Shtojca për Kulturë

“Shpirti dervish” e ngjyros bardhezi botën mistike

Fotografi te njerezve duke praktikuar ritalet si kenge e vallezim

Në fotografi shihen njerëz duke praktikuar ritualet si këngë e vallëzim. Veshjet janë shënjuese për përkatësinë fetare. Imazhet janë veshur në bardhezi si një ngjyrim dramatik nga artisti

Krejt fotografitë janë bardhezi, por fuqia që kanë i bën të depërtojnë nëpër ngjyrat e një bote mistike e hyjnore. Arti i mjeshtrit të fotografisë Fahredin Spahija nuk përjetëson çaste, por thur rrëfime për përjetime shpirtërore. Personazhet bëhen dramatike, shndërrohen në subjekte gjendjeje. Spahija i ka përcjellë ritet sufiste për dy dekada për ta sjellë rrëfimin e tij unik me “Shpirtin dervish”

Në 27 fotografi, Fahredin Spahija me art fotografik sjell lidhjen shpirtërore të njeriut dhe gjendjen e tij totalisht të shkëputur nga bota. Janë portrete bardhezi të shkrepura gjatë riteve fetare. Procesi 20-vjeçar për ekspozitën “Shpirt dervish”, kuruar nga Fahredin Shehu, është finalizuar me shfaqjen e fotografive në kafe-galerinë “KultPlus” në kryeqytet. 

Ecja nga njëra fotografi te tjetra ngjan në të njëjtin imazh, por aty ka shumë më shumë. Esenca është përjetimi shpirtëror i atij momenti. E ky përjetim duket unik në secilin protagonist në fotografitë e artistit Spahija. 

Në fotografi shihen njerëz duke praktikuar ritualet si këngë e vallëzim. Veshjet janë shënjuese për përkatësinë fetare. Imazhet janë veshur në bardhezi si një ngjyrim dramatik nga artisti. 

Ka treguar se ato i ka shkrepur nëpër hapësirat fetare në Kosovë e në Shqipëri dhe se me këtë tematikë ka nisur të merret para 20 vjetësh dhe ka zgjatur deri në vitet e fundit. 

“Janë portrete të dervishëve gjatë ritualeve të tyre të cilat quhen zikër apo si ziqër në popull. Kjo për dervishët është tubimi kulmor vjetor. Çdoherë ato mbahen më 21 mars, në ditën e pranverës”, ka thënë artisti Spahija. 

Fahredin Spahija (majtas) i ka shkrepur fotot nëpër hapësirat fetare në Kosovë e në Shqipëri dhe me këtë tematikë ka nisur të merret para 20 vjetësh

Ka treguar se fotografitë janë shkrepur çdo 21 mars në atë që njihet si Dita e Sulltan Nevruzit dhe se është përqendruar në ritualet e tri tarikateve të ndryshme. 

“Varësisht prej tarikatit, pasi ka tarikate të ndryshme, zikrat janë ndryshe prej secilit. Mua më ka interesuar Rufai, Mevlevi dhe Saadi. Këto tri tarikate i kam përcjellë, jam munduar të përcjell këto rite, sepse brenda tyre ka shumë ndodhi mandej. Ajo kryesorja është kur ata me disa gjilpëra shpohen në vende të ndryshme të trupit. Ajo është goxha dramatike por edhe shumë interesante. Interesimi im ka qenë jo religjioz, por artistik”, ka thënë Spahija për KOHËN.

Këto tarikate janë të pranishme dhe luajnë rol të dukshëm në Kosovë dhe në Shqipëri. Ndërthurin stile dhe ide të adhurimit midis njëra-tjetrës. Ndërsa tarikati në përgjithësi është shkollë e sufizmit. Është koncept për praktikat shpirtërore që, sipas të dhënave, “kërkon të vërtetën e pafundme”.

Spahija ka thënë se në qendër është ana hyjnore në këto fotografi.

“Kam shkuar të bëj portrete dhe të kap situata kur persona të caktuar që janë brenda atij grupimi, janë nën efektin e ritualit dhe të shpërqendruar totalisht nga njerëzit përreth. Riti i zikrit e ka atë qëllim, që secili me vetveten të mbërrijë një nivel përtej tokësores. Ata me ato lojëra e vallëzime, këngë, mëtojnë të mbërrijnë hyjnoren. Në situata të tilla, në portrete sheh që shpirti i tyre dashurohet me nivelin e futjes tyre brenda atyre ritualeve”, ka thënë ai më tej. 

Në fotografi shihen portretet e të të gjitha moshave tek praktikojnë ritet fetare. Ndonëse imazhet me raste zmadhojnë subjektin e shpesh edhe e përgjithësojnë atë, duket se qëllimi i artistit ka qenë të kapet emocioni i përbashkët i turmës. 

Me shkas produkti final është servuar në formatin bardhezi.

“Prej dy teknikave kryesore të fotografisë, me ngjyra dhe bardhezi, jam përcaktuar për këtë të fundit sepse subjekti del më dramatik pastaj edhe publiku arrin të përqendrohet më mirë në një fotografi që është bardhezi sesa në atë me ngjyra. Kjo sepse ato nganjëherë mund ta shpërqendrojnë publikun”, ka thënë autori i 27 fotografive të ekspozuara në kafe-galerinë “KultPlus”. 

Ardianë Pajaziti, drejtoresha e “KulPlusit” siç quhet edhe portali i kulturës, ka vlerësuar se artisti Spahija veçse e ka ndërtuar stilin e tij të punës artistike. 

“Duke e vendosur ekspozitën e tij në galerinë ‘KultPlus’ e mendova që edhe nëse nuk do të ishte emri i tij, paralajmërimi për ekspozitën e tij, e pata ndjesinë që ata që e njohin punën e tij, sidomos në portrete, mund ta njohin punën e tij për shkak të ndërtimit të këtij stili”, ka thënë ajo. 

Është shprehur e nderuar që ekspozita “Shpirti dervish” ka ilustruar muret e galerisë me artin e Fahredin Spahijajt. 

“Ne jemi të nderuar për këtë ekspozitë, për faktin se, për ne të tjerët ndoshta është një ekspozitë e radhës, por në momentin kur m’u dërgua përmbajtja, ato 20 vjet në 27 fotografi tregojnë shumë. Një punë kolosale për 20 vjet dhe të arrish t’i zgjedhësh vetëm 27 fotografi nga ajo përcjellja e ritualeve, do të thotë është një satisfaksion dhe unë uroj të pëlqehet edhe nga ana e audiencës”, ka thënë Pajaziti. 

Kuratori i kësaj ekspozite, Fahredin Shehu, konceptin e tij e titullon “Portrete komplekse”. Në tablonë e vendosur pranë veprave ka shkruar se artisti i kap portretet spotante duke marrë besimtarin për model. 

“Duke kaluar fillimisht nëpër fotografi e më pas edhe duke absorbuar tërë artin e Fahredin Spahisë në këto vepra të artit fotografik, vërej se, ndonëse ndoshta ai nuk duhet domosdoshmërisht t’i njohë këto koncepte, artisti i kap shprehjet, respektivisht reflektimet e këtyre aspekteve, në portrete spontane, jo të montuara, ku modeli mbetet besimtari/praktikuesi i ritualit në akt, në dinamikën trans-humane, në aktin e ritualit të adhurimit dhe sakrificës, që mëton drejt transcendencës”, ka shkruar Shehu për ekspozitën e cila do të jetë e hapur një muaj. 

Më tej ai ka shkruar se “artisti arrin që me ndriçim natyral (minimal), ku të vetmet pajisje për këtë lloj të krijimtarisë përdor impulsin kreativ, syrin vigjilent, kap kohën/çastin adekuat dhe kamerën, njëlloj siç poeti e përdor lapsin si mjet përçues të të gjitha të sipërcekurave, për të përçuar mjeshtri dhe emocion, punë dhe krijimtari, përpjekje dhe vigjilencë, prani/ prezencë dhe njohje njëkohësisht”. 

Një lloj ftese për ikje nga materialja e realiteti i rëndomtë, është ndjesia që lë “Shpirti dervish”. E atë e ka fuqizuar edhe epilogu me performancën e kantautorit Petrit Çarkaxhiu, frontmen i “Jerichos”, i cili bashkë me aktorin Nik Istrefi kanë sjellë vargjet sufiste të ikonës Xhelaludin Rumi.