Përderisa një ekspozitë e re që feston portretet e Edvard Munchut hapet në Galerinë Kombëtare të Portreteve në Londër, gazetarja Laura Hall udhëton në qytetin e lindjes së artistit në Norvegji. Të habit mënyra se si krijimtaria e Munchut, shumica e saj mbi 100-vjeçare, është ende e rëndësishme në ditët e sotme: nga aftësia e tij për të pikturuar peizazhin emocional me një fokus të veçantë te shëndeti mendor, e deri te besimi i tij se nuk kishte asnjë ndarje midis njerëzimit dhe natyrës
Laura Hall/The Guardian
Arrita në parkun Ekeberg në perëndim të diellit dhe ecja përgjatë shtigjeve me baltë për të gjetur vendin me pamje të mirë. Qielli dimëror është si një pikturë akuareli: re të buta blu dhe gri shtrihen mbi njëra-tjetrën, me një pjerrtësi të gjerë të verdhë që kalon mbi kodrat e largëta. Nga ky lokacion, shikoj mbi Oslo dhe pres të dëgjoj një klithje.
Në vitin 1892, Edvard Munch bëri një shëtitje në këtë park të njëjtë kur dielli po perëndonte. Duke e regjistruar përvojën në ditarin e tij, ai shkroi se dëgjoi “një klithmë të madhe dhe të pafundme nëpër natyrë”. Kjo përvojë u bë baza e pikturës së tij më jetëgjatë. Askush nuk e di nëse klithja ishte reale – pasi ishte një spital aty afër – apo e imagjinuar. Sot, gjithçka që dëgjoj janë klithjet e hareshme të fëmijëve që luajnë në kodër mes vrapuesve dhe njerëzve duke ecur, që kalojnë përmes shtigjeve të mbushura me gjethe të parkut.

Ndërsa Galeria Kombëtare e Portreteve organizon një ekspozitë të re të portreteve të Munchut, unë po eci në gjurmët e artistit në Oslo. Munch është i paevitueshëm këtu: në hotelin “Clarion Oslo” ku po qëndroj, një version i veprës “The Scream” nga Andy Warhol e zbukuron hollin – pop-artisti ishte një adhurues i madh i Munchut – si dhe një fotografi e Marina Abramoviqit më përshëndet gjatë mëngjesit.
Atraksioni kryesor i qytetit është lehtësisht i dukshëm. Ndërsa format e ishujve dhe kufijtë e Oslofjordit janë të identifikueshme dhe të njëjta, sikur ato në sfondin e pikturës “The Scream” (Klithja) muzeu “Munch” dallohet mes ndërtesave moderne të reja në bregun e Bjørvikas. Pjesa e sipërme e ndërtesës është e lakuar, thonë arkitektët, për t’u dukur sikur po i përkulet qytetit të Oslos, frymëzimi për shumë nga veprat e Munchut. Brenda saj, ciceroni im i quajtur, Sid, më dërgon në një turne të koleksionit të gjerë të muzeut.
“Munch ishte unik në mënyrën se si kapte ndryshimet në breza dhe perceptime. Ai po dokumentonte njerëzimin në një kohë kur besimi dhe institucionet po shembeshin”, thotë Sid.

Jam e habitur nga mënyra se si veprat e Munchut, shumica mbi 100 vjet të vjetra, janë ende të rëndësishme në ditët e sotme: nga aftësia e tij për të pikturuar peizazhin emocional me një fokus të veçantë te shëndeti mendor, e deri te besimi i tij se nuk kishte asnjë ndarje mes njerëzimit dhe natyrës.
Në galeri, tri versione të ndryshme të veprës “The Scream” ekspozohen në rotacion, të ndriçuara dobët për të ruajtur ngjyrat e tyre. Njëra ka dëmtime nga uji në këndin e poshtëm të majtë: kjo është një nga pikturat që janë vjedhur nga hajdutë të guximshëm të artit gjatë një grabitjeje në pikë të ditës, në vitin 2004. Në Muzeun Kombëtar, një tjetër version i “The Scream” është e ekspozuar për vizitorët dhe vëzhgohet me kujdes të shtuar nga dy roje të sigurisë. Një version tjetër i pikturës u vodh nga kjo galeri në vitin 1994, kur vëmendja e policisë ishte përqendruar tjetërkund gjatë Lojërave Olimpike Dimërore në Lillehammer. Ajo mungoi vetëm për 12 javë.

