Shtojca për Kulturë

Republika e ‘96-s

Një letër që në Presidencë e kishte sjellë një postier serb, ishte bërë sebep që Ibrahim Rugova dhe dy këshilltarë të tij të festonin me raki. Letra ishte shkruar në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe në të shihnin referencën “Republika e Kosovës”. Ishte letër adresuar Muhamet Bicajt, atëkohë ministër Arsimi. Përmbajtja pati bërë bujë. Shqiptarët nuk ishin mësuar të dëgjonin nga të huajt një referencë të këtillë. E vetë e kishin kërkuar gjatë. E kishin paguar me gjak. Në 2008-n Kosova u shpall sërish republikë, tani në koordinim me Perëndimin. Megjithëkëtë, sfidat e njohjes nuk janë hequr akoma. “Republika e ‘96-s”, është titulli i shkrimit i botuar për të herë të parë në Shtojcën për kulturë të “Kohës Ditore” më 14 shkurt të vitit 2015

Haberin që më së shumti e kishte shtangur Muhamet Bicajn, e kishte pranuar nëpërmjet telefonit diku dy dekada më parë. Vetë ishte në Perëndim dhe telefonohej nga Prishtina.

Xhavit Ahmeti, që atëkohë e këshillonte presidentin Ibrahim Rugova, ndodhej në anën tjetër të receptorit. E kishte telefonuar, për t’ia kumtuar një lajm hiç të pritshëm – Departamenti Amerikan i Shtetit i referohet Kosovës me “Republika e Kosovës”. Ndodhej kjo në një përgjigje të një shkrese që diku katër ditë më përpara Bicaj, si ministër Arsimi, e kishte adresuar në këtë institucion të shtetit më me ndikim në botë.

“Unë isha në Parlamentin Evropian dhe më thotë Doris Pack: ‘Shpejt po të thërrasin nga Presidenca’. Kur shkova mu lajmëru Xhaviti. Më tha: ‘O ministër, dëgjo çka na ka ardhë - Republic of Kosova. Jemi duke festu. Po pimë nga një gotë raki me presidentin Rugova dhe me Abdylin (Abdyl Rama, edhe ky këshilltar i Rugovës v.j.)”, ka treguar tash Bicaj. “Ishte jehonë jashtëzakonisht e madhe që në atë kohë me të ardhë një shkresë nga Departamenti i Shtetit, në të cilën të referohen ‘Republikë e Kosovës’”.

Departamenti i Edukimit i Shteteve të Bashkuara e kishte përcjellë shkresën më 21 shtator të 1996-s. Mbante firmën e ndihmëssekretarit Mario Moreno.

Letra ishte nisur nga kjo adresë:

“U.S. departament of Education,

Washington, D.C. 20202-3500”.

Ishte destinuar të mbërrinte në këtë cak:

“Muhamet Bicaj,

Ministër i Arsimit,

Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Kulturës,

Nr. 03, 1-07

Prishtinë, Republika e Kosovës”.

Ndihmëssekretari Moreno kishte shkruar në hyrje se e kuptonte shqetësimin për gjendjen në arsim. Aty thuhej se ShBA-ja mbështet fuqimisht parimet ndërkombëtare që përkrahin premisën se qasja dhe mundësia e barabartë për arsim cilësor duhet të jetë e mundshme për të gjithë.

Informata e radhës e theksuar në korrespodencë, thotë se shqetësimi ishte përcjellë te një organ kompetent. Dhe, ashtu siç fillon, kjo letër përfundon me fjalën “Republikë”.

“Ky Departament nuk ka juridiksion në çështje që u përkasin shteteve të tjera; megjithatë Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara është agjenci qeveritare e ShBA-së që është e ngarkuar me përgjegjësi të monitorimit dhe kujdesit për të drejtat e njeriut anembanë botës. Unë po ia dërgoj këtë letër z. John Shattuck, ndihmëssekretar i Shtetit për të drejtat e njeriut dhe çështje humanitare, i cili, jam i sigurt, se do të merret me kushtet që i keni përshkruar ju”, thuhet në dokumentin që Bicaj e ruan me zili. “Ju shpreh konsideratat më të mira për zgjidhje të suksesshme të problemeve të arsimit në Republikën e Kosovës”.

Haberi nga postieri serb

Bicaj tregon edhe për një ironi. Këtë letër që e bëri Rugovën të festonte, në Presidencën që ndodhej në “Velani”, e kishte sjellë një serb.

“Kjo pati bërë jehonë të madhe. Unë edhe pse kam qenë në Bon, adresën e kam dhënë në Kosovë, domethënë te Presidenca”, ka treguar ai. “Dhe interesant ka qenë se si postieri serb e ka dërguar në Presidencë dërgesën. Ka qenë letër rekomande, e mbyllur. Nuk ka ditur çka ka aty”.

Bicaj ishte ministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil, e formuar pas suprimimit të autonomisë që Kosova kishte në kuadër të Jugosllavisë dhe pas masave të dhunshme që Serbia kishte vënë gjithandej territorit që popullohej me shqiptarë.

Si kundërpërgjigje ndaj këtij represioni, atëkohë Kuvendi Krahinor, më 2 korrik të vitit 1990 kishte shpallur Kosovën Republikë të barabartë me republikat e tjera të ish-Jugosllavisë. Deklarata ishte shpallur para ndërtesës së Kuvendit, pasi autoritet e Serbisë ua kishin mbyllur dyert deputetëve.

Paralelisht represionit serb, shqiptarët ishin organizuar për të krijuar një shtet paralel. Kësisoj, më 7 shtator po të 1990-s, Kuvendi miratoi Kushtetutën e parë si Republikë, në një mbledhje në Kaçanik.

Një vit më vonë, 99,87 për qind e kosovarëve pjesëmarrës në një referendum votuan për pavarësi dhe sovranitet. Në 1992, pastaj, u mbajtën edhe zgjedhjet, nga të cilat u konstituuan organet shtetërore, që disa funksionuan në Kosovë e disa të tjera në Perëndim.

Përpos Shqipërisë, asnjë shtet tjetër nuk ia njohu shtetësinë Kosovës. Prandaj, shkresa e Departamentit të Shtetit, që Kosovës i referohej me Republikë, kishte entuziazmuar veçmas kuadrin politik.

Kosova rrugëtonte gati një shekull e ndarë nga Shqipëria. Pas rënies së Perandorisë Osmane, në korrik të 1913-s morën vendim që Shqipëria të shpallej principatë autonome, sovrane e trashëgueshme nën garancinë e Fuqive të Mëdha. Ndërsa kufijtë, pas shumë diskutimesh u caktuan, por duke lënë jashtë tyre Kosovën.

Nga ndarja e dhunshme e Kosovës prej trungut shqiptar e tutje, është kërkuar bashkimi kombëtar dhe për të, në forma të ndryshme është luftuar, kanë rikujtuar historianët.

Jusuf Buxhovi tregon se çështja e mëvetësimit është pjesë e strategjisë së Kosovës për t'u pavarësuar në rrethanat kur bashkimi është parë i pamundshëm. Liderët kosovarë hapur e kanë thënë deri tash se pavarësia përbën një kompromis për shqiptarët.

Gjakovë, gusht 1968

Së këndejmi, kërkesa për republikë shfaqet në vitet gjashtëdhjetë.

“Atë e solli klima politike që u shfaq pas Plenumit të Brioneve të qershorit të vitit 1966 kur Tito eliminoi serbin Aleksandar Rankoviq, shef i policisë famëkeqe jugosllave dhe politikani kryesor që kishte pretendime ta zëvendësonte Titon”, i ka thënë gazetës Buxhovi. “Është interesant të thuhet se ajo publikisht për herë të parë u zu në gojë në mbledhjen e Aktivit Politik të Gjakovës në gusht të vitit 1968 prej nga doli qëndrimi se ‘Kosova mund të jetë republikë’”.

Nga ky formulim, Aktivi i Gjakovës kërkoi që kombësia shqiptare të emërtohej “kombi shqiptar”, që të përcaktohej me Kushtetutë përdorimi i Flamurit Kombëtar shqiptar dhe që të shpallej Krahina Republikë.

Qëndrimet ishin mirëpritur në gjithë Kosovën. Në Aktivin Politik të Prishtinës ishin përsëritur këto kërkesa, dhe ishte ngulur këmbë që Kosova të njihej dhe të trajtohej si “njësi federale” me të drejta të plota.

Prokurori i përgjithshëm i asaj kohe në Kosovë, Rezak Shala, kishte deklaruar troç: “Republika e Kosovës është imperativ i kohës, dhe nga kjo e drejtë nuk duhet hequr dorë”.

Historiani Buxhovi ka treguar se si pastaj është hequr dorë nga kjo kërkesë.

“Si e tillë, ajo u fut në kuadër të bisedimeve publike për amendamentet kushtetuese. Edhe pse politika e Kosovës nuk e ndoqi këtë kërkesë dhe madje, pas pak edhe u distancua prej saj, intelektualët e Kosovës e kthyen në moto politike të ndryshimeve që kërkoheshin”, është shprehur ai.

Buxhovi ka treguar se si ishte përkrahur nga elita intelektuale, kërkesa për republikën, dhe e cila ishte bërë gjithëpopullore dhe ishte kthyer në program politik të lëvizjes studentore, e cila, me këto moto nga 5 nëntori deri më 27 nëntor 1968 organizoi demonstrata në disa qytete, fillimisht në Prizren, pastaj në Pejë, në Gjilan, në Podujevë, në Tetovë, në Ulqin, për t'u përmbyllur me atë të Prishtinës, e cila ishte një ndër demonstratat e para dhe më të fuqishme të shqiptarëve pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore e tutje.

“Demonstratat ishin të qeta dhe masive”, rikujton Buxhovi. “Por, policia përdori dhunën ndaj demonstruesve, me ç'rast u vra një i ri dhe disa të tjerë u plagosën. Organizatorët e demonstratave, Ismail Dumoshi, prijës i tyre, me shumë të tjerë u burgosën dhe u dënuan me heqje lirie shumëvjeçare”.

Pikërisht nga këto protesta ka nisur të marrë kah një qëndrim për mëvetësi të Kosovës, paralelisht vullnetit dominant për t’u bashkuar me Shqipërinë. Pra, flitej tani edhe për një proces shtetformues, i cili synonte që Kosova si republikë të ishte brenda kuadrit të Jugosllavisë federative.

“Parulla ‘Kosova-Republikë’ u bë udhërrëfyese ideologjike e popullit dhe forma më e plotë e kërkesës për barazi në Federatë, por jashtë kuadrit të Republikës së Serbisë”, ka shkruar historiani shkodran, Sami Repishti. “Një përcaktim i këtillë logjik u përgjigjej mirë kërkesave të Kosovës – barazi pa ndryshim të kufijve ndërkombëtarë – dhe ngriti nivelin politik të lëvizjes; kosovarët kishin tashmë një objektiv të caktuar, historikisht të justifikueshëm, dhe jo agresiv e revolucionar, i cili nuk mund të kundërshtohej me arsye, me gjithë kërcënimin e dhunës ushtarake serbe”.

Prej atëherë, shqiptarët nuk kishin reshtur së kërkuari avancimin e statusit në Republikë, ani se të shumtë ishin ata që kjo u kishte kushtuar me jetë. Me këtë kërkesë janë udhëhequr edhe në protestat e ‘81-s, që kishin nisur spontanisht nga studentët në mense në Prishtinë. Ajo u shtyp me dhunë nga policia, por shkaktoi demonstratën e organizuar më 11 mars, me të cilën filloi edhe zinxhiri i të tjerave. Kërkesa për krijimin e një republike të shqiptarëve në Jugosllavi, shtrohej si nevojë strategjike e kohës, për të ruajtur identitetin kombëtar të shqiptarëve dhe për të krijuar parakushte për shkëputje nga Jugosllavia.

246 vrasje, 10 mijë dënime

Katër vitet e para pas demonstratave, nga organet shtetërore ishin dënuar 4 mijë veta. Gjatë periudhës 1981-1990, si rrjedhë e zinxhirit të demonstratave janë vrarë 183 qytetarë civilë dhe 63 ushtarë shqiptarë në Armatën jugosllave. Janë dënuar 1.346 ushtarë dhe rreth 10 mijë civilë për kundërvajtje politike. Diku 3.500 persona kanë vuajtur dënimin mesatar me burg prej 7,1 vjetëve.

Mbështetur në të dhënat e organizatave për të drejtat e njeriut, çdo i treti shqiptarë në Kosovë është keqtrajtuar nga policia, kurse më 1990 ishin helmuar mbi 7.000 nxënës dhe studentë, kryesisht femra.

Pas këtyre rrethanave, në fillim të viteve ‘90 nis rezistenca paqësore në Republikën e shpallur, që mori përgjigjen e shtetit serb me shtim represioni, dëbime masive nga vendet e punës dhe nga shkollat e universitetet.

Pak pa u bërë një dekadë në këto kushte, Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte kapur armët, në përpjekjen për t’iu ndarë Serbisë. Ushtarët nuk ishin betuar për Kosovën republikë.

“Unë, ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre. Do të jem përherë ushtar besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë pa kursyer as jetën time të luftoj për t`i mbrojtur interesat e shenjta të atdheut. Nëse shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im. Betohem, betohem, betohem!”, është betimi i tyre.

Lufta, që përfundoi me kapitullimin e Serbisë pas intervenimit ushtarak 78-ditor të NATO-s, la pas rreth 15 mijë shqiptarë të vrarë. La edhe 5 mijë të zhdukur, shumica nga të cilët ishin gjetur nëpër varreza masive në Kosovë e Serbi, që i kishte fshehur regjimi i Milosheviqit. La diku 20 mijë femra të dhunuara.

Dhe, prodhoi vetëm një rezolutë të OKB-së, e cila e fuste Kosovën në administrim të përkohshëm ndërkombëtar.

Kësisoj, pas dështimit të disa proceseve negociuese përkitazi me statusin, më 17 shkurt të 2008-s, në Prishtinë udhëheqësit e zgjedhur, nëpërmjet një Deklarate shpallin Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Në deklaratë thuhet se kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.

“Ne shpallim Kosovën një republikë demokratike, laike dhe multietnike, të udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtjes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse”, thuhet në pikën dy të Deklaratës së Pavarësisë.

Image
Faksimile e shkresës së Departamentit Amerikan të Shtetit që mbërriti në Zyrën e Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, në shtator të 1996-s

Rikonfirmimi i Republikës

Historiani Jusuf Buxhovi thotë se ky akt, përbën rikonfirmim të shpalljes së pavarësisë në fillim të viteve ‘90.

“Republika e Kosovës, e shpallur në Kaçanik më 7 shtator 1990, paraqet një akt legjitim me anën e të cilit iu vunë themelet shtetit të Kosovës. Shikuar nga këndvështrimi historik, shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008, paraqet rikonfirmimin e këtij akti madhor”, ka thënë Buxhovi. “Rezoluta 1244 e OKB-së e 12 qershorit 1999, Kosovën e vendosi nën protektoratin ndërkombëtar, gjë që formalisht anuloi republikën e Kosovës, por politikisht, pavarësia e shpallur në vitin 2008, e riktheu atë, por tash në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, që për pasojë patën kompromiset të cilat u shprehen në Kushtetutën e Ahtisaarit”.

Në qershor të 2008-s është miratuar edhe Kushtetuta, neni i parë i së cilës e përkufizon Republikën e Kosovës shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm.

Ky nen përmban edhe një kufizim: “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjesë të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti”.

Kosova është njohur deri tash nga më shumë se 100 shtete. Prej të parave që e kanë deklaruar njohjen, janë: Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Shqipëria e Afganistani. Vendimet për njohje, sipas Ministrisë së Jashtme, këto i kishin marrë të nesërmen e shpalljes së pavarësisë – më 18 shkurt.

E, sipas uebfaqes “kosovothanksyou.com”, që liston vendet sipas kohës që kanë vendosur për njohje, shteti i parë që ia ka pranuar Kosovës pavarësinë është Kosta-Rika. Vendimin për këtë e ka marrë po më 17 shkurt.

Kosovës akoma i kontestohet shtetësia. Bashkimi Evropian nuk e njeh si shtet, e pengesë për anëtarësim në Kombet e Bashkuara mbetet vetoja që Rusia dhe Kina kanë në Këshillin e Sigurimit. Megjithëkëtë, deri tash është anëtarësuar në disa mekanizma ndërkombëtarë.

Edhe gjatë viteve ‘90 kur Kosova funksiononte si shtet paralel, dokumentet që lëshoheshin me denominimin “Republika e Kosovës”, pranoheshin nga disa vende.

Muhamet Bicaj, në emër të cilit më 1996 i ishte adresuar shkresa nga institucioni amerikan që Kosovës i referohej me Republikë, ka përmendur një numër vendesh të Evropës që nuk e njihnin shtetin, por pranonin për legale dokumentet që lëshoheshin me vulë të Republikës.

“Ministria e Arsimit e Austrisë, e para i ka pranuar dokumentet me stemë të Republikës së Kosovës. Ka pasur shumë studentë që i kanë vazhduar studimet apo kanë regjistruar studimet pasuniversitare dhe atyre u është njohur shkollimi paraprak që kanë bërë në sistemin tonë dhe ai shkollim dëshmohej me dokumentet që i kishim lëshuar ne”, ka treguar Bicaj. “Pastaj, edhe Sllovenia i ka pranuar, edhe Kroacia, e dikur edhe Gjermania. Për Shqipërinë të mos flasim”.

Ky tekst është botuar për herë të parë në Shtojcën për kulturë të 15 shkurtit të vitit 2015. Ribotohet pa ndërhyrje me rastin e 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës