Shtojca për Kulturë

Shenjat e përgjakshme të Perdes së Hekurt të Putinit

Derisa Perëndimi po mundohej të unifikohej deklarativisht pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës nga toka, deti dhe ajri, presidenti ukrainas, Volodymir Zelensky, paralajmëroi Perëndimin, që po e mbështet vetëm me armatim Ukrainën që me Kushtetutë aspiron anëtarësimin në NATO: “Çfarë kemi dëgjuar sot nuk janë shpërthime raketash, luftime dhe zhurma avionësh. Ky është tingulli i perdes së re të hekurt, që është vënë dhe po e mbyll Rusinë prej botës së civilizuar”

Gjuha dhe aksionet e Rusisë së Vladimir Putinit ia kanë ringjallur botës përjetimet e kujtimet e kohës së Luftës së Ftohtë. Madje edhe të Luftës së Dytë Botërore, pas së cilës nisi përplasja e madhe ndërmjet Perëndimit demokratik, të prirë prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe Lindjes komuniste, të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik.

Historianët e studiuesit e politikës së jashtme ruse, të hartuar nga Putini, ish-agjenti i KGB-së famëkeqe, kaherë kishin paralajmëruar për rrezikun për rendin botëror nga Rusia e tij. Por, Evropa, e varur në mënyrë kritike nga burimet ruse të energjisë, nuk ua vari veshin edhe kur Putini deklaroi bujshëm se prishja e Bashkimit Sovjetik ishte “katastrofa më e madhe gjeopolitike” e shekullit të kaluar. Bota, sidomos Evropa e Bashkimit Evropian, u alarmua vetëm në orët e para të mëngjesit të së enjtes kur Putini nisi pushtimin e Ukrainës, duke keqinterpretuar qëllimshëm historinë me pretendimin se Ukraina po qeverisej nga “neonazistët dhe njerëzit e varur nga droga”.

Por derisa Perëndimi po mundohej të unifikohej deklarativisht pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës nga toka, deti dhe ajri, presidenti ukrainas, Volodymir Zelensky, paralajmëroi Perëndimin, që po e mbështet vetëm me armatim Ukrainën që me Kushtetutë aspiron anëtarësimin në NATO: “Çfarë kemi dëgjuar sot nuk janë shpërthime raketash, luftime dhe zhurma avionësh. Ky është tingulli i perdes së re të hekurt, që është vënë dhe po e mbyll Rusinë prej botës së civilizuar”. Në njërin prej video-adresimeve të para në ditën e parë pushtimit, komediani i konvertuar në politikan me zgjedhje demokratike tha: “Detyra jonë është që perdja e hekurt të mos bjerë në territorin ukrainas”.

Perdja e Hekurt i referohej ndarjes ndërmjet Lindjes komuniste prej Perëndimit kapitalist të Evropës pas Luftës së Dytë Botërore deri në përfundimin e Luftës së Ftohtë me prishjen e Bashkimit Sovjetik në fillimvitet nëntëdhjetë.

Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Frans Timmermans, deklaroi të martën pas njohjes së Donjeckut e Luhanskut nga Putini se nuk dëshiron që “nipat e mi të rriten në një botë ku Evropa ka një tjetër Perde të Hekurt”. Ai bëri thirrje që bota të mobilizohet për shkak se një “Perde e Hekurt e re padyshim se do të kishte efekt në mesin e të gjithë neve”.

“Lufta e Ftohtë nuk përfundoi asnjëherë”

Bekim Baliqi, profesor i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, ka përmbledhur në Facebook përfundimin e nxjerrë nga libri i David Oualaaout, “The Dynamics of Russia’s Geopolitics”, botuar vjet, duke spikatur thelbin e pushtimit rus të Ukrainës.

“Sipas tij, kriza tregon se Lufta e Ftohtë nuk përfundoi asnjëherë, në të vërtetë. Përfundimi i tij ishte një iluzion i Perëndimit më shumë”, ka shkruar Baliqi.

Në një analizë të së premtes, televizioni amerikan, CNN, spikatet se pushtimi i Ukrainës është vetëm shenja e parë e madhe e “duelit të stilit të Luftës së Ftohtë të Bidenit me Rusinë” e Putinit.

“Sanksionet ndëshkuese kurrë nuk do të ndalnin raketat, tanket dhe bombat ruse”, analizon televizioni amerikan, duke shtuar se administrata e presidentit demokrat po mundohet të shpërfaqë epërsinë në “luftën e re dhe të rrezikshme” të këtij shekulli.

“Disa orë pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainë, SHBA-ja tërhoqi linjat e betejës që sigurisht se do të jetë përplasje e hidhur me Kremlinin e që me gjasë do të zgjasë derisa presidenti Joe Biden ose presidenti rus, Vladimir Putin, do të largohen nga pushteti”, paralajmëron CNN.

