Shtojca për Kulturë

Prishtina – kryeqendër e Vilajetit të Kosovës dhe 3 mijë e 670 shtëpitë më 1893

Hekurudha në Gllobodericë

Kur zbrisni nga hekurudha në Gllobodericë dhe e ndiqni rrugën nëpër Fushë të Dragodanit, e cila shkëputet në drejtim të Prishtinës, nuk mund ta shihni qytetin deri në çastin sa t’i afroheni dhe vetëm atëherë kur dilni në një breg të butë që e rrethon qytetin nga ana perëndimore, ku janë vreshtat, atëherë para jush shfaqet Prishtina dhe ju mund të hyni drejt në qytet

“Do t’ju them se deri në vitin 1886, Prishtina ishte koka (kryeqendra) e Vilajetit të sotëm të Kosovës, pra këtu ndodhej qendra administrative dhe selia e hyqmetit, por Prishtina shërbente si seli e të gjitha atyre institucioneve shtetërore, të cilat më pastaj po në këtë vit u shpërngulën në Shkup, bashkë me selinë e valisë së Kosovës”, shkrunate diplomati serb Mihailo Ristiq. Udhëpërshkrimi i radhës që na afron të dhëna rreth kryeqendrës së sotme të Kosovës, i përket dimrit të vitit 1893. “Sipas gjendjes momentale Prishtina tani i ka 3670 shtëpi prej të cilave 3200 janë shtëpi shqiptare dhe turke, 400 shtëpi janë serbe, 60 shtëpi janë hebrenj”, shkruante ai

Diplomati serb, Mihailo Ristiq (1864 – 1925), i cili punoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë në vitin 1884 e si sekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme, udhëtoi në mbarë Kosovën, tashmë kishte arritur në qendër të Prishtinës.

“Prishtinën e pashë nga qerrja sapo dola nga stacioni i trenit dhe gjëja e parë që më ra në sy ishte një numër i konsiderueshëm shtëpish të reja, të ndërtuara në anët e kodrës së Veletinit, që ma ngushtonte pamjen e qyteti. Shtëpitë e reja ishin ngritur në të ashtuquajturën ‘Mëhallën e Muhaxhirëve’ ku jetojnë refugjatët nga rajonet që Turqia humbi në luftërat e fundit. Numri më i madh i tyre janë nga kufijtë e sotëm të Serbisë. Duke hyrë në qytet, fillimisht vura re dy ndërtesa, të cilat me pamjen e tyre veçoheshin në gjithçka nga të tjerat, apo në krahasim me ndërtimet shkel e shko që kishin krijuar rrëmujë të madhe në Prishtinë. Ndërtesa më e madhe dhe më e bukur është spitali ushtarak, ndërsa ndërtesa tjetër përballë dhe pak më afër qytetit është ajo e konsullatës sonë (serbe). Me të arritur në Prishtinë, fillimisht, për shkak të regullave dhe rendin iu paraqita përgjegjësit të kësaj treve, mytesarifit të Prishtinës, Bahri Pashës, një njeriu të respektuar dhe të njerëzishëm, dhe më pastaj shëtita nëpër qytet. Ndërtesa në të cilën ndodhet mytesarifi, quhet konak apo hyqmet. Ndërtesa është një pallat i bukur, i madh trekatësh me hyrje dhe shkallë shumë të bukura. Mund të jetë e çuditshme, se si është e mundur që një pallat kaq i bukur të gjendet këtu, pra midis ndërtimeve tjera pa shije. Do t’ju them se deri në vitin 1886, Prishtina ishte koka (kryeqendra) e Vilajetit të sotëm të Kosovës, pra këtu ndodhej qendra administrative dhe selia e hyqmetit, por Prishtina shërbente si seli e të gjitha atyre institucioneve shtetërore, të cilat më pastaj po në këtë vit u shpërngulën në Shkup, bashkë me selinë e valiut të Kosovës. Më thanë se zhvendosja e selisë në Shkup ndodhi për shkak të lëshimit në qarkullim të hekurudhës Vranjë-Shkup dhe për shkak të rëndësisë që tashmë e ka fituar qendra e Shkupit…. Duke shkuar në hyqmet, kalova nëpër hijen e Bezistanit të Prishtinës, pranë të cilit ma treguan vendin e ujitur me gjakun e konsull të parë serb, i cili ishte vrarë para dy vjetëve mu aty.

