Shtojca për Kulturë

Qëllimi i drejtuesve të Korçës ishte ringjallja e Shqipërisë me kufijtë e 1913-s

Pazari i Korçës, pa datë

Pazari i Korçës, pa datë

Ajo që donin të arrinin drejtuesit e Korçës ishte ringjallja e Shqipërisë me kufijtë e 1913-s, po me një qeveri kombëtare. Në këtë Shtet ata shikonin krijimin e tri vilajeteve ose kantone, kufijtë e të cilëve do të ishin bërë në mënyrë që të merrnin parasysh veçoritë lokale fetare ose të lidhjeve krahinore, dhe që do të kishin një lloj autonomie administrative. Shikonin mirë lakmitë që Shqipëria e re do të ngjallte pranë fuqive të mëdha fqinje. Në qoftë se okupimi frëng kishte ndaluar lakmitë të shfaqen haptas, ky nuk i kishte bërë të lihen. Duhej të ndalohej kthimi i këtyre lakmive.

Gjeneral Henri Descoins

 

* * *

“Republika Shqiptare e Korçës, mund të jepet si shembull shteti federativ shqiptar në qoftë se një regjim i këtij lloji mund të ngrihet”, ka shkruar z. Rene Puaux, në një libër që ka damkën e panhelenizmit më të nxehtë, “L’Egeide”. (41)

* * *

Megjithëse anëtarët e '’Këshillit Administrativ” nuk bënin politikë të brendshme, ata brengoseshin për të ardhmen e vendit të tyre dhe për gjendjen në të cilën do të ndodhej pas luftës. Ata patën idenë të quajnë Shtetin autonom të Korçës: Republika Shqiptare. Ky emër ishte një program i tërë. Donte të thoshte se Kazaja e pavarur s’ishte tjetër veçse një bërthamë rreth së cilës grupime të tjera shqiptare do të vinin njëri pas tjetrit dalëngadalë dhe sipas përparimit të veprës paqësimi dhe zhvillimi ekonomik të ndërmarrë nën inkurajimin e Francës. 

Këtë vepër e çmonin së tepërmi. Kishin parë, që prej Luftës të Parë Ballkanike, të kalojnë ndër ta, me një shpejtësi të çuditshme, një sërë qeverish, që vinin natyrisht t’i çlironin prej zgjedhës të mëparshme (42). 

Ishin:

1 - gjer në dhjetor 1912, regjimi turk;
2 - gjer në maj 1913, regjimi ushtarak grek:
3 - gjer në mars 1914, regjimi civil grek;
4 - gjer në korrik 1914, regjimi shqiptar i Princit zu Wied;
5 - gjer në tetor 1914, regjimi i andartëve grek;
6 - gjer në dhjetor 1914, okupim ushtarak grek
7 - gjer në fund të tetorit 1916, administrata civile mbretërore greke;
8 - gjer më 23 nëntor 1916, administrata civile venizeliste;
9 - gjer më 10 dhjetor 1916, autoritet ushtarak frëng me nëpunës grekë (43) 

Kuptonin se mbrojtja ushtarake frënge, që bëhej pa asnjë prapamendim aneksimi të fshehur, fjala “Shqipëria e Shqiptarëve” mbaroi të jetë një fjalë për t’u bërë një realitet. 

Vinin re se vendi i tyre, vatër kryengritjesh, frikësimi dhe anarkie në nëntor 1916, u bë brenda pak muajve okupimi frëng, një vend me mbrothësi ekonomike dhe financiare, me besim të plotë. 

Rezultate të këtilla hapnin udhën çdo shprese. 

Të interesuarit i shfaqnin në gazetat lokale, dhe ua tregonin gjithë njerëzve me rëndësi, frëngj ose të huaj, që merrnin rrugën e Sarandës për të vajtur në Selanik ose për t’u kthyer që andej. 

Qëllimi që donin të arrinin drejtuesit e Korçës, ishte ringjallja e Shqipërisë me kufijtë e 1913-s, po me një qeveri kombëtare. Në këtë Shtet ata shikonin krijimin e tri vilajeteve ose kantone, kufijtë e të cilëve do të ishin bërë në mënyrë që të merrnin parasysh veçoritë lokale fetare ose të lidhjeve krahinore, dhe që do të kishin një lloj autonomie administrative

Shikonin mirë lakmitë që Shqipëria e re do të ngjallte pranë fuqive të mëdha fqinje. Në qoftë se okupimi frëng kishte ndaluar lakmitë të shfaqen haptas, ky nuk i kishte bërë të lihen (44). Duhej të ndalohej kthimi i këtyre lakmive. Prandaj drejtuesit e Korçës dëshironin që pavarësia dhe autonomia e

