Përkundër konsistencës së veçantë lidhur me këtë çështje, dënimi me vdekje për apostazinë është kontrovers dhe për këtë ekzistojnë mendime të ndryshme qysh nga kohët e mëhershme të islamit. Ideja ime themelore lidhur me këtë debat, mbështetet në premisën, se dënimi me vdekje për apostazinë është i gabuar dhe se një vendim i tillë është në konflikt eksplicit me thirrjen e Kuranit mbi lirinë në besim. Pyetja e parë që shtrohet kur bëhet fjalë për blasfeminë, është definicioni dhe funksioni i saj. Blasfemia gjithmonë ka ngelur e padefinuar plotësisht dhe vështirë e përcaktuar. Megjithatë nuk është kështu vetëm në islam, por edhe në krishtërizëm dhe judaizëm
Është më se e sigurt se shprehja e mendimit të lirë është aspekti më i rëndësishëm i lirisë së fjalës, pasi në fakt liria e fjalës në vete mund të përmbajë aspekte të ndryshme të paraqitjes së fakteve apo ngjarjeve ta zëmë të komedisë apo të fiksionit. Mirëpo, rëndësi të veçantë ka paraqitja apo shprehja e mendimit të caktuar, sepse kjo nënkupton nivelin e caktuar të përfshirjes, të angazhimit dhe përgjegjësisë, që vlen kur është fjala për paraqitjen faktike të një ngjarjeje të caktuar. Kjo mund të shpjegohet pjesërisht se pse në traditën skolastike islame nocioni hyrijje er-re’j, që do të thotë “liria e mendimit” shfrytëzohet për lirinë e fjalës së lirë, edhe pse në këtë rast më tepër i përgjigjet shprehja arabe hyrrijje el-kavl. Fakti se dijetarët dhe juristët për lirinë e fjalës në mënyrë të vazhdueshme dhe konsistente e kanë përdorur këtë shprehje, ndoshta më së miri e paraqet rëndësinë e mendimit individual (re’j) si njërin nga aspektet më të rëndësishme të kësaj lirie. Mendimi individual apo personal re’j mund të ndahet në tri kategori: ai mund të jetë falënderues, qortues dhe i dyshimtë.
Mendimi re’j është i definuar si shprehje e mendimit për gjërat që nuk janë të rregulluara në Kuran dhe në synetin islam. Ky mendim nënkupton qëndrimin e shprehur thellë, tek i cili është arritur pas shumë përpjekjeve intelektuale të individit, i cili e hulumton dijen në një temë të caktuar, për të cilën temë ekzistojnë vetëm parashenja dhe indikacione (emarat) të tipit të caktuar. Mirëpo, parashenjat dhe indikacionet janë të atilla saqë ato mund të rezultojnë në përfundime të ndryshme. Kur flasim për përdorimin e kësaj shprehjeje, tek arabët re’j përdoret për gjërat të cilat nuk mund t’i shohim, por që njohja e tyre arrihet me përpjekjen e intelektit, mënyrës intuitive ose të sqarimit.
Mospajtimet midis racionalistëve dhe tradicionalistëve
Prej kësaj që e thamë, është e qartë se mendimi re’j mbështetet ekskluzivisht në parashenjat, shenjat dhe indikacionet. Kur dikush flet për gjërat që janë të lidhura me sferën e të padukshmes dhe për atë nuk ekzistojnë kurrfarë informacionesh, qëndrimi apo mendimi i tij nuk do të pranohet si re’j. Në këtë kuptim, re’j e ka rolin preliminar për dituri dhe niset nga informacioni i cili mund të hulumtohet dhe për të cilën dituri është e nevojshme të sillet përfundimi racional. Ndonjë individ mund ta shprehë mendimin, qëndrimin e tij apo diç tjetër, derisa ai nuk e thyen ndonjë ligj apo të drejtë në lidhje me blasfeminë, mashtrimin apo intrigën e të tjera. Në këtë rast, individi është i lirë që ta zhvillojë qëndrimin e tij. Ashtu siç drejtësia e toleron mendimin individual, po ashtu edhe mendimi individual luan rol të rëndësishëm në zhvillimin e ideve, si dhe e ndihmon hulumtimin e së vërtetës dhe arritjen e diturisë. Shpeshherë ka ndodhur që ndonjë mendim i fuqishëm është nxitur prej ndonjë mendimi apo ideje më të dobët, provokuese dhe të gabuar.
