Festivali ndërkombëtar i muzikës “ReMusica” e ka mbyllur kapitullin e 23-të me festën për 75-vjetorin e kompozitorit e dirigjentit Rafet Rudi. Është festë e shumëfishtë: shënon jubileun e tij, por është edhe dëshmi e magjisë që ai ia ka dhënë muzikës klasike shqiptare. Koncertit për të i ka paraprirë ai i mexosopranos Flaka Goranci e kitaristes Tringa Sadiku, përderisa vepra e Rudit ka mbledhur emra të shquar si kitaristin Petrit Çeku e violinisten Sihana Badivuku sikurse edhe Korin e Filharmonisë dirigjuar prej Marcio Da Silva
Me veprimtarinë e tij, kompozitori e dirigjenti Rafet Rudi është si një prej personaliteteve më të spikatura në skenën muzikore të vendit. Ka shënuar historinë e saj me kontributin në literaturën muzikore të kohës së tij, por edhe në zbulimin, restaurimin e adaptimin e literaturës korale të autorëve të vjetër shqiptarë.
Si kurorëzim i 75-vjetorit të maestros, festa për të nuk do të ishte më adekuate sesa prezantimi i opusit të tij. Një grimë e veprave që ka shkruar janë interpretuar të shtunën mbrëma nga emra të shquar të skenës së muzikës vendore, në natën e fundit të Festivalit ndërkombëtar të muzikës “ReMusica”.
Kushtet si intro
Ngjarja muzikore me traditë prej 23 vjetësh, është dëshmuar kaherë për kualitetin e secilit koncert që prezanton te publiku. Nga një ngjarje që programin e shpaloste zakonisht në pranverën e vonë, sivjet iu desh ta zhvendoste atë në vjeshtë për shkak të mosekzekutimit të mjeteve nga Ministria e Kulturës. Njëlloj kanë vepruar shumë organizatorë të ngjarjeve kulturore.
Sfida më e madhe e organizatorëve e interpretuesve është hapësira ku koncertet mbahet. Kushtet janë bërë refren qëmoti dhe vijnë në shprehje secilën herë që muzika klasike shënon rritje të interesimit e kualitetit të saj. Emra të shquar të botës muzikore, përtej sallave madhështore ku kanë interpretuar, në Prishtinë, bashkë me publikun përballen me problemet më elementare. Çështja e ngrohjes është një prej tyre dhe Atelieja e Pallatit të Rinisë që shërben si një nga dy adresat në kryeqytet për mbajtjen e koncerteve, nuk e posedon këtë sistem. Kur e gjithë skena muzikore është përqendruar te kjo sallë me kushte minimale për koncerte të tilla, gjithsesi është dashur që ajo të huazohej nga Filharmonia e Kosovës për “ReMusican”, ngjashëm sikur me “DAM-in” dhe jo vetëm.
Solistët aty janë shumë pranë publikut, ashtu që lëvizja më e vogël e dikujt nga publiku ndikon në shpërqendrim a në lojën e tyre. Një nga shembujt e kësaj avarie ka qenë kitaristi Petrit Çeku, i cili pak para se të niste pjesën e fundit të koncertit të së enjtes ku interpretoi si pjesë e “Trio Elogio”, kërkoi qetësi maksimale në sallë. Atelieja e hapur në të tri anët e saj sipër sallës nuk është aspak e përshtatshme për koncerte të kësaj natyre që kërkojnë disiplinë e përqendrim absolut. Dhe këto janë introt e secilit koncert.
Në një sallë të tillë e rrethana të ngjashme u mbajt edhe koncerti i radhës në kryeqytet, ai që nderon jetën dhe veprën e akademikut Rafet Rudi. Pikërisht salla koncertale është një lloj pengu e revoltë e tij në këtë kohë kur muzika klasike në vend po shënon kulmin e saj.

