Seria e dokumentarëve “Rrëfime për Kosovën” – nëntë episodet e së cilës tash vijnë të transkriptuara në vëllimin e dytë – nuk do të ishte e mundshme të realizohej po të mos ishin rrëfyesit, që nga perspektiva e tyre dhe përvoja personale ndërtuan këtë fazë të historisë bashkëkohore të Kosovës
U bënë mbi dymbëdhjetë vjet që kur kishim vendosur të prodhonim një seri dokumentarësh pak më ndryshe dhe në kushte të tjera jete. Tashmë të çliruar dhe të pavarur, kishim mundësinë që të bënim eksplorimin e historisë sipas rrëfimeve dhe kujtimeve të njerëzve që kishin qenë pjesë e historisë derisa ajo po zhvillohej, pavarësisht profesionit dhe pavarësisht pozitave politike që i mbanin.
Seria e parë prej 12 episodesh përfundoi me njërën nga ngjarjet më të vlefshme që regjistron historia bashkëkohore e Kosovës – themelimin e Universitetit të Prishtinës, që i pasoi demonstratat e vitit 1968 dhe amendamentet kushtuese nga vitet 1968, 1969 dhe 1971, që më në fund ia sollën Kosovës aktin më të lartë juridik, Kushtetutën e 1974-tës.
Demonstratat e 1968-s, që ishin shprehja e parë masive e pakënaqësisë me statusin politik të shqiptarëve në Kosovë, krahas demonstratave politike që organizoheshin në pjesët e tjera të ish-Jugosllavisë dhe të Evropës, sollën çlirimin e lakut dhe zbutjen e qëndrimeve politike të kreut federal. Ishin kohë kur kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës kishte qenë i hekurt dhe vështirë i depërtueshëm. Përderisa në Shqipëri nuk mund të shkohej me vizë të rregullt, një numër i madh të rinjsh, plot iluzione për Shqipërinë dhe shumë zhgënjim për Jugosllavinë, e kaluan kufirin ilegalisht dhe zunë të jetonin në Shqipëri. Perdja e hekurt kishte ndarë shumë familje dhe ua kishte bërë të pamundur që të komunikonin mes vete për më shumë se tri apo katër dekada – dhe këto janë rrëfimet prekëse që i sjell kapitulli i 13-të i serisë, i titulluar “Kufiri i vuajtjeve”.
Mirëpo, jo gjithçka në Shqipëri kishte qenë ashtu siç e kishin imagjinuar këta të rinj. Me idenë se atje do të mund të vazhdonin me jetën dhe veprimtarinë e tyre politike, shumë nga djemtë dhe vajzat që kaluan kufirin nëpër male e shkurre, fillimisht do të vendoseshin nëpër kampe, në kushte të mjerueshme jetese, nën vëzhgim të përhershëm nga organet e sigurimit dhe të përçmuar nga popullata lokale, që do t’i etiketonte si “jugosllavë”. Shumë sish do t’u nënshtroheshin hetimeve çnjerëzore dhe do të përfundonin të burgosur nëpër kazamatet e Partisë me dënime drakoniane për “agjitacion e propagandë”. Rrëfimet autentike e disa nga ta që ishin dërrmuar nëpër burgjet e Enver Hoxhës, janë përmbledhur në episodin e radhës të quajtur “Të zhgënjyerit”.
Zbutja e raporteve mes shtetesh solli hapjen e kontrolluar të kufijve dhe rastin e parë që familjarët nga të dyja anët e kufirit të ritakoheshin pas shumë dekadash. Ishin rastet e para në të cilat ndodhte çmallja dhe kur familjarët, jo rrallë, njiheshin mes vete thuajse për së pari. Njëkohësisht, tashmë me amendamentet që u jepnin fuqi ekzekutive organeve krahinore në Kosovë, nisën përpjekjet e para për themelimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në sferat e arsimit, të kulturës e shkencës.
Ardhja e profesorëve nga Universiteti Shtetëror i Tiranës ua mundësoi studentëve shqiptarë të UP-së që ta fitonin nxënien në gjuhën shqipe, e jo atë serbe, duke pasur parasysh faktin se në kohën e themelimit të UP-së ka pasur më shumë profesorë serbë sesa shqiptarë. Ishte një lëvizje e mençur ajo e nënshkrimit të Protokollit të bashkëpunimit ndërmjet USHT-së dhe UP-së, që pati për rezultat prodhimin e kuadrove të para profesionale nga UP-ja në lëmin e mjekësisë, ta zëmë, dhe krijimin e kuadrove mësimore në gjuhën shqipe. Episodi i 15-të mban titullin “Bashkëpunimi” dhe në formë shumë ilustrative tregon etjen e shqiptarëve nga të dyja anët e kufirit për librin, muzikën, teatrin e artin shqip me gjithë veçoritë rajonale që i karakterizonin.
Ligji Kushtetues i Kosovës (pra ende jo Kushtetutë) i vitit 1969 i dha kompetenca të zgjeruara Kosovës në të tri shtyllat e pushtetit. I dha, më në fund, mundësi që vetë të vendoste për investimet që donte t’i bënte në vend. Dhe më të rëndësishmet ishin shkollat, më pas institucionet shëndetësore, për të kulmuar më pas me investimet në industrializim dhe punësim. Ndihmuar edhe nga Fondi i Federatës për zhvillimin e pjesëve më pak të zhvilluara të Jugosllavisë, Kosova për herë të parë zgjeroi kapacitetet e veta prodhuese: “Trepça” u shndërrua në gjigant që pos minierave themeloi edhe fabrika gjithandej Kosovës; u ndërtua blloku V i TC “Kosova A”; u ndërtua sistemi “Ibër-Lepenc”, u hapën Fabrika e Amortizatorëve dhe disa fabrika të tjera në Dukagjin... që për rezultat patën krijimin e 100 mijë vendeve të punës. Episodi i 16-të nuk kishte ndryshe si të titullohej pos “Përparimi”.
Viti 1974 do të shënojë fitoren më të madhe juridike të Kosovës dhe ngritjen e statusit të saj politik në njësi konstitutive të Federatës jugosllave me shumë të drejta, por me një mangësi të madhe: mbeti pa status republike dhe megjithatë e lidhur edhe me Serbinë. Sidoqoftë, miratimi i Kushtetutës e bëri Kosovën me Kryesi, Kuvend, Qeveri, Bankë, Gjykatë Supreme e Gjykatë Kushtetuese, me të drejtë vetoje në Kuvend Federativ dhe me përfaqësim të drejtpërdrejtë në ekzekutivin federal. “Kushtetuta 1974”, siç titullohet kapitulli i 17-të i serisë, zbulon se miratimi i saj ishte në fakt fillimi i një lufte të kamufluar dhe të përgatitur gjatë nga qarqet nacionaliste serbe, për ta rrënuar si atë ashtu edhe autonominë në Kosovë. Gjë e cila u lehtësua dhe u intensifikua më 1980, kur Tito vdes, dhe nis rrënimi i ish-Jugosllavisë.
Pikënisjen do ta gjejë në Kosovë, me shpërthimin e demonstratave të 1981-tës, më masivet deri atëherë, të nisura nga studentët dhe të përhapura gjithandej me një pjesëmarrje impozante. Por edhe me një kundërreagim skajshmërisht të dhunshëm dhe torturues të autoriteteve të dominuara nga Serbia.
Ngjarja ishte pikë kthese jo vetëm për Kosovën. Prandaj, autori vendos që asaj t’ia kushtojë tri episode, të titulluara: “Demonstratat 1981”; “Zgjimi i popullit” dhe “Shembja e iluzioneve”, duke u përpjekur t’i mbledhë rrëfimet autentike të atyre që u bënë të njohur si organizatorë, të politikanëve të kohës, të aktivistëve të ndryshëm, sikurse edhe të historianëve që u morën me të – në përpjekje për të zbuluar burimin e revoltës, e cila jo pak herë u quajt edhe kryengritje.
Përderisa autoritetet imponuan gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë dhe dislokuan me mijëra policë specialë e ushtarë, nisën edhe me arrestimin masiv të të rinjve që morën dënime shumë të rënda burgimi. Pak e folur, porse shumë e rëndë, ka qenë burgosja e vajzave të mitura që kanë marrë pjesë në demonstrata, ose kanë vazhduar me aktivitete politike “në ilegale” deri më 1984, kur edhe janë arrestuar. Rrëfimet rrëqethëse të të burgosurve, e sidomos të këtyre vajzave atëherë të mitura, e përmbyllin pjesën e dytë të serisë me episodin “Triumfi mbi dhunën”.
Kjo seri dokumentarësh nuk do të ishte e mundshme të realizohej po të mos ishin rrëfyesit, që nga perspektiva e tyre dhe përvoja personale ndërtuan këtë fazë të historisë bashkëkohore të Kosovës. Për fat të keq, deri në transmetimin e këtyre nëntë episodeve humbëm disa nga rrëfyesit, për shkak të sëmurjes apo moshës. Na lanë prapa rrëfime të jashtëzakonshme autentike, që do të ishte mëkat po të mos ishin incizuar me kamerë.
Natyrisht, seria nuk do të mund të realizohej pa talentin, hulumtimin dhe këmbënguljen e autorit Fatmir Lama, i cili me gjithë moshën e shtyrë, tashmë afër të të tetëdhjetave, me një entuziazëm dhe përkushtim të pashoq, vazhdon ta përgatisë ciklin e radhës të dokumentarëve, që do të nisin së transmetuari së shpejti. Një falënderim i posaçëm shkon për montazherin Redon Sefedini, si dhe për kameramanët, tonistët, shoferët dhe të gjithë pjesëtarët e tjerë të ekipit që janë të përfshirë në prodhimin e kësaj serie.
Pas dymbëdhjetë episodeve të para, kishim vendosur t’i transkriptonim dhe t’i përmblidhnim rrëfimet në librin e parë të cilit ia replikuam titullin e serisë. U tregua veprim me vend, ngase tashmë ai libër është ribotuar dhe ka hapur rrugë për botimin e këtij vëllimi që sot keni në duar.
Parathënia e librit “Rrëfime për Kosovën 2” të Fatmir Lamës, i cili u përurua të enjten, më 16 qershor, në kafe-librarinë “KOHA”