Korpusi juridik i së drejtës islame (juris corpus) paraqet personifikimin e mendimit individual (re’j) dhe të autoritetit të traditës. (Kuranit, synetit dhe ixhmas). Megjithatë, tradita i përcakton kriteret kundrejt të cilave përcaktohet korrektësia dhe përshtatshmëria e mendimit të caktuar (re’j). Siç edhe e pamë më lart, re’j e ka rolin e caktuar kur është fjala për përcaktimet e qarta për Shpalljen nga Perëndia. Mirëpo, kur në këto burime nuk ekziston udhëzimi apo rekomandimi i qartë, apo kur në ato ndodhet vetëm indikacioni që është i hapur për interpretime dhe përfundime të hapura, atëherë flasim për çështjen që i nënshtrohet mendimit re’j. Por, konsensusi i mendimit (ixhma’) është metoda e vetme e pranuar sipas së cilës vërtetohet validiteti i mendimit re’j. Në këtë rast, mendimi i bazuar dhe i besuar e përcakton dobësinë dhe pasaktësinë e mendimit tjetër. Prandaj, mendimi i dobët dhe i gabuar re’j e ka rolin në evoluimin e ixhtihadit të drejtë. Me siguri se për këtë arsye profeti Muhamed a. s. ka thënë se “vetëm përpjekja e dijetarit kompetent apo muxhtehid në rrugën dhe qëllimin e arritjes së të vërtetës e meriton shpërblimin, qoftë ai ta ketë arritur apo jo qëllimin e tij”.
Kur flasim për kontekstin e mëhershëm të mendimit juridik në islam, duhet të themi se mendimi re’j më tepër ka qenë i lidhur me lirinë dhe risitë që kanë qenë të ndërlidhura me çështjet personale të individëve. Kjo ishte akuza themelore e përkrahësve të traditës (ehl el-hadis) kundër kundërshtarëve të tyre apo përkrahësve të mendimit personal (ehl-er-re’j). Ky konotacion paksa negativ i mendimit re’j ka kaluar nëpër ndryshime të rëndësishme, duke iu falënderuar më së shumti përkrahësve të mendimit personal, në veçanti hanefijëve, të cilët kanë dëshmuar se islami nuk ka qenë kurrë kundër arsyes dhe mendimit personal, duke nënkuptuar se arsyeja dhe mendimi i shprehur nuk vijnë në kundërshtim me parimet themelore dhe me intencat e islamit. Me qëllim të dëshmimit të mendimeve të tyre, përkrahësit e mendimit personal e bënë metodologjinë dhe orientimet e përgjithshme të zbatimit të drejtë të mendimit (re’j) në formën e të menduarit analogjik (kijas), në preferencën juridike (istihan), në shërbim të parandalimit të dëmit (sedu zera’i) dhe supozimit të kontinuitetit dhe qëndrueshmërisë (istihab). Këto dhe parimet e tjera të eshfikahut, siç janë dhënia e përparësisë së mendimit të as-habëve mbi muxhtehidët e tjerë, e ka pasur qëllim afrimin e mendimit (re’j) me ligjet, drejtësinë, parimet e Kuranit dhe synetit. Mospajtimet midis racionalistëve dhe tradicionalistëve, në lidhje me përdorimin e mendimit (re’j) dhe rëndësisë së tij, janë para se gjithash çështje të orientimit sesa të përjashtimit absolut të validitetit thelbësor të mendimit (re’j) në të dyja anët. Të vetmet lëvizje sektare që e hedhin poshtë validitetin dhe zbatimin e mendimit (re’j) janë batinitë dhe tealmitë, pra që do të thotë ezoteristët.

Afirmimi i mendimit individual
Por, në Kuran ekzistojnë ajete të shumta që e afirmojnë mendimin individual (re’j). Gjithashtu, Kurani e arsyeton këshillimin në lidhje me çështjet publike (shura) që në thelb përbëhet prej qëndrimeve personale dhe të mendimeve të të gjithë individëve të kyçur në atë këshillim. (Kurani XLII:38). Më pastaj, Kurani porosit se për çështjet ku ka mospajtime duhet deleguar të gjithë përfaqësuesit kompetentë (ulul emr) me qëllim që të vihet te vendimi përfundimtar, ndërkaq arsyeja për këtë është se pikërisht këta përfaqësues janë të aftë që të sjellin vendime të drejta dhe të bazuara. (Kuran IV:59). Në synetin e profetit Muhamed a. s. sikurse dhe në praktikën e as-habëve, e vërejmë shumë qartë se përfaqësuesit e komunitetit mysliman, janë të vendosur të jenë mëkëmbës në vendet e largëta, me vetëdije të plotë se munden dhe duhen të mbështeten në mendimin personal dhe ixhtihadin e tyre në lidhje me çështjet, për të cilat nuk ekziston përgjigje e qartë në burimet tradicionale islame.
