Duke e parë veten të mashtruar pas vitit 1912 nga ana e Serbisë, qarqet bullgare deshën që projektin e tyre të përkufizimit të Bullgarisë mesjetare, ta realizonin nëpërmes Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë, dhe këtë rast ato e fituan pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. Në viset “e reja” u vendos autoriteti ushtarako-administrativ bullgar. Por, shteti i atëhershëm bullgar nuk u kënaq me kaq. Në Luginë të Preshevës në korrikun e vitit 1916 u organizua edhe një “ekspeditë shkencore”. Vëmendje të posaçme meriton opinioni i akademikut Stefan Mlladenov për “Shqipërinë e panjohur”
Përpjekjet për ta ndryshuar gjendjen reale dhe faktike në Luginë të Preshevës në fund të shekullit XIX nuk pushuan edhe më vonë. Por, tani jo nga pushteti dhe qarqet serbe, por nga Bullgaria e cila e përkrahur prej Rusisë, në prag të Luftës së Parë Ballkanike hoqi dorë nga arritja eventuale e marrëveshjes me shqiptarët, sepse në bisedimet rreth krijimit të Aleancës Ballkanike, Serbia ia kishte premtuar shtetit bullgar një pjesë të Maqedonisë, Luginën e Preshevës, madje dhe zonat deri në buzë Sharrit!
“Ekspedita shkencore” në tokat shqiptare
Duke e parë veten të mashtruar pas vitit 1912 nga ana e Serbisë, qarqet bullgare deshën që projektin e tyre të përkufizimit të Bullgarisë mesjetare, ta realizonin nëpërmes Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë, dhe këtë rast ato e fituan pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. Më 14 tetor 1915, Bullgaria i shpalli luftë Serbisë dhe vetëm për dy javë, trupat bullgare pushtuan rajonin e Luginës së Moravës dhe krahinën e Nishit, ndërkaq në fund të vitit 1915, e gjithë Maqedonia tanimë ndodhej në pushtetin bullgar. Në viset “e reja” u vendos autoriteti ushtarako-administrativ bullgar. Por, shteti i atëhershëm bullgar nuk u kënaq me kaq. Në Arkivin Ushtarak të Veliko Tërnovos ruhen mjaft dokumente të firmosura prej kryeshefit të atëhershëm të armatës bullgare, gjeneralit Konstantin Zhostov (1867 – 1916) lidhur me aktivitete e pushtetit ushtarako – politik bullgar në viset e lartpërmendura. Përkundër që gjenerali Zhostov ishte në krye të armatës bullgare, me urdhrin e tij u organizua një “ekspeditë shkencore” në vendet tanimë të pushtuara. Në njërin prej dokumenteve të arkivuara thuhet: “Jeni të ftuar të vini te zëvendësi im në Ministrinë e Luftës, koloneli Girginov, për ta marrë: një hartë të tokave që do të eksplorohen, një ndihmë prej 1500 levave bullgarë dhe ushtarë përcjellës. Ju lutemi që jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas përfundimit të udhëtimit, ta paraqisni një raport të detajuar mbi rezultatet e studimeve tuaja”, ishte urdhri i kryekomandantit bullgar drejtuar 15 studiuesve të cilët arritën në Luginë të Preshevës në korrikun e vitit 1916 dhe e përmbyllën “ekspeditën e tyre shkencore” në gjysmën e muajit shtator të po atij viti. Pas përfundimit të “ekspeditës” studiuesit bullgarë, sidomos ata që qëndruan në Preshevë, ishin unanimë se në këtë qytet nuk mund të ngrihet komuna bullgare, sepse ajo tërësisht ishte e shqiptarizuar.
“L’Albanie inconnue” e akademikut bullgar më 1916
Por, vëmendje të posaçme meriton opinioni i akademikut Stefan Mlladenov (1880 -1963) – që njëherësh ishte edhe dialektolog bullgar, specialist i gjuhësisë indoevropiane, sllavistikës, ballkanistikës dhe i bullgaristikës. Ai kishte hulumtuar zonën e Preshevës, duke filluar nga 14 korriku deri më 10 shtator të vitit 1916.
“Këtu duhet përmendur gjithashtu se pothuajse e gjithë zona që e kam studiuar, e populluar me shqiptarë, hyn në trojet që së fundmi me të drejtë janë quajtur “L’Albanie inconnue”(Shqipëria e panjohur)”, guximshëm ka konstatuar Mlladenovi.
“Serbinë e Vjetër” dhe Lugina e Preshevës si portë hyrëse
Dhe krejt në fund, nëse Zllata e realizoi dashurinë e saj, duke sakrifikuar gjithçka për Bajramin, nëse bija e Mordekaj Bar – On –it, si hebreje arriti që t’i bindë prindërit e saj, se e dashuronte me shpirt burrin e saj të ardhshëm, të riun palestinez, Manojllo Gjorgjeviq – Prizrenac e bastardoi dashurinë e Fatimes me Janjës, duke ua veshur asaj petkun e nacionalizmit primitiv serb. Ndërkaq shqiptarët më konkretisht ata që në rastin e Fatimes, kanë luftuar që të renë shqiptare ta kthejnë në Rahovicë, mund të mburren me faktin se e kanë sjellë nderin e tyre në vend, duke i ngelur besnikë traditës së tyre kanunore. Por, fatkeqësisht, shqiptarëve në kontekstin e përgjithshëm as atëherë e as më vonë nuk u ka interesuar se me çfarë “elemente” politiko-letrare është mbështjellë dashuria e bashkëkombëses së tyre, se çfarë është shkruar në raportet diplomatike për ata! E rëndësishme ka qenë që ata mos të jetojnë të turpëruar në katund! Ndërkaq qarqet nacionaliste serbe duke e pretenduar “Serbinë e Vjetër” dhe duke e shfrytëzuar Luginën e Preshevës si portë hyrëse për në mesjetë, vetvetiu janë ballafaquar me gënjeshtrat e tyre, dhe sidomos këtë do të mund ta kishte dëshmuar një vepër letrare fatkeqësisht e pashkruar për dy dashnorët këmbëngulës, Bajram Miratocën dhe Zllatë Sopotin, ku gënjeshtrat e priftërinjve serbë më tepër ishin të orientuara drejt realizimit të Serbisë mesjetare, sesa që ata kishin sens për ta kuptuar zjarrin e dashurisë midis dy të rinjve. Në këtë hulumtim identitetesh të turbullta më “të kënaqurit” duhet të kenë mbetur studiuesit bullgarë, sepse ata në Luginë të Preshevës gjetën vise shqiptare, por të “Shqipërisë së panjohur!”