Derisa autori i “Shamisë së përgjakur” Manojllo Gjorgjeviq – Prizrenac, dashurinë e zjarrtë të shqiptares dhe serbit, përpiqet që ta zbehë duke e veshur atë me elemente fetare, në anën tjetër, priftërinjtë serbë në Kumanovë, përpiqen që ta zbehin madje edhe ta vrasin dashurinë e pastër të shqiptarit dhe serbes, duke i veshur kësaj dashurie elementet e fanatizmit fetar serb! “Edhe disa herë të tjera ata u përpoqën t’ia vendosnin ferexhenë Fatimes – ndërsa ajo gjithherë e hidhte përtokë dhe e shkelte atë... i tërë ‘fisi’ ishte mbledhur dhe kishte vendosur: që Fatimja duhej të vdiste – sepse damkën që ajo e kishte shkaktuar “fisit” as vetë vdekja nuk do të arrinte që ta shlyente...Kur burrat e zgjedhur të ‘fisit’ erdhën te Fazlia për t’ia kumtuar dënimin e prerë për të bijën – Fatimja tashmë ishte e vdekur. U tha se zemra i kishte pëlcitur...”, shkruante ai
Priftërinjtë e turpëruar e të inatosur të mitropolisë së Kumanovës nuk besonin se si kishte qenë e mundur që edhe pas organizimit kaq të fortë të rojës, Zllata ia kishte dalë t’ia mbathte për në Miratoc, prandaj ata ishin drejtuar drejt zyrave të administratës osmane në qytet, sepse akoma nuk ishin të bindur se veprimi i Zllatës nuk ishte i vullnetshëm, por i imponuar!
“Përfaqësuesit e kishës ortodokse në Kumanovë ishin të bindur dhe pohonin se e bija e Stojkut, Zllata, ishte grabitur me dhunë prej Bajramit dhe ajo ishte shqiptarizuar, prandaj përfaqësuesit e pushtetit osman duhet me dhunë ta sillnin Zllatën për ta dëshmuar të vërtetën”. (Po aty “Muslimani” fq. 67))
Ndërkaq, rahovicasit qëndronin akoma nën armë në kufirin kosovaro-serb, duke këmbëngulur se nderi i tyre i nëpërkëmbur mund të sillej në vend, vetëm me kthimin e Fatimes në Rahovicë.
”...akoma pa u gdhirë, u dëgjuan zëra në Vrajë: se gjatë natës së kaluar nëpër një mot me shi të madh, Fatimen, fshehurazi e kishin dërguar në kufi dhe ua kishin dorëzuar autoriteteve turke”. (Po aty “Shamia e përgjakur”, fq. 98)
Studiuesi shqiptar, Sadri Fetiu, në njërin prej punimeve të tij e ka hulumtuar motivin e rrëmbimit të gruas në baladat shqiptare dhe ato serbo-kroate, dhe ne jemi të mendimit se kjo skemë e interpretimit letrar që studiuesi i lartpërmendur e ka hulumtuar vetëm në gjininë e baladave, mund të skematizohet edhe në rastin e dashurisë së vërtetë të Zllatës me Bajramin dhe ngjarjes së vërtetë të dashurisë së Fatimes dhe Janjës, e letrarizuar në novelën “Shamia e përgjakur” botuar në Nish më 1890 prej autorit Manojllo Gjorgjeviq – Prizrenac i lindur në Prizren në vitin 1851. Edhe pse dashuria e çiftit të Miratocës dhe Sopotit nuk është portretizuar në ndonjë vepër letrare të çfarëdo gjinie, sipas studiuesit Fetiu “…është konstatuar se balada popullore shqiptare shquhet për ruajtjen e elementeve arkaike dhe të baraspeshës ndërmjet përbërësve lirikë, epikë e dramatikë, ndërsa balada e regjionit gjuhësor serbo-kroat anon kah epizmi dhe historizmi i përmbajtjes”. (Sadri Fetahu, “Motivi i rrëmbimit të gruas në baladat popullore shqiptare dhe ato serbo-kroate” në “Gjurmime Albanologjike, Folklor dhe etnologji”, 26-1996, Prishtinë 1997, fq. 104-112).
