Jo rrallë ne habiteshim me energjinë e tij kërkuese, shtresë mbi shtresë, fshirjet pa asnjë dilemë të kanavacës për të kërkuar sërish mbi të përsosurën, mbi sipërfaqet e pastruara me elegancë. Andaj themi se tablotë e Rexhep Ferrit paraqesin dhe histori përpjekjesh, ethesh e ankthesh krijuese, të cilat ai i përballonte me durim të pashembullt
Artistët e mëdhenj lënë pas “vazhdën e ndritur”, do të thoshte Poradeci, lanë veprën që i lartëson dhe i bën të pavdekshëm, lanë amanete hyjnore që nuk birren, miqtë e shumtë që kanë ndjekur me vite veprimtarinë e tyre, lanë trashëgimtarët që i kanë edukuar dhe nisur udhëve të mbara, për të përcjellë tutje këtë “vazhdë të ndritur”.
Njohja me Ferrin mbërrin gjysmëshekulli. Njohje që na bën nder dhe na mbush me krenari të gjithë ne që i kemi ndenjur pranë dhe që e kemi adhuruar punën e tij. Këto njohje ai i kërkonte dhe i zgjeronte njësoj: si me piktorë, shkrimtarë, kompozitorë..., i hapur dhe i sinqertë edhe me studentët që i konsideronte familje. Interesimet e hershme për letërsinë, botimi që në vitin e largët 1962 i ciklit me poezi “Shëtitësit e lodhur”, te revista letrare “Jeta e Re”, mbase dëshmoi dhe mishëroi dellin poetik, me të cilin ai do t’u qasej tablove, do të formësonte vizatimin mjeshtëror, që do të jetë nismë e mbështetje e tablosë së tij gjatë gjithë kohës. Këto “shëtitje”, me të njëjtin pasion te vizatimi, piktura, dizajni grafik, tapiceria, por edhe te poezia, romani, esetë etj. nuk pushuan pothuaj deri në ditët kur zuri shtratin, la penelin, paletën e lapsin.
Vetëm pak vite më parë (tetor, 2020) ne ndoqëm në këto hapësira një nga ekspozitat e tij të fundit, të stisur e të kuruar prej tij me vullnetin e artistit që nuk përfill e nuk njeh moshë.
I lindur në Kukës në vitin 1937 në një familje me tradita të lavdishme, nip i të madhit Jakup Ferri, pas mbarimit të Shkollës së Mesme të Artit në Pejë, nga bankat e së cilës niseshin për studime të mëtejme shumica e artistëve tanë atyre viteve, Ferri u regjistrua dhe kreu me sukses të dalluar në vitin 1966 Akademinë e Arteve të Aplikuara në Beograd, në degën e pikturës monumentale, tek e cila në vitin 1970 kreu dhe studimet pasuniversitare, për t’u kthyer pothuaj menjëherë në Prishtinë në Shkollën e Lartë Pedagogjike, që më vonë u shndërrua në Akademinë e Arteve, e së fundmi në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, ku përgatiti gjenerata të tëra piktorësh, artistësh që sot lartësojnë autoritetin e profesorëve të tyre gjithandej botës. Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës u zgjodh që në vitin 1996 ndërsa në vitin 2000 u zgjodh anëtar i rregullt dhe mori titullin akademik, duke drejtuar për një periudhë edhe Seksionin e Arteve.
Është e gjerë, impozante lista e ekspozitave të pavarura, e pjesëmarrjes në ekspozita kombëtare e ndërkombëtare. Që nga ekspozita e parë e pavarur, e vitit të largët 1967 në Qendrën e Kulturës në Prishtinë, tek ajo në Viçencë të Italisë, në Galerinë prestigjioze “Lambert” të Parisit, në qendrat e ish-Jugosllavisë, Beograd, Sarajevë, në Galerinë Vako të Stambollit e deri te Galeria Kombëtare e Tiranës, te Galeria e Arteve e Kosovës dhe ekspozitat e pavarura këtu, në ambiente të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ai nuk pushonte të sillte risi, arritje të papërsëritshme në veprën e tij. Nuk duhet harruar ekspozitat e mëdha të përbashkëta prestigjioze si ajo e Bienales së Aleksandrisë, Galeria “Forum” e Zagrebit, Galeria “Breht” në Mynih, “Cité internationale des Arts” në Paris, etj.
Janë të shumta shkrimet, vlerësimet në shtypin e vendit, por edhe në gazeta e revista autoritative, si në “Le Monde” për shembull, si dhe vështrime të emrave të rëndësishëm të penave kritike figurative, siç ishte ajo e poetit të njohur frëng Alain Bosquet p.sh. i cili vlerësonte me fjalë të zgjedhura pikturën e Ferrit të ekspozuar në Paris. Në vitin 2010 Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës botoi monografinë që përfshinte pothuaj tërë opusin e tij, bile edhe krijimet aplikative, skica, vizatime, ballina librash, pllakate, një mori aktivitetesh të një jete dinamike dhe të pandalshme. Monografisë i printe shkrimi mbase më gjithëpërfshirësi për veprën e tij i studiuesit të ndjerë Gëzim Qëndro.
Në një qasje më të gjerë e më të gjithanshme do të hidhej më shumë dritë edhe për veprimtarinë e tij paralele me atë të arteve pamore – krijimtarinë letrare. Ferri është autor i disa librave me poezi, romane e libra me ese, të vlerësuar për një qasje ndryshe, origjinale, e cila së fundmi u kurorëzua me një botim elegant në nëntë vëllime të veprës së tij të plotë letrare nga shtëpia e njohur botuese “Onufri” e Tiranës.

Rexhep Ferri, patëm shkruar që herët, i takon brezit të artistëve, piktorëve, skulptorëve, grafistëve, që janë në themelet e modernes te ne dhe që konsiderohen bartës të zhvillimit të këtyre fushave në këta pesëdhjetë vjetët e fundit. Të shkolluar e të specializuar në akademi prestigjioze, me shumë mundësi komunikimesh e njohjesh të arritjeve që asokohe ishin aktuale në botë, piktorët, skulptorët, grafistët e këtyre gjeneratave u formuan në personalitete të respektuara, secili në fushën e veprimtarisë së vet, duke u ngritur me origjinalitetin e tyre në autoritete shtylla të zhvillimit të arteve pamore në këto anë. Një plejadë e tërë që erdhën pas tyre dhe si rezultat i punës intensive pedagogjike të tyre, i ngritën dhe denjësuan artet pamore, duke i bërë protagonistë të ngjarjeve të mëdha kulturore e artistike, tashmë jo vetëm në Prishtinë, Pejë, Gjakovë a Prizren, e as pak hapa më tutje, në Tiranë a Shkup, por në shumë metropole evropiane e botërore ku sot flitet me respekt për artistët pamorë të Kosovës.
Ferri njihet si një nga kërkimtarët më këmbëngulës në fushë të figurshmërisë, patëm theksuar gjithashtu, me rastin e ekspozitës së tij të pavarur në Stamboll (tetor, 1998). Jo në zgrip të abstraktes, as në lojë të konkretes, siç është provuar të cilësohet, por më parë në sprovat e një vizatimi asociativ të ngritur mbi kujtesën, herë të dhembshme, herë krenare, të shquar para së gjithash me zellin për të gjurmuar deri në labirintet më të thella gjetjet që do të përshkohen me analizën origjinale të trupit në lëvizje, gjeografisë së portretit dhe maskës, të karakterit specifik të vijës dhe sipërfaqeve që shpesh diktojnë kursimin e ngjyrës (gjithnjë në funksion të ndërtimit të vizatimit dhe imponimit të botëkuptimit se ai është bazë e çdo kërkimi pikturor), e gjithë kjo në favor të gjetjes së qëndrimit, sprovave karakteristike të ecjes, lëvizjes së këtyre “humanoidëve”, siç do t’i cilësonte Gëzim Qëndro, që imponojnë dhembje e krenari, lindjen dhe shkatërrimin, bukurinë e ndërtimit dhe zgërdheshjen e gërmadhës, hovin e vrapit dhe gjymtyrën e këputur, plagën e njeriut të vënë me gjoks para furtunës. Dorështrënguar në ngjyrë, gjithnjë e më i kujdesur në komunikimin e figurave, ai më parë duket se zbërthen vargjet dhe mendimet në pëlhurë a në letrën e bardhë, sesa kujdeset për saktësitë anatomike të këtyre “humanoidëve shëtitës”.