Nëse ekzistojnë të gjitha parakushtet, mendimi dhe hulumtimi racional duhet të realizohet qoftë edhe nëse një gjë e tillë kundërshtohet apo rezistohet nga masa e gjerë, sepse njerëzit e tillë mund të jenë jo të informuar apo jo të arsimuar e të tjera. Këtu edhe qëndron kuptimi i ajetit kuranor sipas të cilit “pas shpalljes së udhëzimit të qartë, ai udhëzim apo rekomandim nuk guxon të hidhet poshtë edhe nëse një gjë të tillë e bën një shumicë e njerëzve.”
Në anën tjetër është e qartë se teksti kuranor e parasheh mundësinë e mospajtimit midis sunduesit dhe qytetarit, por duket qartë se obligimi i dëgjueshmërisë ndaj pushtetit të zgjedhur në mënyrë legjitime, në asnjë mënyrë nuk ia privon të drejtën qytetarit që të hyjë në debat me sunduesin dhe qeverinë.
Debati lavdërues, xhedel, është i lejuar në mënyrë të qartë në Kuran. Në të vërtetë debati paraqet një temë kuranore mjaft të rëndësishme, që përmendet njëzet e pesë herë, ku sqarohet qartë se njeriu anon nga debati dhe të debatuarit. Në një vend Kurani na rrëfen për gruan Havli bint Sa’leb që ishte bashkëshorte e Avsa ibn Sabitit, me ç’rast ajo ishte ankuar se i shoqi po e fyente dhe po e përbuzte. Me këtë rast u shpall ky ajet kuranor:
“Allahu i ka dëgjuar fjalët e asaj që ka debatuar për bashkëshortin me Ju (profetin Muhammed a. s.) dhe ajo iu ka ankuar Allahut - dhe Allahu e dëgjon bisedën mes jush, sepse Allahu me të vërtetë i dëgjon dhe i sheh të gjitha” (Kur’an LVIII:1).
Pas kësaj ankese, gruaja e fitoi të drejtën që të ndahej prej burrit. Ky ajet kuranor në mënyrë të qartë ia pranon të drejtën individit në këtë rast të gruas, që problemet e saj t’i paraqesë dhe t’i diskutojë ato madje edhe me profetin Muhammed a. s., që në kohën e ngjarjes në njëfarë mënyre ishte në postin e kryetarit të shtetit.
Jo vetëm prej këtij ajeti kuranor, por edhe nga shumë të tjera vërejmë se Kurani e përkrah dhe e nxit debatin themelor dhe të frytshëm, sa herë që ai mund të sjellë ndonjë dobi. Mirëpo, nëse auditoriumi ka qëndrim armiqësor dhe nuk është i gatshëm për zhvillimin e dialogut racional dhe ai auditorium nuk e ka për qëllim që të realizohet ndonjë e mirë me anë të debatit të mbështetur në orientimet kuranore, atëherë ndalohet të debatohet me njerëz të tillë, prandaj problemin që duhet të ishte temë debati duhet zgjidhur me metoda të tjera efektive.
Gjithashtu është e preferuar që të shqyrtohet ndonjë çështje e caktuar materiale, e cila nuk ka lidhje me parimet fetare, por që njerëzve mund t’u sjellë ndonjë dobi apo që atyre t’ua mënjanojë ndonjë rrezik të caktuar. Prandaj, nëse dikush lëshohet në kritikë publike, e cila e rrënon mirëqenien, ndikon te njerëzit apo i nxit ata për të keq, atëherë gjithkush që e njeh atë problematikë është i obliguar që të kyçet në debat, duke e afruar mbrojtjen e tij të mbështetur në argumente të shëndosha dhe duke i paraqitur ato në mënyrë të qartë dhe precize. Pra, mbrojtja e njerëzve prej ndonjë të keqeje apo fatkeqësie është obligim i çdokujt. Prandaj, debati lavdërues, xhedel në të dy format e ka për qëllim ta ruajë rrënimin e parimeve të besimit dhe mbrojtjen e njerëzve prej çdo të keqeje dhe fatkeqësie.
Më tej ekziston edhe tipi tjetër i debatit lavdërues, i cili zbatohet dhe e ka për qëllim nxitjen e zhvillimit dhe përparimit të shkencës, qoftë të bëhet fjalë për çështje fetare apo disiplina të tjera shkencore. Orientimet kuranore për debatin xhedel, gjithashtu kanë të bëjnë mbi diskutimet dhe debatet që e kanë për qëllim hulumtimin e temave akademike. Këto debate duhet të jenë shembullore dhe edukative me synimin që të arrihet tek e vërteta dhe në asnjë mënyrë të mos synohet zbulimi i mangësive të pjesëmarrësve të debatit.
