Së paku një herë në vit, tash e 23 vjet bendet lokale të rockut dhe krejt zhanret e tjera që dalin prej tij, e kanë të garantuar daljen në skenë. “Rock për Rock” tash nuk është vetëm garë. Është traditë që mban ritmin për një gjeneratë të re rock-muzikantësh. Koncerti, është ana tjetër e rrëfimit
Në kohën kur kultura muzikore ballafaqohet me sfida të shumta, festivali “Rock për Rock” ngrihet si një platformë e rëndësishme që mbështet dhe promovon bendet e reja dhe talentet lokale në Kosovë.
Ky festival, tashmë me një traditë të gjatë, ka arritur të krijojë një hapësirë ku muzika, krijimtaria dhe eksperimentimi marrin një kuptim të ri, duke e kthyer në një ngjarje të pazëvendësueshme për skenën muzikore alternative. “Rock për Rock” të premten mbrëma e ka shkundur teatrin “Oda” me edicionin e 23-të.
Për dallim nga vitet e mëparshme, ky edicion është shquar për përqendrim më të madh te bendet e reja, të cilat sollën materiale dhe tinguj të freskët.
Kjo energji e re dëshmon për rritjen e një gjenerate artistësh të cilët, pavarësisht mungesës së mbështetjes institucionale dhe burimeve të kufizuara, vazhdojnë t’i sfidojnë pengesat për të krijuar muzikë me pasion dhe përkushtim.
Duke pasqyruar evoluimin e skenës lokale, disa artistë kanë theksuar kontrastin mes kushteve të muzikantëve në Kosovë dhe atyre në vendet perëndimore.
Ndërsa bendet evropiane kanë qasje të lehtë në burime, hapësira për ushtrime dhe tregje të zhvilluara, bendet lokale shpesh përballen me mungesën e mjeteve bazike dhe një skenë të braktisur nga përkrahja publike.
Kjo gjendje, megjithatë, nuk i ka ndaluar ata që të eksplorojnë zhanre të ndryshme, nga metal dhe desert-rock te jazz-rock dhe proto-metal, duke dëshmuar për qëndrueshmëri të rrallë dhe përkushtim të admirueshëm ndaj artit.
Në një ambient me pak ndriçim, ashtu siç e kërkon esenca e rockut dhe veçanërisht e muzikës metal, drita e vërtetë vjen nga muzika. Ajo i jep ndriçim skenës nëpërmjet vokaleve të këngëtarëve, mesazhit të teksteve dhe harmonisë së instrumenteve, të cilat krijojnë një univers melodik ideal për adhuruesit e këtij zhanri.
Energjia e koncertit, megjithatë, nuk buron vetëm nga skena, por edhe nga publiku – një masë entuziastësh që rezonojnë në sinkroni pothuajse të përkryer me këngëtarët, si në tekstet himnizuese ashtu edhe në kërcimin energjik të njohur si “headbanging”.
Me origjinalitetin dhe intensitetin që karakterizon këtë skenë muzikore, festivali shndërrohet në një manifestim të vërtetë të shpirtit rock.

“Telikput”, “Sand Castle”, “Nuclear Doom”, “Pathogen”, “Pinkmetal” e bende të tjera, janë bashkuar në “Rock për Rock” kryesisht me disa këngë origjinale të reja. Kjo është edhe “bileta” për pjesëmarrje në këtë festival.
“Telikput” ka sjellë “Seksizdenca” dhe “Let her njoft him”.
Lum Veseli, baterist i bendit që përbëhet edhe nga Andi Sadiku (bas kitarë), Valon Kadriu (vokal, kitarë) dhe Orges Kurtaj (kitarë) ka thënë se këtë vit në “Rock për Rock” për dallim prej viteve të tjera është se ka pasur shumë bende të reja.
“Bende të reja të cilat kanë pasur material të ri, diçka që nuk e kemi dëgjuar as ne më herët, në krahasim me vitin e kaluara ka pasur më pak bende, por bende që i kemi njohur më herët dhe na kanë befasuar të gjithëve me këngë të reja”, ka thënë Veseli.
Ka veçuar paraqitjen e vokalistes Luiza Nikoliqi dhe Bora Ukqa në tupanë të bashkuara në grupin “Nuclear Doom”.
“Më ka lënë pa fjalë. I kemi dëgjuar shumë bendet e mëhershme, të cilët kanë filluar rockun në Kosovë para 50 vjetësh edhe prej tyre jemi inspiruar, sikur të mos kishin qenë ata, nuk do të kishim qenë as ne”, ka thënë Veseli.
Për këtë grup ka folur edhe Orges Kurtaj.
“Sigurisht kemi një bend që i ka dy anëtarë të gjinisë së kundërt nga ne, të cilat e çajnë muzikën me shumë se ne në çdo mënyrë të mundshme e të cilat janë Luiza Nikoliqi dhe Bora Ukqa”, ka thënë Kurtaj.
Kur u është kthyer filleve të rockut në Kosovë, Kurtaj ka thënë se rocku i sotëm “është më i egër”.
“Një shok imi ka thënë: ‘Lufta ka përfunduar në vitin 1999 e ju për çka po doni të luftoni?” Por, ka shumë gjëra për të luftuar çdo ditë të jetës sonë, duhet të vazhdojmë, lufta duhet të vazhdohet dhe agresiviteti ndaj çfarëdo qoftë”, ka thënë ai.
Andi Sadiku, bas kitarist te ”Telikput” e kitarë kryesore në “Sound Castle” që luan vetëm instrumentale, ka tërhequr paralele me vitet ’70, kur temat kanë qenë ndryshe njësoj sikurse edhe teknologjia.
“Ne realisht edhe pse jemi 50 vjet përpara e gjithë bota ka ndryshuar, kemi qasje në internet kurse ata nuk kanë pasur. Ne sot aq shumë kemi qasje në shumë gjëra që në atë kohë nuk kanë pasur saqë na influencon edhe te temat tona”, ka thënë Sadiku.
Valon Kadriu, kitarist i “Telikput” është ndalur te energjia e publikut që është përçuar te muzikantët duke thënë se ka qenë në nivel po ashtu edhe pjesëmarrja “pavarësisht se sonte ka qenë edhe ‘Big Brother Vip Kosova’”. “Por ne e kemi mposhtur sonte me publik, për ne ka qenë fitore”, ka ironizuar ai.
Të njëjtën gjë e kanë bërë edhe Lum Veseli dhe Orges Kurtaj.
Muzika e krejt grupeve në edicionin e sivjetmë të “Rock për Rock”, ani pse zanafillën e ka në rock, vjen në zhanre të ndryshme. Por krejt muzikantët bashkohen në një pikë: kushtet.
“Realisht jashtë kur shkon, bendet lokale që janë atje s’ka rëndësi a janë metal apo ndonjë zhanër tjetër, ata kanë qasje në hapësirë ku munden të ushtrojnë, kanë qasje në një treg ku mund të blejnë instrumente shumë lirë”, ka thënë Andi Sadiku.
Por “Rock për Rock” është një dritare ku ai dhe kolegë të tij, dalin në skenë qoftë një herë në vit.
“Është një traditë shumë e madhe, ka një vlerë kulturore dhe historike se është qe 23 vjet, nuk jam i vetmi, por shumë bende këtu e vlerësojnë për faktin që ky festival ka zgjatur, sepse shumë festivale të tjera veç bëhen edhe vdesin, i kanë një ose dy edicione. Ka pasur edhe më herët por tash është një prej të vetmëve që e suporton skenën e bendeve lokale”, ka thënë Sadiku.
Rivaliteti midis bendeve, sipas tij është “konkurrencë e shëndoshë” e këtë frymë ruan dhe “Rock për...”
“Skena në Kosovë sado që ka shumë bende prapë është një skenë e vogël edhe të gjithë njihemi mes njëri-tjetrit, edhe krejt e kemi një shoqëri të përbashkët”, ka thënë ai.
Veçanti në skenë ka qenë “Nuclear Doom” dhe dyshja Bora Ukqa dhe Luiza Nikoliqi.
“Besoj se zhanri i metallit ka shumë adhurues për shkak të faktit se është shumë i komplikuar në aspektin e muzikës dhe besoj që krejt muzicientët në Kosovë shumë e respektojnë atë, që besoj se është arsyeja kryesore”, ka thënë Ukqa, nga grupi i themeluar në vitin 2021. Do të shfaqeshin në skenë pa pretendime të mëdha. Nisën me rock, por “u ashpërsuan”.
“S’kemi pritur që të bëhet serioze sepse gjithçka ka filluar si shaka, por më vonë u bë më serioze edhe qe ku jemi tash”, ka thënë Ukqa.
Për shumë grupe, “Rock për Rock” ka qenë dhe mbetet pikërisht si puna e “Nuclear Doom” që thonë: “Ja ku jemi”.
E, “Rock për Rock” është rrugës për edicionin e çerekshekullit. Me të njëjtin ritëm, si skenë e mundësi për gjeneratë të re rock-muzikantësh.