Shqipërisë së re të ishin:

1. të shpallura zyrtarisht nga Antanta;

2. të garantuara, gjersa vitaliteti i shtetit të ri të forcohej, me anën e një mbrojtjeje ushtarake të besuar trupave të fuqive që s’kishin asnjë pretendim territorial mbi Shqipërinë. Franca u dukej më e përshtatshme se çdo shtet tjetër të japë shumicën e kontingjentit ndërkombëtar, sepse okupimi ushtarak frëng u dëshmua dhe sepse Franca ishte fuqia ushtarake më e fortë e Antantës. 
Sidoqoftë, në sytë e të huajve, Shqipëria qendrore, ishte në pranverë të 1917-s një koloni e vërtetë frënge. 

Banorët e Korçës nuk kënaqeshin më me flamurin e Skënderbeut me shiritin më ngjyrat frënge: në të gjitha godinat publike, shtëpitë e tyre, ata kishin ngjitur edhe flamurin tonë kombëtar; vetvetiu i kishin dhënë disave nga rrugët e tyre emra oficerësh frëng; vetvetiu kishin zëvendësuar mbishkrimet greke në frëngjisht me përkthimin shqip. Merret me mend se cilat ishin ndjenjat e italianëve dhe grekëve, (45) kundrejt oficerit të lartë frëng: në komandën e të cilit, në këtë vend që u rrinte armiqësor, lindi një frymë frankofile dhe u zhvillua (46). 

Kancelarive nuk u erdhi mirë, kështu që nën një pretekst krejt jashtë veprimeve të mia komandimi ose administrimi, mora më 15 maj 1917, urdhrin e transferimit që më largoi nga Korça. 
Ngjarjet do t’u tregonin së shpejti, që nëse është e mundur të preket një ushtar, edhe kur e ndien veten të mbuluar nga urdhrat e kryetarit të vet, nuk është e mundur të luftohet kundër ndjenjave të një populli të tërë, kur ky popull ka vendosur të ruajë pavarësinë e vet (47).

Komandantë grekë në Korçë, mars 1917

 

Përfundimet

Dërgimi i një patrulle franceze në Korçë në vitin 1916 nuk u frymëzua nga mishelenizmi apo italofobia, por vetëm nga shqetësimi për interesat ushtarake të Antantës, një interes që ne, francezët, luftëtaret kryesorë të kësaj Aleance, ishim veçanërisht të kualifikuar për ta dalluar dhe për ta mbrojtur. 

Për të zgjidhur një problem ushtarak, është e nevojshme të shtrohet pyetja: “për çfarë bëhet fjalë?”
Në vitin 1916, dy grupe ndërluftuese ishin në kontroll: Antanta dhe Fuqitë Qendrore. Kjo ishte për t’ia siguruar Antantës fitoren përfundimtare dhe për t’i përdorur, për rrjedhojë, të gjitha mjetet e ligjshme që mund të lejojnë ose lehtësojnë arritjen e këtij rezultati. 

Në këto kushte, pushtimi i Korçës ishte i logjikshëm, ishte e pasulmueshme nga ana e aleatëve tanë. 
Por nocioni shumë i thjeshtë i një qëllimi ushtarak për t'u arritur dhe i një mjeti, gjithashtu ushtarak, për ta arritur atë, i ka ikur plotësisht agjitatorëve grekë. Në nxitimin e tyre për të arritur rezultate lokale, të cilat ata i konsideronin të komprometuara nga pushtimi francez, ata me intrigat e tyre, shpërthyen/filluan revolucionin shqiptar me të gjitha pasojat e tij. 

Ky revolucion, interes yni ushtarak për ne francezët, që kishim nën pushtim Korçën, prerazi na urdhëroi që ta “lejonim”. Në të njëjtin rend idesh, më vonë duhej ta linim idenë nacionaliste shqiptare të zhvillohej, madje duhej të shtynim zhvillimin e saj, me rrezik të komprometimit të situatës sonë ushtarake (48). 

Doli, në këto rrethana, se interesi politik i shqiptarëve ishte i lidhur me interesin tonë ushtarak nga lidhjet e ngushta, pra interesa të përbashkëta. Kjo u vërtetua aq më mirë pasi, ne francezët, duke mos pasur asnjë motiv të fshehtë aneksimi në Shqipëri, nuk u përplasëm me ndjenjën që në zemrën e shqiptarëve mbizotëron mbi të gjitha ndjenjat tjera: ruajtja e lirisë. Mundej, për të njëjtën arsye, mund të vazhdonte në kohë paqeje: në një vend, si Shqipëria, që përmban ende pasuri të pashfrytëzuara, inxhinierët tanë do të vlerësoheshin, kapitali ynë do të gjente investime shpërblyese etj... (49).  
“Historia e Shqipërisë, shkruante doktor Bourcart (50) është vetëm një seri luftimesh për pavarësinë e saj”. Ngjarjet e përshkruara në faqet e mëparshme janë një fazë e kësaj lufte. Kjo është arsyeja pse, pavarësisht nga forma e një rrëfimi të përjetuar në prezantimin tim, mendova se mund ta titulloja: “Gjashtë muaj historie të Shqipërisë”.



Henri Vincent Descoins, i lindur më 10 janar 1869 në Cambray (Francë), vdiq më 10 maj 1930 në Algjer (Algjeri) ishte gjeneral brigade dhe shkrimtar ushtarak francez. Si kolonel i kalorësisë gjatë Luftës së Parë Botërore, luajti një rol të rëndësishëm në vendosjen e forcave franceze në Korçë (1916 – 1920). Ndër të tjera, shkroi edhe raportin “Six Mois d’histoire de l’Albanie – Novembre 1916 Mai 1917” të cilin e përktheu dhe e botoi në shqip, Vasil Gërmenji (1908 – 1988). Ky tekst i përkthyer prej tij, e që botohet me vazhdime në Shtojcën për kulturë, është marrë nga monografia “Vasil Gërmenji, një jetë në shërbim të çështjes shqiptare” me autor Elez Osmanin, Botimet KOHA, tetor 2024



Fusnotat 

(41) Egeide përmban më anën tjetër plot gabime materiale. Për shembull flitet për “grekët e Korçës”. Përsërit bashkë me z. Argjiropullo, që s’ka “grekë” në Korçë, por vetëm autoktonë që flasin greqisht. Flitet gjithashtu për “ministrat shqiptarë” me një lloj ironie: një nga karakteristikat e Republikës së Korçës, ka qenë pikërisht se s’kishte ministra, gjë qe ishte kryesore për të mos pasur kriza ministrore.

(42) D. m. th. t’iu vinin në këmbë zinxhirët që ua kishin hequr nga gryka.

(43) Robert Vaucher, L’illustartion, 7 prill 1917

(44) U përpoqën në disa raste ta merrnin kontrollin mmbi Kazanë e Korçës. Sa u përket grekëve kishte incidente të tilla të shpeshta me ta në kufirin që ndante shtetin e Korçës dhe Greqinë venizeliste. Për t’u dhënë fund, gjenerali Sarrail urdhëroi, më 20 mars 1917, krijimin e një zone neutrale në këtë rajon.

(45) Në rrjedhën e kësaj pune, është folur gjerësisht për tendencat greke; prandaj është e kotë t'i kthehemi këtu. Në lidhje me tendencat italiane, lexoni veprën e cituar tashmë nga z. Justin Godart dhe atë te doktor Jacques Bourcart: "L'Albanie et les Albanais (Shqipëria dhe Shqiptarët)". Do t'i shtoja dokumentacionit shumë të saktë dhe shumë të plotë të këtyre dy veprave, se italianët ishin ofenduar veçanërisht nga një sërë masash, të provokuara vetëm nga nevoja ushtarake dhe iniciativën e të cilave ia vishnin/caktonin gabimisht komandantit ushtarak të Korçës, roli i të cilit në këtë rast ishte kufizuar në ekzekutimin e urdhrave të veçantë që kishte marrë.

(46) Mbetën kujtimet e kryqtarëve frankë, princërve të familjes Anzhu dhe veçanërisht ato të epokës Napoleonike: mjaftoi një rast për t'i ringjallur.

(47) Popujt që duan të çlirohen më në fund i shpëtojnë kontrollit kloroform të një diplomacie, status quo-ja e së cilës është horizonti i vetëm dhe egoist", thotë z. René Puaux, në veprën e tij të cituar tashmë, duke folur për përpjekjet e helenizmit në Shekulli XIX për t'i shpëtuar dominimit turk. Ky vlerësim shumë i saktë mund të zbatohet po aq mirë për përpjekjet e shqiptarëve për t'i shpëtuar çdo dominimi të huaj.

(48) Propaganda e shkathët austriake, për te cilën ka prova dhe kundër së cilës komandanti ushtarak i Korçës nuk zotëronte as fonde sekrete për të luftuar, synonte të na përfaqësonte, në sytë e popullsive të Kazasë autonome, si përfaqësues të grekëve e të cilëve nuk i dëshironin më, e përsëris, në asnjë cilësi, në asnjë pretekst dhe në çdo formë. Ata e treguan këtë në vitet 1919 dhe 1920.

(49) Në Dhomë Tregtare franko-shqiptare u themelua në Paris në nëntor 1922.

(50) Në veprën e përmendur/cituar tashmë.