E frymëzuar me një ndjenjë kombëtare shumë të thellë, popullata shqiptare përpiqet të krijojë një shtet të pavarur megjithëse s’ka pasur kurrë rastin as të formojë një krahinë autonome dhe pa qenë vetë e zonja as të bëjë një organizim komunal. Nën regjimin grek, si edhe nën sundimin turk, shqiptarët nuk pranoheshin të marrin pjesë në administratë. Funksionet mund t’i shihnin vetëm nga jashtë. E dinë se çfarë është të paguarit e taksave: dinë fare më pak t’i mbledhin. Padyshim, administrata turke ishte e pa gjallë dhe e palëvizshme, administrata greke nuk kishte tjetër qëllim veçse të mblidhte të ardhurat për të mbajtur nëpunës jo të vendit, por propagandistë të helenizmës
Organizimi Administrativ i Shtetit autonom të Korçës, është shpjeguar gjerësisht në një raport që i kam drejtuar Gjeneralit Sarrail me datë 9 janar 1917. Po e riprodhoj këtu më poshtë, radhët më kryesore të këtij raporti:
Kam nderin t’jua paraqes këtu kushtet në të cilat, qëkur Kazaja e Korçës u proklamua autonome, vazhdoi organizimi administrativ i rrethit, nën mbrojtjen dhe këshillat gjysmë-zyrtare të autoritetit ushtarak frëng.
Rezultatet e arritura brenda fare pak javëve, përbëjnë një element me rëndësi të ndikimit tonë, për t’u dukur i nevojshëm një shqyrtim i imtë i kësaj organizate.
E gjej për detyrë nga ana tjetër t’ju jap, me anën e një raporti me hollësi, gjitha mjetet për t’u siguruar që asgjë nuk është bërë që mund ta bezdisë politikën e jashtme të Qeverisë frënge, dhe që në asnjë rast nuk është harruar qëllimi ushtarak para çdo gjëje tjetër që më qe dhënë.
Të përgjithshme
Do të ishte e kotë të kërkohej një përkufizim i gjendjes të Kazasë së Korçës me anën e një barazimi me ndonjë formë tjetër normale grupimi politik.
E frymëzuar me një ndjenjë kombëtare shumë të thellë, popullata shqiptare përpiqet të krijojë një shtet të pavarur megjithëse s’ka pasur kurrë rastin as të formojë një krahinë autonome dhe pa qenë vetë e zonja as të bëjë një organizim komunal.
Nën regjimin grek, si edhe nën sundimin turk, shqiptarët nuk pranoheshin të marrin pjesë në administratë. Funksionet mund t’i shihnin vetëm nga jashtë. E dinë se çfarë është të paguarit e taksave: dinë fare më pak t’i mbledhin.
Padyshim, administrata turke ishte e pa gjallë dhe e palëvizshme, administrata greke nuk kishte tjetër qëllim veçse të mblidhte të ardhurat për të mbajtur nëpunës jo të vendit, por propagandistë të helenizmës. Kishin, megjithatë, si të parët ashtu dhe të dytët, pak ide dhe pak praktikë të nëpunësive të tyre. Tani shqiptarët emëronin një kryetar zyre, për të vetmen arsye se kishte një të tillë nën turqit ose grekët, dhe ky njeri i ndershëm plot me vullnet të mirë do të rrinte me gjithë qejf në shtëpi, për arsyen e thjeshtë se s’di se çfarë i përket. Me këtë dua të them se nuk mjafton të krijohen organizmat e domosdoshme, të shpjegohen objekti dhe mënyra e punimit, të bëhen tekstet e të gjitha rregulloreve, duhet gjithashtu njëkohësisht duke qëndruar mënjanë të kërkohet iniciativa, që të vihen në vend nëpunësit, t’u përgatitet puna në hollësitë më të vogla. Vullneti i mirë dhe njëfarë lloj zgjuarsie, lejojnë të shpresojmë se jeta do të lindë shpejt në administratën vendëse, por sot për sot duhet organizim. Pa u munduar ta bëj një ekspoze të përgjithshme, që do të ishte e parakohshme, pa dashur t’i radhis organizimet ekzistuese në një kuadro dhe nën parime që do të ishin të padrejtë dhe arbitrarë, duhet të kufizohemi në këqyrjen e origjinës të tyre, të rolit të tyre, dhe në thënien e gjithë sa janë bërë për t’i nxjerrë mësimet.
Këshilli administrativ i Kazasë të Korçës.
Këshilli i përbërë prej 14 vetash, gjysma të krishterë e gjysma myslimanë, është njëkohësisht përfaqësimi i popullatës të Kazasë dhe mbajtësi i autoritetit publik. U formua vetvetiu në kohën e ikjes të autoriteteve greke dhe nënshkroi më 10 dhjetor, protokollin që është baza e marrëdhënieve me Komandën frënge.
Këshilli mblidhet çdo ditë nën kryesinë e njërit nga anëtarët e vet, me ndryshim të shpeshtë të një myslimani dhe të një të krishteri. Ai zgjedh nëpunësit, emërimi i të cilëve i jepet për pëlqim Kolonelit Komandant të Territorit. Pranon projektet për rregulloret e administratës publike, voton buxhetin, krijon ose ve në veprim taksat. Gjithë nëpunësit janë përgjegjës përpara tij për çdo veprim të tyre.
Afati i fuqive të Këshillit nuk ka qenë kufizuar dhe është më mirë të mos jetë bërë zëvendësimi i mungesave nuk është paraparë, por ka mundësi që në rast nevoje zëvendësi të caktohet prej vetë Këshillit, duke mbajtur gjithmonë në sy se këshilltari i zëvendësuar duhet të ketë të njëjtën fe. Në gjithë veprat e tij, veçanërisht në emërimin e nëpunësve, Këshilli mundohet të mbajë ekuilibrin midis feve të popullatës. Vendimet merren në parim, pas shumicës të gjysmës plus një (zëri i kryetarit është vendimtar në rast ndarjeje) në praktikë Këshilli mundohet ta arrijë njëzëshmërinë.
Një përfaqësues i Komandës frënge merr pjesë në mbledhjet, për t’i dhënë mendimet gjysmë zyrtare.
Puna e anëtarit të Këshillit bëhet vullnetarisht. Sekretari i përgjithshëm merr një shpërblim.

Administrata dhe të ardhurat (burimet) financiare
Është akoma vështirë të vihet numër preciz absolut mbi të ardhurat publike të territorit të sotëm të Korçës. Të dhjetat, taksë e vjetër turke, e mbajtur në fuqi prej grekëve, dhe me të cilën popullata është mësuar, janë burimi kryesor i të ardhurave. Nën regjimin grek, të dhjetat jepnin në gjithë Kazanë afro 1.2 milionë franga për vit. Duke hequr pjesën që jepnin fshatrat, sot të okupuara prej armikut, dhe që paraqesin të paktën gjysmën e Kazasë, dhe duke marrë parasysh ikjen dhe mospagimin e disave nga sipërmarrësit e të dhjetave, kjo shumë duhet të sillet rreth 600 mijë franga.
Të dhjetat merren me shitje për çdo katund. Detyrimet e katundarëve paguhen në gjashtë këste, që prej korrikut në dhjetor. Katër këstet e para të 1916-s u morën prej grekëve; mbeten për të marrë dy këste, pothuajse 200 mijë franga, që duhet të mjaftojnë gjer në korrik 1917.
Të dhjetat rëndojnë vetëm mbi popullsitë e katundeve, do të ishte pra natyrale që të kërkohej një kontribut edhe banorëve të Korçës.
Nën regjimin turk, kishte një taksë prej 1/2 gjer më 1, për mijë mbi vleftën e ndërtimeve dhe një taksë mbi tregtarët. Po këto taksa nuk ishin mbajtur prej grekëve që banonin në qytet dhe që ishin vetë tregtarë. Nuk ishte e udhës që të viheshin përsëri këto taksa gjë që mund ta rrezikonin përkrahjen që regjimi i sotëm gjente midis parësisë të Korçës.
Duket më e drejtë te vihet një taksë mbi të ardhurat e përgjithshme, që në formë takse të caktuar, që do të jepte një pamje më ligjore kërkesave që do t’u bëhej atyre që kanë bërë fitime të mëdha mbi spekulimet dhe shitjen e ushqimeve armikut. Natyrisht, shuma e mbledhur në këtë mënyrë duhet parë më shumë si një e ardhur e jashtëzakonshme sesa një e ardhur normale. Por sot duhet paraparë për një të ardhme të shpejtë.
Këshilli Administrativ kishte filluar të vinte doganë mbi gjithë mallrat që importoheshin prej Greqisë. E la këtë punë kur ju vërejti se kjo gjë do të shtrenjtonte jetesën, që mbledhja e të drejtave doganore shkaktonte shpenzime të mëdha në barazim me të ardhurat dhe se mund të sillte vështirësi me popullsinë e tokave greke në kufi. Pranoi idenë e ndalesës së eksportimit në Greqi të ushqimeve të domosdoshme për të luftuar kundër shtrenjtimit, dhe të verë një taksë vetëm mbi mallrat luksi si pijet alkoolike, duhani, etj.
Te drejtat proporcionale pullash mbi kontratat, dëftesat, lutjet, etj., që ishin shumë të larta nën regjimin grek; munden, edhe duke pakësuar përqindjen, të japin një të ardhur të mirë.
Të ardhurat e postës do të mjaftojnë të mbulojnë ecjen e këtij shërbimi, edhe sikur të mbahen për mirëqenien e vijave ajrore të militarizuara, punëtorët telegrafistë, tani të panevojshëm në shërbimin civil.
Më në fund, mund të parashikohen disa të ardhura prej tatimit lokal dhe pazarit që mbeten në duar të bashkive si shpërblim shërbimesh pak të caktuara, dhe që paguhen kasës të Kazasë.
Me pak fjalë një buxhet mujor – nuk mund të bëhen tani për tani parashikime vjetore – që parasheh të ardhurat si vijon:
Të dhjetat 35.000 franga
Taksa mbi të ardhurat 5.000 franga
Të drejta pulle 2.000 franga
Posta 1.000 franga
Taksa dhe tatimi vendas dhe pazari 3.000 franga
Gjithsej 46.000 franga
Kasa e Kazasë kishte nga fundi i vitit pothuaj se 20 mijë franga në të holla; koha që do të duhet për të mbledhur taksat e para nuk do të sjellë ngatërresa administratës.
Buxheti i shpenzimeve do të ngrihet në parimin që vijon: Zvogëlimi i shpenzimeve të administratës civile vetëm në shërbimet e domosdoshme; të parashihen sa të jetë e mundur më shumë shpenzime për ngritjen dhe mbajtjen e fuqive të policisë dhe të xhandarmërisë që duhet të sigurojnë qetësinë e vendit dhe të ndihmojnë veprimtarinë ushtarake frënge.
Një shumë prej 10 mijë frangash duhet të mjaftojë.
Godina publike 600 franga
Këshilli i administratës 300 franga
Drejtori e Financave 1.200 franga
Shërbim i Postës 1.500 franga
Drejtësi 2.500 franga
Kryepleqësitë 1.500 franga
Gjithsej. 10. 000 franga
Ndihma refugjatëve të katundeve të okupuara prej armikut, dhe të paparashikueshme. Kjo shifër mjaft i ulët mund të arrihet me përqendrimin, në kasën e administratës, të të gjitha të ardhurave publike, me anën e uljes në vetëm nëpunësit e domosdoshëm dhe në heqjen e buxheteve bashkiake të Korçës dhe Bilishtit.
Kusuri prej 36 mijë frangash do t’i lihet për mbajtjen e prefekturës së policisë dhe të 300 xhandarëve.
Një rregullore që cakton parimet e administratës dhe kontabilitetin publik u vu në zbatim.
Rregullore të tjera vendosën:
1 Taksën mbi të ardhurat.
2 Taksën e pullave mbi kontratat dhe aktet juridike.
Posta
Çështja e Postës ishte një nga ato që donin një shkoqitje të shpejtë edhe sikur të ishte e përkohshme. Nuk ka familje në Kaza që të mos ketë një ose më shumë familjarë në kurbet, dhe veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, prej nga pret të reja dhe të holla. Popullsia qahej gjithashtu se s’mundte të dërgonte letra. Duke përdorur ata nga nëpunësit që nuk qenë lidhur me politikën greke, duke mbushur mungesat me shqiptarë, zyrat mund të hapeshin në Korçë dhe Bilisht, postat ushtarake frënge ngarkoheshin me transportin e thasëve me letra gjer në Follorinë, për Maqedoninë greke, gjer në Selanik për vendet e huaja të tjera.
Më urgjente se të gjitha ishte nevoja e vënies pullash në dispozitë të publikut. Stoku i pullave të lëna prej grekëve mjaftoi për 15 ditë, me ndihmën e një mbishkrimi që mban shqiponjën shqiptare dhe u jep pullave vlerën më të madhe. Ishte një mjet i përkohshëm; posa që u mbarua stoku, nuk mund të përdoreshin më pulla greke, të cilat administrata shqiptare s’mund t’i merrte më lirë sesa vlera nominale.
Vënia në shërbim të pullave frënge mund ta zhbënte karakterin kombëtar dhe spontan të lëvizjes së Korçës; dhe mund të bënte që të keqkuptohej okupimi frëng. Nga ana tjetër dhe vetëm pas një marrëveshjeje me metropolin që do të merrte kohë, administrata shqiptare nuk mundte të merrte pulla frënge falas.
U vendos pra emisioni i pullave të prodhuara në vend dhe që do të vihen së shpejti në shitje. Këto pulla mbajnë shkabën shqiptare dhe mbishkrimin në gjuhën e vendit “Korçë, Autonomia Shqiptare”. Ka mundësi që në ndonjë vend kjo pullë, dalja e së cilës nuk ka pasur mundësi të lajmërohet zyrtarisht të mos njihet dhe të shkaktojë taksimin e letrës. Kjo e metë kundërbalancohet prej vlerës së koleksionit të pullave, vlerë që gjithë shqiptarët e njohin si këtu ashtu dhe në vend të huaj. (Pullat e mëparshme shqiptare të nxjerra në të njëjtat kushte janë shumë të kërkuara) Përhapja e pullës kombëtare do të jetë një element aktiv propagande në çdo vend.
Që tani arkëtimet nga pullat lejojnë përballimin e shpenzimeve të shërbimit postar dhe të pagesës së katër riparuesve të vijave telefonike dhe telegrafike, ekskluzivisht të përdorura prej ushtrisë frënge.
Shpërndarja e letrave nëpër katunde bëhet prej xhandarmeri-policisë shqiptare, gjë që ua lehtëson këtyre ndihmësve të ushtrisë tonë të afrohet pranë popullatave akoma të pavendosura, i bën simpatikë dhe zgjeron ndikimin tonë.
Furnizimi ushqimor i popullatës
Fushat e Devollit të sipërm dhe të Korçës, ish-lugina të mbyllura, të thara në madhësi prej çarjes të lumit në Zëmblak dhe Maliq, janë natyrisht të pasura. Janë të punuara mirë, të lëruara thellë dhe me pleh të përndarë mirë mbi tokë. Por trupat greke, serbe dhe bullgare kanë mbaruar me kohë bereqetet. Rruga e Janinës pas asaj të Manastirit, është e prerë dhe ushqimet më të nevojshme janë në pikën të mungojnë. Çmimet janë ngritur për së tepërmi.
Ishte aq më shumë e nevojshme t’i gjendet zgjidhja kësaj situate, saqë qyteti i Korçës që normalisht ka 25-30 mijë banorë, ka tani afro 40 mijë banorë prej faktit se kanë ardhur aty njerëz që prej Manastirit, Ohrit, Pogradecit dhe Voskopojës, për të kërkuar strehim. Po të marrim parasysh se shqiptarëve u ka bërë përshtypje të madhe vështirësia e jetës në pjesën e vendit tyre të okupuar prej austriakëve, do të çmohet së tepërmi e mira që mund të rezultojë për ndikimin tonë organizimi i furnizimit ushqimor.
Gjitha masat janë marrë në mënyrë që asnjë send ushqimor të mos mund t’i kalojë vijat tona, administrata iu drejtua Komisionit të përbashkët në Selanik që i akordoi 2 vagonë miell në javë të dorëzuar në Veria. Paradhënia e mjeteve dhe transporti me vargan prej Verias, i është ngarkuar shoqërisë të tregtarëve që me ankand ka marrë përsipër operacionin. Është vepruar në mënyrë që të gjitha shpenzimet të vihen në kurriz të ndërmarrësve. Çmimi i transportit zvogëlohet akoma nga fakti se vargani transporton qymyr guri të vendit, kurse më parë niseshin prej Korçe bosh. Karvanët formohen në Korçë, kështu që shpenzimet e udhës mbeten në vend.
Karvani i parë u nis dhe ndodhet në udhë.
Administrimi i fushave
Prania në Korçë e Komandantit frëng, e Këshillit Administrativ dhe e Prefekturës të policisë shqiptare përbënte në qytet elemente të mjaftueshme autoriteti dhe rendi. E njëjta gjë nuk ishte në pjesën tjetër të vendit dhe gjatë rrugëve, ku u desh që autoriteti civil të organizohej me hollësi, në mënyrë që t’i japë kohezion Kazasë shqiptare dhe t’i lehtësojë marrëdhëniet me trupat frënge për çdo gjë që kishin nevojë të gjejnë në vend (punëtorë për rrugët, mjete transporti, blerje dhe angari ushqimesh, dru dhe kashtë, etj.) Parimi i emërimit të kryepleqve lënë prej regjimit turk dhe grek u mbajt, zgjedhja bëhej përveç rasteve të veçanta, sipas dëshirës dhe fesë të shumicës në çdo katund. Një delegat special i Këshillit Administrativ u emërua në Bilisht për të rregulluar autoritetin e vërtetë që kishte kryeplaku i kësaj qendre të madhe mbi katundet e fushës së lartë të Devollit. Është përcaktuar parimi i funksioneve të lira të kryetarit. Është vështirë të pritet që të mbahet kudo; të paktën do të lejojë ndalesën e disa abuzimeve dhe t’i japë popullsisë përshtypjen se mund të gjejë mbrojtje pranë regjimit të ri.
Rregullore mbi administrimin e kryepleqve dhe mbi atë të rrethit të Devollit u hartuan dhe u vunë në zbatim.
Drejtësia
Megjithëse gjitha krimet dhe deliktet që interesojnë rendin e sigurisë publike i përkasin me të drejtë të plotë dhe ekskluzivisht drejtësisë ushtarake frënge, ka interes të lihet të formohet një trup gjyqësor vendas.
1 Autoriteti ushtarak frëng nuk mund të marrë përsipër rregullimin e mosmarrëveshjeve civile dhe tregtare si dhe dënimin e delikteve të vogla.
2 Është mirë që me anën e administrimit të drejtësisë, autoriteti lokal ta ndiej veten të ngarkuar me mbrojtjen e të drejtave të privatëve, dhe në një masë përgjegjës i mbajtjes të rendit. Gjykime të bëra në emër të popullit shqiptar, s’mund veçse të forcojnë dhe përhapin në gjithë vendin përshtypjen se nën mbrojtjen e trupave tona aspiratat shqiptare kanë për vete të sotmen dhe të ardhmen, më mirë se nën dominimin austriak.
