Shtojca për Kulturë

Rrëfime të shkurtra për një ditë të gjatë

Ky është një shtegtim nëpër shekullin e 20-të në kërkim të rrëfimeve të shkurtra. Këto rrëfime u afrohen tani lexueseve dhe lexuesve si ftesë që brenda një dite të gjatë (apo një jave të shkurtër) të nisin një udhëtim të papërsëritshëm nëpër shekullin e 20-të

Shekull i shkurtër. Epokë ekstremesh. Njëqindvjeçar i tragjedive më të mëdha të njerëzimit. Periudhë zhvillimesh marramendëse. Kohë e ideologjive vrastare dhe e triumfit të demokracisë.

Kështu e kanë quajtur apo përshkruar shekullin e 20-të shumë politologë dhe shkrimtarë. Në dy luftëra botërore vrasjet u industrializuan si pasojë e zhvillimeve teknike, andaj numri i viktimave civile dhe ushtarake ishte aq i lartë. Gjatë Luftës së Ftohtë blloku i lirisë dhe ai i jolirisë disa herë u gjetën para përplasjes bërthamore, e cila do ta bënte planetin të pabanueshëm.

Në çastet vendimtare ishin jo vetëm politikanët vizionarë, por edhe njerëzit e thjeshtë afër rrotave të mëdha të pushtetit që morën vendimet e duhura dhe shpëtuan botën. Pak para se të fillojë dekada e fundit e shekullit, ra Muri i Berlinit dhe pastaj revolucionet demokratike shembën diktaturat komuniste në Evropën Lindore. Më 1989 politologu amerikan Francis Fukuyama shpalli fundin e historisë. Një tezë e guximshme që u la nën hije nga realiteti pasues. Historia nuk merr fund kurrë.

Ky libër nuk i injoron ngjarjet e mëdha të shekullit të 20-të, por ato s’janë në fokusin qendror të tij. Vëmendje këtu u kushtohet historive pranë historisë së madhe. Jetës së përditshme të personaliteteve publike, kryesisht shkrimtarëve. Trungun orientues e përbëjnë rrëfimet mbi nobelistët e letërsisë: nga Sully Prudhomme deri te Günter Grassi. Krahas tyre në këtë bredh të gjatë e më shumë degë janë varur tregime gazmore e tragjike, drama shpirtërore dhe publike, përjetime magjike dhe dinakëri të (pa)shmangshme nga përditshmëria e figurave të kohës.

Si nisi dhe si përfundoi shekulli me Sigmund Freudin? Pse është me rëndësi të dimë më shumë për një letër që më 1935 nga San Remoja e dërgoi aktori Aleksandër Moisiu? Çfarë na tregon jeta private dhe publike e Bertolt Brechtit, Mascha Kalékos dhe Else Lasker-Schüler? Nëpër cilat drama familjare kaloi Thomas Manni me familjen e tij? Pse më 1929 Jean-Paul Sartre e priti kot Simone de Beauvoir në një çajtore të Parisit? Çfarë kanë të bëjnë me shqiptarët James Joyce, Stefan Zweigu, Oskar Kokoschka, Elias Canetti dhe Joseph Roth?

Ky është një shtegtim nëpër shekullin e 20-të në kërkim të rrëfimeve të shkurtra. Këto rrëfime u afrohen tani lexueseve dhe lexuesve si ftesë që brenda një dite të gjatë (apo një jave të shkurtër) të nisin një udhëtim të papërsëritshëm nëpër shekullin e 20-të.

Për gjithçka që rrëfehet këtu ka dëshmi. Disa dëshmi janë kontekstualizuar, disa janë interpretuar. Shumica e burimeve – libra, arkiva gazetash etj. - janë prezantuar në fund të këtij libri. Për shkak të natyrës publicistike të librit dhe bazuar edhe në praktikën e veprave të ngjashme në vendet perëndimore, është hequr dorë nga fusnotat. Gabimet eventuale janë mëkat i autorit. Çfarë mbetet, shpresoj të gëzojë çdo lexuese dhe çdo lexues.

Zürich, Prishtinë, Tiranë, maj—dhjetor 2022

Parathënia e librit “Rrëfime të shkurtra për një ditë të gjatë”