Kështu derisa autori i “Shamisë së përgjakur” dashurinë e zjarrtë të shqiptares dhe serbit, përpiqet që ta zbehë duke e veshur atë me elemente fetare, në anën tjetër priftërinjtë serbë në Kumanovë, përpiqen që ta zbehin madje edhe ta vrasin dashurinë e pastër të shqiptarit dhe serbes, duke i veshur kësaj dashurie elementet e fanatizmit fetar serb!
“Edhe disa herë të tjera ata u përpoqën t’ia vendosnin ferexhenë Fatimes – ndërsa ajo gjithherë e hidhte përtokë dhe e shkelte atë... i tërë ‘fisi’ ishte mbledhur dhe kishte vendosur: që Fatimja duhej të vdiste – sepse damkën që ajo e kishte shkaktuar “fisit” as vetë vdekja nuk do të arrinte që ta shlyente...Kur burrat e zgjedhur të ‘fisit’ erdhën te Fazlia për t’ia kumtuar dënimin e prerë për të bijën – Fatimja tashmë ishte e vdekur. U tha se zemra i kishte pëlcitur...” (Po aty “Shami…” fq. 104). Ky njëherësh është edhe fundi tragjik i një dashurie ndër të rrallat në relacionin vajza shqiptare – i riu serb, në fundshekullin XIX në Luginë të Preshevës.
Por, nëse burrat shqiptarë të Rahovicës ishin të bindur se as vdekja e bijës së tyre nuk ishte e mjaftueshme, në anën tjetër, “para përfaqësuesve të mitropolisë Zllata deklaroi se ajo ishte shqiptarizuar me vullnet dhe me vetëdije të plotë“ – kështu ka sqaruar dëshmitari i gjallë i kësaj ngjarjeje, Jovan Haxhi-Vaslieviq, duke shtuar se “sipas rrëfimeve të ngjarjeve të ndryshme, për të cilat më vonë janë shkruar poezi, apo ato dashuri janë kënduar si këngë popullore (në gjuhën serbe) shkaqet se pse femrat serbe kanë pranuar të turqizohen (shqiptarizohen) vullnetarisht, ka qenë dëshira e tyre për një jetë më të mirë dhe më të lehtë, arritja e statusit më të lartë në shoqëri, më pastaj trimëria dhe bukuria e të rinjve turq (shqiptarë) që njëherësh ishte diçka që më së tepërmi i tërhiqte femrat e bukura serbe. Prandaj këngët tona popullore nuk janë aspak të tepruara lidhur me këto dashuri”. Ky ka qenë përfundimi i tij duke e afruar si ilustrim një të tillë që ky autor e ka dëgjuar të këndohej nga popullata lokale serbe:
Na thuaj Mirë, cilin dashuron ti
Gjaurin apo turkun,
Nuk e dua nënë gjaurin,
Ai është i munduar
Gjithë ditën
Lëvron në ara
Në mbrëmje vjen i rraskapitur
Unë e lus që të lahet
Ai më bërtet e më rrah
unë e dua turkun e ri
Turkun e ri e të lezetshëm
Që gjithë ditën
Shëtit çarshisë
E blen shami
Shami të bukur e leblebia
Leblelia e rrush të thatë
Në mbrëmje kthehet në shtëpi
i lumtur e plot gëzim
Unë e thërras që ai të lahet
Dhe në shtrat mua më shtrin
E dalëngadalë e zgjidh shaminë
E më jep leblebia
Leblebia e rrush të thatë...