Jo rrallë ne habiteshim me energjinë e tij kërkuese, shtresë mbi shtresë, fshirjet pa asnjë dilemë të kanavacës për të kërkuar sërish mbi të përsosurën, mbi sipërfaqet e pastruara me elegancë. Andaj themi se tablotë e Ferrit paraqesin edhe histori përpjekjesh, ethesh e ankthesh krijuese, të cilat ai i përballonte me durim të pashembullt.
Ata që e njohin karakterin psikologjik të vijës dhe fakturave, sipërfaqet e ngërthyera në lojën e shpërthimit të energjisë së krijuesit, që i ndjekin shenjat treguese në këto lëvizje apo edhe në sipërfaqe të qeta, me ngjyrë e fakturë, të ndalur aty-këtu në theksime që krijojnë harmoninë e formave dhe qëndrimeve të figurës njerëzore karakteristike, ose të mureve a gërmadhave, atëherë kur rreket të merret me shkatërrimin, të cilin e kemi kapërcyer por e mbajmë në kujtesë, e dinë se këto janë gjurmët e angazhimit të tij edhe në shkrime, kjo është logjika në bisedat e tij me ne dhe me personazhet e imagjinuara, kjo është filozofia e jetës së tij, e qëndrimeve dhe raporteve që ka me rrethin, kemi vlerësuar së fundmi.
Opusi i Ferrit është edhe më i gjerë se kaq. Ai është ndërtuar dhe pasuruar me shumë skica, vizatime, kopertina, pllakate, aktivitete, me të cilat është marrë dendur në një periudhë më të hershme të krijimtarisë së tij. Në të gjitha ato ne ndeshim po atë dorë, po atë shkathtësi lëvizjeje, aftësinë për të pikasur detajin, për ta kontekstualizuar dhe funksionalizuar atë për të cilën është kërkuar ndërhyrja. Janë veçanërisht mbresëlënëse vitet e fundit miniaturat, gjetjet filigranike të qëndisura në copa të vogla letre, në faqe libri a në margjina, që imponojnë nevojën për të prekur çastin, për të vënë gjeste e vula, qoftë edhe mbi një tekst të shkruar, mbi një faqe të shtypur, mbi një kontekst tjetër. Ky mikrokosmos miniaturash jo gjithmonë është bazë e një kërkimi të thellë në tablotë e formateve më të mëdha, por paraqet një vlerë më vete, si gurët e imtë në kokën e një unaze të hollë që japin reflekse e ndriçime magjike.
Bardhezi në Bjeshkët e Nemuna, lojë magjike të gajtanëve dhe qëndrimeve malësorçe, biseda, intimë, kujtime, heshtje e brohoritje njëkohësisht, dukej sikur kërkonte të na bindte se ka dhe shumë për të thënë, ka edhe shumë për të gjetur e për të dhënë, në këtë botë të pasosur lëvizjesh e kërkimesh, që na bën ndonjëherë të ndihemi të mpirë, pa fjalë, tek vështrojmë siluetat e këtyre figurave magjepsëse të artistit që na i la peng e iku, e me të cilat ne do të merremi e do të mahnitemi vite e vite.
Pusho i qetë i dashur mik, të qoftë i lehtë trualli i Kosovës, maestro! Na mbushe me mallëngjim, por na le aq shumë kujtime dhe mbi të gjitha na le veprën tënde të përbotshme që do të mbijetojë gjenerata e gjenerata pas nesh.
Fjalë e mbajtur në mbledhjen komemorative për akademik Rexhep Ferrin më 7 qershor 2024 në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës