Shtojca për Kulturë

Rrëfimi për kullat e Shipnisë së Vogël

Me gurë të shtëpive të epokave të ndryshme, të djegura në luftën e fundit, është ngritur në këmbë kulla e Halit Bajramit. Prej tyre, gjithkush në katund, merr shkas që t’ju rrëfejë histori sakrifice e lavdie.

Ende pa filluar puna mbi themelet e saj shekullore, të zotët e saj dhe Luboveci u pajtuan që të kthehej në muze. Stërnipat e të zotit, Halit e Muharrem Haliti, punuan më shumë se dhjetë vjet për rindërtimin e kullës maje Lubovecit të Skenderajt.

Puna ende nuk ka përfunduar, ani pse është marrë nën mbrojtjen e shtetit. Halit Bajrami, bashkëluftëtar i Azem Bejtës, e kishte ndërtuar kullën në shekullin nëntëmbëdhjetë. E, misioni është që ta shndërrojnë në muze të Arbërisë së Vogël të luftëtarëve të mëdhenj.

“Katër herë është maru, tri herë është kallë”

“E ka maru Halit Bajrami, bashkëluftëtar, bashkëluftëtari më i madh i Azem Bejtës. E ka maru me vllazni të vet. Po, kjo kullë katër herë është ndërtu, e tri herë është kallë”, thekson Muharrem Haliti para derës së kullës.

Kulla ishte ndërtuar më 1889. Për Krishtlindjet ortodokse të vitit 1921, xhandarët serbë do të mësynin kullën për të kërkuar një dash për festë. Xhandarët do të keqtrajtonin gratë dhe fëmijët, derisa burrat ishin fshehur në bunkerin afër kullës. “Edhe Xheladini me ata kishin pasë dalë dhe i vrasin dy prej tyne”, thekson Muharrem Haliti, duke treguar se të nesërmen, forcat policore serbe do ta digjnin kullën.

Image
Kulla e Halit Bajramit nuk po shihej me sy të mirë as nga partizanët, fitues të Luftës së Dytë Botërore

Në fakt, nisma për rindërtimin e kullës 14 vjet më parë, kishte ardhur prej Këshillit Iniciues, përbërë prej të birit të Muharrem Halitit, Osmanit, Xhafer Zenelit, Xheladin Fetahut dhe Gani Rexhës.

Sakrificat e familjes dhe të rrethinës ishin shtytje që të ndërmerrej diçka si shenjë që do t’ua kujtonte brezave të rinj historinë e dhimbshme për liri.

“Pas luftës e pamë se është dashur me ba diçka për ata burra e për pasardhës të mos harrohen gjërat shkel e shko”, thekson Fetahu. “E morëm iniciativën që ta ndërtojmë për të katërtën herë dhe e sollëm deri këtu dhe tash ka kalu si pjesë e trashëgimisë kulturore të Ministrisë së Kulturës”.

Arbëria e Vogël e Azem Bejtës

Muharrem Haliti thotë se gjatë punës me vëllain e ndjerë, Halitin, shpesh kanë kujtuar dëshmitë e gjyshes për tmerrin e përjetuar gjatë sulmeve vrastare të forcave të dy Jugosllavive. Më i rëndi ishte ai i 24 korrikut 1924 kur Halitët humbën katër anëtarë, e edhe kryezotin e kullës.

“Haliti vetë i pesti është vra këtu”, thekson Muharrem Haliti. “Thojke se 23 robë ishin kanë kur ka ardhë, e mbetën 5 robë, prej luftërave e vrasjeve”.

Luboveci në fakt ishte pjesë e asaj që në historiografinë shqiptare njihet si Arbëria e Vogël, por shumëkush në rrethinë vazhdon t’i referohet si Shipnia e Vogël e Azem Bejtë Galicës.

Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene (MKSK) ishte pajtuar më 1923 me Azem Bejtën për krijimin e Arbërisë së Vogël, që përfshinte dhjetë fshatra të Komunës së Prekazit. Ishte viti i zgjedhjeve parlamentare në mbretërinë e re dhe Beogradi po mundohej ta zbehte ndikimin e kryengritësve shqiptarë, duke i angazhuar delegatët e zgjedhur me rezultate të kurdisura.

Më 1924, Arbëria e Vogël ishte reduktuar në tri fshatrat, Galicë, Lubovec e Mikushnicë, që ishin liruar nga detyrimet shtetërore, shkruan historiani Liman Rushiti në librin “Lëvizja Kaçake në Kosovë (1918-1928), botuar më 2016 nga Instituti i Historisë, “Ali Hadri”, në Prishtinë.

Ishte 15 korriku i vitit 1924, kur Arbëria e Vogël do të rrethohej prej mbi 1.200 trupash të xhandarmërisë dhe ushtrisë, të sjella me tren të posaçëm nga Shkupi në Mitrovicë. Ishte dita e Bajramit të Vogël.

Bedri Tahiri në kumtesën shkencore, “Epopeja e Arbërisë së Vogël”, shkruan se nga intervistat në terren me dëshmitarët e gjallë, “në territorin e Arbërisë së Vogël u dogjën 100 shtëpi, ndërsa u vranë 82 persona”.

Emrat e tyre janë shkruar edhe në njërin prej lapidarëve në kompleksin e kullës së Azem Bejtës në Galicë.

Kulla e Halit Bajramit nuk po shihej me sy të mirë as nga partizanët, fitues të Luftës së Dytë Botërore. I biri i mbijetuar i Halit Bajramit, Ferati, ishte dënuar pas Luftës së Dytë Botërore nga drejtësia jugosllave me 15 vjet burgim pasi akuzohej se si pjesëtar i forcave shqiptare të rendit, i kishte vrarë dy ish-xhandarë famëkëqij serbë.

Në kullë e rreth kullës, bashkëluftëtarët e Shaban Polluzhës do të luftonin kundër partizanëve që kundërshtonin mbetjen e Kosovës në Jugosllavinë komuniste të Josip Broz Titos.

“Ata kanë luftue dhe kur burrat tanë janë tërheqë në kodrën prapa, ata kishin pas ardhë në aksham edhe e kishin pas kallë kullën për së treti herë”, thekson Haliti. “Historiku i kullës është ky”.

Frymëzim për luftëtarët e UÇK-së

Poshtë oborrit të ngritur të kullës me pamje kah Galica e Mikushnica, ende ka shenja të luftës së fundit. Shtëpitë e Halitëve janë meremetuar pjesërisht pas djegies nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998-‘99.

Në luftën e fundit forcat serbe ia vranë Muharremit të birin, Enver Haliti, profesor i Gjuhës Shqipe. Enver Haliti i kishte mbajtur pesë vjet burgim për shkak se ishte pjesë e Ilegales.

Po në luftën e fundit, tre anëtarë të familjes së gjerë u rreshtuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ferati ra dëshmor. Osmani pasluftës iu kthye punës së tij si avokat e Haxhiu ishte pjesë e TMK-së, e tash e FSK-së.

“Historitë e lavdishme të shekullit të kaluar, në mesin e tyre edhe lufta e Azem Bejtës, te ne ka lënë mbresa në kultivimin e ndjenjës kombëtare dhe të rezistencës tonë kundër armikut”, thekson Osman Haliti, para lapidarëve dhe varreve të dëshmorëve dhe martirëve të luftës së fundit.

“Në fshat tonin kemi pesë dëshmorë e shtatë martirë”, thekson Muhamet Zeneli, veteran i luftës nga Luboveci, pasi bën homazhe me bashkëfshatarët para lapidarit pranë flamurit kombëtar dhe atij të UÇK-së.

Konservim shkel e shko

Flamuri i UÇK-së valon edhe në portën para kullës së Shaban Mangjollit në Mikushnicën fqinje. Kulla e bashkëluftëtarit të Azem Bejtës ka nisur të rindërtohet me fonde të Ministrisë së Kulturës. Por, jo krejtësisht me gurë. Dominojnë blloqet. Shkallët që çojnë në katin e dytë janë tepër të ngushta. Mungon mbikëqyrja e punimeve.

Edhe në Galicë, kulla është vazhdimisht e mbyllur e pa ndonjë ekspozitë a gjësend që lidhet me historinë e Arbërisë së Vogël.

“Ne si komuna, këtë punë (mirëmbajtjen,v.j.), kemi menduar ta zgjidhim nëpërmjet themelimit të ndërmarrjes publike”, thekson Arben Mehmeti, drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Skenderajt. “Është shumë e rëndësishme që këto kulla ekzistojnë, sepse përmes këtyre kullave arrijmë të shfaqim kulturën tonë, identitetin tonë kombëtar”.

Image
Kulla e Shaban Mangjollit në Mikushnicën fqinje ka nisur të rindërtohet me fonde të Ministrisë së Kulturës. Por, jo krejtësisht me gurë. Dominojnë tullat

Muharremi Haliti është i zhgënjyer me papërgjegjësinë e institucioneve për mungesën e vëmendjes për kujtesën kolektive.

“Krejt me thanë, dy mijë euro nuk na i ka dhanë komuna”, thotë Muharrem Haliti. Kulla tashmë është në mbrojtje të institucioneve. “Në rregull, por tash mbet në gjysmë”, shton ai me pezëm, duke bërë thirrje që institucionet ta kompletojnë projektin e qytetarëve për ta kthyer kullën në muze.

“Kulla është kapaku i historisë së familjes së Halit Bajramit, do të thotë se prej këtu kanë rrjedhur të gjitha gjeneratat”, thekson Haxhi Haliti, major në FSK.

“Është diçka me vlerë. Trashëgimia nuk është me episode, është më e përhershme se këta të rinjtë po i shkelin do sene shkel e shko”, thekson Fetahu, njëri nga nismëtarët për rindërtimin e kullës.

Drejtori Mehmeti thotë se kthimi në muze i kullave të ringritura është vlerë e jashtëzakonshme. Thotë se edhe mungesa e një projekti konkret për konservimin e kullave të Jasharajve në Prekaz tregon se duhet ndërhyrë urgjentisht.

“Nëse këto kulla nuk mirëmbahen, nuk bëhet konservimi i tyre, atëherë ne do ta humbim një vlerë shumë të madhe të trashëgimisë kulturore jo vetëm të komunës sonë, por unë mendoj se kjo vlerë e trashëgimisë është kombëtare dhe mendoj se nuk guxojmë ta humbim”, thekson Mehmeti.

Por, në kulla pak po vërehet dora e shtetit për ruajtjen e trashëgimisë së pasur e të dhimbshme të shekullit të kaluar.

Image
Kulla e Azem Galicës në Galicë është vazhdimisht e mbyllur e pa ndonjë ekspozitë a gjësend që lidhet me historinë e Arbërisë së Vogël