Shtojca për Kulturë

“Prishtina ra të martën më 23 tetor 1915, në ora dy e dhjetë minuta...”

“Ushtari i fundit serb u largua prej këtu në mesditë. Nuk dihej se kur do të hynin gjermanët. Pritej hyrja e bullgarëve dhe kjo e rriti frikën, aq më tepër që shqiptarët dhe turqit në Prishtinë tani flasin hapur se do t’u hakmerren serbëve për ngjarjet e vitit 1912. Gjermanët arritën në Prishtinë nga ana veriore nëpërmes rrugës së Kurshumlisë. Thuajse në të njëjtën kohë edhe austriakët ia mbërritën nga ana e Mitrovicës. Bullgarët u nxituan të marrin selinë e divizionit, por gjermanët nuk i lejuan dhe ua ndanë atyre një pjesë të ndërtesës së komunës. Të gjithë mes vete i vendosën rojat dhe kështu Prishtina u bë një qytet treshtetëror”, e paraqet arritjen e ushtrive të huaja në Prishtinën e vjeshtës së vitit 1915 mësuesi serb, Janiqije Popoviq

Shpresa e fundit

Edhe pse ushtritë aleate tashmë e kishin pushtuar Serbinë, refugjatët serbë që e kishin ngufatur Prishtinën prej të gjitha anëve shpresat e vetme i kishin të varura tek arritja e Divizionit të Moravës. Për çudi ashtu shpresonte edhe Branislav Nushiqi.

“Të arratisurit shpeshherë shkëputeshin prej turmës dhe shkonin drejt asaj hapësirës prapa selisë së pushtetit, para Xhamisë së Sulltan Bajazitit, prej nga shihet qartë rruga e Llapit, duke shpresuar se do ta shohin zbritjen e ushtrisë sonë në atë anë. Shumë prej tyre dolën deri mbi Prishtinë, duke e pritur divizionin që do ta shpëtonte Kosovën, që do të na e siguronte së paku këtë pjesë të Kosovës, ndërkaq shumica besonin se ky divizion bile do të arrinte që të na e kthente edhe Shkupin! Në frontin që u formua në bregun e djathtë të Moravës së Binçës dhe në brigjet perëndimore të Karadakut, bullgarët e vazhduan depërtimin grykave të Preshevës e të Kaçanikut, që nëpërmes kurorës së maleve nga fusha e Kumanovës shpien në Moravë. Shtëpia ku unë jam vendosur nuk gjendet në rrugën ku pritet që të kalojë ushtria jonë. Natën vonë me fener në dorë me qëllim që ta prisja Divizionin e Moravës dhe që me sytë e mi t’i shihja ushtarët, t’u jepja kurajë duke provuar që ta freskoja shpirtin me shpresa të reja, unë i përngjas të sëmurit të shtrirë në shtratin e vdekjes, i cili me padurim e pret shfaqjen e mjekut në pragun e derës! Mbi Prishtinë ka rënë natë e thellë e turbullt vjeshte me shi. Nëpër shtëpitë prishtinase llambat janë fikur, ndërsa rrugët janë të shkreta e memece. Vetëm aty-këtu mezi që dëgjohet zhurma e ndonjë kapaku të penxhereve kur lëshohet prej të zotëve të shtëpive, apo hapat e ndonjë “gjynahqari” që deri në këtë natë të thellë nuk ka arritur të gjejë vend për ta futur kokën dhe endet rrugëve të errëta duke trokitur herë në atë qepën e herë në tjetrin e duke zënë në thua në pragjet e gurta të shtëpive”, shkruan Nushiq.

Në vazhdim Nushiqi e ka përshkruar gjendjen në të cilën ishte gjetur kreu i Serbisë së atëhershme. Kjo shihet sidomos nga paraqitja e gjendjes së një oficeri.

“Nëpër errësirë mezi që e pashë dritën e vetmuar të kandilit në kafenenë ku gjatë ditës tuboheshin refugjatët, ndërsa natën aty mblidhen ushtarët, rekrutët dhe të porsaardhurit që shtrihen për të fjetur në dysheme nën tavolina. Drita e kandilit ishte e njëjtë me atë që shihet në varre. E hapa derën dhe në njërin prej qosheve fare pranë xhamit e vërejta se nën hijen e errët qëndronte ulur një oficer. ‘Bullgarët kanë mbërritur në Kaçanik, atyre iu duhet vetëm edhe një përparim i vogël dhe i kemi në Ferizaj e Shtime, pra në gojë të Grykës së Caralevës. Dhe kur kjo do të ndodhë atëherë jemi të zënë si në kurth të miut, të gjithë, e gjithë ushtria, populli, mbreti, qeveria, por edhe e tërë Serbia. Vetëm rruga drejt Prizrenit mund të na shpëtojë. Vetëm kaq’, u përgjigj oficeri. ‘Megjithatë ka lajme që do të mund të na ngushëllonin’, përpiqem që ta mashtroj oficerin, por edhe veten duke folur për rusët, francezët, për rumunët që mund të na dalin në ndihmë. Duke më parë drejt në sy oficeri m’u drejtua: eh ore zotëri sikur ta dinit ju se prej kur janë duke na ushqyer me lajme të tilla të rreme qeveritarët tanë! Gënjehet ore zotëri, zyrtarisht gënjehet!”

Edhe pse është ora tre e pasdites, tashmë ka filluar të errësohet, ndërsa ne ishim bërë gati dhe u nisëm, megjithatë errësira na zuri jo shumë larg Prishtinës, mu në brinjën e Veternikut. Duke e pasur frikën e netëve të ftohta të Fushës së Kosovës, me të dalë prej Prishtine një pjesë e të arratisurve ndaloi skaj rrugës që aty pranë zjarreve të kalonin natën. Atyre iu ndihmuan edhe llogoret e ushtrisë, që pritej të tërhiqej ditën e nesërme pasi në një fshat të vogël siç është Lipjani, ku është vendosur kaq shumë ushtri dhe popullatë, është vështirë të gjendet më ndonjë vendstrehim. Prej Veterniku ia lëshova sytë edhe një herë Prishtinës, e cila ishte fundosur në errësirë. Me të pushuar shiu në mbrëmje, qielli u kthjellua përnjëherë. Derisa yjet dridheshin lart në të, poshtë në tokë nisi të na shtrëngonte acari. Në atë kthjelltësi dalëngadalë nisi të vizatohej silueta e errët e Prishtinës, në të cilën tani kishin rënë në gjumë të gjithë ata që nuk kanë pasur vendosmëri të nisen apo që kanë mbetur të vendosur për të dezertuar apo për t’u dorëzuar. Këtë siluetë të Prishtinës aty-këtu e shndrit ndonjë llambë e zbehtë, që duket si xixëllonjë e përhumbur në ndonjë mal të errët. Në fushë para Prishtinës, në llogoret e ushtrisë dhe të refugjatëve janë ndezur zjarret dhe duket se yjet kanë rënë prej qiellit, ndërsa para këmbëve tona tymi i zjarreve të ndezura ka nisur ta krijojë njëfarë vranësire të përhimët e të tejdukshme dhe e shtrirë dalëngadalë ajo e ka mbuluar tërë fushën e Prishtinës...”, janë imazhet e Prishtinës para arritjes së ushtrive të huaja në javën e fundit të tetorit të vitit 1915 të përshkruara nga Branislav Nushiq.

“Prishtina ra të martën më 23 tetor 1915, në ora dy e dhjetë minuta pas dite. Ushtari i fundit serb u largua prej këtu në mesditë. Nuk dihej se kur do të hynin gjermanët. Pritej hyrja e bullgarëve dhe kjo e rriti frikën, aq më tepër që shqiptarët dhe turqit në Prishtinë, tani flasin hapur se do t’iu hakmerren serbëve për ngjarjet e vitit 1912. Gjermanët arritën në Prishtinë, nga ana veriore nëpërmes rrugës së Kurshumlisë. Thuajse në të njëjtën kohë edhe austriakët ia mbërrin nga ana e Mitrovicës. Bullgarët u nxituan të marrin selinë e divizionit, por gjermanët nuk i lejuan dhe ua ndanë atyre një pjesë të ndërtesës së komunës. Të gjithë mes vete i vendosën rojat dhe kështu Prishtina u bë një qytet treshtetëror”. Kështu e paraqet arritjen e ushtrive të huaja në Prishtinën e vjeshtës së vitit 1915 mësuesi serb, Janiqije Popoviq, i cili nga koha e parafillimit të Luftës Ballkanike ishte ngarkuar nga qarqet e Lëvizjes Çetnike serbe në organizimin e mbledhjes së informacioneve të ndryshme që domosdo më vonë do të përdoreshin për të shtrembëruar realitetin kosovar, si justifikim të okupimit të mëvonshëm të Kosovës dhe të tokave shqiptare.

“Lajme të këqija prej të gjitha anëve. Të gjithë ankohen për shkak të dezertimeve. Vetëm gjatë ditës dhe natës së djeshme i patëm 1000 dezertorë. E tërë ushtria është në tërheqje. Jurishiqi erdhi në ora pesë tek unë dhe m’u lut që herët në mëngjes të nisemi për në Prizren. Ai ka pohuar se të gjithë gjeneralët janë të këtij mendimi”, ka shkruar në ditarin e tij më 21 tetor 1915 vetë mbreti i Serbisë, Petar I Karagjorgjeviq.

Bullgarët ia mbërrin

Datën e saktë të largimit të ushtrisë dhe nëpunësve serbë nga Prishtina e ka konfirmuar edhe oficeri bullgar, Hristo Mutafov. Në ditarin e tij që e pa dritën e botimit qysh në vitin 1917, më 23 tetor, ai ka shkruar: “pas mesdite, Regjimenti i dytë i kalorësisë bullgare hyri në Prishtinë”. Ai më tej e ka përshkruar atmosferën prishtinase të parahyrjes së forcave bullgare.

“Për rënien e plotë të Prishtinës mësuam nga refugjatët jashtë qytetit. Rruga e tmerrshme nga mali me dëborë e ngadalësoi marshimin tonë. Në mbrëmjen e 23 tetorit, divizioni ynë mbërriti në fshatin shqiptar të Keqekollës. Rrëzë kodrës së lartë, gjendet shtëpia e madhe dykatëshe e hoxhës së fshatit. Ky fshat i tipit të shpërndarë është sikur të gjitha fshatrat e këtyre viseve që janë të vendosura në majat e larta, të banuara nga shqiptarët - malësorë të shëndetshëm, të mëdhenj dhe të bukur! Hoxha flet pak serbisht pasi policia serbe ‘ia ka mësuar’ atij gjuhën e tyre. Selia e divizionit brenda natës u vendos në shtëpinë e tij. Në vatër të gjerë është ndezur një zjarr i madh, por nata është e akullt, me qiell të pastër e pa vranësira”, ka kujtuar Mutafov. Para se ushtria bullgare të vazhdonte drejt Maqedonisë, oficeri bullgar i ka paraqitur shkurt disa imazhe të Prishtinës që sikurse e bëjnë të ditur se ai e ka parë kryeqendrën e Kosovës - Prishtinën për herë të parë.

“Prishtina është e banuar me turq dhe shqiptarë, ndërsa serbë ka vetëm në një pjesë të vogël të saj. Këta serbë janë vendosur këtu kohë më parë. Qyteti është i vjetër, rrugët janë me kthesa e me baltë, aty-këtu shihen shtëpi të rrënuara. Prishtina i ka katërmbëdhjetë xhami. Në këtë qytet banorët bëjnë jetë ‘të ndryshkur’ të stilit lindor. Njëra prej ndërtesave më të mira është ish-konaku, në të cilin tani është stacionuar selia e divizionit gjerman 101. Në qytet çdo gjë mban gjurmët e diçkaje të pajetë. Përveç xhamisë së vjetër të Sulltan Muratit, të mbetur nga koha e tij, në këtë qytet nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Prishtina do të bëhej një qytet i bukur nëse do të ringjallej jeta në të. Një bujqësi intensive në Kosovë do të krijonte një jetesë të mirë për popullatën dhe do të shndërrohej në një burim të madh të pasurisë. Tani, me përjashtim të disa bejlerëve dhe pronarëve të mëdhenj të tokave, popullsia qëndron mirë, por megjithatë është e varfër. Një lumë i vogël kalon nëpër qytetin e Prishtinës dhe e ndan qytetin në dy gjysma, ndërsa tani lumi njëkohësisht shërben edhe si vijë ndarëse midis garnizoneve gjermane dhe bullgare, që janë vendosur këtu. Para se ne të arrinim, këtu ishin mbledhur disa divizione serbe, përfshirë atë të Vardarit dhe të Kosovës. Mbreti serb Petri ua kishte besuar atyre mbrojtjen e qytetit, madje edhe ai bashkë me stafin e tij kishte qenë këtu”, ka përfunduar Mutafov.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

LEXO EDHE: