“E kam nderin që ta informoj Ministrinë se e kam marrë këtë letër prej konsullit rus në Prizren, Razumovski, ku thuhet se “më 21 korrik 1911 prej Deçanit janë kthyer Cvetko Jakiq dhe Petar Kostiq. Unë nuk e di se çka do t’ju shkruajë Kostiqi, por para meje ai i ka vërtetuar fjalët e Cvetko Jakiqit se Manastiri i Deçanit ka arritur që prej shqiptarëve ta kthejë tokën në vlerë prej 3.500 lirave turke dhe kjo ka ndodhur për shkak të shkathtësisë së Cvetko Jakiqit, sepse manastiri – mos u çuditini, nuk ka dokumentacion valid në bazë të të cilit do t´i ankohej pushtetit”. Këtë shkresë, që do ta sjellim të plotë, më 26 korrik të vitit 1911 ia kishte drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë zëvendëskonsulli serb nga Prishtina, Millan Rakiq (1876-1938). Raporti i plotë ruhet në Arkivin e Serbisë në Beograd
“Çështja e Manastirit të Deçanit” dhe mosmarrëveshja ruso-serbe
Në vjeshtën e vitit 1902 mitropoliti serb, Niqifor, iu kishte bërë ftesë kallogjerëve rusë që të transferoheshin nga njëri prej manastireve serbe në Malin e Shenjtë në Greqi, në Manastirin e Deçanit, me qëllim të “ringjalljes së jetës kishtare” dhe të mbrojtjes së këtij manastiri prej “sulmeve” të shqiptarëve. I prirë nga dalldia fetare vëllazërore, mitropoliti Niqifor firmosi dy marrëveshje me kallogjerët rusë në vjeshtën e vitit 1902 dhe në fillim të vitit 1903. Mirëpo, Qeveria e atëhershme e Serbisë ua kishte bërë të qartë konsujve rusë në Prizren dhe Mitrovicë se kallogjerët rusë mund të hynin në “Manastirin e Deçanit vetëm si bashkëvëllezër!” Megjithatë, i gjithë frustrimi i qarqeve politike e kishtare të Serbisë në atë kohë, ishte akumuluar për shkak se Beogradi nuk kishte arritur ta hapte konsullatën e vet në Pejë, me qëllimin parësor që më pastaj Manastiri i Deçanit të shndërrohej në një qendër kryesore të koordinimit të aksioneve propagandistike politike, por së fundmi edhe të organizimit të sulmeve guerile ndaj figurave shqiptare me ndikim në Vilajetin e Kosovës. Pra, nëse atëbotë do të ishte hapur konsullata serbe në Pejë, atëherë Manastiri i Deçanit do ta fitonte rolin identik që Manastiri i Prohorit të Pçinjës e pati prej vitit 1878 në pjesën lindore të Vilajetit të Kosovës, më saktësisht në Luginën e Preshevës. Që nga përcaktimi i vijës kufitare nga ana e komisionit ndërkombëtar, midis Principatës së Serbisë dhe Vilajetit të Kosovës, në verën dhe vjeshtën e vitit 1878, e deri në çerekun e parë të shekullit XX, sipas dëshmive të dokumentuara deri më tani, Manastiri i Prohorit të Pçinjës (aktualisht në territorin e Komunës së Bujanocit) nën direktivat e Beogradit dhe koordinimit me Këshillin e Lëvizjes Çetnike në Vrajë, ishte shfrytëzuar edhe si magazinë e armatimit dhe si qendër e shpërndarjes së armëve për popullatën joshqiptare në kazatë e Preshevës, të Kumanovës, por dhe më gjerë.
24 janar të vitit 1906 prej Vrajës i barta në Shkup 30 revole. Më 2 shkurt të vitit 1906, po ashtu, prej Vrajës në Shkup i dërgova 49 revole dhe 1.750 fishekë, që më pastaj i barta në Manastir”, ka shkruar në ditarin e tij zëvendëskonsulli, më vonë konsulli serb në Prishtinë, Millan Rakiq.
Sidoqoftë, ngjarja rreth kallogjerëve rusë në Manastirin e Deçanit dhe “bashkëpunimi” i tyre me popullatën vendore shqiptare, duket se e kishte penguar mjaft veprimtarinë e propagandës serbe, mbi kinse sulmet e shqiptarëve në viset rreth manastirit.
Në ditët e para të korrikut të vitit 1905, konsulli serb në Prishtinë Mirosllav Spaljakoviq (1869-1951), bashkë me bashkëpunëtorët e tij midis tyre edhe Millan Rakiqin e kishin vizituar Pejën. Por, një raport i konsullit Spaljakoviq, mbi gjendjen e popullatës joshqiptare në krahinën e Pejës, madje e kishte habitur edhe vetë Rakiqin. Në këtë raport bëhej fjalë për numrin e serbëve të vrarë!
“Prej kohësh, kur ne qëndruam në Pejë dhe deri më sot, në atë nahi nuk ka ndodhur asnjë vrasje. Natyrisht se kjo gjendje nuk mund të merret si pasojë e vizitës sonë atje, por është dëshmi se shqiptarët nuk do të veprojnë sipas justifikimit të përgjithshëm!”, ka shkruar Rakiqi duke e tërhequr vërejtjen në vijim se “nuk duhet t’ju habisë letra e djeshme e Spaljakoviqit, ku ai shkruan se në muajin qershor në nahinë e Pejës nga ana e shqiptarëve janë vrarë pesëdhjetë banorë serbë! Vetë konsullata, prej 14 qershorit deri më 5 korrik, i ka të dëshmuara njëmbëdhjetë vrasje! Prandaj, pyesim prej nga pesëdhjetë vrasje dhe nëse do të ishte kështu, atëherë në Pejë do të duhej të kishte ndodhur një kasaphane e vërtetë”.
Ndërkaq, gjendja reale lidhur me vrasjet në nahinë e Pejës e përshkruar prej vetë qarqeve serbe, ishte se pushtetarët osmanë i nxisnin shqiptarët vendorë kundër komunitetit serb me qëllim të moslejimit të shtrirjes së influencës kishtare-politike serbe në nahinë e Pejës. Mu në këtë drejtim konsullata serbe në Prishtinë, tanimë e ngrinte zërin edhe për dëbimin e kallogjerëve rusë nga Manastiri i Deçanit, sepse “popullata vendore serbe i shihte kallogjerët rusë si shkakun kryesor të pasigurisë së tyre, ngase ata i kishin motivuar serbët lokalë që të ankoheshin ndaj disa shqiptarëve, për kinse sulmet ndaj tyre dhe se ata për këtë ishin syrgjynosur në viset e largëta nga Kosova”.
Çështja e kishte arritur pikën e vlimit kur qeveritarët serbë ishin detyruar të nisnin aksionin e dëbimit të kallogjerëve rusë prej Manastirit të Deçanit. Kërkesa ishte aktualizuar atëherë kur kallogjerët kishin filluar të silleshin sikur manastiri të ishte pronë ruse, ata më pastaj kishin futur përçarje midis pakicës serbe në Kosovë, sa që kishin shkuar aq larg duke e bindur një pjesë të serbëve lokalë se ata në fakt ishin rusë e jo serbë! Por, tani kur Beogradi e kishte iniciuar largimin e kallogjerëve rusë, në krye të Manastirit të Deçanit qëndronte ati Kirillo, që njëherësh ishte kryekallogjeri rus i ardhur bashkë më grupin e tij.
“Unë nuk mund të pranoj që kallogjerët rusë të largohen nga manastiri pa iu dhënë ndonjë kompensim dhe nëse atyre nuk u jepet diçka, atëherë do të duket ashiqare se rusët janë përzënë nga manastiri dhe kjo do të ishte turp për Rusinë dhe për manastirin”, ishte shprehur konsulli rus në Mitrovicë, Tuhollka, po ashtu në verën e vitit 1905.
Duke i analizuar materialet arkivore që ruhen në Arkivin e Serbisë në Beograd, lidhur me çështjen e Manastirit të Deçanit, më pastaj raportet e kallogjerëve rusë dhe shqiptarëve vendorë, rezulton se megjithatë shkaku kryesor i inicimit serb të dëbimit të rusëve, ishte bashkëpunimi i tyre me shqiptarët!
“Kur ditën e Shën Vidit tek unë qëndroi, konsulli rus në Mitrovicë, Tuhollka, kur u hap biseda për Manastirin e Deçanit, unë ia përmenda se ati Kirillo në emër të manastirit i kishte huazuar 40.000 mijë grosh te shqiptari Bajam Shyca i Junikut! Konsulli rus më tha se do të verifikonte informacionin”, shkruante në raportin e tij të 21 korrikut të vitit 1909, Millan Rakiqi nga Prishtina. Por, nuk kishte vonuar shumë dhe konsulli rus ishte përgjigjur se “Kirillo i kishte huazuar paratë te shqiptari junikas me afat të kthimit për një vit dhe se ato ua kishte ndarë disa familjeve të varfra serbe të rrethinës!”
Më në fund Rakiqi ia kishte tërhequr vërejtjen konsullit rus se “ati Kirillo mund ta ndihmojë popullatën nga xhepi i tij e jo ta fusë në borxh Manastirin e Deçanit!”

“Shumë gabimisht kishim menduar për shqiptarët!”
Nëse konsulli Millan Rakiq, me këmbëngulje angazhohej që Kosovën dhe kosovarët e dekadës së parë të shekullit XX t’i paraqiste para opinionit serb, por edhe para atij ndërkombëtar zi e më zi, ashtu që fatkeqësisht po ndodh edhe pas një shekulli e kusur, atëherë duket qartë se urrejtja kundër shqiptarëve në shekujt e fundit është rrënjosur thellë në të gjitha nivelet e shoqërisë serbe. Madje, konsulli Rakiq, si duket nuk e kishte lexuar as të atin Mita Rakiq (1846-1890), i cili e pati fatin që po ashtu i dërguar, nga Qeveria Serbe që t’i vizitonte për më së afërmi dhe të shkruante për viset e dikurshme shqiptare të Toplicës, Pusta Rekës, Kurshumlisë e Prokuples në vitin 1878, mu atëherë kur gjurmët e zjarreve të luftës akoma tymonin, kur shkatërrimet dhe vrasjet e atyre pak shqiptarëve, të ngelur në vatrat e tyre nuk pushonin, dhe se këto vise të dikurshme të “Arnautllëkut” siç i quante ai, tanimë ishin shndërruar në “viset e reja të Serbisë”.
“Ne kishim menduar shumë gabimisht për shqiptarët, apo, nëse jo ne, atëherë unë kisha menduar gabimisht. Unë në Beograd kisha menduar se shqiptari është i egër dhe nuk punon asgjë, por rri dhe pret me pushkë që ta vrasë dikë, ta plaçkitë e të tjera. Por, kur e pashë Toplicën, Llapin dhe Pusta Rekën, dhe këta pak shqiptarë që i dorëzuan armët dhe na u dorëzuan neve, unë, shpirtërisht, jam bindur se shqiptari në një farë dore është i rreptë, se me e vra njeriun është më lirë sesa me e shkul kallirin e misrit, se për një kokërr të këtij ia merr jetën atij, por njëkohësisht, unë, për turpin tim, jam bindur se shqiptari, nga ana tjetër, është i zellshëm dhe shqiptarët janë punëtorë si rrallë ndonjë popull tjetër, se shqiptari është bujku më i mirë në Serbinë e Re dhe se moralisht edhe materialisht, shqiptarët janë populli më i pastër nga popujt e fqinjësisë sonë. Patriotizmi, apo më mirë me thënë, shovinizmi ynë (serb) nuk na i lejon që popullit shqiptar t’ia pranojë vlerat dhe virtytet e fuqishme, pra popullit të cilin ne e urrejmë...”
Kështu dikur i kishte portretizuar shqiptarët, i ati i Millan Rakiqit, Mita, dhe mbresat e tij ishin mbështetur në radhë të parë nga mikpritja që shqiptarët i kishin bërë atij, përkundër që plagët e luftës ishin akoma të hapura, por vetë ai kishte mbetur gojëhapur kur në çdo fshat shqiptar dyert e shtëpive për t’u pritur si mik kishin qenë të hapura, ndërkaq ai vetë i ka shënuar dy raste kur ishte refuzuar të pritej nga dy nikoqirë serbë!
“Arqimandriti Miron, prapë është duke negociuar me shqiptarët prej të cilëve është duke kërkuar ndihmë për t’i dëbuar kallogjerët rusë prej Manastirit të Deçanit. Ju lutem urdhëroni me telegram, që t’i ndalohet me çdo kusht aktiviteti Mironit”, urdhëronte konsulli Rakiq në raportin dërguar në fillim të gushtit të vitit 1907. Pra, arqimandrit Miron, që në fakt ishte zyrtar i lartë i Patrikanës së Pejës, duhej të suprimohej nga funksioni vetëm për kërkim ndihme prej shqiptarëve!
Përkundër që qarqet politike dhe kishtare të Serbisë së atëhershme nuk i duruan assesi “vëllezërit rusë” në Manastirin e Deçanit, madje edhe atëherë kur konsulli rus në Mitrovicë Tuhollka, kërkoi që ata ta kenë një qeli të veçantë brenda hapësirës së manastirit, ku kallogjerët rusë do të jetonin pa u “përzier” në çështjet e tjera, megjithatë Rusia në mënyrë të tërthortë e ndihmoi kishën serbe në planin e përfitimit të pronave shqiptare nëpërmjet rrugës së intrigave dhe falsifikimeve.
“E kam nderin që ta informoj ministrinë se e kam marrë këtë letër prej konsullit rus në Prizren, Razumovski, ku thuhet se ‘më 21 korrik 1911 prej Deçanit janë kthyer Cvetko Jakiq dhe Petar Kostiq’. Unë nuk e di se çka do t’ju shkruajë Kostiqi, por para meje ai i ka vërtetuar fjalët e Cvetko Jakiqit se Manastiri i Deçanit ka arritur që prej shqiptarëve ta kthejnë tokën në vlerë prej 3.500 lirave turke dhe kjo ka ndodhur për shkak të shkathtësisë së Cvetko Jakiqit, sepse manastiri – mos u çuditini, nuk ka dokumentacion valid në bazë të të cilit do t´i ankohej pushtetit”. Këtë raport, që në vijim do ta sjellim të plotë, më 26 korrik të vitit 1911, ia kishte drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë vicekonsulli serb nga Prishtina, Rakiq. Raporti i plotë i dërguar nga konsullata e Serbisë në Prishtinë ruhet në Arkivin e Serbisë në Beograd, në seksionin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Sipas dokumentit, Cvetko Jakiq, që ishte dragoman i konsullit rus në Prizren, dhe Petar Kostiq, drejtues i Shkollës Teologjike (Bogosllovisë) në Prizren, kishin qenë dy figurat kyç në çështjen e përfitimit të pronave shqiptare në favor të Manastirit të Deçanit.
“Paraprakisht Jakiqit i është dashur që “ta përfitojë” përkrahjen e kryetarit të komisionit kadastral dhe që t’i shtyjë kryeparët shqiptarë, për të deklaruar para komisionit se “ata më parë i kanë uzurpuar në mënyrë të dhunshme pronat e lartpërmendura të Manastirit të Deçanit!” Kryetari i komisionit kadastral qysh në fillim kishte deklaruar qartë se “nëse shqiptarët nuk e pranojnë të drejtën e manastirit mbi pronat e lartpërmendura atëherë “tapia” e manastirit mbi pronat është jovalide dhe ajo nuk dëshmon asgjë!”.
Dokumentin e lartpërmendur që tani ishte afruar si dëshmi për bashkëngjitjen e pronave shqiptare në favor të Manastirit, në turqisht i kishte përkthyer Sava Stojanoviq, deputeti popullor që përfaqësonte komunitetin serb të Prishtinës dhe ai ishte zgjedhur në këtë funksion, në vjeshtën e vitit 1908, atëherë kur Turqit e Rinj i organizuan zgjedhjet e para në historinë e Perandorisë Osmane. Stojanoviqi kishte përkthyer edhe dokumente të tjera që kishin të bënin me Manastirin e Deçanit, dhe konsullata serbe në Prishtinë i konsideronte ato “se ishin përkthyer pa fije kujdesi!”
Krahas tapisë së falsifikuar e keqpërdorimeve të tjera, dragomani i konsullit rus në Prizren, Cvetko Jakiq, kishte arritur që të siguronte deklarata nga, siç shkruhet në dokument, “Dem Lushi, Ymer Kamberi dhe disa shqiptarëve të tjerë”, me ç’rast ishte përpiluar protokolli i nevojshëm. Mirëpo, thuhet më tej në dokument “tani duhet qasur çështjes pronësore me fshatin Isniq, por në këtë rast, Manastiri i Deçanit nuk ka kurrfarë dëshmie që mund të shërbejë si dokument. Për pronat në Deçan janë shpenzuar 25 lira, ndërkaq për çështjen pronësore në fshatin Isniq i kam kërkuar 100 lira dhe prapë nuk jam i sigurt në sukses, sepse nuk kemi dokumente, dhe me vite gjithçka që është vlerësuar si dokument në fakt nuk ka pasur kurrfarë vlere. Për shumë arsye nuk mundem që gjithçka të hedh në letër”, ka përfunduar Rakiqi në raportin e tij të dërguar nga Prishtina në verën e vitit 1911.
Nuk do të kalojnë shumë vite pasi Kosova do të okupohet prej Serbisë, kur në një bisedë që skulptori kroat, Ivan Meshtroviq, e zhvilloi me Rakiqin, ku ky i fundit pa kurrfarë rezerve i kishte thënë atij se “ambulancat e ngritura në ‘Serbinë e Jugut’ po i shpëtojnë nga vdekja fëmijët shqiptarë, dhe në vend se ata të pakësohen po ndodh e kundërta”!
Kosova e sotme tanimë i ka provuar në lëkurën e saj Rakiqët, kallogjerët rusë dhe shumëçka tjetër, por situata e sotme rreth pronave të Manastirit të Deçanit, do të zbërthehet patjetër kur të ndriçohet konteksti i ngjarjeve të marsit të vitit 2004 dhe kur shteti dhe opinioni i Kosovës të mësojë së kush ishin Cvetko Jakiqët e ditëve tona që i drejtonin protestuesit shqiptarë, për t’ua vënë zjarrin kishave dhe njëherësh ia groposnin themelet pavarësisë së Kosovës.