Ramë në një mendje që revolucioni të bëhej në datën 10 dhjetor. Themistokliu, nuk do të kishte tepër kohë ditën e 9-të për ta përgatitur këtë ngjarje (11) dhe vetë kisha nevojë për këtë afat të shkurtër që t’i parashihja masat ushtarake që, po të ishte nevoja, do të siguronin qetësinë. I parapamë të gjitha hollësirat e proklamatës së rendit të ri, si fjalimet që do mbaheshin nga delegatët e popullit dhe përgjigjja që do ta jepja në emër të Komandës frënge. E përpilova tekstin e dokumentit që, pasi të nënshkruhej prej të dërguarve shqiptarë dhe prej përfaqësuesit të Komandës frënge, do të përbënte një lloj “Kushtetute” të Shtetit autonom të Korçës. Ceremonia e shpalljes do të bëhej në sallonin e gjerë të ish-prefekturës greke. Më 10 dhjetor në mëngjes, kjo godinë ishte e ruajtur prej një kompanie këmbësorie: një seksion në oborr të brendshëm dhe tre të tjera jashtë, me armët gati
Gjeneral Henri Descoins
Prej 6 gjer më 10 dhjetor (të vitit 1916 v.j.) ngjarjet nuk ecnin. Po rendnin.
Një numër faktesh më tregojnë me siguri se krerët grekë, punojnë kundër komandës frënge. Është e nevojshme që t’i largoj këta të padashur, në qoftë se gjenerali Sarrail më jep urdhër t’ua plotësoj dëshirat shqiptarëve. Prandaj, në mbrëmje të 8 dhjetorit, arrestova dhe i nisa për Selanik, nën rojë, krerët grekë. Në krye gjendeshin zotërinjtë Gjini dhe Dardha. Janë edhe tre veta të tjerë prej parësisë, ndoshta më pak aktivë, po aq ngatërrimtarë sa dhe të parët. Po me atë rojë, largova prej Korçe edhe pesë krerë çetash, që prisnin vetëm rastin që të merrnin udhëheqjen e andartëve të rekrutuar prej z. Dardha.
Si të parët ashtu edhe të dytët, nuk u keqpërdorën: u ndaluan vetëm të banojnë në Korçë.
Në ora 10 e mbrëmjes, kur po bëheshin këto arrestime të ndryshme, më arriti një telegram me shifra. Ai kishte fjalët që kishim përcaktuar: “Lërini të veprojnë” dhe nënshkrimin e Berne-Lagardeit.
Pak minuta më vonë, merrja një telegram të dytë, zyrtar këtë herë, nga kryekomandanti dhe i shkruar si vijon:
Gjithë nëpunësit grekë (mbretërorë ose venizelistë) duhet të hiqen nga Korça dhe rrethet. Autoriteti ushtarak frëng do të caktojë nëpunësit vendas. Një polici vendëse do të organizohet dhe do të vihet në dispozicion të nëpunësit që do ta administrojë rrethin. Komanda ushtarake frënge do të ketë në dorë drejtimin dhe ruajtjen administrative dhe ushtarake të vendit. (10)
Dërgova menjëherë ta thërrisnin Themistokliun dhe ia tregova dy telegramet e marra. Shprehu një kënaqësi shumë të madhe. Shihte, me të vërtetë, realizimin e ëndrrës së tij, pavarësisë së vendit të tij, dhe se do të ishte mjeshtri kryesor i kësaj ngjarjeje historike. Gjithë natën, shtatmadhoria ime dhe unë, punuam me të.
Mbeturinat e fundit të regjimit grek, administrata greke, do të zhdukeshin.
Çdo gjë nga të mëparshmet do të fshihej një herë e mirë. Tani duhej ndërtuar krejtësisht organizata e ardhshme: duhej, asgjë më pak, krijuar në mes të luftës, një shtet të ri; dhe duhej vënë në udhë menjëherë.
“Shqiptarët”, më tha Themistokliu, “vijnë te ju si venë fëmija te babai; këshillonani, dhe ne do t’ju dëgjojmë”.
Dhashë mendimin se duhej marrë parasysh përvoja e mëparshme, e paguar kaq shtrenjtë prej Shqipërisë. Ky vend i shkretë, kishte vuajtur tepër prej luftërave politike: duhej bërë çdo gjë që të ndaloheshin të rilindnin. Ishte mirë, për këtë gjë, që të hiqej politika nga shteti i ri dhe të bëhej vetëm administrim. Duhej ndaluar që e gjithë jeta publike të vihej nën dëshirën e marrjes të fuqisë: prej kësaj ose asaj partie. I vetmi qëllim që duhej ndjekur tani e tutje, ishte përmirësimi i gjendjes së njerëzve.
Një nga mjetet për ta arritur këtë qëllim, do të ishte heqja e njëhershme e nëpunësve të panevojshëm, e plotësuar me zbritjen e numrit të nëpunësve në vetëm ata të domosdoshmit.
Që të shënoja anën karakteristike të mënyrës së shikimit tim, vendosa që udhëheqja e shtetit te ri nuk do të quhej “Qeveri” po “Këshill Administrativ”. Që të largoja mundësinë e grindjeve fetare, vendosa se anëtarët e këtij Këshilli të ishin gjysma të krishterë-ortodoksë dhe gjysma myslimanë. Ramë në një mendje për ta caktuar numrin e anëtarëve në 14, në mënyrë që të hynin në Këshill, paria që mund ta drejtonte opinionin publik. Vendosëm gjithashtu se Kryesia e Këshillit do të sigurohej me radhë prej një të krishteri dhe prej një myslimani: në parim kryetari do të ndërrohej çdo 15 ditë.
Shërbimet publike të ndryshme do të punonin nën autoritetin e Këshillit: sa kohë që okupacioni frëng do të vazhdonte, një oficer i përshtatshëm do të jetë dërguar në çdo drejtori, si këshilltar teknik.
Ramë në një mendje që revolucioni të bëhej në datën 10 dhjetor. Themistokliu, nuk do të kishte tepër kohë ditën e 9-të për ta përgatitur këtë ngjarje (11) dhe vetë kisha nevojë për këtë afat të shkurtër që t’i parashihja masat ushtarake që, po të ishte nevoja, do të siguronin qetësinë.
I parapamë të gjitha hollësirat e proklamatës së rendit të ri, si fjalimet që do mbaheshin nga delegatët e popullit dhe përgjigjja që do ta jepja në emër të Komandës frënge. E përpilova tekstin e dokumentit që, pasi të nënshkruhej prej të dërguarve shqiptarë dhe prej përfaqësuesit të Komandës frënge, do të përbënte një lloj “Kushtetute” të Shtetit autonom të Korçës.
Ceremonia e shpalljes do të bëhej në sallonin e gjerë të ish-prefekturës greke.
Më 10 dhjetor në mëngjes, kjo godinë ishte e ruajtur prej një kompanie këmbësorie: një seksion në oborr të brendshëm dhe tre të tjera jashtë, me armët gati. Në çardakun që ishte përpara sallonit ku do të priteshin delegatët, qe radhitur një tog i gjuajtësve të Afrikës.
Lajmi i ngjarjes që po përgatitej u përhap në qytet, dhe që në mëngjes një numër i madh njerëzish qarkullonin nëpër rrugët, veçanërisht në bulevardin kryesor, në të cilin ndodhej prefektura e vjetër greke.

Nga dritaret e sallonit, pash Themistokliun, me fustanellë, tek hynte në oborrin e Kishës dhe ua drejtonte një fjalim paraprak delegatëve, të cilin do të ma sillte pak më vonë. Në kalimin e tyre ushtarët i mbanin armët e tërhequra: nuk ishin akoma kurrgjë.
Të gjithë delegatët hynë në sallon, ku i prisja i rrethuar prej gjithë oficerëve që kisha dispozicion. Një nga anëtarët e Këshillit të ardhshëm m’u drejtua me fjalimin e shënuar në vijim së bashku me fjalët me të cilat iu përgjigja.
“Protokolli” mbi të cilin qemë marrë vesh, u nënshkrua prej të katërmbëdhjetë delegatëve dhe prej përfaqësuesit të Komandës frënge. Më në fund nënshkrova dekretin me anën e të cilit të katërmbëdhjetë delegatët emëroheshin anëtarë të Këshillit Administrativ.
Pastaj Themistokliu doli në ballkon prej nga i foli popullit dhe midis brohoritjeve, ngriti flamurin e Skënderbeut, bashkë me ngjyrat frënge, në vendin ku disa ditë më parë valonte flamuri grek. (12).
Në Lindje nuk bëhet kurrë një ceremoni pa pirë kafenë detyrimisht. Anëtarët e Këshillit hynë në dhomën ngjitur me sallonin, ku i priste kafeja tradicionale. Në këtë kohë, gjuajtësit e Afrikës zunë vend me radhë kundrejt derës së daljes dhe në momentin kur Këshilli u paraqit përsëri, toga ngriti armët dhe nderoi kështu për herën e parë Pushtetin e formuar rishtas.
Të njëjtat nderime u paraqitën prej kompanisë së këmbësorisë, kur Këshilli në krye të të cilit vinte Themistokliu, arriti në Bulevard midis entuziazmit të papërshkrueshëm të popullit.
Revolucioni shqiptar qe mbaruar... Gjë e vetme në histori: bërë, prej vullnetit të lirë të një populli gjithë energjitë e të cilit bashkoheshin në të njëjtin ideal lirie, revolucioni u mbarua pa dhunë dhe gjakderdhje (13).
Bëra menjëherë një raport kryetarëve të mi mbi sa ndodhi.
Ja dokumenti në fjalë:
Korçë më 10 Dhjetor 1916
No 178/S
Kam nderin t’ju lajmëroj mbi sa vijojnë:
Siç e kisha paraparë, çështja shqiptare u vu në shesh në Korçë, nën formën e caktuar në paragrafin 2 të raportit tim nr. 132/S të 6 dhjetorit 1916.
Pata sot në mëngjes, 10 dhjetor, vizitën e 14 delegatëve të popullatës. Njëri prej tyre më tha këto fjalë:
“Neve,
delegatët e popullit shqiptar, vijmë t’i deklarojmë përfaqësuesit të Francës, se Kazaja e Korçës me rrethet e Bilishtit, Kolonjës, Oparit dhe Gorës është tani e tutje një krahinë autonome e administruar prej nëpunësish shqiptarë. Kërkojmë të vihemi nën mbrojtjen e autoritetit ushtarak frëng“.
Mbasi kjo deklaratë dhe kërkesë nuk kishte asgjë në kundërshtim me shënimin nr. 2995 (CCA) të 29 nëntorit 1916 që merrej me formimin e një Territori ushtarak në Korçë, u përgjigja:
“Erdhët të më shprehni dëshirën e popullit shqiptar të Kazasë të Korçës të jetojë tani e tutje i lirë dhe kërkoni mbrojtjen e Ushtrisë frënge. Si përfaqësues i Komandës frënge, pranoj kërkesën tuaj. Deklaroj që sot 10 dhjetor, Kazaja e Korçës me rrethet e Bilishtit, Kolonjës Oparit dhe Gorës, përbën një krahinë autonome, të administruar prej nëpunësish shqiptarë, nën mbrojtjen e autoritetit ushtarak frëng.”
Si përfundim, delegatët dhe unë përpiluam dhe nënshkruam protokollin një kopje të të cilit po ju dërgoj.
Administrata dhe policia e territorit, janë siguruar që sot sipas kushteve të shënuara në protokoll.
Rendi dhe qetësia e plotë, do të mbretërojnë në qytet.
Sali Butka i mbajtur në dijeni të gjërave, me lajmëroi se ishte me ne.