Atraksionet tjera kryesore të muzeut “Munch” përfshijnë një dhomë të madhe që shfaq skica të pikturave të Aulas, një seri veprash të mëdha arti që Munch i bëri për sallën ceremoniale të Universitetit të Oslos. Ato paraqesin një diell abstrakt të shpartalluar në rreze shumëngjyrëshe, një nënë ushqyese në një breg shkëmbor dhe një peshkatar që e mëson një djalë të ri për të peshkuar, si dhe konsiderohen si veprat e tij më të mëdha. Kur nazistët pushtuan Norvegjinë, këto piktura u fshehën në një minierë. Puna e Munchut përfshihej në listën e artit degjenerues të nazistëve – arti modern dhe avangardë ishte konsideruar i shthurur atëkohë. Çdo devijim nga normat standarde ishte dënuar. Pas luftës, këto vepra monumentale u restauruan dhe u vendosën në vendin e tyre të nderuar, në sallën e universitetit, e cila është e hapur për publikun një të shtunë për çdo muaj, prej shkurtit deri në muajin maj.

Ditën tjetër, bëra një udhëtim në Ramme, ku Munch pikturoi dy nga këto vepra. Një udhëtim me tren prej 30 minutash dhe një udhëtim i shkurtër me taksi nga Oslo, është një parajsë e vërtetë për adhuruesit e artistit. Mund të ecësh rreth shtëpisë, studios së tij në natyrë dhe përgjatë plazhit. Ka diçka te zhurma e detit, bregu shkëmbor në Oslofjord dhe pemët e mollëve përreth, që të ofrojnë një ndjesi të madhe qetësie. Për Munchun, i prekur nga shëndeti i dobët dhe problemet mendore gjatë gjithë jetës së tij, kjo ishte ideja. Ai bleu shtëpinë e bardhë këtu në vitin 1910, e cila, çuditërisht, jepet me qira për pushuesit gjatë verës, dhe e mbajti deri në vdekjen e tij në vitin 1944. Brenda saj, muret ngjyrë të verdhë të ndezur të restauruara me kujdes dhe perdet e bardha me dantella, shërbenin si sfond për shumë nga portretet e tij. Ecja kalimthi përmes pemëve të mollës deri në një breg shkëmbor i mbushur me guaska, ku tabela interpretuese tregojnë pikturat e tij, të vendosura përballë peizazhit.
Pasi u ktheva në Oslo, bëra një shëtitje në këmbë nëpër lagjen plot gjallëri, Grünerløkka. Familja e Munchut ka jetuar në disa ndërtesa të ndryshme në këtë zonë, të shënuara me pllaka dhe pikërisht në njërën prej këtyre ai kishte vendosur një nga pikturat e tij më emocionale, “The Sick Child”, e frymëzuar nga vdekja e motrës së tij nga tuberkulozi.

Të gjitha ngjyrat e jetës gjenden në këtë qytet. Ndihem sikur mund të kaloj pranë subjektit të njërës nga pikturat e mia të preferuara të Munchut, “Madonna”, ku përshkruhet një grua me flokë të zeza korb dhe me një beretë të kuqe. Para se të largohem, i shpreh nderimet e mia te varri i tij. Pyes veten se çfarë mund të kishte krijuar po të ishte gjallë sot. Sipas cicerones që quajtur Linda, dashuria e tij për autoportretet nënkupton vetëm një gjë: “Ai do të ishte mbreti i selfie-ve”.
Çfarë i pret vizitorët në ekspozitën “Edvard Munch Portraits”?
Londër, 22 mars (“Country & Town House) – Piktura më e njohur e Edvard Munchit është pa dyshim “The Scream” (1893), e cila është shndërruar në një nga veprat më ikonike dhe më të njohura të artit botëror. Të lidhura me veprën ku dominojnë ngjyra e katër dhe portokalli, si dhe fytyra e torturuar e figurës qendrore, janë vite të tëra ankthi dhe mundimi si dhe frikë ekzistenciale përballë sëmundjes dhe humbjes.
Ndërsa asnjë nga katër versionet delikate të “The Scream” nuk ka arritur të bëhet pjesë e ekspozitës “Edvard Munch Portraits” në Galerinë Kombëtare të Portreteve, shumë vepra të tjera janë aty. Kjo ekspozitë e kuruar nga Alison Smith, përfshin vepra që nuk janë parë kurrë më parë në Mbretërinë e Bashkuar, si portretet e realizuara nga Munch të avokatit Thor Lütken dhe fizikantit Felix Auerbach.
“Gjatë gjithë jetës, Munch mundohej të depërtonte prapa maskave të atyre që i portretizoi në pikturat e tij, duke përdorur ngjyrat ekspresive për të zbuluar ndjenja dhe motivime të brendshme”, thotë Smith. “Kjo ekspozitë ofron një mundësi unike për të vlerësuar punën e tij si portretist, si në lidhjen e tij personale me ata që portretizoi ashtu edhe se si i portretizoi ata”.
“Jemi të emocionuar të paraqesim këtë ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Portreteve për të hedhur një dritë të re mbi lidhjet e thella shoqërore të Munchit, dhe për të sjellë së bashku portretet që nuk janë parë kurrë në Mbretërinë e Bashkuar”, deklaroi Rosie Broadley, bashkëdrejtuese e programit kuratorial të Galerisë Kombëtare të Portreteve. “Dëshiroj të falënderoj Alison Smithin dhe kolegët tjerë në galeri, për punën e tyre të palodhur në këtë ekspozitë, huazuesit kryesorë për bashkëpunimin e tyre dhe mbështetësit tanë ‘AKO Foundation’, ‘Viking’ dhe ‘Asbjorn Lunde Foundation’”.
Më shumë se 40 vepra janë të ekspozuara në “Edvard Munch Portraits”, që mbulojnë gjithë jetën e artistit në katër pjesë: jeta e tij e hershme me familjen e ngushtë, koha që e kaloi në mesin e radikalëve bohemë, puna e tij për patronët dhe koleksionistët e artit, dhe në fund pikturat e krijuara për të portretizuar miqtë e tij më të afërt në vitet e vona të jetës, të cilëve Munch i referohej si “shpëtimtarët” e tij.

Fillojmë në vitet 1880 dhe 1890, kur si i ri Munch (i lindur më 1863) krijon imazhe intime të familjes së tij, shpesh në copa të vogla kartoni. Stili është më natyralist sesa do të bëhej më vonë i njohur artisti – por konceptet kryesore që vërehen më vonë në veprat e tij, mund të gjurmohen që tani. Vepra “Evening” (1888) tregon motrën e Munchut, Laura, gjatë një pushimi familjar, vetëm një vit para se ajo përfundimisht të hospitalizohej me skizofreni. Në mes të viteve 1880, Munch largohet nga shtëpia në fshat dhe shkon për të jetësuar në Oslo, për të studiuar artin formalisht, duke u bashkuar me një rrjet bohemësh të artistëve dhe shkrimtarëve të lidhur ndërkombëtarisht, kryesisht të udhëhequr nga anarkisti, Hans Jæger. Portreti i Jægerit, pikturuar nga Munch në vitin 1889, dominon këtë seksion të ekspozitës dhe arti i tij zhvillohet falë ndërveprimeve me qarqet artistike në Paris dhe Berlin. Ky është fillimi i asaj që ai e quajti “arti i shpirtit”: ai stil i veçantë që shpreh dashuri, ankth, frikë, xhelozi, tradhti dhe më shumë emocione të ndjera. Në vitin 1894, monografia “Das Werk des Edvard Munch” e shkrimtarit dhe dramaturgut polak, Stanisław Przybyszewski, e promovoi artistin norvegjez ndërkombëtarisht.
Në fillim të shekullit XX, Munch ishte një nga artistët më të ekspozuar në Evropë, duke tërhequr patronë dhe koleksionistë të shquar të artit. Ai filloi të merrte porosi, duke i ngjyrosur portretet e tij me ngjyra të guximshme për të pasqyruar dinamikën e atyre që portretizonte. Por deri në vitin 1908, Munch ishte nën një stres ekstrem; ai kolapsoi dhe u pranua në një klinikë për trajtimin e sëmundjeve mendore në Kopenhagë, ku pikturoi mjekun, Dr. Daniel Jacobson, të mbështjellë nga një ylber ngjyrash të valëzuara. Deri në vitin 1909, artisti gëzonte shëndet të plot dhe u kthye në vendlindje, me ndihmën e një grupi miqsh, të cilëve artisti i referohej si “shpëtimtarët” ose “përkujdesësit” e tij. Këta burra janë subjektet e fundit të ekspozitës, duke përfshirë portretet e plota të Jappe Nilssen, piktorit Ludvig Karsten dhe shkrimtarit Christian Gierløff. Munch i donte ata kaq shumë, sa portretet e tyre shërbenin si zëvendësues kur njerëzit e vërtetë nuk mund të ishin pranë tij. Ekspozita me titull “Edvard Munch Portraits” qëndron e hapur në Galerinë Kombëtare të Portreteve në Londër, nga 13 marsi deri më 5 qershor.