Gjykatorja që do të vendoset në Korçë, në vend të gjykatoreve turke dhe greke, do të marrë vendime më pak të dyshimta për anësi, me më pak taksa, dhe me më pak përfitim për ata që bëjnë drejtësinë sesa për të administruarit.
Gjykatoret fetare do të vazhdojnë si në të shkuarën të merren me gjendjen e njerëzve (lindje, martesa etj.)
Si nën regjimin grek, trashëgimet do të jenë si në të shkuarën, në kompetencën e gjykatores civile për të krishterët dhe në atë të myftiut për myslimanët. Për këtë punë myftiu do të paguhet, kurse Mitropolia greke nuk do të ketë të drejtë të kërkojë shpërblim. Kjo shkoqitje ka përkrahjen e të gjithëve, të krishterë dhe myslimanë.
Shkollat
Ekziston në Korçë një gjimnaz dhe dy shkolla fillore greke (një për djem dhe një për vajza), që përfshijnë pothuajse 2000 nxënës; një shkollë rumune, një shkollë shqiptaro-amerikane, e mbyllur prej mjaft kohësh; shkolla myslimane. Në disa katunde të mëdha ka shkolla greke ose myslimane.
Nuk është e mundur që të ngarkohet buxheti me barrën e mbajtjes të këtyre institucioneve. Nga ana tjetër shkollat greke janë pajisur me dhurata (fondet e të cilave grekët i kanë transferuar me kujdes në Athinë).
Në asnjë nga shkollat mësimet nuk jepeshin shqip.
Shumë nga banorët myslimanë dhe të krishterë, me dëshirë që nga njëra anë të shohin të mësohet gjuha kombëtare dhe nga ana tjetër të lidhin më ngushtë me anën e shkollave të përbashkëta miqësitë midis myslimanësh dhe të krishterësh urojnë të shohin hapjen e shkollës publike, pa karakter fetar, po më shumë se çdo gjë shqiptare.
Policia – xhandarmëria – punët publike
Policia dhe xhandarmëria lëvizëse shqiptare si dhe punët publike, janë elementet e organizatës vendëse të Kazasë që interesojnë më shumë drejtpërdrejt veprimtarinë tonë ushtarake. Këto do të jenë objekti i një raporti të veçantë nga ana ime. Po i kujtoj këtu vetëm që të shënoj që është bërë çdo gjë në organizimin financiar për t’i dhënë sa më shumë fuqive ushtarake dhe për të harxhuar maksimumin e të ardhurave në përmirësimin e rrugëve (16)
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë
Henri Vincent Descoins, i lindur më 10 janar 1869 në Cambray (Francë), vdiq më 10 maj 1930 në Algjer (Algjeri) ishte gjeneral brigade dhe shkrimtar ushtarak francez. Si kolonel i kalorësisë gjatë Luftës së Parë Botërore, luajti një rol të rëndësishëm në vendosjen e forcave franceze në Korçë (1916 – 1920). Ndër të tjera, shkroi edhe raportin “Six Mois d’histoire de l’Albanie – Novembre 1916 Mai 1917” të cilin e përktheu dhe e botoi në shqip, Vasil Gërmenji (1908 – 1988). Ky tekst i përkthyer prej tij e që botohet me vazhdime në Shtojcën për kulturë, është marrë nga monografia “Vasil Gërmenji, një jetë në shërbim të çështjes shqiptare” me autor Elez Osmanin, Botimet KOHA, tetor 2024
Fusnota:
(16) Shtesat e këtij raporti përmbanin rregullore mbi: 1. Administratën financiare dhe kontabilitetin publik; 2. Taksat mbi të ardhurat; 3.taksat mbi pullat dhe kontratat; 4. administratën e pleqësive;5.administratën e rrethit të Devollit
LEXO EDHE: