tepër ekspresive. Si një artist me bagazh të gjerë krijues, Tahir Emra kalon natyrshëm nga peizazhet e gjetjeve të veçanta (mulli, lagje e vjetër, urë etj.) në kompozime figurale njëfigurëshe kryesisht bazuar në një vizatim aq sa lë ngjyrën të flasë lirshëm emocionalisht.
Ç’të jetë ky terr në këto tablo të Tahir Emrës?
Në pikturën “Në kolltuk” një grua është ulur në to, pikturuar në sipërfaqe të gjera të errëta. Koka e totës është skalitur me mjeshtri, mes vëllimesh që e rrethojnë pa shkëlqime fovistesh, ngjyrash llamburiste. Ajo është rrasur në intonacione ndenjësesh që harmonizohen me moshën e saj. Ç’të jetë ky terr në këto tablo të Tahir Emrës? Të jetë bota e zymtë e gjendjes së mjerë të njerëzve fisnikë, por të skamur. Mos vallë ka të bëjë me gjetjen metaforike të piktorit që thellohet në ide e jo në kalime sipërfaqësore raportesh ngjyrash të pispillosura?! Është ky një takim i rastësishëm në përditshmërinë monotone. Vrojtim dhe seleksionim i shpirtit të dhimbshëm të artistit? Është ky njeriu i vetmuar në botën e madhe? A mos ka njëlloj pakënaqësie ndaj padrejtësisë si fenomen? E mundon pabarazia, jeta e zymtë dhe ditët në zgjedhë i shtyrë nga persekutimi intelektual i rinisë? Përse T. Emra në këto tablo “noton” në ngjyra të errëta, vetëm akorde të gjetura të intonacioneve që variojnë në përhimjen e jetës. Unë mendoj se te T. Emra si intelektual human përmes këtyre tablove bie kambana e artistit që i ka të shtrenjta gurët e kalldrëmta të vendit të tij, fatin e bashkëkombësve mbushur plot ngjarje. Pikturat e tij në gri dhe të errëta nuk linden kot. Rrafshet e gjera koloristike krijojnë qetësi, prekje dhe një lloj heshtje në dukje. Në të vërtetë ato flasin shumë. Në Paris, në Muzeun e Orsejit kam parë një portret të realizuar nga piktori amerikan Whistler titulluar “Nëna”.
Edhe në Institutin e Artit të Çikagos dhe Muzeun e Artit të Bostonit pashë vepra të tjera të tij punuar në gri dhe të zezë, me kolorit të përmbajtur. Ai ndonëse kishte ekspozuar me impresionistë, së bashku me Mone-në në “Sallonin e veprave të papranuara” ku ngjyra vallëzonte nën efektet e dritëhijes, vazhdonte të shihte jetën përmes të errëtës. Ajo nuk e pengonte të ndriçonte të vërtetën, dashurinë për njeriun dhe jetën përreth. Kuadratet e mëdha në gri dhe të zezë nuk e pengonin “Nënën” e Whistler-it të gjallonte dhe të shprehej në profilin e saj mallëngjyes si nënë. Edhe te Tahir Emra loja chiaro-scuro e ngjyrave në tablotë njëfigurëshe nuk ekziston në vetvete. Ai punon me të përafërta për të ruajtur të përgjithshmen e veprës. Vibracionet impresioniste, ngjyrat e ftohta dhe të ngrohta, zbërthime ylberesh dhe tingujt mazhor janë të përjashtuar prej tij si të kapërcyera. Ai i shtron gjerë ngjyrat, në “parcela të mëdha” kuadrate brenda përmasave të gjera të tablosë, në akorde që funksionojnë në dobi të rrjedhës logjike të mendimit filozofik artistik.
Një piktor kolorist i veçantë, tepër elegant...
Kur koloristi i famshëm venecian Ticiani pikturonte “Sebastianin” kërkesat e tij koloristike kalonin nëpër tone të ngjyrës umbra, të errëtat e saj që i vendoste veç me penel edhe me gishta dhe mollëzat e tyre. Shqetësimi i porositësve ishte i dukshëm. Por piktori iu drejtohej: “Po deshët më jepni edhe baltë të bëj pikturën”, që donte të thoshte se për artistin e vërtetë nuk është e rëndësishme pasuria llamburitëse e ngjyrave, por gjetja koloristike plot tone apo dekorative qoftë edhe e një ngjyre të vetme, pa tingull. Kjo mënyrë, mendoj unë, përkon edhe me Tahir Emrën që vjen i kursyer në ngjyra, por gjithmonë në raporte të gjetura e plot tingull. Kolorist nuk do të thotë të jesh shumëngjyrësh, i ngjyrave që shkëlqejnë, lakmitar drite dhe hijeje, përplasje të ashpra ngjyrash të ftohta dhe të ngrohta, të qartash dhe të errëtash. E rëndësishme është çfarë arrin të shprehësh dhe emocionalisht ç’gjendje krijon. Ai realizon qëllimin krijues dhe artistik. Dihet që impresionistët nxorën jashtë paletës të bardhën dhe të zezën. Për ta në natyrë nuk ka të tilla, mandej nuk quheshin ngjyrë. Reflekset për impresionistët pasuronin dhe ngarkonin me ngjyrë si të bardhën edhe të zezën. Me tej, me zhvillimin e artit dhe lindjen e shumë ngjyrave dhe drejtimeve të reja artistike kjo tezë u kapërcye. Mbi telajo u hodhën jo më ngjyra, por gjithfarë mbushës, u përdorën kolazhe nga më të ndryshmet, u përdor rërë dhe zmalt, mjaftonte që të arrihej qëllimi i artistit.

Tahir Emra është një piktor kolorist i veçantë, tepër elegant, që kalon nga tone të ndjeshme lirike në betonime pastoze, lëvizje virtuoze penelatash plot ngjyrë, kalon në dramë dhe habi. Kjo është periudha e kërkimeve ekspresioniste, e intonacioneve prekëse dhe tepër humane. Pas viteve ‘80 të shek. XX Tahir Emra kalon në një pikturë mbështetur në natyrë, interpretuar me një lojë ngjyrash të papritura. Peizazhe pikturuar gjerë në njolla që zhvillohen horizontalisht, me intensitet dhe preokupime të artistit për natyrën. Peizazhet: “Pas korrjes”' (1978), “Në piknik I, II” (1982), “Vreshtat në Çabrat” (1982), “Fortesa” (1984), “Kopshti në Çabrat” (1984) dhe natyrat e qeta: “Qeramika” (1984), “Natyrë e qetë” (1984) me enterierët: “Gruaja në enterier I, II” (1985, 1987), “Enterier” (1989), “Atelieu” (1992), “Enterieri” (1988), “Homazh shokëve të fëmijërisë” (1992) etj., kanë një shpërthim koloristik, lojë ngjyrash të kërkuara dhe të vendosura mbi njëra-tjetrën në kualitete të reja cilësore. Peizazhet, natyrat e qeta, enterierët e pasviteve 80-të sjellin në pikturën e Tahir Emrës konkluzione të reja konceptuale, ku shpërthimet e papritura e variante flasin për një përvojë të akumuluar, për një intuitë dhe aftësi koloristike.
Variant në punime të reja, të ngopura me ngjyrë pastoze dhe lëngëzime penelatash ekspresive. Më pëlqejnë prekjet me penel mbi telajo, seleksionimet figurative të detajeve që pasurojnë dhe e bëjnë më të vyeshme pikturën e tij. Vrojtimet e tij të vazhdueshme mbi Çabrat e kanë pasuruar vizionin e artistit për këtë kodër mbi Gjakovë. Forca selektive e piktorit ka fiksuar gjendje që të bën përshtypje. Edhe figurativ, por edhe jo. Edhe konkret, por edhe i përgjithshëm e abstrakt. Piktura e Tahirit kalon përmes vetvetes pas një njohjeje konkrete në abstrakime njollash të hedhura alla prima, me një vrull shpërthyes, ndjenjë të freskët koloristike. Dashuria për natyrën e vendit të tij kalon në pozicione lirike që në lakonicitetin dhe virtuozitetin e tyre artistik të bëjnë për vete dhe të sugjestionojnë. Me peizazhet e Çabratit, Tahir Emra i ngre kësaj kodre gjelbëroshe një monument të papërsëritshëm, kurse vetes ia rrit vlerat si artist shumëplanësh. Në vazhdën e këtyre peizazheve qëndrojnë edhe “Natyrat e qeta”, konceptuar në sfonde të qarta apo me ngjyra të mbyllura që lëvizin dhe ndërthuren me intonacione shumë të pëlqyeshme. Natyrat e qeta me objekte familjare nga jeta e zakonshme, me elemente të thjeshta vendosur mbi tavolina gjithfare ngjyrash janë vepra të çmuara të tij. Vazot, shishet, gotat formësohen deri aty ku nuk humbasin karakterin, por zhvillojnë ritëm kompozicional parë nga pika të përafërta. Piktori me shumë përkujdesje në zgjedhjen e objekteve të thjeshta i jep kuptim dhe vlerë kësaj gjinie sa të bukur, aq edhe të vështirë për t’u shprehur estetikisht me sende që autori i shprish me shumë mjeshtri për t’i ridhënë në mënyrë vetjake.
