Shtojca për Kulturë

Shkrimtari që na ndihmoi të dalim nga ferri

Përskaj tipave si Mario Vargas Llosa gjithmonë duhet të heqim kapelën dhe t’i përshëndesim me dorë në zemër.

Përskaj tipave si Mario Vargas Llosa gjithmonë duhet të heqim kapelën dhe t’i përshëndesim me dorë në zemër. Sigurisht, ata, me gjithë atë mirësi, nuk mund t’i takojmë në ferr, por kudo që i takojmë, si emra, libra, buste, statuja, duhet t’u jemi mirënjohës që na e zgjatën dorën dhe na ndihmuan të dalim nga ferri (Në foto: Mario Vargas Llosa në shtëpinë e tij në Madrid, i fotografuar më 24 janar 2023. Foto: El Pais/Gianfranco Tripodo)

Në shekullin XX dhe XXI, kemi shumë shkrimtarë dhe shumë intelektualë, por pak shkrimtarë intelektualë. Një nga më të mëdhenjtë e këtyre të paktëve ishte Mario Vargas Llosa, shkrimtari i fundit i një plejade të pazëvendësueshme. Ai tash u përket të gjitha vendeve. Ai i përket edhe Kosovës

Letërsia moderniste proklamoi tipin e shkrimtarit të izoluar, që rri brenda sferës estetike, pa u përzier në zhvillimet politike. Ky tip i shkrimtarit s’kthehej dot në intelektual dhe, natyrisht, as në filozof.

Megjithatë, krahas kësaj kategorie (Proust, Joyce, Kafka etj.), ishte edhe kategoria tjetër, që përbëhej nga emra të mëdhenj, si Unamuno, Kazantzakis, Sartre, Camus, të cilët jo vetëm që u kthyen në intelektualë të dorës së parë, por arritën të ngrihen edhe në rang filozofësh. Mario Vargas Llosa hyn në këtë kategori, por duke u mjaftuar me statusin e shkrimtarit intelektual, pa pretenduar epitetin e shkrimtar-filozof. Si i tillë, ai jo vetëm që nuk i fshehu bindjet e tij politike, por edhe i proklamoi dhe mbrojti me këmbëngulje. Gjithsesi, qëndrimi i tij human (mbi-politik) ishte më i theksuar se ai politik, dhe këtë e ka dëshmuar jo vetëm si shkrimtar, por edhe si intelektual. 

Ai mund të quhet kolosi i fundit i letërsisë latino-amerikane dhe i gjuhës spanjolle në përgjithësi, dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj botërorë të bashkëkohësisë. Ai pati fatin të njihej e të shoqërohej me shkrimtarë si Borges, Sabato, Rulfo, Neruda, Cortazar, Fuentes, Márquez, Paz, pra t’i përkiste një konstelacioni letrar hispanik me ndikim të jashtëzakonshëm në letërsinë moderne dhe postmoderne në botë. Dhe në mesin e tyre, ai ruajti autenticitetin e tij për t’u kthyer në një nga autorët më të famshëm dhe më me ndikim jo vetëm në skenën letrare (një ndikim vërehet edhe te Javier Cercas, të cilin e nxiti ta shkruajë romanin tashmë të famshëm “Mashtruesi”), por edhe në atë sociale dhe politike.

Shkrimtari

Mario Vargas Llosa provoi të gjitha format letrare: tregimin, novelën, romanin, dramën, poezinë, esenë, etj. Madje studimi i tij mbi romanin “Njëqind vjet vetmi” mbeti një vepër referenciale për studiuesit e mëvonshëm. Mirëpo, suksesi i tij më i madh lidhet me prozën, veçmas me romanin. Disa nga romanet e tij më të njohura janë: “Qyteti dhe qentë” (i njohur me titullin alternativ: “Koha e heroit”), “Biseda në ‘Katedrale”, “Shtëpia e gjelbër”, “Teze Hulia dhe skenaristi”, “Lufta e fundit të botës”, “Lavde njerkës”, “Fletoret e Don Rigobertos”, “Festa e Cjapit”, “Vajza e prapë”, “Ëndrra e keltit” dhe “Pesë qoshet”. Për veprat që shkroi, ai u shpërblye me shumë çmime, përfshirë edhe çmimin Nobel. Por, meqë fama e tij kishte arritur kulmin para se ta merrte Nobelin, njerëzit mendonin se ai atë çmim e kishte fituar prej kohësh dhe se tani po ia jepnin për së dyti. Ndërsa, vetë Vargas Llosa (i mësuar me rrengun që ia kishte punuar dikush kolegut të tij italian, Alberto Moravia, kur ia kishte dhënë lajmin se gjoja e kishte fituar çmimin Nobel), në telefon me sekretarin e Akademisë suedeze, nuk i besonte dhe insistonte ta shihte lajmin të shtypur në gazetë. Pak ditë pasi u dha lajmi për të si laureat, mori një telefonatë tjetër të çuditshme, tashmë nga miku i tij, Gabriel Garcia Márquez (miqësia me të cilin ishte ndërprerë para shumë vitesh për një çështje private), i cili e uroi dhe i tha: tash jemi të barabartë. 

Në fakt, Márquez dhe Vargas Llosa, gjithmonë kanë qenë të së njëjtës lartësi, pavarësisht dallimeve të mëdha në stile. Márquez hyn te kategoria e shkrimtarëve që thjesht dinë të rrëfejnë, ndërsa Vargas Llosa te kategoria e atyre që kanë edhe dije (teorike) mbi rrëfimin. Është e pamundur të thuhet se cili është më i mirë, por është e lehtë të vërehet që Vargas Llosa është më postmodern sesa Márquez. Pra, i dallon modeli i shkrimit, jo cilësia. 

Në një nga intervistat e tij më të mira, Vargas Llosa thotë se ka lindur për të shkruar dhe se gjithçka tjetër është vetëm komplementare, dhe se shpirti dyshues e ka bërë kërkues: “Unë e di se do të shkruaj deri atë ditë kur do të vdes. Shkrimi është në natyrën time. E jetoj jetën time sipas punës sime. Në qoftë se nuk do të shkruaja, do t’i hidhja trutë në erë, pa asnjë fije dyshimi. Unë dua të shkruaj shumë libra, shumë më shumë dhe shumë më të mirë. Unë dua që të tregoj aventura më interesante dhe më të mrekullueshme se ato që i kam treguar tashmë. Refuzoj ta pranoj mundësinë që vitet e mia më të mira janë pas meje, dhe nuk do ta pranoja atë edhe nëse më sillni dëshmi”.

Përplasja e dy sferave

Një nga tiparet dalluese të prozës së Vargas Llosas është përplasja e dy sferave: publikes dhe privates. Kjo përplasje shkakton skandale, shkatërron familje dhe sjell diktatura të çmendura. Për këtë, mjafton t’u hidhet një sy romaneve “Lavde njerkës”, “Fletoret e Don Rigobertos”, “Festa e Cjapit”, apo “Pesë qoshet”. Në diptikun, le ta quajmë “Diptiku i Don Rigobertos”, shohim shkatërrimin e familjes së Don Rigobertos nga djali i përkëdhelur, me emrin përkëdhelës Fonçito, dhe përpjekjen për ta ribashkuar çiftin Rigoberto – Lukrecia, nga po ai që ka shkaktuar ndarjen me një hartim publik (në shkollë) mbi privatësinë mes tij dhe njerkës. Te “Festa e Cjapit”, që flet për diktatorin Truhijo (Trujillo), flitet për tmerrin publik dhe privat që shkakton diktatori. Si klimaks i rrëfimit është impotenca e tiranit përballë vajzës 14-vjeçare, Urania, të cilën e zhvirgjëron me duar. Historia njeh shumë raste liderësh që për shkak të impotencës (ose frustrimeve të tjera seksuale) kanë drejtuar vendin me prepotencë, në mesin e të cilëve edhe Napoleoni dhe Hitleri, jeta private e të cilëve ka ndikuar fuqishëm në jetën publike të të gjithëve. Gjithashtu, një përplasje mes privates dhe publikes shfaqet edhe te romani “Pesë qoshet”, që flet për imoralitetin në politikë dhe media, nëpërmjet interferimit të publikes në privatësi.

Shkrimtari (anti)politik

Mario Vargas Llosa është quajtur vazhdimisht shkrimtar politik, meqenëse ka trajtuar politikën në shumicën e veprave të tij. Por, ai kurrë nuk është kthyer në propagandues politik, as nuk është instrumentalizuar prej politikës, siç u ka ndodhur në disa raste Sartrit dhe Nerudës, apo edhe disa të tjerëve më vonë. Për të, politika është një temë e tmerrshme e cila duhet trajtuar, duke u parë nga të gjitha anët, dhe sidomos nga perspektiva private. Përtej luksit që i karakterizon politikanët në paraqitjet e tyre publike, ai ka hedhë dritë mbi terrin dhe mjerimin e tyre në jetën e tyre private.

Prandaj, ai nuk mund të quhet thjesht shkrimtar politik, në kuptimin diskreditues, por shkrimtar politik, në kuptimin lavdërues. Askush që lexon romanet e tij, nuk krijon simpati për politikën dhe politikanët, por tmerrohet dhe neveritet prej tyre. Në këtë kuptim, Vargas Llosa sa mund të quhet shkrimtar politik, po aq mund të quhet edhe shkrimtar antipolitik. Në fakt, ai na e shfaq anën e errët të politikës. 

Duke qenë njohës i skutave më të errëta politike, atë e bindën t’i futet politikës dhe të garojë për president. I humbi zgjedhjet përballë një politikani që u shqua për kultivimin e korrupsionit, për instalimin ekstrem të propagandës politike, për shkelje të të drejtave të njeriut dhe për sterilizimin e komunitetit indogjen. Edhe pse Vargas Llosa e quajti fat humbjen e vet në zgjedhje, s’do mend që fitorja e tjetrit ishte fatkeqësi e madhe për peruanët. Të mos harrojmë se injoranca e turmës ishte ajo që e bëri Heraklitin ta refuzojë demokracinë, që bazohet në numra, e ku, prandaj, dy idiotë vlejnë më shumë se një gjeni.  

Mario Vargas Llosa, po t’i fitonte zgjedhjet në vitin 1990, zor se do të gjente kohë për t’i shkruar kryeveprat e pas atij viti, mes të cilave edhe romanin “Festa e Cjapit” (2000). Prandaj, humbja e tij në politikë, ishte fitore në letërsi. Si politikan, ai do të angazhohej vetëm për qytetarët e Perusë, si shkrimtar dhe intelektual u angazhua për të gjithë lexuesit e botës. Le ta parafrazojmë thënien e një romi nga filmi “Kampionët e Shutkës”: çka po më duhet shteti, kur e kam planetin. 

Peruja për Vargas Llosan ishte thjesht pikënisje. Ai tash u përket të gjitha vendeve. Ai i përket edhe Kosovës.

Ai dhe ne

Jam mësuar që kur të flas për shkrimtarët, të flas për shkrimet e tyre, jo për jetën dhe angazhimet e tyre intelektuale. Pra, mjaftohem me tekstin, me strukturën, stilin, figurat dhe  idetë. Të lexosh një libër të Vargas Llosas do të thotë të futesh në një botë tekstuale brenda së cilës do të kishe frikë të jetoje dhe pa të cilën do të ishte humbje të jetoje. Tek ai gjithmonë gjen personazhe që i urren me gjithë shpirt, ashtu siç gjen edhe personazhe që i dashuron e i dëshiron me gjithë zemër. 

Megjithatë, në këtë shkrim eulogjik, tekstet i kam marrë vetëm si pretekste për të thënë diçka tjetër, për ta prezantuar autorin si shkrimtar intelektual. 

Mario Vargas Llosan e kam dashur para se ta lexoja. Arsyeja ishte e thjeshtë: ky shkrimtar i madh ishte kundër Millosheviqit që po kryente gjenocid në Kosovë. Përderisa përbindëshin serb e mbështesnin intelektualë si Noam Chomsky dhe shkrimtar të përdorur si Peter Handke, ne na mbështesnin fuqishëm edhe kolosë humanë si Elie Wiesel dhe Mario Vargas Llosa, i cili shkroi katër artikuj të fuqishëm për Kosovën (të cilët ia kemi mbledhur në librin “Çështja e Kosovës”, 2019): “Trillimi dhe lufta”, “Koka e Millosheviqit”, “Lufta e kotë” dhe “Zjarrmitë pacifiste”. Kur, më në fund, NATO-ja intervenoi, një intervenim që të përdorurit e regjimit vazhdonin ta kundërshtonin, Vargas Llosa i shkroi ato fjalët e famshme: “NATO-ja nuk duhet qortuar pse intervenoi, por pse intervenoi vonë”. 

Bota ka plot njerëz të mençur që, në momente kyçe, rrinë indiferentë. Kur Dante, duke hyrë në ferr, i sheh ata që në momente të tilla kishin ndenjur shpërfillës, udhërrëfyesi i tij, Virgjili, i thotë t’i shpërfillë:

“Emrat pas s’i lanë, këtu si qyqe kanë ngecë!/ Mëshirë e drejtësi nuk meritojnë:/ S’ia vlen me folë për ta, veç kqyri dhe ec!” Pikërisht për rreziqet e indiferencës, në vitin 1999, në Shtëpinë e Bardhë, Elie Wiesel pati mbajtur fjalimin mobilizues për Kosovën. Në të njëjtën kohë, Vargas Llosa kishte mprehur penën për ta mbrojtur një popull nga shfarosja. 

Përderisa përskaj shumë intelektualëve që nuk bënë zë në kohën e një krize të tillë, mund të kalojmë indiferentë, dhe, përderisa përskaj tipave si Chomsky dhe Handke, mund të kalojmë duke i parë me neveri, përskaj tipave si Mario Vargas Llosa gjithmonë duhet të heqim kapelën dhe t’i përshëndesim me dorë në zemër. Sigurisht, ata, me gjithë atë mirësi, nuk mund t’i takojmë në ferr, por kudo që i takojmë, si emra, libra, buste, statuja, duhet t’u jemi mirënjohës që na e zgjatën dorën dhe na ndihmuan të dalim nga ferri. 

Mjerisht, ne nuk kemi bërë asgjë për Mario Vargas Llosan që ka bërë aq shumë për ne. Më 2015, ai ishte në Mal të Zi, por askush nuk u kujtua ta thërriste në Kosovë. Kur shoh se si sillemi me ata që na ndihmuan, i bëj pyetje vetes, Virgjilit dhe Dantes: më të poshtër janë indiferentët, apo mosmirënjohësit? Paj, mosmirënjohësit janë indiferentë ndaj të mirave që u janë bërë. Prandaj, kjo eulogji për shkrimtarin e madh që e ka humbur bota, mund të shihet edhe si një elegji për ndjenjën e mirënjohës që e kemi humbur ne.

© KOHA Ditore