Në bazë të regjistrimit serb të vitit 1912, që sipas dëshmisë së inspektorit të policisë Millorad A. Vujčić, e kishte organizuar pushteti policor në bashkëpunim me përfaqësuesit e pushtetit lokal, Prishtina i kishte 18.174 banorë. Po në Prishtinën e viteve të njëzeta 17 banorë të saj gjuhë amtare e kishin rumanishten (cincarët), 9 rusishten, 5 polonishten, 4 gjermanishten, 3 çekishten, 3 frëngjishten, 2 sllovenishten, 1 italishten dhe 1.433 prishtinas flisnin në gjuhë të panjohura! Sipas regjistrimit të fundit të vitit 1924, Prishtina i kishte 2.928 shtëpi me 14.760 banorë. Pra në afat kohor prej 12 vjetësh kryeqendra e sotme e Kosovës i kishte 3.414 banorë më pak
Prefekti bullgar i Prishtinës që “më herët kishte jetuar si shqiptar”
Prefekt i Prishtinës në vitet 1917 – 1918 ishte strugani Arseni Jovkov (1882 – 1924), por para se ai ta ushtrojë këtë funksion kishte emigruar në Bullgari. Jovkov përveçse e fliste gjuhën shqipe, në një rast ai kishte deklaruar se më herët kishte jetuar si shqiptar, gjë që lë të kuptohet se prefekti i Prishtinës do të ketë qenë një shqiptar i bullgarizuar, ashtu siç ndër vite u asimiluan shumë shqiptarë ortodoksë të viseve të sotme të Maqedonisë së Veriut.
Ndër materialet e shumta të arkivuara në Arkivin Shtetëror të Bullgarisë në Sofje janë edhe ato të studiuesve bullgarë, që me urdhër të Shtabit të Ushtrisë Bullgare me qëllim të hulumtimit i vizituan “viset e reja”, siç ata i quanin vendet e okupuara. Ata kishin qëndruar në Prishtinë në verën dhe në vjeshtën e vitit 1916.
“Më 28 gusht të vitit 1916 u ktheva prej Janjeve në Prishtinë dhe të nesërmen paraditen e kalova duke parë qytetin: e vizitova xhaminë kryesore ‘Sulltan Fati Mehmed’, që është një ndërtesë e madhe e ndërtuar në vitin 865 sipas Hixhrit ose 1513 pas Krishtit”, ka shkruar studiuesi Vasil Zllatarski. Më tej ai ka paraqitur detaje të tjera nga vizita e zhvilluar. “Në oborrin e kësaj xhamie ka mbishkrime (fragmente) të lashta, ndërsa kisha e vetme ‘Shën Nikolla’ është një ndërtesë e re e fillimit të shekullit XIX me një ikonostas të bukur dhe punime të drugdhendjes që i kanë bërë mjeshtrit dibranë. Motivet dhe kompozicionet e punuara të këtyre mjeshtërve janë të nxjerra nga Shkrimet e Shenjta, të tilla siç janë edhe në kishën ‘Sveti Spas’, në Shkup, dhe me sa duket të gjitha këto janë punuar nga të njëjtët mjeshtër të Galishnikut, gjë që vërtetohet kronologjikisht. Sipas zëvendësipeshkvit bullgar të Prishtinës kisha është ndërtuar në vitin 1827, ndërsa ikonostasi i Shkupit daton nga viti 1824. Në kishë ndodhet edhe një pikturë murale, por ajo është krejtësisht e re, e vitit 1902, me mbishkrime serbe në të”. Të kujtojmë se mjeshtrit shqiptarë të Dibrës dhe Rekës së Madhe ishin ndër më të njohurit në të gjitha viset e Ballkanit me punimet e tyre nëpër kisha.
Edhe prof. Zllatarski, sikur gazetarët serbë, nuk e kishte lëshuar rastin të mos i vizitonte disa nga vendet e njohura në Kosovën e atëhershme.