Biden ka edhe më shumë se tre vjet të plota mandat në krye të demokracisë më të madhe në botë, derisa kritikët e Putinit thonë se një prej arsyeve pse e urdhëroi pushtimin e ish-Republikës sovjetike, është edhe fakti se i duhet të ndryshojë Kushtetutën ruse që t’ia hapë vetes rrugën ligjore për të sunduar përjetësisht.

Image
“Vladimir Putini po lë shenjë në Ukrainë. Por, a i ka Perëndimi mjetet për t’ia prerë udhën?” (Foto: AP)

Mungesa e anës ideologjike

“Vladimir Putin dëshiron t’ia mbushë mendjen vetes dhe kujtdo që mund ta mashtrojë, duke besuar se ideja liberale është e vjetërsuar – sepse ai ka frikë nga fuqia e saj”, do të deklaronte Bideni gjatë fushatës së tij presidenciale në një fjalim për politikën e jashtme.

Të enjten, ai e përshkroi Putinin si politikan me “vizion të keq për të ardhmen e botës sonë”, ku, sipas shefit të Kremlinit, “shtetet me forcë marrin atë që duan”.

“Rusia e sotme nuk është më agresive se Bashkimi Sovjetik i djeshëm, por sot Rusisë i mungon një instrument shumë efektiv, të cilin e kishte Bashkimi Sovjetik: Joshjen ideologjike përmes përdorimit të ideologjisë komuniste dhe përrallave të saj”, ka shkruar të premten në Facebook ligjëruesi i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, Blerim Latifi.

Konflikti në Ukrainë është vetëm pjesa më e dhunshme në një tërheqje të luftës mbarëbotërore mbi të ardhmen e demokracisë.

“Politika ruse karshi Ukrainës vë në pah dy gjëra. E para është se Putini kundërshton me çdo forcë demokratizimin e afrimin e Ukrainës me Perëndimin, pavarësisht kostos”, ka shkruar Baliqi. “Së dyti, rasti i Ukrainës paraqet mundësinë e përsosur për Rusinë për të shtyrë politikën e saj të jashtëm dhe interesat nacionale në një epokë të konkurrencës intensive gjeopolitike, rivalitetit të fortë dhe madje edhe konfrontimit të mundshëm midis Moskës dhe Washingtonit, por edhe midis Moskës dhe Brukselit. Kjo me qëllim që Rusia të pozicionohet si superfuqi dhe të shtrijë ndikimin e saj në tërë Lindjen”.

Perëndimin i befasuar me “botën ndryshe”

Liderët e Bashkimit Evropian u zunë të befasuar me pushtimin e Ukrainës, duke shpërfaqur edhe njëherë përplasjet e brendshme për interesat e tyre kombëtare ekonomike të lidhura me ekonominë ruse, sidomos ato me gazin. Pothuajse një e treta e nevojave të gazit në BE mbulohen nga kompanitë “e miliarderëve të korruptuar” dhe familjet e tyre, besnike ndaj Putinit, sikur se i përshkroi Bideni në natën e shpalosjes së sanksioneve.

Por shefja e diplomacisë gjermane, Annalena Baerbock, tha pas operacioneve të para luftarake se “jemi zgjuar në një botë ndryshe”. Liderët e shteteve anëtare, përfshirë edhe shefin e Baerbockut, Olaf Scholtz, folën për “ditët më të errëta” të Evropës e për kërcënimin më të madh të paqes evropiane vetëm pasi Putini nisi invadimin e shtetit që kufizohet me disa prej shteteve anëtare të NATO-s. Aleatët e Aleancës Veriatlantike tani kanë aktivizuar Forcën e reagimit të shpejtë dhe kanë shtuar praninë ushtarake në Evropën Lindore.

“Vladimir Putini po lë shenjë në Ukrainë. Por, a i ka Perëndimi mjetet për t’ia prerë udhën?” – shtroi opinionisti i “New York Times”, Roger Cohen, që në nëntitull dilemën një ditë pas njohjes ruse të rajoneve separatiste të Ukrainës. Në analizën “Kufizimet e Evropës së tërë dhe të lirë”, Cohen e pranoi se “Perëndimi e ka të ndërlikuar pozicionin e tij”.

Boshti ruso-kinez?

Analizoi edhe reagimin e pritshëm kinez.

“Kina, duke ecur në vijë të mirë midis mbështetjes së saj për Putinin dhe mbështetjes së saj për integritetin territorial të kombeve sovrane, ka refuzuar të kritikojë Rusinë, duke thënë se këto norma duhet të respektohen”, shkroi Cohen për Kinën, e cila edhe pas pushtimit të Ukrainës, vazhdon të fajësojë SHBA-në dhe aleatët e saj në NATO si shkaktarë të luftës pse refuzuan t’ia hidhnin poshtë Ukrainës aspiratën për anëtarësim.

“Megjithatë, në një muaj kur Rusia dhe Kina çimentuan një miqësi pa kufij, urdhri i Putinit për të dërguar trupa në Ukrainë sugjeroi se si fuqia ushtarake ruse dhe pesha ideologjike dhe ekonomike kineze mund të formojnë një front të fuqishëm antidemokratik”, shtoi Cohen. “Presidenti Biden i është referuar shpesh një ‘pike kthese’ midis demokracisë liberale dhe sistemeve autokratike. Tani për tani, kjo pikë duket se shtrihet në rajonet Donnjeck dhe Luhansk, emri i të cilit do të thotë kufi”, shkroi analisti, duke iu referuar dy rajoneve separatiste të Ukrainës.

“Shtetet e Bashkuara do të duhet të menaxhojnë një diktator agresiv dhe të rrezikshëm rus, nga njëra anë, dhe një regjim kinez më delikat, por po aq sfidues”, ka thënë për AP-në Eliot A. Cohen, ish-këshilltar i Departamentit të Shtetit, i cili tani është pjesë e Qendrës për Strategji dhe Studime Ndërkombëtare.

Putini, i cili me vrasje po mundohet ta kthejë e ta ringjallë perandorinë e dikurshme cariste, duke pushtuar shtete që dolën nga Bashkimi Sovjetik, e keqinterpreton edhe historinë, duke vlerësuar se “ukrainasit asnjëherë nuk kanë qenë komb i vërtetë”.

“E vetmuar përballë botës”

“Sot agresioni i Rusisë në mungesë të një justifikimi moral, duket krejtësisht si një agresion barbar, deri në përmasat e fashizmit”, ka shkruar Latifi, ligjëruesi i UP-së. “Prandaj, sot Rusia ndodhet pothuajse e vetmuar përballë gjithë botës, e cila, me gjithë problemet e mëdha, nuk është e gatshme ta pranojë një rend botëror të bazuar në ligjin e xhunglës”, ka shtuar ai.

“Ukraina edhe mund të gjunjëzohet nga pesha e forcës ushtarake, por aventura e rrezikshme e Rusisë që synon eksportimin e autoritarizmit nëpër botë, nuk ka shanse të dalë e suksesshme”, ka vlerësuar me këmbëngulje Latifi.

“Mbetet vetëm të shihet vendosmëria dhe masat e Perëndimit që boshtin rus të mos e lejojë të lëshohet në aventura ushtarake e të përshkallëzimit edhe më të gjerë edhe në vende të tjera!” – ka mbyllur postimin e tij Baliqi, ligjëruesi tjetër universitar.

“Është dëshmuar se gjëja më e vështirë për një komunist, është të parashikojë të shkuarën. Historia duhet të brumoset sipas imperativëve të së tashmes”, ka shkruar Cohen, kolumnisti i “New York Times”, i cili në Evropë kishte mbuluar përplasjet e Luftës së Ftohtë, teksa ka analizuar fjalimin e Putinit. “Javët e ardhshme do të tregojnë nëse zemërimi ukrainas, rizbulimi i unitetit të NATO-s dhe vendosmëria amerikane mund të ndalojnë përpjekjen e tij për të ndryshuar pasojat e shpërbërjes sovjetike”.

Beteja përballë “vizionit ogurzi”

“Veprimet e Putinit tradhtojnë vizionin e tij ogurzi për të ardhmen e botës sonë, një botë ku shtetet marrin me forcë çfarë duan. Por është një vizion që Shtetet e Bashkuara dhe shtetet liridashëse kudo do ta kundërshtojnë me çdo mjet të fuqisë sonë të konsiderueshme”, deklaroi Bideni në fjalimin e së enjtes në Shtëpinë e Bardhë.

“Mesazhi i tij i lirisë kujtoi fjalimin e presidentit Harry S. Truman në fillim të Luftës së Ftohtë origjinale, që ngërtheu Doktrinën Truman që trasoi shtegun për vitet e ardhshme të politikës së Shteteve të Bashkuara kundër Bashkimit Sovjetik”, shkruan ndër të tjera në analizën e televizionit CNN, duke e pasuar paragrafin me dy fjali të tjera që spikatën fjalimin e Bidenit në paraqitjen e parë publike pas fillimit të pushtimit të Ukrainës nga lideri që ëndërron ringjalljen e Rusisë cariste me të në krye të saj.

“Putini do të jetë i izoluar në skenën ndërkombëtare. Çdo shtet që e pranon agresionin lakuriq të Rusisë kundër Ukrainës, do të njolloset nga ndërlidhja me të”, deklaroi Bideni për Putinin që përgjakshëm po mundohet të ndryshojë hartën e botës


Historia e Ukrainës

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paraqitur versionin e tij të historisë së Ukrainës, dy ditë para pushtimit të saj, duke thënë në thelb se shteti i pavarur fqinj gjithmonë ishte pjesë e Rusisë. “Megjithëse kjo po i shërben qëllimit të tij, ky në fakt është një trillim i madh. Ukraina ka historinë e saj mijëravjeçare”, ka vlerësuar agjencia e lajmeve, AP, duke përmbledhur zhvillimet kryesore të historisë së ukrainasve.

Ajo që tani është Ukraina ishte një rajon i kontestuar me kufij të ndryshuar për shekuj që nuk u vu plotësisht nën sundimin e Moskës deri në fund të shekullit të 18-të, gjatë mbretërimit të Katerinës së Madhe. Madje as Perandoria Ruse nuk ishte kurrë në gjendje ta gëlltiste atë lehtësisht a krejtësisht.

Si Pjetri i Madh e Stalini

Putini po ndjek shtegun e rrahur nga sundimtarët e Rusisë qe ishin para tij – nga Pjetri i Madh deri te Josef Stalini, shkruan mediumi amerikan.

“Duke vepruar sikur nuk kishte pasur kurrë një Ukrainë historike deri në kohën sovjetike, Putini fajësoi herë Vladimir Leninin, herë Josef Stalinin dhe në një moment shprehu përbuzjen për vendimin e Nikita Khrushchevit për t’ia marrë Krimenë Rusisë në vitin 1954 dhe për t'ia dhënë Ukrainës”, kujton AP-ja.

“Si Ukraina, ashtu edhe Rusia, po i kërkojnë rrënjët e veta në Kievan Rus, qendër tregtare e ngritur nga vikingët përgjatë Lumit Dnieper më shumë se 1.000 vjet më parë, para se Moska të ekzistonte, e që fillimisht ishte pagane dhe më vonë përqafoi krishterimin ortodoks. Rusia e Kievit ra më pas nën pushtimet mongole të Evropës në fillim të shekullit të 13-të. Muskovia nuk ia doli të hiqte qafe të qenët shtet vasal deri në fund të shekullit të 15-të”, kronikohet në shkrimin e gjatë.

Në vend që të lidhej me Moskën ruse, e gjithë ajo që tani është Ukrainë, për shekuj me radhë ishte pjesë e Dukatit të Madh të Lituanisë nga vitet 1300, dhe më vonë e Unionit të Polonisë dhe Lituanisë, një shtet i madh shumëgjuhësh, multietnik, territori i të cilit përfshinte pothuajse të gjithë atë që tani është Polonia, Lituania, Bjellorusia dhe Ukraina (dhe pjesë të asaj që sot është Rusi).

Uria e madhe

Kryengritjet nga një ushtri kazakësh ukrainas kundër zotëve dhe pronarëve polakë në mesin e viteve 1600 çuan në një aleancë kazake me Moskën dhe Ukrainën Lindore, duke u shkëputur nga Unioni Polako-Lituan dhe duke u zotuar për besnikëri ndaj carit në 1654. Ukraina Perëndimore mbeti pjesë e polakëve - Unionit Lituan edhe për 150 vjet të tjerë, derisa Polonia u nda për herë të fundit në 1795, u fshi nga harta e Evropës.

Polonia u ngrit përsëri pas Luftës së Parë Botërore dhe bëri një luftë territoriale me Rusinë Sovjetike midis viteve 1919 dhe 1922, duke rifituar pjesën më të madhe të Ukrainës. Ato toka u kthyen nën kontrollin sovjetik një brez më vonë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, por pas luftës partizanët nacionalistë ukrainas luftuan kundër sovjetikëve në rezistencë guerile për disa vjet.

“Uria e madhe”, ose Holodomori, imponuar Ukrainës nga Stalini në fillim të viteve 1930, kishte çuar miliona ukrainas drejt vdekjes dhe kishte rrënjosur hidhërim të madh në mesin e ukrainasve kundër sundimit rus sovjetik. Nuk ishte rastësi që bolshevikët e njohën Ukrainën si një Republikë socialiste më vete kur u krijua Bashkimi Sovjetik, shkruan AP.

Bashkimi Sovjetik trajtoi realitetin e historisë dhe identitetit të veçantë të Ukrainës, disi midis Moskës dhe Perëndimit për pjesën më të madhe të ekzistencës së saj, por kurrë nuk iu dha shansi për të sunduar veten deri në rënien e Bashkimit Sovjetik në 1991.