Pasi hyra në oborrin e hyqmetit, në të djathtë ndodhet burgu, apo më thënë më saktë burgu ndodhet prapa kazermës që është përballë. Më vjen keq që nuk isha i disponuar të kërkoja leje për ta vizituar burgun, por megjithatë, pashë mjaft. Fillimisht hyra në hajat, që ndodhet nën kazermë dhe u ndala para një dere të bërë me dërrasa të forta. Prapa saj, 3-4 hapa më tutje, ndodhet një derë tjetër, e fortë, e ndërtuar me hekur dhe ajo në fakt e mbyllte hyrjen në oborrin e burgut. Para dyerve qëndronte zaptia – gardiani që i kontrollonte bisedat e të burgosurve me vizitorët e tyre, që janë në numër të madh. Që të dy qëndrojnë te dera dhe ashtu flasin mes vete. Afër zaptisë është edhe një dyqan i vogël, ku të burgosurit mund të blejnë ushqime. Oborri mjaft i madh i burgut dhe doket e godinës së burgut janë plot me të burgosur, të cilët ose ecin kot, ose kujdesen për rrobat e tyre, të cilat i kanë larë dhe shtrirë për t'u tharë. Të gjithë janë të prangosur përveç tre të burgosurve dhe nëse e pashë mirë të prangosurit e kanë të lidhur njërën këmbë me zinxhir, ndërsa skajet e zinxhirëve i mbajnë me dorë.

Prej aty shkova në Xhaminë e Pirinazit, që ndodhet në pjesën jugore të qytetit. Ne oborrin e saj është një tyrbe, 8 hapa e gjatë dhe 5 gjerë. U desh të hyja në të pa këpucë dhe siç më sqaruan turqit, aty ishte varrosur njëfarë bajraktari, bajraku i të cilit edhe tani është i varur në mur, mu pranë një kamxhiku. Siç më tha rojtari i tyrbes këtij shenjtori i luten njëjtë shqiptarët dhe serbët, por atij nuk i luten vetëm hebrenjtë”, shkruante Ristiq. Rrëfimi i tij vazhdon edhe për Sarajet e shkreta të Jashar Pashës dhe muhaxhirët në Prishtinë.

Sarajet e shkreta të Jashar Pashës dhe muhaxhirët në Prishtinë

“Prej këtu duke u kthyer në shtëpi, për të pushuar, kalova pranë sarajit, që më ngjalli frikë kur e pashë. Ndërsa vetë rruga më çoi të kaloja pranë tij dhe ky saraj më pamjen e trishtuar ma vërtetoi padyshim se dikur duhej të kishte qenë i mbushur me plot njerëz… Është ky saraji i Jashar Pashës, emri i të cilit ende përmendet me tmerr nga popullata serbe e kësaj treve. Nëpërmes rrethojave dhe portës, në të cilën koha tashmë ka pasqyruar fuqinë, dhe lumturia kalueshmërinë e saj, pashë një oborr të mbushur plot me barishte… Më herët i përmenda muhaxhirët. Pra ata janë të shpërngulurit që u larguan nga vatrat e tyre, ndërsa muhaxhirë quhen për shkak se ata janë përzënë prej një fuqi e huaj. Motivet e shpërnguljes së tillë mund të kërkohen veçanërisht në fenë e Muhamedit, dhe pasuesit e kësaj feje në rastin konkret nuk mundën të pajtoheshin me situatën e krijuar në atdheun e tyre nga copëtimi i Turqisë. Vendosja e tyre këtu, veçanërisht ishte brengë e autoriteteve perandorake, prandaj në shumë vende u ngritën komisione të posaçme që kujdeseshin për ta. Siç ju thashë, pjesa e qytetit ku janë të vendosur këta të shpërngulur, pra jo vetëm në Prishtinës quhet ‘Mëhalla e Muhaxhirëve’”, shkruante ai.

Dasmë e hebrenjve të Prishtinës

Dymbëdhjetë mëhallët e Prishtinës në vitin 1893

Udhëpërshkrimi i radhës që na afron të dhëna rreth kryeqendrës së sotme të Kosovës, i përket dimrit të vitit 1893. Millojko M. Veselinoviq, (1850 – 1913) ishte i angazhuar në konsullatat e Serbisë në Prishtinë, Shkup, Selanik dhe Manastir. Në fakt ai ishte përgjegjës për redaktimin e teksteve shkollore për shkollat serbe në Turqinë Evropiane. Për shkak të mosmarrëveshjeve me eprorët e tij, ai u shkarkua nga ky post në vitin 1899, kur edhe për herë të fundit shërbeu në konsullatën serbe, pra në kryeqendrën e Vilajetit të Kosovës në Shkup.

“Herët në mëngjes më 6 dhjetor 1893 në ditën e Shën Nikollës, hipa në tren. Sirena e tij u dëgjua aq zymtë sa që ajo zgjati bukur shumë, sikurse lokomotiva e dinte se për herë të parë po shkoja në Kosovë. Në orën e pestë të udhëtimit arritëm në fshatin Gllobodericë, por para se të hynim në këtë fshat, e hodha shikimin në të djathtë dhe së pari e njoha Manastirin e Graçanicës, e më pastaj qysh nga bregu e pashë qytetin e Prishtinës. Këtu në Gllobodericë zbrita prej trenit, ku më priti zëvendëskonsulli ynë, zotëria Branisllav Nushiq. Hipur në pajton nëpër fushën e bukur të Dragodanit e vazhduam rrugën për në Prishtinë. Kur zbrisni nga hekurudha në Gllobodericë dhe e ndiqni rrugën nëpër Fushë të Dragodanit, e cila shkëputet në drejtim të Prishtinës, nuk mund ta shihni qytetin deri në çastin sa t’i afroheni dhe vetëm atëherë kur dilni në një breg të butë që e rrethon qytetin nga ana perëndimore, ku janë vreshtat, atëherë para jush shfaqet Prishtina dhe ju mund të hyni drejt në qytet. Gjëja e parë që ju bie në sy tani është kazerma e re e madhe, ndërsa përmes fushës poshtë Prishtinës rrjedh lumi i qytetit. Menjëherë hyhet në një rrugë mjaft të drejtë; të quajtur Divan-joll, e cila ndan Llokaç-mëhallën prej Kupt mëhallës, ku edhe është konsullata serbe dhe unë u vendosa aty. Vetëm pas disa ditësh arrita të eksploroja më lirshëm qytetin dhe rrethinat e tij, sepse detyrat e mia zyrtare më kërkonin ta bëja këtë…. Prishtina është e rrethuar nga fshatrat më të afërta si Sofalia, Zllatari, Matiçani, Kolevica, Makoci, Llukari, Uglari dhe Krusheci, por ekzistojnë edhe dy lumenj të vegjël: Velusha dhe Reka e Madhe dhe në bashkimin e tyre ngadalë ngrihet larg bregu Mëhalla e Varoshit, që në fakt ndodhet në mes të këtyre dy lumenjve. Velusha zbret nga mali i Gërmisë dhe kalon nëpër pjesën juglindore të Prishtinës dhe dy lumenjtë bashkohen sërish nën qytet ku edhe i humbin emërtimet e tyre, sepse prej aty lumi quhet vetëm i Prishtinës. Prishtina ndahet në këto mëhallë. Çarshia e Prishtinës ndodhet në qendër, ku janë dyqanet. Këtu ndodhet konaku i pashës. Më pastaj është Mëhalla e Jarar-caribashit, Mëhalla Pirinas, Alladin Mëhalla, Panagjyrishtja apo Mëhalla e Hasan beut, Mëhalla e Katër Llullave (emërtimi i saj vjen nga çeshmja që i katër çepa), Mëhalla e Llokaçit e që ndryshe quhet Mëhalla e Jonuz Efendisë, Kupt Mëhalla apo Mëhalla e Romëve (ashtu quhet sepse aty më herët kanë jetuar romët që e kanë origjinën prej Koptëve të Egjiptit) dhe në këtë mëhallë kanë qenë pronat e Hasan Efendisë, Mëhalla Ramadanie, Mëhalla Hatunije, Mëhalla e Mehmet Beut dhe Mëhalla e dymbëdhjeta me radhë është ajo e Jusuf Çelebisë. Prishtina i ka trembëdhjetë xhami, disa prej tyre janë të mëdha e disa më të vogla. Njëra ndër më të mëdhatë quhet Xhamia e Sulltanit. Ajo ndodhet në Mahallën e Çarshisë...”, shkruante ai. Po sipas rrëfimit të Millojko M. Veselinoviq merret vesh se në vitin 1893, Prishtina i ka tetë shkolla fillore dhe sinagogën.