Parë në përgjithësi, Kurani dhe syneti janë të pasur me udhëzime dhe orientime etike për një retorikë të duhur. Qëndrimi i mirë verbal ndaj të tjerëve e paraqet temën qendrore të etikës islame, që shpeshherë barazohet me udhëzimin e drejtë – hidaje. Kurani nxit që “njerëzve duhet drejtuar me fjalë të mira”, që njerëzit duhet të jenë të sjellshëm në biseda, sepse ata që janë të frymëzuar me fjalë të mira janë edhe të frymëzuar në rrugë të drejtë. Në Kuran, fjala e bukur krahasohet me pemën e bukur që është e shëndoshë, me rrënjët e forta në tokë, ndërkaq në synet fjala e bukur barazohet me dhënien e sadakassë apo të bamirësisë, të cilat mund t’i ndajmë për çdo ditë.
Diversitetet në mendime
Edhe pse vetë natyra e mendimit (re’j) dhe diversiteti mjaft i theksuar e mohojnë çdo ide për ndonjë kornizë të prejudikuar, megjithatë dijetarët islamë, janë përpjekur që mendimin (re’j) ta ndajnë në katër kategori: në mendim korrekt (er-re’j es-salih), mendim jokorrekt (er-re’j el-batil), mendim jo të pëlqyer (er-re’j mezmun) dhe mendim diskutabil (er-re’j fi mevdi il istibah).
Mendimi korrekt (er-re’j es-salih) është mendimi që është në harmoni me mendimin dhe qëndrimet paraprake të ylemasë, që kanë vepruar duke u mbështetur mbi ato qëndrime dhe e kanë integruar këtë mendim në ftvatë dhe ixhtihadin e tyre. Me fjalë të tjera, mendimet e tyre kanë qenë të harmonizuara me normat e përgjithshme të sheriatit. Pra, e vërejmë se në këtë rast veprimi është retrospektiv, sepse si kritere merren qëndrimet e dijetarëve të mëparshëm, me qëllim që të vlerësohet ndonjë qëndrim i ri. Prandaj, gjithsecili duhet të ketë kujdes se një veprim i tillë për mendimet që kanë të bëjnë me të ardhmen, nuk do të mund të kenë ndonjë shkallë të lartë sigurie. Qëndrimi i caktuar mund të konfirmohet vetëm atëherë kur mënjanohen të gjitha dyshimet që kanë lidhje me besueshmërinë dhe korrektësinë e arritjes së atij qëndrimi. Procesi kryesor që ka të bëjë me kristalizimin e tillë të qëndrimeve dhe të mendimeve në metodologjinë klasike islame është i njohur si konsensus apo ixhma. Kur një mendim i dikujt pranohet apo miratohet me anë të procesit ixhma, atëherë ai bëhet i plotfuqishëm dhe i padyshimtë. Me fjalë të tjera, konsensusi (ixhma) paraqet vërtetimin përfundimtar të mendimit rreth një çështjeje që ka qenë temë e debatit, por pas këtij procesi ajo temë nuk është më diskutabile. Në kohën moderne, aktet dhe vendimet juridike paraqesin një proces identik, sepse kur ato njëherë bëhen të plotfuqishme dhe pranohet një qëndrim i caktuar apo një vendim gjyqi, atëherë lënda apo rasti i trajtuar nuk mund të jetë më tej temë debatesh apo mosmarrëveshjesh. Vendimet kolektive dhe konsultative të cilat i kanë aprovuar komisionet profesionale dhe përfaqësuese, gjithashtu mund t’i japin peshë dhe qëndrueshmëri ndonjë qëndrimi apo mendimi që deri në ato momente ka qenë i izoluar. Në botën moderne opinioni publik dhe mediet në mënyrë identike, shpeshherë e orientojnë drejtimin e ndonjë konsensusi të mundshëm, validiteti i të cilit nuk mund të konfirmohet duke iu referuar vetëm burimeve tekstuale (nusus) apo konsensusit të përgjithshëm (ixhma).
Në anën e kundërt të mendimit korrekt qëndron mendimi jokorrekt (er-re’j el-batil) apo mendimi i gabuar, i cili nuk është i pranueshëm në asnjë rast dhe formë. Për këtë rast ka shkruar dijetari Islam Ibn Kajim el-Xhevzije i cili ka thënë se “mendimi i tillë është në kundërthënie të hapur me qëndrimet e dijetarëve, ylemasë së gjeneratave të mëhershme, prandaj një mendim të tillë yelmetë do ta hidhnin poshtë në qëndrimet dhe fetvatë e tyre”.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë
Marrë nga libri “Freedom of Expression in Islame” Cambridge, Islamic Text Society, 1997.
Mohammad Hashim Kamali (1944) është drejtor general i Institutit Ndërkombëtar për Studimet Progresive Islame (IAIS) në Kuala Lumpur. Përgatiti: Skënder Latifi