Narrativat ideologjike e vullnetet që i diktojnë ato bëjnë gjithfarë proçkash, të cilat breznitë njerëzore më pas i frymëtojnë me jetë, pasione e edifikim moral. Kështu këtillohet edhe tabloja e marrëdhënieve shqiptaro-italiane prejse gdhiu shekulli i njëzetë, ku simbas një animusi alla-Frantz Fanon, Italia imperialiste mësyn një copë Shqipní që t’i përlajë mbitokën e nëntokën plot xehe. Por, një besojcë e tillë nuk e ka vendin në veglërinë e një studiuesi si Alessandro Roselli. Ai duhet të përhajrohet për punën, kurse këtu letërnxijnë disa përshtypje e rrahmendje të miat gjatë dhe pas leximit...
Numri i shqiptarëve të diplomuar në ekonomi, pa ndonjë përzmadhim, duhet të jetë absurdshëm i lartë: me qindra mijëra diplomëmbajtës. Megjithatë, grada të kësofarshme nuk vlejnë as për hekur.
Pyetja se si ka qenë Shqipnía ekonomikisht në këtë e në atë sekuencë historike nuk është pyetje eglendisëse për thuajse asnjë ekonomist shqiptar. Është një makth ku vjen në spikamë vetëm paaftësia.
Fakti që polet e albanologjisë janë jashtë Shqipnís proper, pra në tokën italiane e gjermane, qëllon të jetë njëfarë amulete fatsjellëse. Si “deus ex machina” vjen edhe historiani i ekonomisë, Alessandro Roselli me një libër që nuk i gjendet shoqi për nga cilësia e diligjenca kërkimore. Botim i vjetit 2006 nga shtëpia botuese londineze “I.B. Tauris”, libri “Italy and Albania: Financial Relations in the Fascist World” figuron më tepër në indekset bibliografike për Shqipnín sesa që përdoret e vlerësohet nga milieu libresk e shkollar këndejpari.
Interesimin e tij shkencor për t’i dritësuar marrëdhëniet e Shqipnís parakomuniste me Italinë, profesori italian e shpalos me akribi e profesionalizëm.
Por, para se të vlerësojmë përmbajtjen e librit, le të bëjmë një vërejtje në krye të herës.
Interesimi i të huajve për Zogun e Shqipnín parakomuniste vijon të jetë konstant: prej Joseph Swireit në vitet ‘30 (me librin e tij “Albania – The Rise of Kingdom”) e deri te autorë bashkëkohorë si Bernd J. Fischer, Robert Austin e Jason Tomes.
Dhe pse botime të tilla (a do të na lejohej termi “zogologji”?) vlejnë kaq shumë? Sepse përpjekja e gjithëkohshme për të sendërtuar Shqipnín e për të manifestuar sens shtetndërtimi – në rrethana thjesht të pamundshme – është disi universaliste dhe i flet thuajse çdo shteti zhele në çdo çip të dhéut.
Libri i Rosellit është flakaresh turinjve jo veç për injorancën tonë kombëtare, në të cilën kufijtë zhdavariten e hapësira habitërisht kohezionohet. Ne vazhdojmë t’i mëkojmë brezat e rinj me mitin sikur Shqipnía, dje dhe sot, është një “El Dorado” resursesh natyrore, të cilat armiku grykës gjithnjë i lakmon.
Në njëmijë e nëntëqind e tridhjetë e tetën, flambojanti Galeazzo Ciano (ministër i Jashtëm në Itali) bënte skena pontifikuese kur merrte kampionë bakri nga Lezha e ia çonte Musolinit gjatë një takimi sy-me-sy. “Ja fiqtë e Karagjenës”, i thoshte plot vanitet, me nënkuptim e shkelje syri për të ndërmarrë një aksion ushtarak.
Por, Shqipnía e vërtetë, ajo të cilën e njihte secili financier e ekonomist i Duçes, nuk kishte dallim prej asaj që mbreti Viktor Emanueli e qesëndisi turivarur: “Çka na duhet Shqipëria me katër shkëmbinj?”
Leximi i librit të Rosellit nuk është lexim që rrjedh lehtë, sepse është i ngarkuar me shifra, statistika e koncepte ekonomike, për të cilat lipsen goxha sy të stërvitur e nerva kali për t’i ndjekur gjer në fund.
Shqipnía e mbas njëmijë e nëntëqind e njëzet e pestës ka qenë thjesht si strajca e Ashkalisë: ka mbajtur gjithçka të secilit që i jepte sadaka.
Historiografia e kmerëve të kuq shqiptarë për thuajse 40 vjet e ka mirëmbajtur narrativen alla-fanoniane: Itali vs Shqipní është zografisur si një tablo për kolonizuesin dhe të kolonizuarin. Epo, ja që kjo nuk është as për së afërmi kështu!
Në Itali, më njëmijë e nëntëqind e njëzet e dytën, erdhi në fuqi fashizmi. Ajo çka trashëgoi Duçja ishte një Itali që veçse kishte synime për t’u projektuar në Mesdhe, por edhe Lidhja e Kombeve ia ligjëronte rolin e saj protektiv e njëfarë sfere interesi edhe në brigjet përkarshi, pra në Shqipní. Së këndejmi, pohimi se Italinë nuk e sollën në dhéun shqiptar as italianofilët e as Zogu i qëndron për bukuri arsyes...
Prej njëmijë e nëntëqind e njëzet e pesës e tutje, Benito Mussolini thjesht është i familjarizuar me gjithçka shqiptare. Politika drejt Shqipnís, sidomos prirja për të krijuar prani ekonomike, ishte në duart e teknokratëve për të cilët ideologjia kishte ndikim të hiçtë.
Veç nga kërkimi syvëmendshëm i Rosellit mësojmë se si investitorët italianë qysh në fillim e dinin se do të përfundonin me humbje, se huatë kurrë nuk do të shlyheshin, se miliona lira derdheshin në Shqipní e nuk nxirrej as çereku i tyre në prapakthim.
Ka qenë shi kjo gjendje e gjërave që një komentator amerikan e pikasi qysh më njëmijë e nëntëqind e tridhjetë e dy: “Italia nuk po e shfrytëzon ekonomikisht Shqipnín e fukarallëkut. Hëpërhë, do të ishte më afër të vërtetës së realitetit ekonomik po të thuhej se Shqipnía e shfrytëzon Italinë”.
Ky libër është i mbushulluar me pafund të dhëna, bubërrime e kundrime, por ajo çfarë duhet të thuhet bindshëm është se relevanca e shqiptarëve, dje dhe sot, është cikërrimë në sytë e kujtdo. Çështja është se si këtë parëndësi ta tejkalojmë e me ndihmën e cilësdo fuqi, duke e manipuluar herë kështu e herë ashtu, t’i jepet shtetit një vrushkull fryme në këtë gjeografi tokëkeqe që as dreqit nuk i hyn në punë.