“Impresione” në fillim të shpalosjes së opusit
Pasi që shenjat e shëmtuara në sallë janë maskuar me perde e drita dekoruese, “ReMusica” i ka shtuar edhe disa efekte – shenjat e festivalit – të cilat kanë qenë të pranishme përgjatë pesë koncerteve.
Në të fundit që ka qenë autorial i profesorit Rudi, veprat kanë kulmuar duke e vënë në qendër mjeshtërinë kompozicionale e kreativitetin e tij.
“Impresione” për flaut dhe piano nga Zana Abazi dhe Andi Duraku ka qenë ajo që ka nisur rrugëtimin nëpër opusin muzikor të kompozitorit Rudi. Ka tinguj virtuozë e seriozë. Thellësisht emocionale me tingujt e flautit, frymë në të cilën ndikohet edhe pianoja. Gjatë zhvillimit të saj duket se gjen një harmoni dinamike që shprehet nëpërmjet tingujve të shkurtër e të vendosur shumë pranë njëri-tjetrit.
“Fantasia in Si” është sjellë nga violinistja e shquar Sihana Badivuku dhe pianistja Lirika Pula. Dyshja e ka sjellë veprën si dialog temperament të dy instrumenteve. Janë tinguj seriozë dhe që e shprehin virtuozitetin si të shprehur në tinguj, ashtu edhe në paraqitjen e solistit, në këtë rast të Badivukut për të cilën edhe është shkruar vepra.
“Fantasia in Si, është një vepër që profesori ma ka dedikuar mua, domethënë nota Si, kur kam qenë qysh studente në Moskë, rreth vitit 1985 apo 1986 e ka shkruar. Pastaj për herë të parë nuk e kam ekzekutuar unë, por profesori i mirënjohur Sergei Kravchenko që ka qenë po ashtu profesor në konservatorin ‘Tchaikovsky’ që është një emër eminent. Mua pastaj m’u dha rasti ta interpretoj në një edicion të ‘Kosova KamerFest’, ndoshta në edicionin e gjashtë, por ka qenë viti 2006, me pianisten me prejardhje malazeze Maya Kastratoviq”, ka thënë Badivuku.
Veprën e ka luajtur edhe këtë vit bashkë me pianisten Dhurata Lazo. Ka thënë se vepra ka aftësinë të ketë ca efekte ndryshe secilën herë që luhet.
“Profesori u nda shumë i kënaqur, edhe pse kompozitorët gjithmonë insistojnë për një provë paraprake për të na sugjeruar diçka, këtë herë nuk na u dha mundësia. Por ne përmbushëm kërkesat që ai ka parashtruar në partiturë. Edhe pse vepra është luajtur disa herë nga një interpret, çdoherë del ndryshe”, ka thënë violinistja Badivuku.
Ajo ka interpretuar për herë të parë me pianisten Pula. Kjo e fundit ka thënë se pjesa për piano jep mundësi shprehëse për nga ana teknike e muzikore.
“Kompozitori Rafet Rudi ka bashkëlidhur partiturën për piano dhe violinë, aq më tepër që vepra ka qenë e kompozuar për profesoreshën me ide shumë të qarta. Por mendoj se parti pianistik është mbështetës i fortë e partit solistik të violinës. Aq më tepër që i ka dhënë disa momente solistike ku pianisti mund të shprehet shumë teknikisht dhe muzikalisht”, ka thënë Pula.
Ka thënë se ka qenë kënaqësi të luhen veprat e profesorit Rudi si një mendim më ndryshe muzikor nga ç’kanë luajtur zakonisht, sikurse edhe bashkëpunimi me Badivukun.
“Për mua ishte kënaqësi ta studioj, ta njoh dhe aq më shumë të punoj me profesoreshën Sihana e cila veçse e kishte luajtur më parë dhe ka qenë ndihmë e madhe për mua. Është gjithmonë kënaqësi të luhen veprat e kompozitorëve tanë, është një botë tjetër, një mendim më ndryshe nga ç’ jemi mësuar dhe e njohim si muzikë serioze. Por është gjithmonë kënaqësi dhe sfidë më vete”, ka thënë pianistja.

Emra të shquar për kompozitorin e madh
Treshja e kitaristëve Petrit Çeku, Tringa Sadiku dhe Diar Aliu kanë sjellë ritmet e muzikës tradicionale shqiptare me “Three albanian songs”.
Kitaristi virtuoz Çeku ka qenë edhe solist me Korin e Filharmonisë së Kosovës të drejtuar nga dirigjenti brazilian Marcio Da Silva. Zërat e pandërprerë e konstantë të burrave vijnë si tension përbrenda ndërsa u jepen ngjyra të lehta muzikore nga kitara e Çekut. Ai fillimisht e dominon lojën e më pas vjen më në shprehje vokali i krejt Korit. Nëpër sekuenca, vepra ngjan në liturgji. Por është tejet atraktive edhe loja e solistëve e përcjellë nga pjesa tjetër e Korit që e bën atë të kulmojë. Kanë qenë Elonë Sadiku e Etrit Nura që e kanë pasuruar më tej vokalin. Dinamikë shtesë janë tingujt me të cilët kitara e ilustron veprën.
Korit i janë bashkuar perkusionistët Patris Berisha, Meriton Zajmi e Kenan Bytyqi, dy pianistët Andi Duraku dhe Lekë Salihu dhe sopranot Adelina Paloja e Kaltrina Miftari. Qysh në prezantimin e formacionit, duket tejet atraktive, e pasur dhe e veçantë. Kreative po se po. E mjeshtëria e Rudit dëshmohet në çdo notë të instrumenteve e vokal të Korit e solisteve.
Perkusionet nisin të parat, ksilofoni sjell ritmet e bukura dhe një lloj nostalgjie. Ka përplot interaktivitet. Rudi i lë hapësirë shprehëse secilit. Kur Kori e perkusionet pushojnë, nis dialogu midis dy pianove. Etapa e radhës në vepër është loja e sopranove që bukur përcillen nga Kori.
Këtë vepër, autori i saj, Rafet Rudi, anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencës dhe Arteve, e quan si vepër jo të rëndomtë për stilin e tij.
“Është vepër jo e rëndomtë për stilin tim. Është ekzekutuar për herë të parë para disa vitesh dhe publiku është befasuar. Unë shpesh them se është vepër e shkruar nga një kompozitor në moshë, por ndjehet se e ka shkuar një djalë i ri. Është një koncepsion pak interesant në organizimin e materialit por qëllimisht është luajtur me elementin që vepra të jetë tërheqëse për publikun, atraktive e kështu me radhë”, ka thënë Rudi.
Për koncertin në përgjithësi, ka thënë se solistët janë prej emrave të shquar të skenës muzikore në vend. Është shprehur i befasuar me gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë në koncert. Ka thënë se interpretuesit ishin të mrekullueshëm në ekzekutimin e veprave të tij.
“Isha shumë i lumtur, pati emra të mëdhenj të muzikës sonë duke filluar prej Diarit e Tringës e deri tek emra shumë të rëndësishëm të muzikës sonë si Sihana Badivuku e Petrit Çeku. Natyrisht nuk ka se si të mos jetë njeriu i lumtur kur një ekip i tillë i realizon veprat. Jam falënderues edhe për Filharmoninë që mori pjesë, por ishte paksa befasi për mua vullneti i të gjithëve për të marrë pjesë në këtë koncert kushtuar 75-vjetorit tim”, ka thënë kompozitori Rudi, autor i shumë veprave të gjinive të ndryshme si solistike, kamertale dhe simfonike.
