Shtojca për Kulturë

Rileximi i Petro Markos – rinjohje e lirisë dhe vlerave

Veprat e Petro Markos ne Panair te Librit

Rëndësinë e lirisë nëpërmjet kryeveprës së tij, Petro Marko (1913 – 1991) vazhdon ta trashëgojë ndër breza dhe me kryeveprën “Shpella e pirateve”. Pikërisht nisur nga kjo, roli i këtij personaliteti është nderuar të shtunën edhe në kuadër të aktiviteteve të Panairit të 24-t të Librit

Përgjatë një ore diskutim të shtruar në rrafshin letrar, të shtunën në Panairin e Librit në Prishtinë, Petro Marko si shkrimtar shumëdimensional u rikthye edhe njëherë duke ia evidentuar pikat e forta të penës së tij, të latuara në historinë e letërsisë shqipe

Në kulturën dhe letërsinë shqiptare emri i Petro Markos është përfytyrim i një personaliteti të përmasave të mëdha sa i përket shprehjes së tij të lirë në shumë gjini letrare. Faqe të tëra të prozës e poezive të tij reflektojnë fuqinë që ka dashuria, triumfin dhe besimin në të qenit i lirë, marrë parasysh se vetë ai ishte kursyer nga ajo shumë herë përgjatë jetës së tij 78-vjeçare. Rëndësinë e lirisë nëpërmjet kryeveprës se tij, Petro Marko (1913 – 1991) vazhdon ta trashëgojë ndër breza dhe me kryeveprën “Shpella e pirateve”.  

Pikërisht nisur nga kjo, roli i këtij personaliteti është nderuar edhe në kuadër të aktiviteteve të Panairit të 24-t të Librit. Nëpërmjet shtëpisë botuese “Albas”, synohet që të rikthehet vëmendja nga veprimtaria letrare e Petro Markos – e konsideruar si e nevojshme për riaktualizim nga paneli i përbërë nga poetja Rita Petro, studiuesi Behar Gjoka dhe shkrimtari Ag Apolloni – nëpërmjet pasurimit të kolanës me veprat e tij. Të prezantuara në këtë promovim qenë titujt si “Qyteti i humbur”, “Nata e Ustikës”, “Shpella e piratëve”, dhe “Fantazma dhe plani  ‘tre plus katër’”, por u bë e ditur që këto vëllime do të pasurohen dhe më tej. Proza moderniste e Markos dhe thyerja e rregullave të metodave të realizimit socialist, ndonëse krijimtaria e tij është bërë pikërisht në atë periudhë, qenë ndër pikat kryesore në këtë diskutim. 

Petro Markon, studiuesi Behar Gjoka e ka vlerësuar si ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe. Ka thënë se kjo iniciativë e shtëpisë botuese “Albas” është një rikthim dhe një ringjallje e meritës që ka autori në letërsinë shqipe. 

“Petro Markos i rënë për hise të ishte ura lidhëse e letërsisë së një brezi të vjetër me atë bashkëkohoren dhe të bënte pastaj ato romane që i bënë nder fillimisht Petros, por dhe të gjithë neve. Sado që ka qenë shkrimtar shqiptar, ai ka qenë dhe shkrimtar evropian”, ka thënë Gjoka, duke iu referuar dhe veprimtarisë ushtarake të Petro Markos në Spanjë. 

Petro Marko ka mbledhur shumë lexues rreth vetes përgjatë veprimtarisë së tij. Një audiencë po aq besnike ai e ka pasur kaherë edhe në Kosovë. 

Sipas shkrimtarit Ag Apolloni, Petro Marko është shumë i dashur për lexuesit në Kosovë.  

“Petro Marko pëlqehet shumë nga lexuesit këtu. Ne jemi rritur me veprat e tij dhe sidomos këtu kanë qenë të dashura veçanërisht veprat ‘Shpella e piratëve’ dhe ‘Hasta La Vista’. Madje dhe studimi i parë për Petro Markon është bërë pikërisht këtu. Është ndër shkrimtarët që ka zhvilluar shumë imagjinatën e fëmijëve, dhe njëri ndër ata fëmijë kam qenë dhe unë. Për mua në atë kohë leximi i ‘Shpellës së piratëve’ ka qenë si me pa ndonjë film të Spielbergut”, ka thënë Apolloni. 

Ai ka vlerësuar se vepra e Markos duhet të riaktualizohet. Ka thënë se ajo është me rëndësi të studiohet dhe më tej dhe të vendoset në vendin e  merituar.  

“Petro Marko është njëri nga shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë moderne dhe bashkëkohore shqipe, por është interesante se si studiuesit tanë e kanë lënë atë brenda margjinave edhe pas ardhjes së demokracisë, nuk janë marrë shumë me të”, ka shtuar Apolloni. 

Konteksti mbi të cilin është jetësuar  vepra e Petro Markos, ka të bëjë me kohë të tunduara për botën shqiptare. Jeta e tij e përshkruar në librat e tij evidenton dhe rrethanorët kanosës për konceptin e lirisë për shqiptarët nën regjimin komunist. 

Poetja Rita Petro gjatë këtij promovimi ka lexuar disa ekstrakte nga “Intervistë me vetveten”. Ata rreshta për audiencën qenë një rikujtim mbi rëndësinë që autori i kishte dhënë idealit për lirinë. 

“Si duket Petro Marko ka qenë gjithmonë duke luftuar si individi për lirinë, nuk i janë ndarë prangat asnjëherë. Por ato pranga asnjëherë nuk kanë mundur ta prangosin mendjen e tij, dhe pikërisht ky është thelbi i punës së tij”, ka thënë Petro ndër të tjera duke iu referuar kësaj vepre edhe si ndër autobiografitë më të sinqerta.    

“Dashnor i përjetshëm i atdheut”, e ka cilësuar Markon studiuesi Behar Gjoka. 

“Për mua Petro Marko në veprën e tij është fati i njeriut që koha në të cilën ai shkroi, ishte e pamjaftueshme për të. Vepra e tij duhet të ketë një moment të dytë, pra tani ne e kemi mundësinë pa e vra mendjen se si do e pret Petro Marko, të themi atë që ai e shkroi në poezi, në prozë e dramë. Ai ishte mërgimtar dhe ëndërrimtar i përjetshëm, mbi të gjitha ai është njeriu që projektoi lirinë e tij, lirinë e të gjithëve dhe na dha një model se si mund të jemi të lirë”, kanë qenë fjalët me të cilat Gjoka ka zgjedhur ta kujtojë figurën e shkrimtarit. 

Nuk la pa u potencuar dhe vetëdija e lartë estetike e penës së Petro Markos. U veçua se si ai nuk përzinte angazhimet reale të shoqërisë në veprat e tij. Mesazhet ai i përçonte duke i qëndruar besnik pjesës estetike të letërsisë. 

Mu për këtë u trajtua dhe një pikë tjetër e rëndësishme në veprën e Markos:  Dashuria. 

“Çiftet e dashuruara të Petro Markos janë të jashtëzakonshme, nuk e di pse një çift te Petro Marko është aq i veçantë. Ai e trajton dashurinë si diçka jo vetëm personale, por si një ndjesi që kapërcen çdo lloj kufiri, sidomos ata me nacionalitetin”, ka shtuar poetja Rita Petro. 
Përgjatë një ore diskutim të shtruar në rrafshin letrar Petro Marko si shkrimtar shumëdimensional u rikthye edhe njëherë duke ia evidentuar pikat e forta të penës së tij, të latuara në historinë e letërsisë shqipe. Ndërkaq me këtë ribotim synohet rikthimi i vëmendjes te kjo krijimtari.