Shtojca për Kulturë

“Rilindja” – nismëtarja e enigmave shqipe

Ndonëse kishin kaluar 8 vjet nga dalja e numrit të parë të gazetës “Rilindja”, fjalëkryqi i parë në faqet e saj u botua tek në vitin 1953. Numri i 17-18-të i datës 1 mars 1953 është e shenjuar si dita e fjalëkryqit të parë shqiptar (deri më tani kjo është e dokumentuar)

Në mbyllje të dekadës së parë mbas Luftës së Dytë Botërore, “Rilindja” vazhdon të shtojë botimet tashmë duke dalë në javë edhe dy apo tri herë dhe me këtë vazhdonin të botoheshin edhe enigma kryesisht fjalëkryqe edhe pse nuk kanë munguar edhe enigmat e tjera. Kështu, faqet e saj te rubrika “Faqja Zbavitse” apo faqja “Argëtim” apo edhe në faqet e rubrikave për fëmijë, lindnin enigmat e reja. Krahas larushisë në punime shtoheshin dhe autorët e rinj të enigmatëve profesionistë, studentë, nxënës e profile tjera. Si nismëtar i fjalëkryqit të parë njihet autori Rashid Krasniqi, që në atë kohë ishte mësues më pastaj arsimtar i muzikës e për të vazhduar fillimisht si bashkëpunëtor i “Rilindjes” e më pastaj dhe si autor dhe redaktor i rubrikave standard: “A keni ndigjue se...” dhe “An’e m’an Botës” si dhe rubrikës standarde Fjalë-KRYQ. Gazeta “Rilindja” në çdo numër të ri sillte punime dhe autorë të rinj siç ishin: Mustafa Venhari (mësues), Emin Kolshi, Ali Shala, Ali Musaj, Fahri Nushi, Fejzullah Canaj, Mehmet Begraca, Adem Kelmendi, Bedri Hysa (nxënës gjimnazi), Izet Selimi (nxënës i Normales), Ali Musaj (nxënës i Gjimnazit të Prizrenit), por dhe autorë anonimë, por, që me një analizë të përmbajtjes së fjalëve mund të dallohet edhe autori. Këta emra autorësh silleshin kryesisht me punimet e tyre në faqe të “Rilindjes” gjatë gjithë vitit 1953, duke sjellë vërtetë fjalëkryqe, me nivel shumë të lartë gjuhësor e përmbajtjesor, me formë, përmbajtje dhe parashtrimin e pyetjeve.

Në botë njihet Arthur Wyn si autor i parë i fjalëkryqit modern i botuar në SHBA në vitin 1913 me datën 21 dhjetor në gazetën “The New York World”. Gjatë fillimit të viteve 1920, gazetat e tjera u morën me kalimin e kohës. Redaktori i fjalëkryqit të “New York Times” tha: “Zgjidhja e fjalëkryqeve eliminon shqetësimet, ato ju bëjnë një person më të qetë dhe më të fokusuar”. Kjo frymë e botimeve të enigmave përcillet edhe në shtypin shqip të kohës duke i prezantuar enigmat nën rubrikat si “Lodra dhe Kohë-Shkime” (v.a.:Lojë-humbjekohe)

Botimin e enigmave të ngjashme moderne në shqip i hasim në revistën “Albania” të Faik Konicës në vitin 1903 në numrin e gjashtë (akrostiku i dyfishtë) përkatësisht në numrin e 9-të katrori magjik (4x4), por edhe në disa revista tjera të më vonshme duke botuar enigma të ngjashme midis plotësoreve dhe fjalëkryqeve.

Vazhdën e botimeve të ngjashme enigmatike i vë vulën gazeta “Rilindja” e vitit 1953, duke botuar fjalëkryqin e parë modern shqip, në dynumërishin 17-18 të gazetës “Rilindja” ditën e diel të datës 1 mars. Pikërisht në dhjetor të atij viti bëheshin katër dekada nga punimi i Arthur Wynnit, i cili njihet në literaturën botërore enigmatike si punim i cili ka plotësuar kriteret e fjalëkryqit modern. Pikërisht botimi i “Rilindjes” kishte kriteret tashmë të shtampuara se si duhet të botohej një fjalëkryq. Përdorimi i fjalëve të njohura, forma dhe pikat e zeza simetrike ishin kriteret e njëjta sikurse botimi në anglisht ashtu edhe në shqip. Ky kriter i botimeve të fjalëkryqeve në gazetën “Rilindja” tashmë ishte bërë standard edhe i botimeve të mëvonshme në faqet e saj, por edhe në botimet simotra të mëvonshme në revistat që lindnin nga ndërmarrja botuese “Rilindja”.