Ja tani teksti i protokollit :
Korçë më 10 dhjetor 1916.
I - Sipas dëshirës të popullit shqiptar, të shprehur prej delegatëve të vet, Kazaja e Korçës, me rrethet e Bilishtit, Kolonjës, Oparit dhe Gorës, themelohet si krahinë autonome e administruar prej nëpunësish shqiptarë, nën mbrojtjen e autoritetit ushtarak frëng.
II - Administrata e Kazasë i besohet një Këshilli prej 14 vetash, gjysma të krishterë, gjysma myslimanë. Ky Këshill është ngarkuar:
1. me studimin e të gjitha masave që duhen marrë për administrimin e mirë të Kazasë dhe rretheve.
2. me kontrollin e mbarëvajtjes të të gjitha shërbimeve publike.
III - Këshilli do të propozojë autoritetit ushtarak për pranim, emrat e titullarëve të nëpunëseve të ndryshme. Emërimet në këto nëpunësi do të bëhen prej autoritetit ushtarak frëng.
IV - Do të formohet, nën autoritetin e Prefektit të policisë, një trup xhandarësh-policësh, i ngarkuar me mbajtjen e rendit përbrenda.
V. - Do të krijohet një trup “xhandarmërie të lëvizshme shqiptare”, i ngarkuar me ruajtjen e pavarësisë së Territorit dhe të lirisë të vendasve.
VI - Mund të krijohen gjithashtu, me të njëjtin qëllim, trupa të rregullta vullnetarësh, numri të cilëve do të varet nga rrethanat dhe nga mundësitë materiale.
VII.- Kur të thirren për veprim, fuqitë e policisë, xhandarmeria e lëvizshme dhe trupat vullnetare do të vihen nën autoritetin e lartë të oficerit frëng, komandant i Rrethit të Korçës.
VIII.- Gjuha zyrtare do të jetë shqipja.
IX - Flamuri i Kazasë të Korçës do të jetë flamuri tradicional i Skënderbeut (14) me shiritin tre ngjyrësh, me ngjyrat e Francës.
Për popullatën, delegatët: Vasil Singjelo, Kostandin Noçka, Rafail Avrami, Nikollaq Evangjeli, Shaqir Shabani, Tefik Rushiti, Hysen Dishnica, Emin Rakipi, Thimi Cali, Vasil Kondi, Qani Dishnica, Sali Babani, Haki Gemçedik, Llambro Mborja.
Për autoritetin ushtarak frëng: Kolonel Descoins, komandant ushtarak i Korçës.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë
Henri Vincent Descoins, i lindur më 10 janar 1869 në Cambray (Francë), vdiq më 10 maj 1930 në Algjer (Algjeri) ishte gjeneral brigade dhe shkrimtar ushtarak francez. Si kolonel i kalorësisë gjatë Luftës së Parë Botërore, luajti një rol të rëndësishëm në vendosjen e forcave franceze në Korçë (1916 – 1920). Ndër të tjera, shkroi edhe raportin “Six Mois d’histoire de l’Albanie – Novembre 1916 Mai 1917” të cilin e përktheu dhe e botoi në shqip, Vasil Gërmenji (1908 – 1988). Ky tekst i përkthyer prej tij e që botohet me vazhdime në Shtojcën për kulturë, është marrë nga monografia “Vasil Gërmenji, një jetë në shërbim të çështjes shqiptare” me autor Elez Osmanin, Botimet KOHA, tetor 2024
T: Fusnotat:
(10) Teksti i këtij telegrami
(11) I duhej veçanërisht, të bënte zgjedhjen, nga ana e popullatës, e 14 anëtarëve të Këshillit Administrativ të ardhshëm
(12) Ky flamur gjendet sot në Muzeun Historik kombëtar të Tiranës.
(13) Masat për të mbajtur qetësinë që kisha marrë dolën krejt të panevojshme: nuk ndodhi as më i vogli incident.
(14) Hero kombëtar i shqiptarëve