Artistët e mëdhenj lënë pas “vazhdën e ndritur”, patëm theksuar pak muaj më parë tek përkujtonim mikun, bashkëmoshatarin e akademik Tahir Emrës dhe bashkëvepruesin në kalitjen e gjeneratave të reja të artistëve tanë, akademik Rexhep Ferrin. Është më se e merituar që edhe sot të ritheksojmë po ashtu vlerat e një vepre që i lartëson dhe i bën të pavdekshëm, amanete hyjnore që nuk treten
Akademik Tahir Emra ishte piktori dhe artisti i madh, njeriu i urtë e i ditur, pedagogu i të gjitha atyre gjeneratave artistësh e krijuesish që na bënë të njohur botërisht, bardi i arteve tona pamore me të cilat jemi mburrur dhe mburremi aq shumë, se na kanë përfaqësuar denjësisht e na përfaqësojnë me lavd e me nder gjithandej globit.
Koha po na i merr pak nga pak autoritetet e shquara të artit e të kulturës sonë, ata që i kemi konsideruar dhe i konsiderojmë shtylla e themele të vlerave tona artistike. I patëm në rrethin tonë dhe i humbëm, i vlerësuam jashtë mase Muslim Mulliqin, Agim Çavdrabashën, Gjelosh Gjokajn, Rexhep Ferrin, anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës; tani humbëm dhe Tahir Emrën, krah i kësaj gjenerate të artë, të jashtëzakonshme, të nismave dhe të zhvillimit të arteve pamore te ne; të pikturës, grafikës, skulpturës... Secili më i veçantë se tjetri, secili më autentik se tjetri, dhe të gjithë të lidhur e të farkuar me tabanin e trashëgimisë së këtij trualli. Është më se mbresëlënëse se këta personalitete të arteve tona pamore nuk i ngjajnë njëri-tjetrit, nuk përsërisin njëri-tjetrin, por të pestë kanë vijat e qarta të orientimeve të tyre origjinale, edhe pse të pestë kanë të përbashkët përkushtimin në rrugën e ndjekur me vite e dekada për të krijuar një opus që duket e vlerësohet i yni e që do t’u mbetet gjeneratave të ardhshme për të dëshmuar themelet e shëndosha mbi të cilat është zhvilluar arti shqiptar në këto anë.
Artistët e mëdhenj lënë pas “vazhdën e ndritur”
Artistët e mëdhenj lënë pas “vazhdën e ndritur”, patëm theksuar pak muaj më parë në këto ambiente tek përkujtonim mikun, bashkëmoshatarin e akademik Emrës dhe bashkëvepruesin në kalitjen e gjeneratave të reja të artistëve tanë, akademik Rexhep Ferrin. Është më se e merituar që edhe sot të ritheksojmë po ashtu vlerat e një vepre që i lartëson dhe i bën të pavdekshëm, amanete hyjnore që nuk treten.
Akademik Tahir Emra u lind në Gjakovë më 10 mars të vitit 1938 në një familje të vjetër e të shquar për gjenerata mësuesish e edukatorësh jo vetëm në Gjakovë, por edhe në fshatrat e Malësisë së Gjakovës dhe të Dukagjinit. Pas shkollës fillore në Gjakovë, në vitin 1953 kreu Shkollën e mesme të Artit në Pejë, që asokohe konsiderohej fidanishte e talenteve të reja të arteve pamore. Një kohë punoi mësues vizatimi në Gjakovë, e më vonë regjistroi Akademinë e Arteve të bukura në Beograd, të cilën e kreu në vitin 1966 me sukses të shkëlqyer dhe me çmim të posaçëm. Në vitin 1967 zgjidhet ligjërues, pastaj profesor në shkollën e Lartë Pedagogjike, degën e Arteve Figurative. Më 1970 kreu shkallën e tretë tek Akademia e Arteve në Beograd, ndërsa më 1974 zgjidhet docent për vizatim e pikturë tek Akademia e Arteve e Universitetit të Prishtinës, në garniturën e parë të pedagogëve të këtij institucioni të lartë të posa-formuar, tek i cili në dy mandate drejtoi degën e arteve figurative, për t’u zgjedhur më tej profesor inordinar, më 1978 dhe profesor ordinar më 1982. Pas përjashtimit nga procesi mësimor në kohën e represionit dhe masave shfarosëse të Serbisë ai vazhdoi të mbajë mësim me studentët e vet shqiptarë në atelienë e tij, për t’u rikthyer, pas çlirimit, në detyrën e profesorit ordinar në Akademinë e Arteve e më vonë në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës ku punoi deri në moshën e pensionimit, në vitin 2003. Njëkohësisht është aktivizuar dhe ka dhënë mësim edhe në Universitetin e Tetovës, deri në vitin 2004.
Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve është zgjedhur në vitin 2000, ndërsa anëtar i rregullt në vitin 2008. Për një mandat ka qenë dhe sekretar i Seksionit të Arteve të ASHAK-ut.
Janë rreth 20 ekspozita të pavarura që nga viti i largët 1959, në Gjakovë, deri tek ato të vitit 2015 në Gjakovë dhe këtu, në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Por janë dhe dhjetëra e dhjetëra pjesëmarrje në ekspozita të rëndësishme kolektive, në Kosovë, në ish-Jugosllavi dhe gjithandej nëpër botë, nga të cilat shpesh është kthyer me shpërblime e mirënjohje. Disa nga veprat e tij janë në koleksionet e Galerisë Kombëtare të Arteve të Kosovës, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve, por edhe në shumë koleksione e galeri të botës në institucione e në koleksione private. Por pjesa më e madhe e tyre janë pjesë e ateliesë së tij, që urojmë një ditë të krijohen mundësitë e kontaktit sa më të afërt të tyre me shumë artdashës dhe dashamirë të veprës së tij.
Një dorë e matur, tepër domethënëse
Aftësia e vizatuesit e akademik Emrës shihet në embrionet e çdo tabloje. Janë mbresëlënëse, kompozicione që rrezatojnë harmonishëm, vizatimet e formateve më të vogla që kemi ndeshur disa herë më herët në prezantimet e tij. Është një dorë e matur, tepër domethënëse, që krijon gjetje impresionante, të cilat rrinë vetë ose vihen në bazën e një tabloje mbi të cilat ndërtohet gjithë ajo gamë efektesh e gjetjesh që e kompletojnë atë. “...u dallua si vizatues i talentuar, që me magjinë e majës së mbrehtë të plumbit penetroi në botën e vizave, njollës së përhimë dhe pasurisë tonale të këtij mjeti të thjeshtë, por nga më të pazëvendësueshmit”, thotë artisti i merituar, studiuesi i artit, miku dhe njohësi i veprës së akademik Emrës, piktori Kujtim Buza, që në fillim të shkrimit që i paraprin monografisë së botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës në vitin 2013,... “Duke marrë lëndën nga kontaktet direkte, nga ngjarjet përreth, përmes emocionesh figurative, ai risillte në jetë gjithçka që seleksiononte dhe intrigonte me formën, lëvizjen, shkapërderdhjen groteske që veç talentit dhe virtuozitetit plot fantazi, shprehte pjesë nga biografia e tij.”
Piktura e Tahir Emrës shquhet me kërkimet e thella të subjektit, teksturës e strukturës së elementeve thellësisht të studiuara, kur bëhet fjalë për tablotë që janë në zgrip të abstraksionit apo për ato që paraqesin në shumë raste gjurmët e një peizazhi asociativ, me një përkujdesje të jashtëzakonshme, do të thoshim mjeshtërore, të ngjyrës dhe nuancave të kursyera, me efekte shpërthyese aty-këtu, gjithnjë të vëna me takt dhe maturi, për të mos tërhequr vëmendjen në një cep të tablosë. Mbase mund t’i konsiderojmë si kërkime të një shpirti tejet refleksiv, tablotë e tija të bëjnë të ndalesh e t’i kundrosh gjatë, të mbyllin në një botë, jo të errët, por të hequr e të vuajtur të qenies, të ekzistencës sonë, me peizazhe në mugëtirë, me ndonjë siluetë domethënëse aty këtu. Ai dëshmohet tejet i lidhur me truallin, edhe kur nuk pikturon qartë peizazhet e Kosovës, të Gjakovës... por edhe kur tabloja e tij të shpie në ngërthim figurash gjeometrike që shkrihen në njëra tjetrën.
Bota sugjestive e një autori të veçantë
Ka pothuaj 5 dekada qëkur jam ndeshur për herë të parë me tablotë e akademik Emrës dhe gjatë gjithë kësaj periudhe kam ndjekur me shumë kureshtje dhe admirim atë botë tejet sugjestive të një autori të veçantë, origjinal dhe të papërsëritshëm, të rinjohshëm dhe autentik për nga stili dhe këmbëngulësia në ruajtjen e një vije dhe teksture karakteristike, domethënëse, që e dallonte nga ajo gjeneratë e papërsëritshme e artistëve tanë, të cilës i takonte me shumë merita akademik Emra. Kam ndjekur dhe kam vlerësuar veprimtarinë e tij të piktorit, artistit, pedagogut, nga përkujdesja, angazhimi dhe sakrifica e të cilit sot janë ngritur gjenerata të tëra piktorësh, artistësh që po përhapin dhe po dëshmojnë vlerat e artit, kulturës dhe identitetin tonë.
Me humbjen e akademik Tahir Emrës të afërmit humbën bashkëshortin, babanë, njeriun e përkushtuar për të selitur me shumë kujdes vlerat e familjes, ish-studentët e tij humbën profesorin që i bëri artistë, që u hapi udhët e horizontet, Akademia humbi anëtarin e saj të devotshëm, vlerat e të cilit i çmonte dhe i respektonte, ndërsa artdashësit humbën një artist të jashtëzakonshëm që do të rrojë dhe do të frymëzojë gjenerata e gjenerata pas nesh.
Maestro Emra mbylli preokupimet e tij të vazhdueshme që s’pushonin të transformoheshin nga dita në ditë në tablo mahnitëse. Sot e tutje mbase nuk do të presim çka do të na risjellë, sepse ishim mësuar gjithmonë të befasoheshim me freskinë dhe risitë që s’pushonte t’i ofronte, me vullnetin që nuk njihte moshë. Por ne s’do të pushojmë të kërkojmë dhe të rigjejmë kënaqësitë e eksplorimit në tablotë e tij të shumta që na dhurojnë aq mundësi zbulimi e admirimi.
Ky tekst është lexuar në mbledhjen komemorative në nderim të akademik Tahir Emrës më 8 tetor në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.