Pas sesionit të fundit të incizuar mu në qendër të Horës së Arbëreshëvet, bendi “Shega” nuk po e ndal punën për publikimin e albumit të parë. E, fill pas tij, pesë të rinjtë arbëreshë kanë në plan koncerte në Kosovë e Shqipëri. “Shpresojmë që albumin ta publikojmë në verë”, ka thënë për KOHËN Giorgio Fusco, vokalisti i grupit
Pesë të rinjtë arbëreshë nga Sicilia i janë avitur më shumë se kurrë ëndrrës së tyre për ta publikuar albumin e parë. Me pasionin e dashurinë e pashuar për të krijuar në gjuhën e ruajtur për pesë shekuj rresht në viset e Italisë Jugore, Giorgio Fusco, Saverio Guzzetta, Rosa Alongi, Giorgio Ciulla dhe Alessandro Ferrantelli janë pjesë e bendit arbëresh që interpreton në zhanrin indie-folk.
Bendi nga Piana degli Albanesi, që pushtoi zemrat e shqiptarëve fillimisht si “The DAGGS”, në janar të këtij viti ndryshoi emrin në “Shega”.
Sipas shpjegimit të dhënë në faqen e tyre zyrtare në “Facebook”, ata u përcaktuan për emrin e ri “për shkak të shumësisë së kokrrave, njëjtësisë së frutës dhe ndjesisë së komunitetit që mbart. Dhe për mijëra ngjyra të tjera”.
Nga aktiviteti në aktivitet, drejt shënjestrës kryesore për publikimin e albumit, “Shega” në fund të qershorit incizoi një sesion live, me tri këngët e veta “Drita”, “Lumturi” dhe “Arianna”.
Pesë të rinjtë i kanë interpretuar ato drejtpërdrejt në sheshin “Vittorio Emanuele” në Piana degli Albanesi, siç quhet zyrtarisht Hora e Arbëreshëvet.
Për bendin arbëresh, incizimi në këtë shesh kishte pasur arsyen e vet.
“Ne e kemi zgjedhur këtë vend që përfaqëson shkëmbimin, krahasimin dhe komunitetin: sheshi kryesor në vendin tonë, Piana degli Albanesi, dhe fontana e atyshme ‘Tre Kanojtë’”.
Në një prononcim për KOHËN, vokalisti i bendit, Giorgio Fusco, ka bërë me dije se janë duke punuar gjatë tërë kohës për publikimin e albumit të parë gjatë verës.
“E, fill pas kësaj, kemi në plan koncerte në Itali, Shqipëri e Kosovë”, ka thënë Fusco.
Ai ka treguar se grupi po ecën mirë drejt qëllimit të tij për ta nxjerrë albumin e parë me të gjitha këngët origjinale të grupit.
“Shpresojmë ta publikojmë në verë”, ka shtuar Fusco.
Në gusht të vitit 2017, “Drita” u bë singli i parë i grupit që u prodhua nga Fabio Rizzo në “Indigo Studios” në Palermo.
Me arbërishten – shqipen e kohës së Skënderbeut që u rrënjos në hapësirat e Kalabrisë dhe Sicilisë – ata e sinkretizuan identitetin dhe muzikën, duke i bërë – siç thonë në “letërnjoftimin” e grupit në mediat sociale – “të dialogojnë tokat e largëta, prejardhjen tonë dhe të ardhmen”.
Me bashkimin në bend të violinistes nga Realmonte, Rosa Alongi, grupi do të vazhdonte të krijonte gjallërisht e me elan në stilin indie-folk.
“Është folk, por ka ndikime edhe nga pop e blues. Mendoj se muzika jonë ka shumë ngjyra, është e hapur”, kishte thënë Fusco në një rrëfim për KOHËN, në prill të vitit të kaluar.
Ndërkohë, singli i parë i albumit u bë kënga “Lumturi”, që u publikua në maj të vitit të kaluar. Ajo sillte jehonën e vargjeve të poetit jetëndërruar arbëresh Pasquale Renda, duke u ndërthurur me mjeshtërinë interpretuese të bendit.
Kurse sivjet, në shkurt, me emrin e ri “Shega”, bendi publikoi këngën “Arianna”, që erdhi si frymëzim nga mitologjia e vjetër greke me dashurinë e kretases Ariadna për Tezeun.
Gjashtë vjet “rrugëtim pozitiv”, sikundër thonë vetë anëtarët, bënë që të jetonin përvoja nga më të paharrueshmet. Pjesëmarrja në vitin 2015 në “SUNS Europe” (Festivali Evropian i Këngës në Gjuhë të Pakicave), që u mbajt në Cagliari, do të bëhej si një lloj “pagëzimi” për grupin. Një fitore në festivalin “Opp Festival” në qytetin sicilian të Favaras do të pasohej me paraqitje në televizione italiane (Rai) e shqiptare (Top Channel, TvKlan, TVSH).
Nuk do të vononte as ora e bardhë për anëtarët entuziastë të bendit: me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, bendi më 2018 do të performonte në një koncert në Pallatin e Brigadave në Tiranë.
© KOHA Ditore
Fotolegjenda: Pamje nga sesioni i fundit i grupit “Shega” në sheshin “Vittorio Emanuele” në Piana degli Albanesi (Hora e Arbëreshëvet). Foto: Shega.