Shtojca për Kulturë

Roberta Flack, zëri i krenarisë dhe mallit, por kurrë i dëshpërimit

Roberta Flack në vitin 1971

Roberta Flack në vitin 1971. Edhe kur fama e saj shpërtheu dhe bukuria e saj shkëlqeu në skenën ndërkombëtare, Flack qëndroi me këmbë në tokë dhe nuk e humbi kurrë personalitetin e një mësueseje të ndershme, të mençur përtej moshës së saj

Me hitet madhështore si “Killing Me Softly” dhe “The First Time I Ever I Saw Your Face”, Roberta Flack, ish-mësuese në një shkollë të mesme, u bë një nga artistet më të dëgjuara të viteve ’70. Zëri i fuqishëm dhe i qëndrueshëm i Flackut mund të shprehte butësi, krenari, bindje ose mall, por pothuajse kurrë dëshpërim. Shumica e albumeve të saj më të njohura përfshinin të paktën disa këngë “funk” dhe “soul”, të udhëhequra nga një ritëm i fortë dhe të pasura me komente sociale me vëzhgime të thella.

Giovanni Russonello

Roberta Flack, këngëtarja dhe pianistja magnetike, e cila me përzierjen intime të muzikës “soul”, “jazz” dhe “folk” u bë një prej artisteve më të njohura të viteve ‘70, vdiq të hënën në Manhattan. Ajo ishte 88 vjeçe.

Flack ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital, sipas menaxheres dhe mikes së saj, Suzanne Koga. Shkaku i vdekjes ishte sulmi në zemër, tha ajo. Flack kishte zbuluar në vitin 2022 se ishte diagnostikuar me sëmundjen ALS, e njohur gjithashtu si sëmundja e Lou Gehrigut, e cila e kishte lënë të paaftë për të performuar.

Pasi kaloi gati dhjetë vjet si mësuese në Washington, D.C., dhe këndoi në mbrëmje në qendër të qytetit, Flack e arriti famën botërore në vitin 1972, pasi versioni i saj i këngës, “The First Time Ever I Saw Your Face”, u përdor si kolonë zanore në një film të Clint Eastwoodit. Kënga ishte publikuar tre vjet më parë, në albumin e saj të parë me studion “Atlantic Records”, por doli në treg si single vetëm pasi u shfaq filmi. Brenda pak javësh, ajo u rendit në vendin e parë të top-listës “Billboard” — një pozicion që do ta rifitonte edhe dy herë të tjera me “Killing Me Softly With His Song” në vitin 1973 dhe “Feel Like Makin’ Love”, në vitin 1974.

Në vitet ‘73 dhe ‘74, ajo fitoi çmimet “Grammy” në kategoritë “Incizimi më i mirë i vitit” dhe “Interpretimi më i mirë pop”. Po ashtu, kompozitorët e këngëve të saj u shpërblyen me çmim për “Këngën më të mirë të vitit”.

Zëri i fuqishëm dhe i qëndrueshëm i Flackut mund të shprehte butësi, krenari, bindje ose mall, por pothuajse kurrë dëshpërim. Shumica e albumeve të saj më të njohura përfshinin të paktën disa këngë “funk” dhe “soul”, të udhëhequra nga një ritëm i fortë dhe të pasura me komente sociale me vëzhgime të thella. Por hitet e saj më të mëdha ishin gjithmonë diçka ndryshe: balada të ngadalta popullore (“The First Time”), hite melodike të këndshme (“Killing Me Softly”) ose këngë dashurie të buta dhe të ngrohta (“Feel Like Makin’ Love”).

“First Take” (1969) ishte albumi debutues i Roberta Flackut

“Roberta Flack e minimizon gjithçka me qetësi dhe butësi”, vuri re dikur shkrimtari dhe folkloristi, Julius Lester, në një shkrim kritik për revistën “Rolling Stone”. “Më shumë se çdo këngëtare tjetër që njoh, ajo mund të marrë një këngë të qetë dhe të ngadaltë (dhe shumica e këngëve të saj janë të tilla) dhe ta mbushë me një intensitet drithërues, që ndonjëherë është pothuajse i padurueshëm”.
Lester vuri re te Flacku një “aftësi të mahnitshme për të depërtuar më thellë në një këngë, nga sa mund të mendohej e mundshme, dhe për të nxjerrë përgjigje nga vende brenda vetes që nuk e dinit se ekzistonin”.

Kritikët shpesh e kishin të vështirë të përshkruanin fuqinë e nënvlerësuar të zërit të saj dhe diapazonin e gjerë stilistik. Me hijeshinë, ndjeshmërinë dhe bindjen e saj, mungesën e sentimentalitetit apo mbivlerësimit, këndimi i saj dukej sikur rivendoste pritshmëritë standard të një ylli të muzikës pop. Ajo i jepte rëndësi të barabartë pasionit dhe qartësisë në komunikim — si një mësuese që u flet nxënësve kureshtarë, ose si një e dashuruar që betohet për përkushtim.

“Më kanë thënë se tingëlloj si Nina Simone, Nancy Wilson, Odetta, Barbra Streisand, Dionne Warwick, madje edhe Mahalia Jackson”, kishte thënë Flack gjatë një interviste për “New York Times” në vitin 1970. “Nëse të gjithë do të thoshin se tingëlloja si një person i vetëm, do të shqetësohesha. Por kur thonë se u ngjaj të gjithave, e di që kam stilin tim unik”.

Jashtëzakonisht e talentuar dhe me një natyrë studiuese, Flack hyri në universitet në moshën 15-vjeçare dhe u diplomua, ndërsa ishte ende adoleshente. Por karriera e saj muzikore lulëzoi ngadalë. Kur më në fund gjeti famën, ishte tashmë në të 30-at dhe sapo kishte lënë punën si mësuese në një shkollë të mesme.

Në një klub nate të vogël në Capitol Hill, të quajtur “Mr. Henry’s”, ajo kaloi vite duke zhvilluar një repertor eklektik me rreth 600 këngë dhe një prani skenike magjepsëse, por të thjeshtë. Edhe kur fama e saj shpërtheu dhe bukuria e saj shkëlqeu në skenën ndërkombëtare, Flack qëndroi me këmbë në tokë dhe nuk e humbi kurrë personalitetin e një mësueseje të ndershme, të mençur përtej moshës së saj.

“Killing Me Softly” u publikua në vitin 1973 si single dhe u shndërrua në hitin më të transmetuar në radiostacionet anekënd vendit. Është kënga më e popullarizuar e Flackut

Një pianiste klasike virtuoze, e cila shpesh këndonte ulur në stol pranë pianos, Flack e përshkroi qasjen e saj ndaj muzikës si një lloj zhveshjeje përpara audiencës. 

“Dua që të gjithë të më shohin ashtu siç jam”, kishte thënë ajo për “The National Observer” në vitin 1970. “Zëri të dridhet? S’ka problem, ti vazhdo e dhuro gjithçka nga vetja dhe audienca e injoron këtë shkarje të vogël si dhe ecën nëpër performancë bashkë me ty. Kam kuptuar që mënyra më e mirë për të arritur te njerëzit është thjesht të hap veten para tyre dhe të lë gjithçka të rrjedhë lirshëm”.
Roberta Flack i përkiste një tradite të gjerë dhe të vazhdueshme të këngëtareve-pianiste — Nina Simone, Aretha Franklin, Alicia Keys — muzika e të cilave ishte e rrënjosur në zhanrin “blues”, në kishën afrikano-amerikane dhe në muzikën klasike perëndimore. Këto artiste sfiduan vazhdimisht kufizimet e vendosura nga tregu muzikor komercial. Ajo nuk e pa të nevojshme të zgjedhë midis një repertori të gjerë e të arritshëm nga të gjithë dhe një identiteti “afrocentrik” krenarë, të ndikuar si nga radikalizmi i viteve ‘60 ashtu edhe nga edukimi i saj fetar. Siç shkroi studiuesi Jason King, “ndoshta asnjë artist tjetër muzikor i viteve ‘70 nuk solli në mënyrë kaq komplekse nacionalizmin e zi në diskurs me estetikën klasike evropiane”.

Nga kënga e parë e albumit debutues — “Compared to What”, një kolazh i këngëve të mprehta sociale të shkruara nga bashkëpunëtori i saj i kahershëm, Eugene McDaniels — Flack këndoi shpesh këngë që shprehnin zhgënjimin shoqëror dhe solidaritetin racor.

Një nga performancat e saj më të buta dhe prekëse erdhi në bashkëpunim me Donny Hathaway në “Be Real Black for Me”, një këngë dashurie dhe admirimi të ndërsjellë, të cilën ata e kishin shkruar së bashku me Charles Mann. (Në vitin 2002, kjo këngë u bë e famshme si mostër në singlin e reperit Scarface, “On My Block”).

Që nga ditët e hershme duke performuar në klubin “Mr. Henry’s”, një kabare miqësore për komunitetin LGBTQ+, Flack ishte gjithashtu një mbështetëse e vendosur e të drejtave të homoseksualëve. Ajo këndoi “Ballad of the Sad Young Men” në albumin e saj të parë dhe shpesh e prezantonte në skenë si një histori për të rinjtë homoseksualë që kërkonin përkatësinë.

Ajo gjithashtu interpretoi këngën kryesore të filmit “Making Love” (1982), i cili trajtonte historinë e një burri që përballej me identitetin e tij seksual. 

