Në fillim të shekullit XX, Rusia i bëri paralajmërim qeverisë osmane dhe administratës së Vilajetit të Kosovës, se shqiptarët që gjoja atakonin serbët në Kosovë, jo vetëm që nuk po përndiqeshin, por edhe ata që ishin dënuar ishin lënë të lirë dhe se nuk po merreshin masa për sigurinë e serbëve. Ngjashëm si tani që diplomacia ruse nuk lë gur pa lëvizur në përpjekjet e saj për ta minuar konsolidimin e shtetit të Kosovës, edhe atëbotë Shën Petersburgu ndoqi të njëjtin diskurs kundër interesit shqiptar, përdori shtetet e tilla, si Serbia, Mali i Zi dhe Bullgaria për të arritur qëllimet e saj në drejtim të Vilajetit të Kosovës, përkatësisht për të penguar shtrirjen e influencës politike të Vjenës zyrtare në territoret shqiptare
Për çështjet e Ballkanit më të rivalizuarat ishin Austro-Hungaria dhe Rusia, të cilat po provonin të ndërtonin lidhjet e tyre me popullatën e rajonit me qëllim të çimentimit të ndikimit të tyre. Rusia, në kuadrin e përpjekjeve për të penguar shtrirjen e ndikimit dhe të pranisë së Austro-Hungarisë në Kosovë dhe për të penguar shtetin osman që të njihte kërkesat autonomiste e shqiptarëve, u bë një protektor i ambicieve serbe në nivelin e diplomacisë evropiane.
Rusia, e cila prej shumë kohësh po tregonte një interesim aktiv, mbetej e interesuar për forcimin e lidhjeve me popullsinë sllavo-ortodokse. Me këtë cilësi, ajo u gjend edhe në Kosovë në ndërhyrjet e herëpashershme ndaj administratës së Vilajetit në dobi të popullsisë serbe. Ajo i jepte mbështetje propagandës si klerit fetar ortodoks dhe shtetit serb për gjoja pozitën e vështirë të popullatës serbe, megjithëse shteti osman i kishte garantuar privilegje të gjera Kishës Ortodokse Serbe dhe vetë shtetit serb për të investuar në fushën e arsimit dhe të kulturës.
Diplomacia ruse dhe qëllimet e saj në Vilajetin e Kosovës
Në këtë linjë, Rusia i bëri paralajmërim qeverisë osmane dhe administratës së Vilajetit të Kosovës, se shqiptarët që gjoja atakonin serbët në Kosovë, jo vetëm që nuk po përndiqeshin, por edhe ata që ishin dënuar, ishin lënë të lirë dhe se nuk po merreshin masa për sigurinë e serbëve. Ngjashëm si tani që diplomacia ruse nuk lë gur pa lëvizur në përpjekjet e saj për ta minuar konsolidimin e shtetit të Kosovë, edhe atëbotë Shën Petersburgu ndoqi të njëjtin diskurs kundër interesit shqiptar, përdori shtetet e tilla, si Serbia, Mali i Zi dhe Bullgaria për të arritur qëllimet e saj në drejtim të Vilajetit të Kosovës, përkatësisht për të penguar shtrirjen e influencës politike të Vjenës zyrtare në territoret shqiptare. Në këtë kuadër përputheshin gati plotësisht interesat serbe me ato ruse. Nëse Petersburgu pas vitit 1903 nuk ishte i aftë të angazhohej për politikën ballkanike, diplomacia serbe, ndërkaq, bënte përpjekje pa rreshtuar që, përmes Italisë, t’i vinte barrierën e të pengonte zgjerimin e ndikimit austro-hungarez në Ballkan. Prandaj, i dërguari serb në Romë, M. Milanoviq punonte për të nxitur fërkimet midis Austro-Hungarisë dhe Rusisë, duke synuar që Serbia të nxirrte përfitime politike. Diplomati serb u përpoq të aktivizonte edhe Italinë dhe në aksionin e reformave në vilajetet evropiane të Perandorisë Osmane dhe t’u krijonte përshtypjen qarqeve politike në Romë se planet e tyre në Shqipëri ishin të dëmshme.