Le të kujtojmë enët dhe shishet e Giogio Morandit që të vendosura natyrshëm, të intonuara me ngjyra të përthyera gati monokrom kanë bërë risi asokohe duke fituar respektin e shikuesve dhe të kritikës. Natyrat e qeta me mollë të Sezanit, Gogenit me papagall, Shardenit me enë kuzhine, Van Gogut me luledielli, pa përmendur Kalfin holandez që studionte për thyerjen e dritës në qelqet me ngjyrë apo harmoninë e qilimave persiane me frutat dhe porcelanin vezullues. Por natyrat e qeta të Tahir Emrës kalojnë nëpër sitën e artistit, ku ndërthuren konceptet kubiste me lojën e shlirtë të shpërndarjes së objekteve të njohura mbi tavolinë. Këshilla e dikurshme e Sezanit, një piktori të ri që natyrën ta vështronte në formën e cilindrave, koneve dhe sferave, e vlefshme edhe për Pikason dhe Brakun që patën marrë si një këshillë të drejtpërdrejtë dhe porosi ishte se më mirë duhet ndërtuar sesa kopjuar. Ata ndërtimin e shëmbëllimit të objekteve në natyrat e qeta kubiste e realizuan me sende të njohura si violina etj., i copëtuan dhe i shpërndanë harmonikisht mbi një plan. Në natyrat e qeta të Tahir Emrës vazot e qeramikës shpërndahen apo renditen jo duke copëtuar, por duke i gjeometrizuar dhe duke i vendosur në plane të perspektivës horizontale dhe vertikale.

Loja me ngjyrën dhe paleta artistike në rrugëtim
Më tej Tahir Emra vazhdon me enterierët e viteve 1985- 1990. Sipas të njëjtit stil, i rrëmbyer nga kërkesat për ngjyrë, rimodelim të objekteve dhe rikonceptime të tyre në rrafshe njollash kuadrate, kombinime me të errëta dhe të qarta që gjallërojnë pikturën e tij, duke u futur kështu në botën e artit gati të rrafshit prokubist që nuk i përjashton sendet në natyrë nga dhe nisej, por vetëm i ristrukturon ato në pllanga të vogla dhe të mëdha, me ritëm, harmoni dhe elegancë. Diku-diku prekja vertikale me të çelëta dhe lënia e siluetave të figurave të papërcaktuara i bëjnë interierët të gjallë, mjedisin që lëviz dhe vetë pikturën një rikrijim origjinal që anashkalon konceptimet standarde të botës kubistike gjeometrizuar deri në rikonstruksione vizash, njollash të konturuara dhe të copëtuara pa mbarim. Loja me ngjyrën tashmë në pikturën e Tahir Emrës ka kaluar në kërkesa pastoze të vendosjes së ngjyrës, penelata të gjera nervoze, të lëngshme, vende-vende punuar edhe me shpatull e me mjete që lënë gjurmë të metalta. Kërkesa për llojllojshmëri dhe rishembëllim konvencional, për hapësirë dhe ritëm i ka bërë enterierët e tij të veçantë, të këndshëm me ngjyra, kalime stilistike që vijojnë suksesshëm brenda paletës artistike tashmë në rrugëtim.
Krejt natyrshëm Tahir Emra kalon aty ku i lëngon shpirti, ku i rrah zemra dhe e rrok malli. Tablotë: “Homazh shokëve të fëmijërisë” (1992), “Rekuiem prindërve” (1993), “Rekuiem shokëve të vdekur” (1994) etj., shprehin ndjenjat e natyrshme njerëzore të respektit dhe të përuljes me ngashërim të piktorit ndaj prindërve dhe të afërmve. Si një artist human ai nuk kishte se si të mos vinte në këto pozita dhe të mos krijonte sipas natyrës së tij prekëse cikël veprash kushtuar njerëzve të afërt. Bota e tij plot me ngarkesa emocionale kalon nga motive lirike, të dashurisë dhe të humorit në brenga dhe shpërthime, thirrje kundër padrejtësisë. Ato janë këngë elegjiake, vajtime ngashëruese dhe homazhe të përjetshme të prindërve, miqve, shokëve të fëmijërisë, rinisë dhe tash të pleqërisë së bardhë. Në këto vepra shihet të rriten si dimension, planet rrafshohen edhe më tepër, tonimi bie në sy, loja bardhezi bëhet më kontaktuese, sfondet gati betonohen. Autori është më i kursyer në ngjyra. Qirinjtë janë të pranishëm. Telajot përvishen nëpër të duke lënë gjurmë vertikale si shenja të fermentit artistik që do të zhvillohet më tej në ciklet që do të pasojnë: “Elegji për Kosovën”, të cilat patëm rastin t’i shohim të plota në ekspozitën retrospektive hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë nga 14 - 30 prilli 2005.
Gjurmët dhe forca tronditëse e veprave të kësaj ekspozite kanë lënë mbresa të mëdha, të cilat edhe na bëjnë ta kujtojmë vazhdimisht dhe ta përdorim si arritje – etalon, ekspozitë - nivel të pikturës sonë bashkëkohore. Atëherë në gazetën “Koha Ditore” të 23 prillit 2005 pata shkruar: “...sikundër shihet, kërkimet novatore të artistit e shtynë atë drejt koncepteve të reja artistike ekspresive, në shkapërderdhje të organizuara estetikisht, sipas mënyrës ekspresioniste dhe drejt abstraktes. Lëmshi që po mblidhej në shpirt do të shpërthente në ‘Klithma’ dritëhijesh, njollash dhe një figuracioni dinamik, shprehje e një vizioni që shkallë-shkallë po ngjitej drejt një vikame që kërkonte të shpërthente në vlera më të plota koloristike, penelata të mbushura me ngjyrë që lëvizin vrullshëm mbi telajo, me koshiencën e artistit të formuar patriot. Më dukej sikur tablotë e tij rënkonin më thellë, flisnin me zë të lartë, aromë dheu shkelur e përdhosur, tokë e shtrenjtë e njerëz të dashur. Në ciklin ‘Elegji për Kosovën’ protesta e Tahir Emrës shpërthen në notat madhore të një pikture totalisht dramatike”. Më duket se paskam pasur të drejtë, gjykuar edhe tashti pas kaq vitesh.
Në veprat: “Elegji për Kosovën” (1995), “Tokë e kuqe” (1995), “Trungu i ndarë” (1996), “Epitafi i thyer” (1997), “Gjurmët” (1997), “Buka e fundit” (1999), “Homazh martirëve” (1999), “Homazh dëshmorit Elton Zherka”, (1999), “Rekuiem për shokët e vrarë” (2000), “Rekuiem për të zhdukurit” (2001), “Gjurmët”, “Tokë e djegur” (2002), tablotë “Gjurmët I, II, III, IV” (2002) etj. punuar në këto vite, autori ndërton monumente, kolona solide vertikale të historisë së lavdishme heroike të popullit kosovar. Kosovë e përgjakur, skuqur mbi të bardhë, rrethuar nga njolla të zeza që i marrin frymën. Autori shprehet me një gjuhë shumë të kursyer dhe mjaft kuptimplotë në tablonë “Elegji për Kosovën”. Ndërsa te piktura “Toka e kuqe” paraqitur si tokë e parcializuar, e shkelur dhe e robëruar ngjyrash të errëta në violet ku e kuqja dhe e bardha kthehen në dritë dhe shpresë.
Fantazia dhe aftësia e veçantë krijuese
Koloriti i kuqërremtë që zbret teposhtë përleshet dhe shkakton dhimbje, plagë, personifikon gjakun e derdhur nga dora barbare. Gjithçka e thënë thjesht dhe kuptueshëm në forma gjeometrike. Edhe “Epitafi i thyer” (1997) apo “Gjurmët” (1997) sikundër “Buka e fundit” (1999) janë vepra të kësaj serie përmes të cilave autori modelon gjerësisht thelbin e asaj çka do të thotë trekëndësh që shkëputet nga trungu, njolla gjaku mbi kuadrot, gjithçka në tym e flakë. “Homazh dëshmorit Elton Zherka” (1999) ka një zgjidhje të veçantë simbolike me Kamaren në qendër të tablosë dhe njollën e kuqe në thellësi të saj. Dhimbje në thellësi të shpirtit për familjen, piktorin dhe gjithë të afërmit (Tahiri e kishte motër gjyshen e Eltonit), ndërsa edhe të tjerët i kujtonte me shumë respekt. Në pikturat “Homazh martirëve” (2000) dhe “Rekuiem për shokët e vrarë” (2000), Tahir Emra dhimbjen e ngre në forma monumentale trupash dhe gjymtyrësh kryqëzuar deri në pavdekësi me njollën e kuqe që flet shumë.
Ndërsa “Rekuiem për të zhdukurit” (2001) paraqitet mbuluar nga të errëta që mjegullojnë të vërtetën. Ai pikturon mjegullën mashtruese, që ende mashtron. Tablotë “Gjurmët” (2001-2002), një seri prej gjashtë punimesh, kanë në thelb bëmat mbi tokën e djegur, veprën barbare të pushtuesit. Si tablo brenda tablove vendosur herë mbi kuadrate të përlyer, të çarë dhe të përdhosur dhe herë rrumbullake, imazhe harpash, ngrehina me kolona thyer.
Tahir Emra është një artist me fantazi dhe aftësi krijuese të veçantë, i cili në mënyrë koncize dhe substanciale paraqet gjithë dhimbjen dhe dramën që përjetoi edhe vetë piktori si gjithë bashkatdhetarët, por veçmas si artist që nuk iu nda strehës së vet, aty ku gjendej shpirti i tij krijues. Me këto vepra Tahir Emra i bën vetes nderin më të madh që mund t’i bënte një krijues.
Pas viteve 2005, në vazhdim të rrugës së nisur, Tahir Emra e shtrydh dhe tëharr edhe më tepër mendimin krijues duke kaluar në koncepte simbolike të një abstraksionizmi gjeometrik. Për “Monumentin e pishtarëve të arsimit” (2005) ai formon dy kuadrate, ku e kuqja pikturohet brenda kuadratit të errët mbi të cilin kalojnë dy linja kryqëzuar, si të jenë shenjat e fletoreve tashmë të shfrytëzuara nga autori për të adresuar mendimin. Shprehur thjesht, qartë dhe me finesë piktori kalon gjurmët mbi kuadratin e kuq, si të thuash dritë mbi errësirë. Piktori ngre monumente për Dëshmorët e Kombit (variant tjetër kuptimplotë për Elton Zherkën (2005, 2006), homazhe për studentin, shokët, rekuiem për viktimat e luftës, të masakruarit, të zhdukurit, pishtarët e arsimit, për miqtë e tij, për violinistin, nobelisten Nënë Tereza, mendjendriturit, kolegët, për të afërmit e piktorit, mësuesin e tij, humanistët etj. Ai nuk la pa përmendur dhe përjetësuar gjithë botën e tij të madhe plot mall e dhimbje. Variacione, trishtimi, vajtimi, vaji me dënesje, lot përzier në ngjyrat e artistit vendosur në parcela gjeometrike që shprehin faqe historie, biografi artistësh, siluetë violine mbi partitura të hapura, shenja harpash, melodi e mekur dhe e lënë përgjysmë. Intonacione ngashëruese, “Rekuiem për të zhdukurit” (2006) në tre kuadrate. Në thellësi vërehen tipare të një njeriu që më shumë ekspresion mbështetet në një kuadrat të zi, në thellësi të gropës së errët të kësaj bote gri. I njëjti pendim, por jo e njëjta zgjidhje vihet re në tablonë “Rekuiem për pishtarët e arsimit” (2006), ku drama zhvillohet sa mezi dallohet mbi tavolinën e mësuesit, bankës së mësimit, ku spikat një njollë e kuqe si xhevahir, personifikim i pishtarëve të arsimit kombëtar. “In memoriam” (2006, vaj në pëlhurë 90x100 cm) është një nga veprat ku ndjenja e respektit në kujtim të të rënëve është shprehur sa s’ka më thjesht, me cekje penelash që lënë gjurmë jete, të imta e domethënëse.
Ndërsa “In memoriam” (2007, vaj në pëlhurë, 70×80 cm) paraqet në rresht, në qendër të tablosë së zezë, cilindër, katërkëndësh, trapez etj. figura gjeometrike të bardha në gri, paksa të skuqur kushtuar ngjarjeve kobzeza. Histori e shprehur me forma monumentale, fasada, vëllime të betonta që pranë njëri-tjetrit shprehin soliditet dhe pathyeshmëri.
“In memoriam” (2007) titullohen edhe dy vepra të tjera, të dimensioneve 70x80 cm, vaj në pëlhurë, kompozuar përafërsisht, por në raporte të ndryshme koloristike, njëra mbi kuadrat e bardhë dhe tjetra mbi të zezë, që gjithashtu shprehin gjendje të veçantë shpirtërore. Cikli i “Gurëve të Përkujtimit” (2006, 2007) titulluar: “Guri i Fitores” , “Guri i Erenikut” , “Guri i Zi në Drinin e Bardhë” janë zgjidhje ndryshe ku njolla e madhe brenda kuadratit të tablosë nuk është formë e rregullt gjeometrike, por pamje e prerë e pjesës së sipërme të gurëve ngulur në tokë. Gurët janë plot shenja që flasin, njolla, viza, përpunime detajesh që shprehen qartë athua me tonet e një historie pambarim, përpunuar profesionalisht me një teksturë të lakmueshme koloristike. Njolla e errët që lartësohet dhe gati pushton gjithçka përreth në tablo, te “Guri i Zi” që nxin veçanërisht në qendër ku sterkalat e lumit fiksohen si simbol i kthjelltësisë dhe pastërtisë shpresëndjellëse. Metaforë e gjetur dhe e shprehur me shumë elokuencë profesionale, “Guri i Erenikut” (2007) shpreh gjithë brengat, vuajtjet dhe hidhërimet, përkëdhelur përmes penelit të artistit ngjyer në të qysh në fëmijëri. Në tablotë “Promovimi post mortem” (2007, 2008) autori kërkon gjetje origjinale figurative përmes copave të telajos që flasin si homazh artistik, që do të vazhdojë të jetojë.

Denoncimi i copëtimit të kombit dhe shpresa
Së fundi desha të qëndroj te dy tablo: “Trungu i ndarë” (2007) dhe “Pogaçja e Pavarësisë” (2008), që shprehin ndjenjat dhe idealet e kamotshme të shqiptarëve patriotë, në këtë rast edhe të artistit rritur dhe ushqyer në themelet e një familjeje patriotike gjakovare. Gjetjet simbolike janë shprehje e fantazisë së pasur krijuese të këtij artisti që nuk pushon së kërkuari mbi rrafshin e tij filozofik, kombëtar. Ai denoncon copëtimin pa të drejtë të kombit dhe njëkohësisht shpreson se një ditë të afërme do të ulemi së bashku në sofrën e madhe kombëtare për të shijuar Pogaçen e Pavarësisë. Piktura e Tahir Emrës, sikundër e kam thënë edhe një herë tjetër, ka një adrese. Ai qysh në fillimet e tij hulumton, vrojton dhe seleksionon nga jeta dhe historia, e kaluara dhe e tashmja. Shtysën artisti gjithmonë e merr nga ngjarje, sende, shenja që në thelb përbëjnë tharmin nga zhvillohet e gjithë vepra me përbërësit e saj.
Kërkimet novatore
Detaji i vyeshëm kthehet nga mjeshtri në simbol, që herë duket e herë fshihet në nënshtresa, diku mezi dallohet, jeton futur në shëmbëllime që lëvizin dhe gjallojnë njëra-tjetrën mbi telajo për hir të një shkasi që artisti e gjen dhe e fut në vepër me shumë mjeshtri dhe inteligjencë. Angazhimi i Tahir Emrës është i thellë dhe filozofik, që shprehet me delikatesën e intelektualit të formuar kulturalisht dhe profesionalisht deri në imtësi të shprehjes së koloritit, shkathtësisë së penelit dhe mjeteve të tjera që ai përdor. Figuracionin artistik e ndërton sipas adresës së përcaktuar dhe jo rastësisht është racional dhe i logjikshëm dhe di të zgjedhë me përkujdesje e jo kuturu, të futet në lëmshe konfuze, rebuse të ftohta e skema siluetash rutine. Fillimisht Tahir Emra s’kishte se si të mos e përjetonte vendlindjen dhe bashkëqytetarët, heronjtë e historisë, figurën e Skënderbeut, të trimave dhe të mençurve kosovarë, për të kaluar te njerëzit e thjeshtë të jetës së përditshme familjare dhe shoqërore. Edhe kur kaloi natyrshëm në konceptime figurative dhe jo të tilla, rindërtimit të botës së tij vizuale nëpër udhë ekspresioniste, kubistë simboliste abstrakte, brenda tyre ai krijonte shëmbëllime prekëse të përcaktuara. Temat: in memoriam, elegji, rekuiem etj. janë aspirata të tij atdhetare. Në hapësira planesh mbi tokë dhe nën të dallohet një figurë, mulliri i vjetër, kulla, një lagje e vjetër dhe e dhimbshme, frymë jete, shpirt njeriu. Tash në vitet e “pleqërisë artistike”, në moshën e pjekurisë krijuese shpërtheu një frymë humane shumëdimensionale, kjo për hir edhe të ngjarjeve që konkluduan, ndonëse me shumë dhimbje dhe sakrifica. Kërkimet novatore të Tahir Emrës për t’iu përgjigjur motiveve të zgjedhura prej tij e shtynë atë drejt mënyrave të reja artistike ekspresive dhe groteske më parë e pastaj në të tjera më të avancuara, në riformacione sipas mënyrave ekspresioniste, simbolike, kubiste dhe abstrakte. Lëmshi që atij po i mblidhej në shpirt do të shpërthente në “Klithma”, dritëhijesh, njollash bardhezi dhe një figuracioni dinamik gjithmonë shprehje e një vizioni që shkallë-shkallë po ngjitej drejt një piskame që kërkonte vlera në zgjidhje kompozicionale, në thjeshtësinë e gjetjes koloristike, penela mbushur me ngjyrë që betonojnë mbi telajo me koshiencën e artistit human, por edhe nervozizmin dhe indinjatën ndaj padrejtësisë.
Tablotë që po rënkojnë më tepër, flasin me zë
Mua më duket se tablotë e tij po rënkojnë më tepër, flasin me zë më të lartë, aromë dheu shkelur e përdhosur, tokë e shtrenjtë dhe njerëz të dashur.
Në artin shqiptar njihet për dhimbjen që krijon tabloja “Masakrat” (1949) e Zef Kolombit mbetur e pambaruar. Pikturat “Vajtimi” (1957), “Refugjatët” dhe “Klithma” të Abdurrahim Buzës, “I urituri” i Odhise Paskalit dhe “Jetimi” i Foto Stamos hyjnë në fondin e veprave me ngarkesë jo të paktë emocionale, shenjë e protestës humane realizuar me mjete postrealiste.
Në historinë e artit botëror njihen veprat e Gojës me një forcë të papërmbajtur kushtuar nderit të një populli gjatë Luftës Civile në Spanjë. Varfëria, mjerimi dhe shtypja mizore nga diktatura ushtarake dhe ajo klerikale frymëzoi artistin e madh në fiksimin e ngjarjeve, ku brenda tre vjetësh u vranë, u masakruan dhe u zhduken një milion e dyqind mijë frymë.
“Varrimi i Kontit Orgaz”, vepër e El Grekos që gjendet në Toledo të Spanjës me figura të stërzgjatura, thekson karakterin e të mjerëve dhe të persekutuarve që ngacmoi Pikason në epokën blu. Ai me tablonë madhore “Guernika” (8x4 m) dëshmon zemërimin dhe urrejtjen ndaj bishës naziste që qe vërsulur e bombarduar mbi qytetin bask Guernika. Gra dhe kuaj të tmerruar. Tabloja nuk ka ngjyra. Një përzierje gri në blu me një vizatim gjeometrik shumë shprehës mbeti si dëshmia më makabre e këtij akti barbar, ku mbetën 2000 të vrarë dhe qyteti i shkatërruar. Një vepër e tillë ka mbetur model në mendjen e popujve dhe veçanërisht të artistëve si një interpretim i jashtëzakonshëm me vlerat e një “Gjyqi të tmerrshëm” bashkëkohor.
Ditët më të vështira të luftës në Kosovë, në atelie
Të gjitha këto nuk kanë kaluar pa lënë gjurmë te një artist si Tahir Emra, i cili ditët më të vështira të luftës në Kosovë i kaloi në atelienë e tij, në mbrojtje të veprës dhe vazhdimin më tej të procesit krijues, në akumulime të tëra që shpërthyen më tej. Po si do të vepronte? Ç’rrugë do të zgjidhte? Tradita është vlerë e pakontestueshme, por duhej një gjetje që dhimbja të kalonte përmes një zgjidhjeje lakonike ku të përgjithësohet së bashku tensioni, zemërimi, vuajta shpirtërore me mjete artistike substanciale, bashkëkohore, ngjyra kombëtare dhe tingëllim evropian.
Robert Motherwell në ciklin “Elegji Republikës Spanjolle” përdori mjetet i frymëzuara nga simbolizmi francez e veçanërisht nga poeti simbolist Malarme. Ai përdori të zezën në kontrast me të bardhën në formë shenjash si ornamente penelatash të gjera. Ai e quante si të zezën spanjolle të vdekjes që kontraston me shkëlqimin verbues të Matisit.
Tahir Emra nuk bën “flirte” as me piktorët e kuadrateve të bardha si Franz Kline apo të tablove dramatike të Pierre Soulages që ngrihet në penelata të gjera të zeza në sfonde të qarta, as me Ad Reinhardt kuadratin e zi të të cilit 60x60 inç, vaj mbi kanavace, bashkë me punime të tjera pata rastin t’i shoh në origjinal në Guggenheim Museum.

Kuadrati puro monokromatik i tij ishte sfidë ndaj atyre që mendonin ndryshe, që kishte të bënte me gjendjen shpirtërore dhe psikologjike. Seritë me kuadrate të Albers-it, kubist-abstraksionist që në punën e tij ka pasur për bazë filozofinë e aplikimit sistematik të ngjyrave brenda kuadrateve në gradualitet apo ngjyrash të kundërta. Ndërsa Hans Hofmanin me serinë e “Portave” të tij ndërton ballina gjeometrike me ngjyrë në disa plane perspektive.
Pra, unë solla disa shembuj dhe modele artistësh që kam pasur fatin t’i shoh në origjinal me përqendrime të zgjidhjeve kubiste-abstrakte, forma gjeometrike që në të shumtën ishin zgjidhje apo performanca të një arti eksperimental me orientim në anën estetike të botës së artit, në tensionin në përgjithësi të gjendjes shpirtërore e psikologjike të artistit, etj.
Faqet e shkruara plot gjurmë dhe figura si “emblemë”
Kuadratet e Tahir Emrës janë faqe të shkruara plot gjurmë që artisti prek dhe përpunon mbi to, duke shprehur shumë hollë dufin e tij shpirtëror. Kuadratet, por jo vetëm ato, edhe format e llojllojshme gjeometrike të zgjedhura, vëllime të gurta me brinjë të harkuar, gjurmë sendesh dhe objektesh – pjesë të tyre, imazhe monumentesh që ngrihen në lartësi etj. pikturuar me të zezë, të bardhë dhe të kuqe e shquajnë T. Emrën si piktor origjinal. Forma gjeometrike zgjedhur dhe përpunuar sipas Tahir Emrës kthehet në “emblemë” që mbart vlera të veçanta shprehëse sipas mënyrës krejt origjinale të artistit shqiptar.
Tahir Emra të errëtat i ka përdorur me kohë në krijimtarinë e tij, se ia kërkonte tema që ai zgjidhte. Së fundi, në pasqyrimin e “Dramës kosovare” gjeti vlerën bazë në raport me të bardhën si kontrast dramatik, në tonet më maxhore shoqëruar me thekse ngjyrash të kuqe, gri, violet, kafe, indigo etj. të kursyera në parcela e sipërfaqe.
Piktura e Tahir Emrës, edhe pse ka dramë, është estetikisht e bukur në kuptimin e zgjidhjes kompozicionale, njollave në akord, linjave elegante, raporteve dritë-hije dhe teksturës së sipërfaqes. Por Tahir Emra është mjeshtër edhe i planit lirik. Cikli me peizazhe, natyra të qeta dhe me brendi tregojnë për vlerat e piktorit shumëplanësh, që njeh mirë arsenalin mjeshtëror të këtij arti sugjestiv. Peizazhet e tij të Çabratit janë mbresëlënëse. Ajo kodër mbi Gjakovë, ballkon i qytetit legjendar, sot qëndron ende bukur edhe pse mbi të rënduan pasojat e luftës shkatërrimtare. Piktori jep me mjeshtri “kurrizin” e dërmuar të kësaj kodre mbetur e bukur përjetësisht, monument krenarie dhe heroizmi. Natyrat e qeta të tij, stilizuar dhe interpretuar bukur, kanë gjendje dhe flasin për dorën mjeshtërore interpretuese, intuitën seleksionuese dhe kombinimin e vlerave vetjake me ato çka përfaqësojnë përvojën e kulturës artistike në këtë fushë.
Shpërthimet e Tahir Emrës kanë qenë të vazhdueshme. Ai kurrë s’ka qëndruar i qetë dhe i vetëkënaqur. Modest dhe kërkues, i bindur për çka ka arritur, njëherësh i vetëdijshëm për misionin e artistit, origjinën dhe përpjekjet për të ardhmen. Për mendimin tim, Tahir Emra është një ndër piktorët më të shquar kombëtarë me vlera bashkëkohore.
Marrë nga monografia “Tahir Emra”, botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës më 2013