“Pasditen e të së njëjtës ditë, me veturë shkova te varret e heronjve turq të Betejës së Kosovës të vitit 1389: së pari te varri i Vezirit të Madh të Sulltan Muratit në Gazimestan dhe tek ai i Sulejman Bajraktarit, që ndodhet në një kodër pesë kilometra në veriperëndim të Prishtinës, nga ku shihen lartësitë e Kopaonikut. Varret ndodhen në një ndërtesë të rrumbullakët, që është ngritur në vendin ku kanë rënë dy personalitetet e lartpërmendura. E pashë se gjendja e ndërtesave ishte e keqe dhe me sa duket ato nuk mirëmbahen, sepse dyshemetë ishin tërësisht të kalbura, pranë tyrbes ishte edhe një ndërtesë e vogël për pritjen e mysafirëve. Në anën veriore, pranë vetë tyrbes, ndodhet një harem i veçantë i hoxhës, i cili e ruan varrin e Sulltan Muratit. Hoxha quhet Ismail Haxhiu, familja e të cilit kujdeset për tyrben për gati 150 vjet rresht. Në të njëjtin oborr ndodhen varret e Hafëz Pashës (ndoshta guvernatorit të Selanikut), Rifat Pashës, Hoxhë Aliut, babait të Hoxhës së tanishëm dhe të vëllait të tij”, ka përfunduar Zllatarski.
Shqiptarët, “serbë të besimit mysliman”
“Pas Luftës së Parë Ballkanike prej qytetit të Prishtinës drejt Anadollit emigruan rreth 2.000 shqiptarë e turq. Pjesa më e madhe ishin muhaxhirë nga Prokupla, Nishi dhe të viseve të tjera të “Serbisë së vjetër!”, ka shkruar Stefan Dimitrov, duke shtuar se “emigrimi dhe shpërngulja nuk ka pushuar edhe sot dhe pritet që ashtu do të jetë edhe në të ardhmen. Shpjegimin e emigrimit të popullsisë në Qarkun e Prishtinës e gjejmë deri diku në marrëdhëniet e ndërsjella ndërmjet nacionaliteteve individuale, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, në raportet e regjimeve të ndryshme të vendosura me dy grupet kryesore kombëtare të popullsisë vendase. E kam thënë edhe më lart se mes shqiptarëve dhe serbëve të Qarkut të Prishtinës mbretëron një antagonizëm i madh dhe ai nuk është i kohëve të fundit. Në tre vjetët e fundit, qeveria serbe është kujdesur që këtu ta forcojë elementin serb gjithandej, e veçanërisht në Qarkun e Prishtinës. Për këtë qëllim, qeveria serbe u ndihmua nga serbët e Leskocit, Prokuples dhe viset e tjera serbe dhe kjo qeveri sidomos ndihmoi në blerjen e tokave prej shqiptarëve, që shpeshherë ishin me çmime të papërfillshme”.
Studiuesi Stefan Dimitrov më pas i ka përshkruar edhe disa raste konkrete të sjelljes së pushtetit okupues serb ndaj shqiptarëve vendas. “Gjatë regjimit serb, shqiptarët në këto vende nuk mund të gëzonin lirinë e së drejtës së shkollimit, ata nuk kishin kurrfarë të drejte kombëtare, madje edhe fetare. Pushteti serb i trajtoi shqiptarët këtu si serbë ‘të besimit mysliman’. Por ajo që më së shumti i acaroi shqiptarët kundër qeverisë serbe ishte shtypja e paimagjinueshme ekonomike, që ata iu nënshtruan. Pavarësisht vjedhjeve, plaçkitjeve, vrasjeve dhe torturave që ndodhnin çdo ditë mbi popullatën shqiptare, taksat e vendosura nga serbët ishin të padurueshme, në disa raste ato madje i kalonin edhe të ardhurat e pasurive nga të cilat ishin vjelë ato. Kështu, qytetari i pasur prishtinas Shukri Ramadani duhej të paguante 910 dinarë tatim për pronat e tij në Cërkvenovodicë (në afërsi të Obiliqit), ndërsa të ardhurat e këtyre pronave e arrinin shumën në vlerë vetëm prej 660 dinarëve. I njëjti, Shukri Ramadani pagoi 6.500 dinarë taksa për njërin prej mullinjve të tij... Sesi rripej popullsia shqiptare përmes taksave të larta mund të gjykohet nga fakti se në vitin 1914, Komuna e Prishtinës (qyteti me 4 fshatrat e vogla rreth saj) duhej të paguante 400.000 dinarë tatim, madje ka pasur raste, si ai me Hysen Efendinë, përfaqësuesin e pronarit të madh Fuad Pasha, i cili ia ka paraqitur kërkesën qeverisë serbe që në shkëmbim të pagesës së taksave ajo mund t’i merrte të gjitha bereqetet e fituara nga tokat e punuara”, ka përfunduar Dimitrov.