“Isha shumë e lumtur kur ajo këngë u klasifikua në top-listat muzikore”, kishte thënë Flack në një intervistë për revistën “Hotspots”. “Njerëzit që nuk e dinin se kënga fliste për dashurinë mes dy burrave, e pëlqyen gjithsesi. Flisja për këtë gjë në koncertet e mia dhe theksoja që dashuria është dashuri—midis një burri dhe një gruaje, midis dy burrave, midis dy grave. Dashuria është universale, ashtu si muzika. Unë gjithmonë them: Dashuria është një këngë”.

Roberta Cleopatra Flack u lind më 10 shkurt 1937 në Black Mountain, Karolina e Veriut, e dyta nga pesë vëllezërit dhe motrat. Në fëmijërinë e saj të hershme, familja u shpërngul në Virxhinia, fillimisht në Richmond dhe më pas në Arlington, një periferi e Washingtonit e ndarë sipas racave. Babai i saj, Laron Flack, punonte si hartograf në Administratën e Veteranëve, ndërsa e ëma, Irene (Council) Flack, ishte kuzhiniere në një shkollë të mesme, por gjithashtu jepte mësim në lëndën e muzikës dhe luante organo në kishën “A.M.E. Zion Church” në Arlington.

“U rrita duke luajtur në piano për korin: Handel, Bach, Verdi, Mozart dhe të gjitha ato vepra të mrekullueshme, spirituale, të shkruara në mënyrë të ndërlikuar”, kujtoi Flack në një intervistë për “The Chicago Tribune” në vitin 1991. Por ajo gjithashtu shkonte fshehurazi në kishën baptiste lokale, ku shijonte format më të fuqishme dhe të papërpunuara të adhurimit përmes muzikës. Herë pas here, ajo takonte yje të muzikës kishtare si, Mahalia Jackson dhe Sam Cooke, duke performuar atje.

Roberta Flack u bë artistja e parë që për dy vjet rresht e rrëmbeu çmimin “Grammy” në kategorinë “Incizimi më i mirë i vitit”, me hitet “The First Time Ever I Saw Your Face” dhe “Killing Me Softly With His Song”

Këngëtarja identifikohej gjithmonë me historinë e familjes së saj nga jugu i Shteteve të Bashkuara. “Më pëlqen të them se nga Black Mountain dolën dy predikues: Billy Graham dhe unë”, citohet të ketë thënë ajo në një artikull të publikuar në “Ebony” në vitin 1971. “Ai predikon në mënyrën e tij dhe unë në timen”. 

Flack nuk ka asnjë pasardhës. Martesa e saj shtatëvjeçare me basistin Steve Novosel – e cila në atë kohë shkelte ligjin në Virxhinia, ku martesa ndër-racore ishte ende e paligjshme, pasi z. Novosel ishte i bardhë – përfundoi me shkurorëzim, ashtu si edhe një martesë e mëvonshme.

Kur pianisti dhe vokalisti i famshëm i muzikës “soul” dhe “jazz”, Les McCann, e dëgjoi duke interpretuar në vitin 1968 në “Bohemian Caverns”, mbeti pa fjalë. “Zëri i saj preku, ngacmoi, kaploi dhe përmbysi çdo emocion që kam njohur ndonjëherë”, shkroi ai më vonë në shënimet shoqëruese të albumit të saj debutues. “Kam qeshur, kam qarë dhe kam ulëritur duke kërkuar më shumë”. 

McCann organizoi një audicion për të në studion incizuese “Atlantic Records”. Gjatë një prove treorëshe për producentin Joel Dorn, ajo interpretoi më shumë se 40 këngë nga repertori i saj i gjerë. Ai e firmosi kontratën me të menjëherë.

Kritikët i pritën ngrohtësisht albumet e saj, “First Take” (1969), “Chapter Two” (1970) dhe “Quiet Fire” (1971), dhe ajo tërhoqi vëmendjen e botës së jazzit. Megjithatë, Flack nuk kishte ende një hit të madh deri kur ikona e kinematografisë, Clint Eastwood, vendosi t’i jepte këngës “The First Time Ever I Saw Your Face” — një baladë jashtëzakonisht e ngadaltë dhe prekëse e shkruar nga Ewan MacColl — një rol të rëndësishëm në trilerin e tij psikologjik të vitit 1971, “Play Misty for Me”. Për pesë minuta të plota, pa asnjë fjalë tjetër në sfond, e gjithë kënga luhet në skenën e filmit ku Clint Eastwood dhe Donna Mills ecin nëpër plazhin ku frynë erë e fortë, duke kaluar pranë dallgëve që përplasen dhe më pas futen në një pyll.

