Në numrin e parë të revistës për enigmatikë “Gjeni“ që në vitin 2001 kishim botuar për herë të parë fjalëkryqin e parë shqip. Në analet e shkrimeve, jo vetëm në revistat enigmatike, konsiderohej se fjalëkryqi i parë në gjuhën shqipe ishte ai i vitit 1953 në gazetën e përjavshme “Rilindja” nga Prishtina. Më gjerësisht ka shkruar edhe gazeta “Koha Ditore” (12.03.2023 ) edhe për të dhe enigma të tjera. Hulumtimet e fundit bënë që viti i fjalëkryqit të parë shqip të shtyhet edhe për disa vjet tej para Luftës së Dytë Botërore. Tashmë gjetje tona na çojnë në dekadën e tretë të shekullit 19
Fjalëkryqet thuhet se janë loja më e njohur dhe më e përhapur e fjalëve në botë, por kanë një histori të shkurtër. Fjalëkryqi i autorit Rashid Krasniqi i botuar në marsin e vitit 1953, i ribo¬tuar nga revista për enigmatikë “Gjeni”, më pas gazeta “Koha”, mbetet ende si fjalëkryqi i parë shqip i botuar, jashtë territorit të Shqipërisë së Londrës së vitit 1912. Pikër¬isht hulumtimet e munguara për shtypin e botuar në Shqipëri, kanë pasur vakuumin duke mos mundur të themi ne një zë të plotë, se kryqëzimi i fjalëve në rrjetë, në gazetën “Rilindja” është krijimi i parë i fjalëkryqit shqip. Ashtu siç shkruhet nga hulumtues më të hershëm të bo¬timeve gazetareske edhe në shtypin jashtë Shqipërisë, i pari që kishte dhënë njoftimet për punime enig¬matike ishte studiuesi gjilanas Shefik Shkodra në monografinë e tij “‘Albania’ e Konicës - Pergamenë shqiptare” (Rilindja, Prishtinë, 1995). Aty vërtet ishin shkëndijat e para enigmatike në gjuhën shqipe. Në re¬vistën “Albania” në numrin e 9-të të vitit 1903 botohet katrori magjik, plotësore të ngjashme, punime këto të ngjashme me punimet moderne enig¬matike të kohës. Enigma të ngjashme, si plotësore apo ndonjë lloj anagrami, i gjejmë të publikuara edhe në shtypin shqiptar në trojet etnike. Sikur janë re¬vista “Minerva” 1932. Të gjitha këto enigma (katrori magjik, plotësoret e ndonjë enigmë tjetër) janë botuar për herë të parë që nga numri i parë i revistës “Gjeni”. Kjo në periudhën e sundimit të Mbretërisë Shqiptare duket se ka edhe hovin e madh të bo¬timeve publicistike. Në këtë kohë të midis dy luftërave botërore edhe shtypi shqiptar kishte marrë një hov. Kjo mundëson që auditoriumi shqiptar i kohës të kishte edhe llojllojshmëri bo¬timesh, gazetash e revistash. Pikërisht pak vite pas përpjekjeve për krijimin e enigmave moderne të lartcekura, vjen koha e daljes në dritë të fjalëkryqit të parë (deri më tani) në gjuhën shqipe.

Dy dekada pranë botës enigmatike
Fjalëkryqet e para u shfaqën në Angli gjatë shekullit të 19-të. Ato ishin të një lloji të thjeshtë, një grup fjalësh të renditura në mënyrë që shkronjat të lexohen njësoj vertikalisht dhe horizontalisht, dhe të shtypura në libra për fëmijë dhe revista të ndryshme periodike. Megjithatë, në Shtetet e Bashkuara, enigma u zhvillua në një kalim kohe serioze për të rriturit. Më 21 dhjetor 1913 në gazetën “New York World” botohet fjalëkryqi modern i gazetarit Arthur Wynne. Kështu brenda një dekade gazetat e tjera morën argëtimin e sapozbuluar dhe shumë shpejt fjalëkryqet u shfaqën pothuajse në të gjitha gazetat amerikane. Dekada e dytë e shekullit të 19-të, është koha kur edhe në Evropë, gazetat e para shfaqin fjalëkryqin si formë mjaft interesante argëtimi. Shfaqja e parë e një fjalëkryqi në një botim britanik ishte në revistën “Pearson” në shkurt të vitit 1922 dhe fjalëkryqi i parë i “Times” u shfaq më 1 shkurt 1930. Më pas vijnë popujt e tjerë, gjermanët, francezët, italianët etj. Ndërsa te shqiptarët, tek në dhjetëvjetëshin e tretë të shekullit 19. Pikërisht më datë 10 korrik të vitit 1935 në revistën “Jeta dhe Kultura” në faqen 16 të re¬vistës e gjejmë të botuar fjalëkryqin e parë modern shqiptar. Fjalëkryqi është i shënjuar si i redaktuar nga N. P. dhe Z. S.
Fjalëkryqi, Kriptogrami, Inteligjenca Artificiale

Me popullarizimin e fjalëkryqeve dhe zhvillimin e tyre arrijnë që të krijohen edhe lojëra të tjera me katrorë e me fjalë të koduara, të njohura si kriptograme. Një lloj i kriptogrameve janë dhe hieroglifet pikërisht se disa mbishkrime egjiptiane nuk janë të qarta për të gjithë, pasi ato përmbajnë elemente të fshehura që shërbejnë si kriptograme. Mesazhet e koduara gjatë historisë janë të njohura te spartanët (shekulli V p.e.s.) duke përdorur një shkop cilindrik me një sekuencë të çrregullt të shkronjave dhe një shirit të gjatë lëkure ose pergamene. Po ashtu edhe romakët pikërisht është e njohur Metoda e Cezarit (rreth shekullit I p.e.s.) është një nga kriptogramet e para të njohura për kodimin e mesazheve, ku çdo shkronjë zëvendësohej me një shkronjë tjetër të zhvendosur për një numër të caktuar vendesh në alfabet. Kjo metodë e Cezarit në Mesjetë u përmirësua dhe u zhvillua më tej, me versionet që përdornin zhvendosje më komplekse ose shkëmbim të tërësishëm të shkronjave. Me përhapjen e alfabetit latin në Evropën mesjetare, kodet dhe kriptogramet nisën të përdoreshin më shpesh nga diplomatët, mbretërit dhe nga kisha. Kështu kriptografia mesjetare përfaqëson një fazë kalimtare midis sistemeve të thjeshta të lashtësisë dhe sistemeve më komplekse që do të zhvilloheshin gjatë Rilindjes dhe më tej. Periudha kur popullarizohet fjalëkryqi lidhet shumë dhe me kriptogramet e njohura gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kriptografi britanik, Alan Turing ishte një matematikan, logjist i njohur si një nga figurat më të rëndësishme në historinë e kompjuterëve dhe kriptografisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai punoi në “Bletchley Park”, ku ndihmoi në thyerjen e kodit të përdorur nga luftanijet gjermane (Enigma). Kjo kontribuoi në përshpejtimin e fitores së aleatëve. Turing propozoi testin e tij të famshëm, “Turing Test”, për të vlerësuar nëse një makinë mund të tregojë sjellje inteligjente të ngjashme me atë të njeriut. Ky test është një kontribut me rëndësi për Inteligjencën Artificiale dhe është ende pikë referimi në debatin mbi aftësitë e mendimit të makinave dhe natyrën e inteligjencën. Mbase një herë tjerë do të shkruajmë lidhur me mesazhet e koduara edhe te shqiptarët të njohura si mesele e vende, fjalë me kunja apo edhe një formë tjetër më e butë e mesazheve të koduara e argëtuese që janë gjëegjëzat apo kashelashat të bartura brez pas brezi në traditën gojore shqiptare.
Afër 90-vjetorit të fjalëkryqit të parë shqip
Sivjet bota enigmatike feston 111-vjetorin e fjalëkryqit të parë në botë, (21 dhjetor 1913), ndërsa vitin e ardhshëm, ne shqiptarët festojmë 90-vjetorin e fjalëkryqit tonë. Saktësisht jemi larg fjalëkryqit botëror vetëm 21 vjet e 6 muaj e 9 ditë. Nga hulumtimet që kemi bërë për shtypin e kohës ende nuk e kemi emrin e saktë, nëse inicialet janë edhe autorët apo thjesht kanë redaktuar fjalëkryqin e dërguar nga lexuesi i numrit të parë të revistës. Ai shënjohet si “redaktuar nga N. P. dhe Z. S.”. Fjalëkryqi i emëruar si ZBAVITJE ka 7x8 katrorë me 7 pika të zeza. 12 pyetje në HORIZONTALISHT (Nga 1-12) dhe 11 pyetje në VERTIKALISHT. Duke mos dhënë pyetje për katrorët me nga një shkronjë. Interesante është se në fund të enigmës së dhënë jepet një RREGULLORE lidhur me konkursin për SOLUCIONET e për tre konkur¬rentë për t’u shpërblyer. Dhe jepet një sqarim se në rast se SOLUCIONET janë të sakta atëherë fituesit do të përzgjidhen në bazë të shortit. Në numrin e 3-të të revistës jepet njof¬timi për 3 fituesit e konkursit nga 45 konkurrentë. Revista “Jeta dhe Kultura” doli vetëm 4 numra dhe po ashtu edhe në numrin e 4-t të datës 5 gusht 1935, kemi dhe fjalëkryqin e dytë të redaktuar nga autorët e njëjtë N.P. dhe Z.S. Fjalëkryqi është pak më i madh dhe simetrik me format 11x11 me 21 pika të zeza, i shoqëruar me 24 pyetje hor¬izontal dhe 23 pyetje vertikal. Kjo re¬vistë, e drejtuar nga Halil Mëniku e redaktuar nga Tajar Zavalani, u shtyp në shtypshkronjën “Gutenberg”, Tiranë, numri i parë, ndërsa numri i dytë në shtypshkronjën “Tirana”.
Viti i fjalëkryqit modern shqiptar duket se po shkon duke iu afruar botimit të parë modern, të njohur në botë. Tashmë jemi larg vetëm 21 vjet e pak muaj. Të shpresojmë se në një të ardhme të afërt ky vit të ngushtohet edhe më shumë pse jo të mos jemi të parët. Deri te ndonjë zbulim tjetër mund të themi se viti i fjalëkryqit të parë shqip tashmë ka një datë të re: 10 korrik 1935.
Autori është master në trashëgimi kulturore, “Mjeshtër i Enigmatikës”