(Po aty “Myslimani” fq. 71 -77)
“Dashuritë e ndaluara”, feja dhe tradita
Duke hulumtuar dashuritë midis popujve të armiqësuar, ne kemi kërkuar një shembull të tillë në Izrael. Në librin e tij “Arab and Jew, Wounded Spirts in Promised Land” të botuar në vitin 1987, publicisti dhe reporteri i luftës David K. Shipler në kapitullin e librit të lartpërmendur të titulluar “Mëkati i dashurisë” e ka përshkruar dashurinë midis një vajze izraelite dhe një të riu palestinez, që për fat, me miratimin e prindërve të të dyja palëve është kurorëzuar me martesë. Në shtetin e Izraelit janë të ndaluara martesat midis të rinjve që u përkasin besimeve të ndryshme – hebrenjve dhe të krishterëve, e myslimanëve dhe hebrenjve, si edhe martesat midis të krishterëve dhe myslimanëve. Për këtë, nëse një mashkull arab dhe një femër hebreje duan të lidhin martesë, ata duhet ta bëjnë këtë jashtë shtetit izraelit, dhe në këtë rast, martesa e tyre nuk evidentohet zyrtarisht, apo njëri prej partnerëve duhet të pranojë që të konvertohet në fenë e partnerit dhe vetëm atëherë kjo martesë evidentohet si martesë midis myslimanit dhe myslimanes, të krishterit dhe krishterës apo midis hebreut dhe hebrejes.
Mordekaj Bar - On ishte një ish-oficer, anëtar i lëvizjes “Paqja tani”, që më vonë si liberal ishte edhe anëtar në Knesetin izraelit. Mirëpo, në kohën kur e bija e tij e vendosi që të martohej për një të ri arab, me të cilin ajo kishte bashkëjetuar për tre vjet radhazi, si Mordekaj Bar – On, si bashkëshortja e tij ishin të brengosur për vendimin e të bijës.
“Ishim të shqetësuar. Nuk e kishim asnjë vërejtje ideologjike apo emocionale. Ishim të brengosur se ata do ta kenë një jetë të vështirë – për shkak të dallimeve në mentalitet dhe kulturë. Më së shumti ishim të brengosur për shkak të fëmijëve, për shkak të edukimit të ndryshëm” (David K. Shipler, “Arab and Jew, Wounnded Spirts in Promised Land”, Bloomsbury 1987, fq. 460).
Por, e bija e Mordekajit e kishte vendosur që të mos konvertohej në myslimane, dhe do t’i ngelte besnike besimit të stërgjyshërve, prandaj me të dashurin e saj arab ajo kishte fluturuar me avion për në Qipro, një destinacion i preferuar i të rinjve izraelitë, për shkak të shmangies së pengesave që atyre u sjellin ligjet fetare të vendit.
“Ne i kthyem ata në shtëpi, ua organizuam një dasmë të madhe me qëllim që t’i rrethonim me njerëz që i donin ata dhe për këtë të porsamartuarit u ndien shumë të lumtur”, ka sqaruar i ati Mordekaj duke shtuar: “Bija ime në thelb mendonte se: unë e dashuroj këtë njeri dhe ai e meriton të jetë bashkëshorti im. Unë nuk do të heq dorë prej tij, për shkak të problemit të përkatësisë fetare dhe kombëtare. Unë duhet t’i zgjidh problemet ashtu siç vijnë ato. Unë jam hebreje dhe izraelite dhe nuk dorëzohem para problemeve”.
Mirëpo, megjithatë sipas Mordekaj Bar-On, një martesë e përzier në vendin e tij, bart më vete shumë sfida.
“Të kesh mirëkuptim për nevojat e dhëndrit arab dhe njëherësh të mos heqësh dorë prej identitetit tuaj vetanak, është çështje e komplikuar. Çdo të premte unë e shtroj drekën rituale hebreje dhe ai (dhëndri arab) duhet ta dëgjojë lutjen tonë. Pra, prej të gjitha kombeve ai na zgjodhi neve dhe gjatë lutjes sonë gjithnjë buzëqeshim pranë tryezës së shtruar. Unë nuk jam besimtar, por nuk do ta ndryshoj drekën rituale hebreje, sepse dua ta mbaj gjallë traditën tonë” – ka përfunduar Mordekaj Bar-On (Po aty, “Arab”, fq. 460).