Kënga ishte publikuar fillimisht në albumin “First Take”, por studioja “Atlantic Records” e rilansoi atë si ‘single’ në vitin 1972 dhe shumë shpejtë arriti të pozicionohet në vendin e parë të top-listave muzikore. Papritur, Roberta Flack ishte një superyll.

“Roberta Flack & Donny Hathaway”, një album duetesh me mikun e saj të vjetër nga Universiteti Howard, që shumë kritikë e konsiderojnë si kulmin e saj krijues, u bë gjithashtu një hit. Albumi u pozicionua në vendin e tretë në top-listën “Billboard”, falë interpretimit të tyre plot gjallëri të  këngëve, “You’ve Got a Friend” nga Carole King dhe “Where Is the Love”, një këngë e shkruar për ta nga, Ralph MacDonald dhe William Salter. Në vitin 1972, ajo fitoi çmimin “Trendsetter Award” për sjelljen e jazzit në tregun e muzikës pop, përmes stilit të saj vokal të butë dhe delikat. Ajo fitoi gjithashtu çmime të rëndësishme “Grammy” në dy vjetët pasues.

Një ditë në vitin 1972, Flack e dëgjoi këngën “Killing Me Softly” të Lori Liebermanit gjatë një fluturimi me kompaninë “American Airlines”. Ajo u magjeps menjëherë nga melodia e saj e balancuar në mënyrë delikate mes tonaliteteve madhore dhe minore, si dhe nga tekst misterioz. Në atë kohë, Lori Lieberman ia kishte dërguar një demo të këngës këngëtares së njohur, Helen Reddy, por kjo e fundit nuk e pëlqeu titullin dhe kaseta mbeti e harruar në tryezën e saj.

Në aeroplan, Flack shkroi melodinë teksa pandalur e dëgjonte versionin e Liebermanit në kufje. Kur e interpretoi për herë të parë në Teatrin Grek në Los Anxhelos, ndërsa hapte koncertin e Marvin Gaye, publiku shpërtheu në duartrokitje në fund të performancës. Quincy Jones, i cili ishte i pranishëm në koncert, e këshilloi që ta mbante këngën për vete derisa ta incizonte. Ajo u publikua si single në janar të vitit 1973 dhe u shndërrua në hitin më të transmetuar në radiostacionet muzikore anembanë vendit. Nga ai moment, “Killing Me Softly” u bë kënga më e njohur e Flackut dhe mbeti e tillë për gjithë jetën e saj. 

Në vitin 1975 kur u shpërngul në shtëpinë fqinje pranë John Lennon dhe Yoko Ono, në New York, Flack publikoi albumin “Feel Like Makin’ Love”, albumin i parë i prodhuar nga ajo vet, dhe një tjetër hit i madh në skenën e muzikës. Me tingullin e butë, elektrizues dhe ritmin tërheqës, kënga kryesore e albumit –  e shkruar nga Eugene McDaniels –  u njoh si një nga shembujt e parë të stilit “quiet storm”, një nënzhanër i R&B-së që dominoi radiot në vitet ‘80.

“Ajo që më përfshin në muzikë është pulsi. Nëse mund ta gjej atë rrahje zemre, mund të jetoj brenda saj—brenda asaj muzike”, i tha ajo një intervistuesi në vitin 2012. “Mendoj se kjo vlen për të gjithë. Mendoj gjithashtu se kjo është ajo që e bën një këngë të jetë hit”. 

Albumet e saj të mëvonshme, “Blue Lights in the Basement” (1977), “Roberta Flack” (1978) dhe “Roberta Flack Featuring Donny Hathaëay” (1979), kishin një stil më të butë dhe më ritmik, duke u orientuar më shumë drejt muzikës për vallëzim. Nga mesi i viteve ‘80, prodhimi i saj muzikor u ngadalësua, megjithëse vazhdoi të performonte shpesh. Ajo u bë mentore për këngëtarë të rinj si, Luther Vandross dhe Peabo Bryson, të cilët performuar krah Flackut përpara se të nisin karrierat e tyre si solo-artistë, kryesisht falë mbështetjes së saj.

Edhe në këto vjetët e fundit, Flack i rikujtonte ditët e saj si mësuese dhe netët kur performonte në klubet e natës së Washingtonit. Kur u pyet në vitin 2017 nëse ishte rikthyer ndonjëherë te “Mr. Henry’s”, klubi që ende organizon muzikë live, ajo u përgjigj pa hezituar: “Isha atje së fundmi. Më pëlqen ushqimi që e shërbejnë”. 

Në vitin 2018, Roberta Flack u nderua me një çmim të karrierës nga Fondacioni i muzikës Jazz në Amerikë, dhe dy vjet më vonë pranoi një “Grammy” për arritje jetësore.