Shtojca për Kulturë

“ReMusica” me emra të skenave botërore, “ReVocal Ensmble” në Düsseldorf

Remusica

“ReMusica” për katër ditë e shpalos programin me të cilin e feston muzikën dhe shumëllojshmërinë e saj. Në kapitullin e 23-të sjell 200 pjesëmarrës, prej tyre artistë e festivale ndërkombëtare. Përderisa festivali merret me finesa kur kanë mbetur disa javë para nisjes, ansambli i formuar prej tij – “ReVocal Ensmble” – ka shpalosur të shtunën mbrëma programin me vepra korale të repertorit botëror e shqiptar në Düsseldorf

Nën moton “Togetherness”, festivali ndërkombëtar i muzikës “ReMusica” për katër ditë e shpalos programin me të cilin e feston muzikën dhe shumëllojshmërinë e saj. Në kapitullin e 23-të sjell 200 pjesëmarrës, prej tyre artistë e festivale ndërkombëtare. Panelet e diskutimit e programi për të rinj vijon edhe sivjet ndërsa sivjet programin, pos në kryeqytet, e shtrin edhe në qytetin historik të Prizrenit. Përderisa festivali merret me finesa kur kanë mbetur disa javë para nisjes, ansambli i formuar prej tij – “ReVocal Ensmble” – ka shpalosur të shtunën mbrëma programin me vepra korale të repertorit botëror e shqiptar në Düsseldorf.

Muzika klasike e bashkëkohore ndërtojnë programin e festivalit duke premtuar rrugëtim unik muzikor përgjatë këtij edicioni. Sivjet ofron program të gjerë ku sivjet ngjarja vjen si festë për muzikën e artin.

Drejtoresha artistike e festivalit ndërkombëtar të muzikës “ReMusica”, Donika Rudi ka thënë se vjet festivali vjen me koncept të ri dhe të freskët. Ajo ka bërë të ditur se sivjet në kuadër të festivalit do të jenë të pranishëm edhe organizatorë festivalesh.

“Për katër ditë do të vijnë në Kosovë 200 pjesëmarrës përfshirë artistë dhe festivale ndërkombëtare që vijnë nga 12 shtete evropiane direkt në Prishtinë dhe Prizren. Këtë vit ‘ReMusica’ mirëpret festivale evropiane, udhëheqës të institucioneve kulturore në vend. Jo vetëm për të përcjellë festivalin por edhe për t’u njohur me kulturën, vendin dhe artistët tanë të talentuar. Pra, në thelb, ‘Remusica’ këtë vit ka zhvillimin edukativ dhe shkëmbimin kulturor global. Ky edicion do të jetë një festë e muzikës dhe e artit duke promovuar shumëllojshmërinë ashtu edhe gjithëpërfshirjen”, ka thënë Rudi.

Siç është bërë e ditur nga festivali, pjesëmarrës nga vendi, Belgjika, Franca, Portugalia, Austria, Gjermania, Spanja, Italia dhe nga e gjithë Evropa do të ofrojnë program të gjerë që prekin stile e zhanre të ndryshme muzikore.

Janë vetëm disa emra të cilët “ReMusica” i ka zbuluar si paralajmërim për një tjetër edicion kualitativ.

Është bërë e ditur se kitaristi Petrit Çeku e bendi i formuar nga ai  - “Trio Elogio”, sopranoja spanjolle Raquel Andueza, sopranoja kosovare e skenave botërore Elbenita Kajtazi, “ReVocal Ensemble” dhe fizarmonistja italiane Margherita Berlanda janë disa prej atyre që do të ndërtojnë rrëfimet muzikore të edicionit që mbahet nën moton “Togetherness” (Së bashku).

“Natyrisht fokusi i festivalit ka qenë dhe mbetet në muzikën klasike, në muzikën bashkëkohore, krijimtarinë inovative. Këtë vit, programi shtrihet në të gjitha poret e muzikës klasike, që nga muzika e vjetër, që këtë do ta sjellë një nga emrat eminentë të kësaj fushe si Raquel Andueza nga Spanja, e cila përpos që vjen si soprano e ansamblit ‘La Galania’ ajo drejton festivalin pikërisht dedikuar muzikës së vjetër e po ashtu si zëvendëspresidente e rrjetit evropian të muzikës së vjetër ‘European Early Music Network – REMA’”, ka thënë drejtoresha artistike e festivalit, kompozitorja Donika Rudi.

Si tradicionalisht edhe sivjet do të organizohet programi për fëmijë “ReMusica Junior” e diskutimet ku fokus do të jetë raporti i qytetit me festivalet.

“Këtë vit do të ketë një mori diskutimesh, panele diskutimi me tema të rëndësishme si qëndrueshmëria dhe praktikat mjedisore brenda industrisë duke synuar krijimin e një platforme për dialog ekspertësh dhe shkëmbim idesh. Këtë vit ‘ReMusica’ është nikoqire e mysafirëve ndërkombëtarë, përfshirë udhëheqës të festivalesh, organizata dhe anëtarë të medias, e të tjerë. Mysafirët do ta kenë privilegjin ta përjetojnë festivalin në mënyrë unike, të eksplorojnë komunitetin artistik vendës dhe të hapin rrugë për mundësi dhe bashkëpunime në të ardhmen”, ka thënë Rudi.

Nëpërmjet një komunikate për media është bërë e ditur se disa prej temave që do të diskutohen do të jenë “qëndrueshmëria dhe praktikat mjedisore brenda industrisë duke synuar krijimin e një platforme për dialog ekspertësh dhe shkëmbim idesh; Koncertet akusmatike & elektroakustike; Rrjetëzim: mundësi për rrjetëzim, bashkëpunim dhe krijim lidhjesh midis artistëve vendas, mysafirëve ndërkombëtarë, krijuesve të festivaleve dhe profesionistëve të industrisë”.

Në kuadër të programit edukativ përfshihen punëtori dhe masterklasa, punëtori, programi “ReNew” dedikuar artistëve të rinj dhe jo vetëm.

Donika Rudi, e shquar për veprat e saj elektro-akusmatike për KOHËN ka treguar se midis të ftuarve do të jetë edhe shkrimtari e kolumnisti Simon Mundy që më parë kishte punuar si gazetar në BBC e që tash shkruan për muzikë klasike për magazina si “Classical Music magazine”, “Opera Now” e “Eye on London”. Ka bërë të ditur se ai do t’i udhëheqë panelet e diskutimit që zhvillohen në kuadër të festivalit.

Festivali ndërkombëtar i muzikës pos edicionit të vet prezanton edhe muzikën shqiptare jashtë vendit nëpërmjet zërave të ansamblit vokal “ReVocal” në Düsseldorf të Gjermanisë. Në sallën “Palais Wittgenstein” nën organizim të shoqatës “URACult” mbrëmjen e së shtunës, ansambli ka prezantuar programin e larmishëm me vepra botërore e shqiptare, tradicionale e bashkëkohore.

Altoja Diellza Sylejmani e Andra Rexhepi, tenorët Arlind Gjyshinca, Rizah Jahaj e Safet Berisha, sopranot Kaltrina Miftari, Elona Sadiku e Shkurta Hykaj-Rexhepi, basi Nikollë Gjini e baritoni Shaban Behramaj nën udhëheqjen e maestros Rafet Rudi i kanë dhënë zë repertorit me veprat “O Magnum Mysterium” të Morton Lauridsen, veprës me të njëjtin titull të  Tomas Luis de Victoria, “Stars” të  Ērics Ešenvalds, pjesën tradicionale “An Irish Blessing”, “Nyon Nyon” të Jake Runestad, “Lamento della Ninfa” të Claudio Monteverdi, “Kuulin äänen”, të Laura Jēkabsone.

Sa i përket veprave shqiptare, ansambli vokal ka prezantuar kulturën e muzikës klasike me “Të falemi o dhé!”, “Çorapet e burrit” të Lorenc Antonit, “Ater umbra” të Memli Kelmendit, këngën e iso-polifonisë “Janinës ç’i panë sytë” si dhe veprën “Një kokë, një tokë” të akademikut Rafet Rudi që është edhe udhëheqës i ansamblit si dhe i festivalit ndërkombëtar të muzikës “ReMusica”.

Ansambli “ReVocal” përfshin repertorë të gjerë stilistikë, duke filluar nga muzika e hershme shqiptare, renesanca dhe baroku, që nga veprat e kompozitorëve Gjergj Danush Lapacaj e Jan Kukuzeli, të cilat i ka përpunuar Rudi e deri te kompozimet moderne shqiptare dhe muzika bashkëkohore botërore. 

Ansambli në edicionin e kaluar kishte debutuar para publikut vendës në shtëpinë e tij në festivalin ndërkombëtar të muzikës “ReMusica”, pas paraqitjes së parë në Bruksel ku kishte zbuluar traditën e lashtë e të pasur muzikore shqiptare dhe atë të sotmen. Edhe sivjet zërat e ansamblit do të ilustrojnë perlat e repertorit koral në një natë të festivalit ndërkombëtar të muzikës.

“ReMusica” sivjet fton publikun të bashkohet në festën që tejkalon kufijtë dhe bashkon kultura nëpërmjet muzikës.