Imponimi i joreales
Ndërkaq në rastin e dashurive të lartpërmendura në Luginën e Preshevës së shekullit XIX, kombet fqinje donin ta shpërbënin realen për ta imponuar jorealen. Siç dihet në zhvillimet e mëtejshme historike në Ballkanin Perëndimor, pas largimit të Perandorisë Osmane në vitin 1912, Kosova, Lugina e Preshevës e Maqedonia u okupuan prej Serbisë. Rrethi i Preshevës që përfshinte në vete edhe Bujanocin, u bë pjesë e Qarkut të Kumanovës. Në një raport të ngjeshur dhe të shkruar me dorë, nga kryeshefi i qarkut të Kumanovës, Ranko Trifunoviq që ruhet në Arkivin e Serbisë në Beograd, janë të përfshira mjaft të dhëna për gjendjen faktike në Luginë të Preshevës, përfshirë edhe detaje të çështjeve që propaganda serbe i kishte manipuluar për t’i justifikuar krimet e kryera në këto anë dhe që siç e kemi cekur më lart, fatkeqësisht ishin pranuar edhe nga një pjesë e opinionit ndërkombëtar të kohës, sidomos të atyre fuqive që ishin të interesuara për deosmanizimin e Ballkanit dhe natyrisht zgjerimin e influencës së tyre në këtë pjesë të Evropës. Fillimisht Trifunoviq e kishte njoftuar Beogradin dhe qeverinë e tij, për vetëdijen kombëtare të pakicës serbe në rrethinën e Preshevës, vetëm dhjetë muaj pas vendosjes së administratës serbe këtu:
“Për të më bindur se është patriot i vërtetë serb, një plak banor i fshatrave lindore të Preshevës m’i recitoi disa këngë që ai i dinte për Millosh Obiliqin, por edhe për Stefanin e Deçanit, për të cilin shtoi se ka qenë besimtar i devotshëm dhe prijës i ndershëm. Por, këngët për Stefanin e Deçanit që plaku i dinte, si temë i kishin marrëdhëniet e këtij prijësi serb me ‘rrospinë e re Simonidën’ e cila e verboi Stefanin, se ky nuk deshi që t’i përgjigjej dashurisë së saj…”
Ndërkaq në të njëjtin raport, Trifunoviq e ka përshkruar edhe gjendjen e “fanatizmit fetar” të shqiptarëve:
“Shqiptarët janë indiferentë ndaj fesë dhe përveç organizimit të dobët fetar kjo gjendje është edhe pasoja e vetë temperamentit të tyre. Përkundër që në çdo fshat shqiptar ka xhami të ngritura, në to rrallë herë shihet ndonjë hoxhë apo myezin. Ndodh që ndonjë hoxhë ta pranojë marrëveshjen, madje me një gjysmë çmimi për të shërbyer në ndonjë fshat shqiptar, por ndodh që edhe atëherë hoxha vjen aty për të shërbyer vetëm gjatë muajit të Ramazanit apo gjatë festave të Bajramit”.
Por, kryeshefi i Qarkut të Kumanovës nuk e ka lënë anash edhe gjendjen e moralit në viset ku shqiptarët e këtyre zonave kohë pas kohe i kënaqnin epshet e tyre, për pak sheqer apo kafe, që ata ua dërgonin dashnoreve të tyre!
“Shëndeti i mirë në këto anë është pasojë e ajrit të pastër, e ujit të mirë burimor dhe e mënyrës së të jetuarit pa ndonjë pasion të caktuar jetësor. Kjo në radhë të parë vlen për zonat e Pçinjës së Epërme dhe tani në popull flitet se në ato zona më herët ka pasur prostitucion, ku shumë vajza të reja (serbe) janë ‘zbavitur’ nëpër karakollët kufitarë. Por, me shtrirjen e veprimtarisë së lëvizjes çetnike në këto zona, prostitucioni është çrrënjosur qysh para luftës”, ka përfunduar ai.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë