Te romani i ri i Ag Apollonit njeriu bie në kontakt me djallin dhe bën pakt me të. Aty ka edhe autobiografi. Mbi të gjitha, dashuri. Një histori dashurie është në qendër, por nuk ka të bëjë vetëm me të. “Është roman tipik i imi, është si të tjerët. Është një roman për muzikën, për pikturën, për tema të ndryshme”, thotë Apolloni. “Një roman që më shumë bëhet për të treguar historinë e lindjes së një romani tjetër, pra si ka lindur romani i parë”
“Sikur t’isha djall” trajton një lloj dashurie të shumëfishtë. Jo veç për dikë, por edhe për diku. Është edhe dashuri për një qytet. Të pazakontat aty bëhen të zakonshme. Një vështrim edhe për artin, për pasionet e autorit – Ag Apolloni. Midis tjerash për pikturën, muzikën e edhe si retrospektivë e romanit të parë të tij. Sikur veprat paraprake, edhe “Sikur t’isha djall” që sapo është botuar, pritet t’i flasë edhe lexuesit të huaj.
Për shkrimtarin Ag Apolloni, libri i ri i tij është edhe historia e lindjes së romanit të parë. Të premten mbrëma kur “Sikur t’isha djall” doli në shitje, ai është takuar me lexuesit në librarinë “Dukagjini” në Prishtinë. Përtej një takimi ku lexuesit përvetësojnë librin, urojnë autorin dhe bashkë me kopjen marrin edhe firmën e autorit, ka qenë edhe një lloj e kremte për punën e tij.
Apolloni ka thënë se “Sikur t’isha djall” ka edhe elemente autobiografike.
“Është një roman që si model i shkrimit njihet si auto-fiksion, do të thotë ka edhe autobiografi. Trajton një histori dashurie, por edhe dashurinë ndaj një qyteti. Është një roman që unë e quaj më shumë për qytetin, për Vjenën, ku e kam shkruar romanin e parë. Është edhe si një thirrje për ta lexuar atë roman – ‘Ulurima e ujkut’”, ka thënë Apolloni për KOHËN pak para se të ulet në kolltukun ku i ka pritur lexuesit.
Romanet e tij të fundit, siç ndodh me “Kësulëkuqja – përrallë për të rritur” kishin për temë, midis tjerash vuajtjet e luftës, sakrificën e vetëflijimin. Me “Sikur t’isha djall” rrëfimi për dashurinë, qytetin magjepsës e artin ngjan më estetik. Por për Apollonin ky është vetëm një tjetër roman i tij sikur të tjerët.
“Është roman tipik i imi, është si të tjerët. Është një roman për muzikën, për pikturën, për tema të ndryshme. Mund të quhet edhe si një lidhje intertekstuale me Shakespearein, me Goethen. Një roman që më shumë bëhet për të treguar historinë e lindjes së një romani tjetër, pra si ka lindur romani i parë”, ka thënë ai.
Librat e tij deri më tash flasin në disa gjuhë. Edhe romanin e tij të “promovuar” të premten, e pret e njëjta rrugë. Do të përkthehet në gjuhën angleze.
“Ende pa dalë romani, shtëpitë botuese janë interesuar për ta përkthyer. Duke qenë se është më i vogël se të tjerët përkthehet më shpejt. Është më i pëlqyer nga përkthyesit”, ka bërë të ditur Apolloni, shkrimtar, poet, dramaturg, studiues dhe eseist shqiptar.

Veprat e tij letrare, sipas kritikës, dallohen për dimensionin e tyre dramatik, trajtimin filozofik dhe qëndrimin kritik ndaj historisë, politikës dhe shoqërisë. Romani i tij, “Ulurima e ujkut” është përkthyer edhe në gjuhën malazeze, përderisa më herët qe botuar edhe në maqedonisht dhe në çekisht. Disa pjesë “flasin” edhe anglisht e serbisht. “Një fije shprese një fije shkrepëse”, që doli më 2020, u botua edhe në Holandë.
Eronita Kçiku, redaktore në shtëpinë botuese “Bard Books” – që drejtohet nga shkrimtari Apolloni dhe e cila edhe boton librat e tij – e ka konsideruar ngacmues romanin “Sikur t’isha djall”. Ka thënë se autori prek edhe dialektet duke ilustruar në një formë keqkuptimet midis folësve në roman.
“Romani i fundit i Agut është ngacmues. E ngacmon lexuesin me temën që zgjedh, përveç historisë së dashurisë që është e dy të rinjve në një qytet shumë të bukur siç është Vjena, është edhe dashuria e tyre për Vjenën dhe diskutimet e tyre për probleme që zakonisht janë tema tabu që nuk i diskutojmë në tavolinë. I sfidojnë çiftet normale sot, martesën dhe përkrahin çiftin e hapur. Një tjetër element është përdorimi i gjuhës, jo si stil, por gjuha shqipe në dy dialekte dhe si ndodhin keqkuptimet e vogla midis këtyre dy dialekteve”, ka thënë ajo.
Romani ngërthen elementet fantastike kur njeriun e vë në pozicionin ku bie në kontakt me djallin e me të bën pakt.
“Personazhet takohen me personazhe të tjerë shqiptarë në Vjenë dhe këtu bien në konflikt jeta në Vjenë dhe ajo në Kosovë, ndërron njëra nga tjetra. Në përgjithësi është roman gjysmëfantastik, pasi kemi të bëjmë me takimin me një djall ku personazhi bën pakt me djallin dhe ia shet shpirtin për ta rijetuar jetën e tij”, ka thënë Kçiku derisa ka thënë se shkrimtari Apolloni merret edhe me tema tabu, por flet edhe për artin dhe artistët e preferuar.
“Si gjithmonë romanet e profesorit janë të këndshme për t’u lexuar dhe përcillen nga muzika, por kësaj here vendos të bëjë një histori të muzikës. Duhet se muzika e preferuar është ‘blues’ dhe vazhdon ta mbrojë atë. Është një krahasim me muzikën klasike. Diskutohen edhe pikturat dhe piktorët. Një prej më të famshmëve është (Gottfried) Helnweini. Merret me tema tabu, janë diskutime të çuditshme që nuk bëhen në tavolinë, por shkrimtarit ia lejon letërsia. Nuk është roman shumë i gjatë”, ka thënë ajo.
Lexuesja Mirjetë Sadiku ka thënë se librin e ka lexuar ende pa u botuar.
“Ndryshe nga librat e fundit në prozë ku ai është më i fokusuar në pasojat e luftës te ne, kësaj here e shohim sërish autorin siç jemi mësuar ta shohim te ‘Ulurima...’ apo me të tjerët. Këtu e bën një lidhje me fiksionin dhe faksionit. Shpesh duke e bërë lexuesin të mendojë a është ky shkrimtari apo jo, e shpeshherë kur ai thotë se është ai, pikërisht atëherë nuk është”, është shprehur ajo.
Ka thënë se tematika e këtij romani është shumë më ndryshe nga ata paraprak.
“Tash i kthehet prapë asaj vlerës artistike, filozofike, në të njëjtën kohë kemi prapë Agun karizmatik që shpesh na bën të qeshim dhe veçmas nuk mungon tema erotike, sensuale dhe lojërat e tij. Mendoj se ky libër do të ketë sukses më të madh se librat e kaluar, duke pasur parasysh se po kthehemi prapë tek autori që luan me lojën e tij personale që e ngacmon kureshtjen e lexuesve”, ka thënë Sadiku.
Zgjim Sherifi, koordinator për media dhe komunikim në librarinë “Dukagjini”, ka thënë se gjysma e librave të dërguar aty janë shitur në më pak se një orë.
“Interesimi ishte goxha i madh. Kanë ardhur diku 140 libra. Gjysma e tyre veçse janë shitur. Gjithashtu sot në librari kemi organizuar një takim me shkrimtarin, lexuesit kanë pasur mundësi të marrin nënshkrime nga autori i librit. Si gjithmonë, përpos këtyre takimeve kemi edhe promovime e të tjera ngjarje që lidhen me librin”, ka thënë Sherifi.
Romanet e Apollonit kanë rrugëtuar rrëfimet nëpër gjuhë të ndryshme. I njëjti fat duket se ngjan edhe me romanin më të ri “Sikur t’isha djall”.