Mirëpritja e konsullit austro-hungarez Mitrovicë më 1904
Për këtë arsye, ky pozicion rus fillim të shekullit XX, që u transmetua edhe përmes aktivitetit të dendur politik dhe propagandistik të konsullatave ruse në qytetet e Vilajetit të Kosovës, në Shkup, në Prizren dhe së fundi edhe në Mitrovicë, në 1903, ndikoi që shqiptarët e Kosovës ta perceptonin Austro-Hungarinë gjithnjë e më shumë si një fuqi mbrojtëse, e cila kundërshtonte ambiciet serbe dhe malazeze. Kjo ishte arsye përse popullata shumicë shqiptare e kishte pritur ngrohtësisht mbërritjen e konsullit austro-hungarez në konsullatën e sapo themeluar në Mitrovicë në vitin 1904. Sipas konsullit austro-hungarez Zambaur, konsullata Austro-Hungareze u pa si nga shqiptarët, ashtu dhe boshnjakët si një "kundërpeshë" ndaj konsullatës ruse në Mitrovicë, e cila ishte “[...] plotësisht e hapur armiqësore ndaj turqve [...]”.
Synimet për fuqizim të elementit ortodoks në administratën osmane
Në vitin 1903, zhvillimet, të cilat u bënë shkak i tensionimit të situatës në Kosovë ishte përpjekja e Rusisë për të fuqizuar edhe praninë e elementit ortodoks në administratën e shtetit osman. Në kuadrin e reformave në Maqedoni, emërimi i rojave dhe i xhandarëve nga popullsia ortodokse solli kundërshtim të madh në mes të popullsisë myslimane. Gjatë kësaj periudhe, këto çështje ishin bërë shkak për kryengritje edhe në mesin e popullsisë shqiptare të Kosovës. Në këtë kuadër, u vra edhe konsulli rus në Mitrovicë nga ana e një ushtari osman me origjinë shqiptare nga rrethi i Gjilanit. Lëvizjet turbulluese ruse këtë herë shkonin në drejtim të pengimit të dërgimit të oficerëve austro-hungarezë për të shërbyer në xhandarmërinë e Kosovës, pasi që kishit dështuar përpjekjet e saj për dërgimin e oficerëve rusë. Sidoqoftë, bazuar në dokumentin e Mürzstegut, në kryeqytetin e Vilajetit të Kosovës, në Shkup u vendosën 6 oficerë rusë dhe në të njëjtën kohë 6 oficerë austro-hungarezë u dërguan në Vilajetin e Selanikut.
Në kuadër të përpjekjeve të diplomacisë evropiane për të zgjeruar ndikimin e tyre në këtë pjesë në Ballkanit, Perandoria Austro-Hungareze përfaqësonte qëndrimin se interesat e monarkisë do të mbroheshin më mirë, nëse në Perandorinë Osmane do të ruhej status quo-ja territoriale me ndihën e Antantës, angleze dhe të rusëve. Austro-Hungaria konsideronte se ishte momenti i duhur që të arrinte një mirëkuptim edhe me kundërshtarin e ri në Ballkan, Italinë. Një zgjerim i Serbisë ose Bullgarisë në Adriatik duhej të parandalohej në mënyrë që “unaza e hekurt” e Rusisë të mos përmbyllej rreth monarkisë dualiste.
Nuk është befasi megjithatë, që pas përvojës së tyre të mëparshme, popullsia lokale ishte skeptike ndaj premtimit të reformave. Në fund të fundit, edhe pas miratimit të programit të reformës, gjendja në rajonet osmane në Ballkan nuk u përmirësua. Rrjedhimisht, edhe përpjekjet e fuqive evropiane për të organizuar reforma të gjera në Maqedoni dhe në Vilajetin e Kosovës përfunduan megjithatë, në fiasko.
Programi Mürzsteg: Sektori austro-hungarez në Kosovën Juglindore
Gjatë punës kërkimore-shkencore në semestrin veror (2007) në Institutin për Studime të Historisë së Evropë Juglindore (Universiteti i Vjenës), në Bibliotekën Qendrore të Universitetit gjeta një libër të botuar në vitin 1910, të botuar asokohe me kërkesën e kolonelit të Korpusit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Austro-Hungarisë August Urbanski von Ostrymiecz, me titull “Offizersmission in Makedonien 1903-1908”. Libri ishte i veçantë, pasi deri atëherë nuk ishte i cituar nga asnjë autor vendor dhe ndërkombëtar. Përmbante 71 ilustrime e fotografi dhe 6 harta shumë të vlefshme historike.
Dy ishin oficerë austro-hungarezë kryesorë përgjegjës Kosovë: Johann von Salis-Seewis (1862 –1940) dhe Augusr Urbanski.
Mbi bazën e akteve arkivore, mësohet se nënkoloneli kont Johann von Salis-Seewis (1862 –1940) ishte caktuar përgjegjësi për misionin austro-hungarez në Kosovë. Ai i lindur në Karlovac, Kroaci-Sllavoni në Perandorinë Austro-Hungareze, pasi kishte ndjekur shkollën ushtarake, ishte dërguar si këshilltar ushtarak në Shkup, ku Salis-Seewis ishte bërë komandant i xhandarmërisë turke në vitet 1903-1905.
Ndërsa, shef i Misionit të Oficerëve Austro-hungarezë për Vilajetin e Kosovës ishte emëruar August Julius Urbański, (1866-1950), një oficer austro-hungarez dhe shef i inteligjencës ushtarake (Zyra e Evidencës) përpara Luftës së Parë Botërore. Urbaski ishte student i Franz Conrad von Hötzendorf, i cili më vonë u bë feldmarshal dhe shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë austro-hungareze. Ndërmjet viteve 1909 dhe 1914 ai drejtoi shërbimin e inteligjencës ushtarake të Austro-Hungarisë me zyrën e dosjeve me gradën kolonel. Gjatë kohës së Urbanskit si kreu i zyrës së regjistrimeve, ndodhi edhe afera rreth zëvendësit të tij, kolonelit Alfred Redl, i cili zbuloi sekrete, ndër të tjera, kishte tradhtuar për rusët. Pas vrasjes së trashëgimtarit të fronit Franz Ferdinandi më 28 qershor në Sarajevë, koloneli Urbański u riaktivizua menjëherë dhe u gradua gjeneral-major më 1 gusht 1914. Pas përfundimit të luftës, Urbanski doli në pension më 1 janar 1919 dhe vazhdoi karrierën si gazetar dhe shkrimtar.
Libri i tij për misionin e oficerëve austro-hungarezë në territorin e tri vilajeteve osmane të Ballkanit Jugor (Kosovë, Manastir dhe Selanik) sjell fakte interesante nga terreni dhe si të tilla, ato përmbysin edhe disa klishe të ndërtuara nga studiuesve të huaj, që sa herë flasin për shqiptarët i portretizojnë si rebel dhe bandit, që nuk duan të paguajnë taksa, pasi ofron fakte të dokumentuara nga terreni, aty ky bandat (komitaxhinjtë) dhe grupet kriminele serbe, bullgare dhe greke, të orkestruara dhe financuara nga Beogradi, Sofja dhe Athina, shkaktojnë turbullira dhe trazira brenda shtetit të lodhur osman. Në fakt në rajonin e Rumelisë (Ballkanit) banditizmi ishte tashmë një art dhe për këtë arsye, problemi i qetësisë, me gjithë kontrollin e huaj dhe të ekspertëve të tyre, qetësia nuk u vendos, ndërsa shteti osman gjithnjë e më shumë po humbiste kontrollin administrativ dhe financiar në këtë rajon.
Krahas tekstit, në njërën nga hartat kryesore, pos rajonit të Maqedonisë, paraqitet edhe rajoni i Kosovës, në të cilin sipas Marrëveshjes së Murtzstegut, ishte paraparë të stacionohej misioni policor austro-hungarez. Siç shihet nga harta, ky mision përafërsisht kap zonën aktuale të sektorit amerikan të KFOR-it, përkatësisht sektori i misionit austro-hungarez përfshinte këtë territor duke u nisur afërisht nga pika sotme me Maqedoninë: Elez Hanin, Kaçanikun, Ferizaj, pjesën lindore të territorit të Prishtinës dhe vazhdonte deri në Podujevë dhe vazhdonte përgjatë Luginës së Preshevës dhe në rajonin e Anamoravës, Gjilan dhe Viti.
Së pari, vendosja e misionit austro-hungarez në Kosovë do të shmangte mundësinë e zgjerimit territorial të Serbisë dhe bashkë me këtë edhe mundësinë e ndikimit rus mbi Ballkanin Jugor, i cili përfundimisht do të çonte në përmbushjen e agjendës së Rusisë për të dalë në brigjet e Adriatikut lindor. Tri vilajetet osmane – Kosova, Manastiri dhe Selaniku – ishin rruga e natyrshme nga Evropa në Lindjen e Mesme dhe fuqia që kontrollonte këtë rajon do të kishte ndikim të madh në të gjithë Gadishullin Ballkanik. Edhe prijësi gjerman Otto Bismark, i cili nuk e pëlqente çështjen ballkanike, pranoi se “ata që kontrollojnë luginën e lumit Vardar janë zotët e Ballkanit.”
Duhet përmendur se oficerët austro-hungarezë në atë kohë kishin një reputacion për qëndrimin dhe disiplinën e tyre, fakt i njohur nga prezenca e tyre në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Arsyeja e dytë ishte se Austro-Hungaria dëshironte të ruante status quo-në territoriale dhe që Perandoria Osmane të mbante territoret e saj në Evropë, në mënyrë që të kishin arsye për ndërhyrje në politikën e Perandorisë Osmane.
E treta ishte frika nga një shtet i serb që do të bashkohej me shtetet fqinje të Ballkanit, gjë që do të krijonte një çekuilibër fuqie dhe për rrjedhojë konflikti në rajon. Situata pas 1885 u përkeqësua për Perandorinë Osmane me humbjen e Rumelisë Lindore nga principata e sapoformuar bullgare; ashtu si Maqedonia, Rumelia Lindore ishte afër Kostandinopolit.
E treta, plani për vendosjen e trupave të misionit të oficerëve austro-hungarezë në këtë pjesë të Kosovës që përkufizohej me Serbinë kishte për synim që të sigurohej nga çfarëdo agresioni i mundshëm serb kundër Vilajetit e Kosovës, i cili mbetej si kërcënim permanent, po bëhej gjithnjë më hapur pas pushtimit dhe spastrimit etnik të rajonit të Toplicës me 1877/78.
Ardhja e trupave të misionit austro-hungarez në Kosovës ishte arritur me Marrëveshjen të Mürzstegut të vitit 1903 ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Rusisë dhe që si qëllim kishte zbatimin e reformave në territorin e Austro-Hungarisë. Në mes fuqive evropiane pati debate gjatë ndarjes së Maqedonisë në rajone kontrolluese nga Komisioni i Policisë. Në fakt, ky konflikt në ndarje nuk ishte i pabazë. Fuqitë e mëdha po silleshin sikur do të zotëronin rajonet që do t’u jepeshin, në vend që të reformonin policinë në vendet për të cilat do të ishin përgjegjës. Kishte një mosmarrëveshje midis Austrisë dhe Italisë, veçanërisht në lidhje me çështjen, e duke shërbyer në zonat ku mbizotëronte popullsia shqiptare. Sepse të dyja këto shtete luftonin për influencë në Shqipëri, të cilën më vonë edhe do ta pushtojnë.
Megjithatë, si rezultat i negociatave, mosmarrëveshjet e mendimeve u zgjidhën. Si rezultat, u vendos që Austro-Hungaria të vendoste një batalion xhandarmërie në Shkup, Italia në Manastir, Rusia në Selanik, Franca në Serres dhe Anglia në Drama për të marrë kontrollin e këtyre rajoneve. Kështu u pengua dominimi i një shteti të vetëm mbi Maqedoninë. Programi synon provincat e vogla me shumicë myslimane në krahinat e Kosovës dhe Manastirit. Gjermania nuk mori pjesë në këtë ndarje detyrash, por caktoi vetëm një major në krye të shkollës së xhandarmërisë që do të hapej në Selanik në të ardhmen.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë