Shtojca për Kulturë

“Shermin Zaimi ishte si Amy Winehouse e ditëve të sotme”

Shermin Zaimi në skenë (Foto: Arkivi i familjes)

Shermin Zaimi në skenë (Foto: Arkivi i familjes)

Rasti i Shermin Zaimit është shembulli i fuqisë së muzikës në ngjallje ndjenjash e kujtimesh. Një këngë do të bëhej shkas që familjarë e miq të dikurshëm të saj, ta gjenin fillin e historive për të kur ia shpalosën ato autores së tekstit të një këngë që përmendte emrin Shermin. Në këtë pjesë të dytë, vjen vazhdimi i tekstit që Jehan Barbur botoi në “Dergi OT” dhe këngëtarja me origjinë nga Kosova, Suzan Kardesh shpalos rrëfimin për Sherminin e saj. “Shenka mund të ishte bërë një zë i njohur në botë. Pamundësitë dhe depresioni i shkaktuar nga lufta i shkatërruan ëndrrat e saj për karrierë e jetë. Pra, çfarë e shtyu atë në thelb të bënte vetëvrasje?”, thotë Kardesh

Kënga ‘Geç Kalmış Şermin'in Yeri’ (I vonuar është vendi i Sherminit)” nuk ka lidhje direkt me Shermin Zaimin e Kosovës, por qe bërë shkak për rizbulimin e portretit të Shenkës, yllit në ngritje në vitet ‘80 që vdiq tragjikisht më 2006. Mbesa e Zaimit do t’i shkruante autores turke Jehan Barbur se teksti i këngës ia kujtonte hallën dhe fatin e saj. Kur zuri të bisedojë me të, nisën të shpalosen edhe kujtimet e të tjerëve – botuar në pjesën e parë të këtij teksti – e, i radhës është edhe ai i Suzan Kardeshit, këngëtares me origjinë nga Kosova, por mbi të gjitha, mikes së Shenkës. “Kur hapa tavernën ‘Bekirya’ në Arnavutköy (Stamboll) në vitin 1991, gjëja e parë që më erdhi në mendje ishte: ‘Shenka duhet të këndojë këtu!’ Këndoi dhe dikur e mora në tavernë, së bashku me një kitarist të quajtur Emir...”, i rrëfen Kardesh autores Barbur, në tekstin e botuar më 2016 në “Dergi OT”. Thotë se ajo do të mund të ishte bërë një zë i njohur në botë, por pamundësitë dhe depresioni i shkaktuar nga lufta në Kosovë i shkatërruan ëndrrat e saj për karrierë e jetë. Ka një përkufizim të prerë për këngëtaren, të cilën e njohin jo pak edhe në Mitrovicë, ku u rrit, njësoj edhe në Prishtinë ku regjistroi këngë që shënojnë historinë e muzikës në këto anë, por që i ka mbuluar harresa: “Ajo ishte si Amy Winehouse e ditëve të sotme”, thotë Kardesh. Në vijim është rrëfimi i saj për Shenkën, siç e ka botuar Barbur.

Rrëfimi i Suzan Kardeshit për Shenkën

“Shermin Zaimi ka një vend shumë të veçantë në zemrën time... Nuk kam pasur kurrë një shoqe prej vërteti, një dost. Por nëse do të pyesnin se kush është shoqja juaj e fëmijërisë dhe mikesha juaj e ngushtë, unë do t’u thosha: Shenka ime... Sikur nuk kishte hyrë më kurrë dikush si ajo në jetën time. 
Pak kohë pasi humbëm Shenkën, i telefonova të vëllait. ‘Mi gjeni regjistrimet e Shenkës në radio’, i thashë. Doja të këndoja një duet me të, qoftë edhe në ëndërr. Por kjo nuk ndodhi; Koha hyri në mes disi dhe kjo mundësi nuk u krijua dot... Por pa shikoni! Shenka shfaqet sërish para meje përmes thirrjes që më bëre ti. Oh Shenka ime! Jehan, sa do të doja të isha në vendin tënd tani e ta shkruaj këtë histori. Jam shumë xheloze për ty...
Kur hapa tavernën ‘Bekirya’ në Arnavutköy (Stamboll) në vitin 1991, gjëja e parë që më erdhi në mendje ishte: ‘Shenka duhet të këndojë këtu!’ Këndoi dhe dikur e mora në tavernë; Së bashku me një kitarist të quajtur Emir... Në fakt ajo ishte këngëtare e radios dhe e skenave të mirëfillta. Por unë doja t'i tregoja asaj edhe një dimension tjetër të sajin ku mund të ulej në një karrige në një vend dhe të këndonte. Doja që të gjithë ta dëgjonin dhe ta njihnin atë. Ajo nuk këndonte vetëm muzikën klasike turke, por gjithçka. Për shembull, e imitonte Stevie Wonderin aq mirë; Nuk mund ta besoni! Ajo ishte si Amy Winehouse e ditëve të sotme. Doja që ta njihnin tamam Shenkën. Doja që të mos e keqinterpretonin atë karakterin e saj artistik. Pas një kohe, Sherminit iu desh të kthehej sërish në Kosovë. U ndamë për një kohë të gjatë, por kur shkova në Kosovë shumë vite më vonë, e takova atë. Më vjen shumë mirë që shkova, më vjen mirë që u përqafuam fort. Para se të ikte..”.

“...mund të ishte bërë një zë i njohur në botë”

“Shenka mund të ishte bërë një zë i njohur në botë. Pamundësitë dhe depresioni i shkaktuar nga lufta, i shkatërruan ëndrrat e saj për karrierë e jetë. Pra, çfarë e shtyu atë në thelb të bënte vetëvrasje? As unë nuk e di. Ajo më kishte thirrur pas takimit tonë të fundit. ‘Shtëpia na u dogj në luftë, Suzan, nuk më ka mbetur asgjë nga e kaluara, a mund të më dërgosh disa fotografi të miat?’, më tha ajo. Fotot e saj i kisha vendosur dhe në albumin tim të dytë. Sepse Shenka ishte një pjesë e rëndësishme e jetës sime, fëmijërisë time, shoku im i vetëm. Fatkeqësisht, jeta nuk u soll shumë mirë me të. Shenka! Gjithçka e imja, mikesha ime e vetme; Ende e kam zemrën e thyer... për atë që do më mungojë gjithmonë...
Kjo histori ka shumë të panjohura. A nuk na kujton se duhet të shikojmë pas në tokat ku jetojmë? Sa njerëz po humbasin, sa të tjerë do të humbasin? A ia vlen të na lini ta përjetojmë këtë në këmbim me atë që do të merrni? A do t’ju duket në rregull?”

“Për Sherminin: Nuk e di, Shenka; a na dëgjove? Ndoshta sot shumë prej nesh do të të dëgjojnë sërish, zërin tënd, të butë e të ndjeshëm prej kadifeje...”, e përfundon autorja turke Jehan Barbur shkrimin e botuar më 2016, në revistën turke “Dergi OT”.

Pjesa e tekstit të Jehan Barburit në “Dergi OT” botohet pa ndërhyrje dhe me leje të saj. Përgatiti dhe përktheu nga turqishtja: Enis Bytyqi