“Rilindja” vazhdon botimin edhe të enigmave të tjera siç janë rrokjekryqi (i pari), rebusi (i pari) apo “Dredhime” (enigmë e rimuar, i ngjashëm me enigmën moderne spunerizëm (Shpesh ngatërrimi i fjalëve quhet spunerizëm, pasi William Spooner u bë i njohur me ngatërrimet e tij të fjalëve që të bënin për të qeshur)).

Kur kemi parasysh kohën e botimit, mungesa e literaturës leksikografike në gjuhën shqipe, pastaj niveli i arsimimit nuk ishte i kënaqshëm, prapë se prapë këto enigma përfaqësojnë vërtet një bazë shumë të fortë të botimeve enigmatike shqipe. Ndonëse në atë kohë nuk kishim një standard të njësuar të gjuhës shqipe apo dhe kritere të dakordësuara për përpilimin e enigmave, prapë se prapë leksiku i përdorur, përmbajtja si dhe kriteret për përpilimin e enigmave mbesin bazë themeltare për botimet enigmatike të më vonshme. Të fillojmë për shembull me vetë emërtimin e enigmave, fjalëkryqi quhej thuajse njëjtë më një ndryshim të vogël tek vija lidhëse e dy fjalëve “Fjalë-KRYQ”. Formati i fjalëkryqit ndonëse ndërrohej, prapë se prapë, forma e ndërthurjes së fjalëve mbetej simetrike duke tentuar të përcillte standardin botëror e botimet e kohës në këtë lëmi. Në këtë kohë fjalëkryqet kryesisht ndalonin ose fillonin fjalën e re me ndërprerje më pikë të zezë, por kishte edhe me ndërprerje fjalësh me shtylla apo edhe kombinime pikë e zezë si dhe shtylla, duke qenë nismëtar të llojllojshmërisë së botimeve enigmatike moderne. Kjo plejadë autorësh të rinj janë nismëtarët edhe të RROKJE KRYQIT të parë shqip mu në faqet e “Rilindjes” të datës 10 dhetuer 1953.

Disa nga këta autorë më pas bëhet dhe prijetar në lëmenj të ndryshëm të jetës kulturore në Kosovë, si për shembull Mehmet Begraca veteran i arsimit, Rashid Krasniqi redaktor i fjalëkryqit në “Rilindja”, kompozitor i këngëve për të rritur dhe për fëmijë, Ali Shala gazetar e redaktor sportiv në “Rilindja” dhe në shtypin e kohës. Mustafa Venhari veteran i arsimit, Bedri Hysa, veteran i arsimit dhe poet. Numrit të gjatë të autorëve të punimeve enigmatike çdo vit i shtoheshin jo vetëm në gazetën e vetme (më vonë të përditshme) “Rilindja” që botohej në Kosovë por edhe në revistat e tjera që dilnin në atë kohë sikur ishin ”Zani i Rinis”. Botime enigmatike në territorin jashtë kufijve të Shqipërisë së kohës i shtoheshin edhe botimet në gazetën tjetër që botohej në Shkup “Flaka e Vëllazërimit” e cila gazetë edhe ajo kishte rubrikën standard të fjalëkryqit e që edhe aty defilonin autorë nga e gjithë hapësira shqiptare në shtetin e quajtur në atë kohë Jugosllavi.

Pra, me një fjalë gazeta “Rilindja” ishte nismëtarja e botimit të enigmave moderne shqipe duke qenë prijatarja e vënies së standardeve të botimeve të mëvonshme, konform standardeve moderneve botërore të botimeve enigmatike.

Autori është magjistër i
trashëgimisë kulturore,
mjeshtër i enigmatikës

Image

Prototipi i fjalëkryqit të parë shqip me zgjidhje