Rudi ka udhëhequr Korin dhe Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës ku nën drejtimin e tij kanë realizuar një mori veprash vokalo-instrumentale. Veprimtarinë e ka shtrirë si kompozitor, dirigjent, autor në fushën e publicistikës dhe filozofisë së muzikës. Viteve të fundit i përkushtohet zbulimit, restaurimit dhe adaptimit të literaturës korale të autorëve të vjetër shqiptarë si Gjergj Danush Llapacaj e Jan Kukuzeli, veprat e të cilëve ishin interpretuar në koncertin në Belgjikë.

“Meloditë e Zemrës” me Flaka Gorancin e Tringa Sadikun
Sivjet “ReMusica” ka ardhur me program të ngjeshur muzikor. Programe për fëmijë janë zhvilluar gjatë ditës ndërsa në mbrëmje, koncertet kanë qenë të dyfishta. Para koncertit autorial të Rudit, mexosopranoja Flaka Goranci dhe kitaristja Tringa Sadiku kanë sjellë repertor të larmishëm klasik. “Meloditë e zemrës” është titulluar koncerti.
Dyshja e ka nisur interpretimin me këngën shqiptare “Dashnor tu bana”. Sadiku nis të luaj tinguj të lehtë të këngës e qetas i ofrohet Goranci që me zërin e saj të bukur nis të zbërthejë vargjet e këngës si vepër e aranzhuar nga Rudi për kitarë e solokëngëtar.
Më pas kanë sjellë katër nga tetë këngët “Siete Canciones populares espagnolas” të kompozitorit spanjoll Manuel de Falla. Janë përzgjedhur natyra të ndryshme të këngëve. “El Paño Moruno” ka qenë dinamike, “Nana” melankolike, “Cancìon” harmonike dhe “Polo” dramatike. Ngjyra e zërit të mexosopranos Goranci ndryshon mahnitshëm në secilën këngë duke iu përshtatur temës e gjendjes emocionale të saj.
“Gracias a la vida” e kompozitores kiliane Violeta Parra ka qenë thellësisht emocionale. Goranci ka treguar se kompozitorja e kishte shkruar këngën pak kohë para se të vdiste, më 1967. Emocionet vijnë nëpërmjet vokalit ndërsa kitara është instrument përcjellës. Është këngë që prek në shpirt duke gjetur nëpër vargje nostalgjinë për rrugëtimin jetësor. Duket se shenja e fundit e krijimtarisë së kompozitores sjell përjetimet e saj në jetë që kulmon me falënderimin për jetën. Flet pa nënkuptime, falënderon njerëz specifik në rrëfimin e saj poetik të zbërthyer nga Flaka Goranci.
Nën moton “Togetherness”, festivali ndërkombëtar i muzikës “ReMusica” nga 5 deri më 8 nëntor e ka shpalosur programin me të cilin e ka festuar muzikën dhe shumëllojshmërinë e saj. Në kapitullin e 23-të ka sjellë rreth 200 pjesëmarrës, prej tyre artistë e festivale ndërkombëtare. Panelet e diskutimit e programi për të rinj kanë qenë tjetër segment, pos koncerteve.
Kompozitori Rafet Rudi që është edhe themelues i festivalit “ReMusica”, e ka vlerësuar më të veçantë e të suksesshëm edicionin e 23-të të festivalit.
“Këtë edicion mund të them se Donika (Rudi) e ka konceptuar në mënyrë jo të rëndomtë, është një kthesë e çuditshme. Natyrisht ajo jeton në një ambient tjetër që është disa hapa para në muzikë dhe sigurisht e frymëzuar nga atje ka bërë një ndryshim esencial në konceptin e festivalit. Duket se në përgjithësi ka qenë një edicion i suksesshëm”, ka thënë Rudi.
“ReMusica” për katër ditë ka sjellë magjinë muzikore botërore, solistë të shquar që bashkë me vete kanë zbërthyer tinguj e vargje të repertorit vendor e botëror. Deri në edicionin e radhës, publikun e ka lënë me shijen e duhur muzikore.