“Shqiptarët prishtinas në shtëpitë e tyre flasin turqisht...”
“Popullata shumicë në Prishtinë është shqiptare, por megjithatë shumica prej tyre ndihen turq. Shqiptarët prishtinas në shtëpitë e tyre flasin turqisht, ndërsa të folurit e serbëve të Kosovës ndryshon shumë nga e folura e serbëve të Shumadisë dhe ajo më tepër i afrohet të folurit maqedonas verior dhe në të ka shumë fjalë ta pastra bullgare, të cilat serbishtja shumadinase nuk i njeh”, ka shkruar prof. Atanas Ishirkov, që po ashtu ka afruar të dhëna për kryeqendrën e Kosovës. “Prishtina shtrihet larg hekurudhës, sepse shqiptarët me ndikim në këtë qytet nuk kanë dashur ta kenë atë afër. Prishtina i ka rreth 3.000 shtëpi me një popullsi prej 15.960 banorësh. Prej tyre, shqiptarë janë 11.486, serbë 4.164 dhe hebrenj 328. Në qytet ndodhen xhami të bukura e të vjetra të ndërtuara 300 - 500 vjet më parë, më pastaj këtu është edhe një konak i bukur qeveritar”, ka përfunduar Ishirkov, i cili është njëri prej të rrallëve që pa hezitim e ka paraqitur numrin e banorëve shqiptarë në kryeqendrën e Kosovës, i cili fatkeqësisht si pasojë e rrethanave të papara në vitet në vijim është ndryshuar.
Për dymbëdhjetë vjet Prishtinës “iu zhdukën” 3.414 banorë
Në bazë të regjistrimit serb të vitit 1912, që sipas dëshmisë së inspektorit të policisë Millorad A. Vujčić, e kishte organizuar pushteti policor në bashkëpunim me përfaqësuesit e pushtetit lokal, Prishtina i kishte 18.174 banorë, ndërsa sipas regjistrimit bullgar të vitit 1917 kryeqendra e Kosovës siç u cek edhe më lart i kishte 15.960 banorë. Pra gjatë dy okupimeve kryeqendra e Kosovës i kishte humbur 2.214 banorë që marrë parasysh luftërat e zhvilluara, pra masakrat, dëbimet, djegiet e shkatërrimet e të mirave materiale, është pak për t’i besuar kësaj shifre. Ndërsa në regjistrimin zyrtar të vitit 1921, pra dy vjet pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Prishtina i kishte 14.338 banorë. Mirëpo edhe gjatë këtij regjistrimi, si pasojë e rrethanave shtrënguese nga ana e pushtetit, prishtinasit në shumicë u deklaruan si turq. Madje të regjistruarit duhej ta deklaronin përkatësinë e tyre fetare dhe gjuhësore të paraparë me rregullat e regjistrimit të organizuar prej shtetit ekzistues të Mbretërisë serbo-kroato-sllovene. Në regjistrimin përkatës 9.684 prishtinas ishin deklaruar myslimanë, ortodoksë ishin 4.191, izraelitë 322, romano-katolikë 124 dhe evangjalistë ishin deklaruar 17 prishtinas.
Ndërsa 7.115 prishtinas si gjuhë të tyre amtare e kishin zgjedhur turqishten, 4.325 serbo-kroatishten, 1.421 prishtinas edhe më tej nuk kishin hequr dorë prej gjuhës së tyre amtare – gjuhës shqipe. Po në Prishtinën e viteve të njëzeta 17 banorë të saj gjuhë amtare e kishin rumanishten (cincarët), 9 rusishten, 5 polonishten, 4 gjermanishten, 3 çekishten, 3 frëngjishten, 2 sllovenishten, 1 italishten dhe 1.433 prishtinas flisnin në gjuhë të panjohura. Ndërsa tetë vjet më vonë, sipas regjistrimit të fundit të vitit 1924, Prishtina i kishte 2.928 shtëpi me 14.760 banorë. Pra në afat kohor prej 12 vjetësh kryeqendra e sotme e Kosovës i kishte 3.414 banorë më pak.