Prishtina e tetë shkollave fillore dhe e sinagogës

“Në Prishtinë tani janë tetë shkollë fillore turke që janë të shpërndara nëpër mëhallët e qytetit, prej të cilave gjashtë janë të djemve dhe dy të vajzave (quhen mektebe sibiane) dhe një shkollë ruzhdije. Pasi qyteti i Prishtinës është larg hekurudhës dhe për këtë fajet i kanë shqiptarët dhe turqit, për çka tani i kanë rënë pishman dhe luten që ajo të iu afrohet, tregtia nuk është edhe aq e zhvilluar. Prodhimet e manifakturës në Prishtinë sillen prej Stambolli dhe Selaniku, ndërsa aty këtu mund të shihen në shitje edhe qilimat e Pirotit. 

Tani në Prishtinë prej ushtrisë është i stacionuar vetëm një batalion këmbësorësh, dhe ushtarët e këtij batalioni kryesisht janë të vendosur përgjatë kufirit serb. Këtu qëndron vetëm komandanti i regjimentit dhe një numër i caktuar oficerësh, ngase në ndërkohë rrugës që çon për në Lipjan, është duke u ndërtuar një kazermë e madhe. 

Sipas gjendjes momentale Prishtina tani i ka 3670 shtëpi prej të cilave 3200 janë shtëpi shqiptare dhe turke, 400 shtëpi janë serbe, 60 shtëpi janë hebrenj. Hebrenjtë sapo janë vendosur këtu dhe deri kohë më parë këtu ishin vetëm tri apo katër shtëpi. Hebrenjtë në Prishtinë e kanë një sinagogë dhe një shkollë. Dhe së fundi ka pak shtëpi të romëve të besimit mysliman. Prandaj nëse llogarisim se secila shtëpi i ka nga 5 anëtarë, atëherë del se nga 18 800 banorët e Prishtinës, 16 000 janë shqiptarë dhe turq, 2000 serbë, 500 romë dhe 300 hebrenj.

Mytesarif i Prishtinës tani është Bahri Pasha, një stambollas, shumë gazmor dhe i njerëzishëm…Në përbërje të Sanxhakut të Prishtinës janë këto kaza: e Vuçitërnës, e Mitrovicës, e Drenicës, e Gjilanit dhe kazaja e Preshevës. Rrugët që e lidhin Prishtinën me qendrat e tjera janë: rruga që nis nga Divan-jolli duke vazhduar nëpër fushën e Dragodanit dhe çon drejt Gllobodericës (Stacionit Hekurudhor të Prishtinës). Më pastaj rruga që nis nga Dud Bahçja, duke vazhduar skajit të poshtëm të Veternikut çon në Lipjan. Rruga që niset nga Llokaç Mëhalla, ndërsa më lartë nga Panagjyrishtja çon në Graçanicë dhe Janjevë. Gjithashtu rruga që nis nga Panagjyrishtja çon në Gjilan, dhe për këtë duhet mbajtur krahun e majtë të rrugës që çon drejt Novobërdës. Ndërsa për në Mitrovicë dhe Vushtrri, zakonisht duhet nisur nga Çarshia dhe kur dilet nga Prishtina, atëherë duke marrë në të djathtë rruga çon për në Prepollc dhe për kufirin e Serbisë. Kjo rrugë përpara është quajtur ‘Rruga e Nishit’. Më 28 dhjetor, e vizitova mytesarifin e Prishtinës, Bahri Pashën dhe i rrëfeva se e kam shëtitur qytezën dhe e njoftova se çka kam parë në të. Më pastaj shtova se jam i gëzuar se si jeton populli këtu dhe se si ata ndihen gjatë festave. Në fund e falënderova se nën pushtetin e tij jetohet mirë. Ai m’u falënderua për këtë kompliment dhe shtoi: ‘Është e vërtetë se këtu është mirë dhe kur këtu nuk do të jetë mirë, atëherë çfarë do të ndodhë maleve!’ Por ky bir Stambolli ofshani duke thënë: ‘Ah, nuk ka këtu Bejollu (lagje e Stambollit – S. L.) e as Stamboll!”

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë