Shtojca për Kulturë

Prill 2019: “Notre Dame” midis dramës dhe solidaritetit

“Notre Dame”, 15 prill 2019

“Notre Dame”, 15 prill 2019

“Po digjej historia. Katedralja që nëse përkthehet në shqip mban emrin “Zonjë jonë”, u kishte mbijetuar shekujve. Madje edhe Revolucionit Francez më 1973, kur edhe u dëmtua goxha shumë. Djegia e saj e pjesshme u përjetua si djegie e historisë. Alarmi bëri që njerëzit të organizohen me fonde për rikonstruktimin e saj. Madje presidenti francez, Macron, ka dhënë një afat prej pesë vjetëve për rikonstruktim. Debati sa i përket kësaj pjese është një muhabet më vete. Palët janë të ndara. Krejt çka i bashkon aktualisht është se trashëgimia botërore ka marrë një goditje të madhe...”, do të shkruante “KOHA Ditore” e 20 prillit të vitit 2019, në Shtojcën për kulturë dedikuar katedrales “Notre Dame”

Prishtinë, 19 prill 2019 Shtëpia e Zotit e banesë e njerëzve, është sall një perceptim a shpjegim që i bëhet. Ndjesitë për ata që e kanë vizituar janë të ndryshme, siç janë edhe të atyre që e panë duke e kapluar zjarri e duke rënë kulla midis saj. Katedralja e Parisit, “Notre Dame” ka kohë që i ka tejkaluar kufijtë lokalë e shtetërorë. 13 milionë njerëz është mesatarja e numrit të vizitave vjetore. Lajmi se më 15 prill në orën 18:50 monumenti ka marrë flakë dhe pamjet direkte janë transmetuar gjithandej botës. Komentet ishin prej më të ndryshmeve, deri te vlerësimet se është djegur historia e Parisit, por edhe një pjesë e historisë së botës. Presidenti i Francës, Emanuel Macron, ka anuluar një paraqitje të tij publike atë mbrëmje. E solidarizimi për ofrimin e mjeteve për ta rindërtuar pjesën e djegur, ka thyer rekorde. Janë ofruar afro një miliard euro. Por s’është solidarizim vetëm për nga ana materiale. Sepse “Notre Dame” s’është veç e tillë.

Goditja e shumëfishtë

Pos zjarrfikësve që ishin krejt afër e më pas hynë edhe në brendësi të monumentit, që filloi të ndërtohej më 1160 dhe përfundoi pas afro 100 vjetëve, edhe qytetarët që ishin afër nuhatën erën e tymit. Po digjej historia. Katedralja që nëse përkthehet në shqip mban emrin “Zonjë jonë”, u kishte mbijetuar shekujve. Madje edhe Revolucionit Francez më 1973, kur edhe u dëmtua goxha shumë.

Djegia e saj e pjesshme u përjetua si djegie e historisë. Alarmi bëri që njerëzit të organizohen me fonde për rikonstruktimin e saj. Madje presidenti francez, Macron, ka dhënë një afat prej pesë vjetëve për rikonstruktim. Debati sa i përket kësaj pjese është një muhabet më vete. Palët janë të ndara. Krejt çka i bashkon aktualisht është se trashëgimia botërore ka marrë një goditje të madhe. 

Lajmi se më 15 prill në orën 18:50 të vitit 2019 monumenti ka marrë flakë, do të transmetohej direkt gjithandej botës. Komentet ishin prej më të ndryshmeve, deri te vlerësimet se është djegur historia e Parisit, por edhe një pjesë e historisë së botës

Filozofi Muhamedin Kullashi, anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, thotë se nga disa studiues francezë të historisë, katedralja është cilësuar si “monumenti më i bukur i artit gotik në Francë” dhe si “katedrale e katedraleve”. Kullashi, i cili ishte ambasador i Kosovës në Francë, thotë se djegia dhe rrënimi i një pjese të kësaj katedraleje është goditje që shkakton dhimbje në një kujtesë historike, në ndjeshmërinë artistike dhe spirituale e religjioze. 

“Kjo katedrale bart mbi supet e veta kohën dhe kohësinë, mban gjurmët e ngjarjeve historike, shoqëron dhe nxit imagjinaren artistike e spirituale-religjioze”, thotë Kullashi. Sipas tij, djegia thuajse fragjilizon qëndrueshmërinë e këtij monumenti, prek ndjenjën e sigurisë se ajo mund t’i rezistojë dhëmbit të kohës dhe ky aksident përkujton brishtësinë e saj përballë rrjedhës së kohës. Ka përmendur se hulumtuesit janë marrë edhe me përfytyrimet dhe imazhet mbi këtë katedrale gjatë shekujve, përderisa fasada dhe tri portalet e mëdha e tërësia e skulpturave të saj përbëjnë një kryevepër. 

“Këto janë të dekoruara me statuja, të cilat rrëfejnë ngjarje nga Bibla. Imazhi i anijes, e cila ilustron njëherësh fatin e katedrales dhe atë të Parisit (Fluctuat nec mergitur), zë vend në shumë tekste mbi katedralen dhe Parisin. ‘Shigjeta’ (La flèche) e Kishës dhe kullat e ‘Notre Dame’ bien në sy në shikimin e parë”, thotë Kullashi. 

Pak ditë para se monumenti të merrte flakë, kalimtarët e vizitorët e kishin rrethuar atë. Kishin një mundësi jetësore për të parë se si shenjtërorët po “zbrisnin” poshtë. Tërhiqeshin me anë të vinçave pasi ndërtesa i ishte nënshkruar rinovimit. Gjatë historisë së saj, katedralja që gjendet në “l’ile de la Cité” (Ishulli i qytetit) – që sipas Kullashit paraqitej edhe si “Djepi i Parisit” – ishte restauruar disa herë. 

Ky ishull i qytetit ka trajtën e një anije, në afërsi të pallateve të moçme mbretërore, që Kullashi shpjegon se sot është Pallati i Drejtësisë.

Filozofi shkon edhe përtej kësaj. Tregon se Evelyne Cohen, historiane dhe etnologe, është marrë me domethëniet e vizitave. Sipas Kullashit, ajo vë në pah evolucionin e “shijeve dhe sensibiliteteve“ të vizitorëve, veçmas të atyre nga mbarimi i shekullit XIX deri në mbarim të shekullit XX. Në ekspozitat universale, që u mbajtën në Paris në vitet 1878, 1900, 1937, zhvillohej si një rivalitet midis zbulimeve të “mrekullive” tekniko-shkencore dhe bukurive artistike e spirituale-religjoze të katedrales “Notre Dame”.

Për Kullashin, përderisa Kulla e Eiffelit, monument nga hekuri, ka të bëjë me kohën industriale, “Notre Dame” si katedrale e gurit, por edhe e drurit, paraqet një “realizim simbolik dhe estetik të artit gotik”, monument që përshkon ngjarje të rëndësishme të historisë së Francës. E përshkruan si vend i lutjeve, por edhe i soditjes së bukurive artistike, begatisë së invencionit të imagjinares estetike. 

“Madje disa hulumtime mbi perceptimet e vizitorëve tregojnë se ato janë të karakterit kryesisht kulturor e estetik, e më pastaj religjioz. Monumenti mban vijimësinë midis së kaluarës dhe së tashmes”, thotë Kullashi. 

Nerimane Kamberi, që midis lëndëve të tjera, ligjëron edhe për qytetërimin francez në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë, thotë se djegia e katedrales është një dramë e madhe jo vetëm për Francën. Sipas saj, këtë e dëshmojnë edhe reagimet nga e mbarë bota. Ka konsideruar se djegia e katedrales është diçka e pabesueshme. 

“Nuk është humbje e parekuperueshme, por duhet shumë kohë, shumë punë për t’i riparuar dëmet. Paratë u pa që nuk do të mungojnë”, ka thënë ajo. E ka përshkruar monumentin si katedralen e romanit të Viktor Hygos, të meshave, zërit të kambanave si në rastin e sulmeve terroriste, filmave francezë dhe të huaj, këngëve dhe fotove të të dashuruarve. 

“Parisi pa katedralen nuk do të ishte Parisi”, ka thënë Kamberi.

Përjetimet e veçantive

Si Kamberi ashtu edhe Kullashi e kanë vizituar disa herë katedralen. Kullashi thotë t’i ketë interesuar mundësia e vrojtimit të asaj që është e veçantë në këtë katedrale: si janë shpalosur në të aftësitë krijuese e artistike e spirituale të autorëve të saj, si është ndërtuar brenda saj gjakimi për ngritje nga qielli e qiellorja, veçantia e formësimit e veçantë të figurave që dekorojnë portalin, muret e jashtme dhe pikturat në brendinë e saj. 

Kujton se një herë, në brendinë e saj, i ka rënë në sy praktika e rrëfimit midis priftit dhe besimtarit, komunikimi midis tyre, dhe aq më tepër pse ky komunikim aty zhvillohej në një hapësirë të tejdukshme me vitrinë të xhamit, ku priftin e shihte jo vetëm rrëfyesi por edhe vizitorët që kalonin aty afër. 

“M’u kujtua se Foucault e interpretonte praktikën e rrëfimit si praktikë që ka ndikuar në formësimin e individualitetit të individit, gjatë shekujve, në Evropë. Rrëfyesi duhet të nxjerr nga thellësia e subjektivitetit të vet, nëpërmjet rrëfimit, në veçanti përjetimet që prekin ngjarjet që mund të lidhen me mëkatin. E sidomos tundimet e mishit (trupit), madje jo vetëm në gjendje të zgjuar por edhe ato që i janë shfaqur në ëndërr. Literatura mbi metodat dhe teknikat e cytjes së rrëfimit është një literaturë shumë e begatshme me aspektet e holla psikologjike”, thotë ai. 

E Kamberi thotë se madhështia e katedrales të bënë të mbetesh pa fjalë e pa frymë. Sa herë që shkon në Paris edhe nëse nuk hyn brenda, ndalet para saj, për ta nderuar. E shpjegon këtë si një lloj falënderimi, që është aty për ta bërë këtë qytet edhe më të bukur. 

“Më duket që shoh Esmeralden e Hygos që i bën naze Kuazimodos”, thotë Kamberi.

“Shpirti i vetë njerëzisë”

Vizitorët e shumtë kanë bërë që të shihet edhe trendi i asaj se çfarë u intereson atyre në këtë monument. Për këtë ofrohen edhe të dhëna. 

Filozofi Kullashi thotë se një pjesë e hulumtimeve është marrë me perceptimet e vizitorëve në kohën e hovit që mori turizmi i masës. Shquhen pyetjet që kanë të bëjnë me aftësitë e tyre për të parë, diktuar, shijuar dhe ndier bukuritë e kësaj kryevepre. Sipas Kullashit, hulumtuesit janë interesuar, në saje të anketave, se çka sheh dhe si i shikon turisti i masës skulpturat, pikturat, mozaikët dhe arkitekturën e monumentit. Thotë se disa prej tyre i shikojnë këto vepra krejt sipërfaqshëm, si imazhe nga faqet e revistave mondane. Shijet e tyre dalin të jenë pjesërisht kulturore e më rrallë estetike.

Kullashi thotë se diskursin e klerit francez, në komentet e tyre mbi vizitorët e Katedrales, disa e sintetizojnë me thënien e njohur të shkrimtarit Paul Claudel: “Në ‘Notre Dame’ hyn si turist e del si pelegrin”. Kullashi thotë se është cekur shpesh se romani historik i Viktor Hygosë “Notre Dame e Parisit”, i botuar me 1831, ka ndikuar në rritjen dhe zgjerimin e famës së “Notre Dame” edhe jashtë Francës. 

“Aty gjejmë një transponim letrar të disa ngjarjeve nga historia politike e Francës. Shquhet kryengritja popullore gjatë monarkisë së mbretit Charles X. Mirëpo, poeti Lamartine sikurse edhe romancieri Balzac kritikuan mjaft ashpër mangësitë artistike të romanit”, thotë ai. Sipas Kullashit, rëndësia historike e “Notre Dame” theksohet edhe duke përmendur, një pas një, “ngjarje të çmuara” që lidhen me pushtetet mbretërore, perandorake e presidenciale që kanë ndodhur në katedrale si: mbreti Saint-Louis duke e bartur kurorën me gjemba (1239), Charles VII, duke festuar aty çlirimin e Parisit (1437), kthimi i Henrikut IV në Paris, ceremonia e shenjtërimit të Napoleonit me 1804 deri te ceremonia zyrtare e 12 nëntorit 1970 me rastin e vdekjes së gjeneralit De Gaulle. 

Sa i përket historisë së Francës që lidhet edhe me katedralen, ka shkruar edhe Bernard-Henri Lévy, i cili konsiderohet si njëri prej intelektualëve kryesorë publikë francezë. 

Për të, vetë katedralja ka qenë dëshmitare e gjallë e shekujve të tërë të historisë franceze, përfshirë episodet që janë tani punë legjende. Ka thënë se i ka qëndruar përkrah Francës gjatë kalorësisë së saj mistike, lavdisë dhe errësirës së saj. Ka përmendur meshën për shënimin e çlirimit të Parisit më 1944 dhe te konvertimi i një motre më të vogël aty. 

“Mëngjesin tjetër, e mendova ‘Notre Damin” si Francën e Rezistencës. Ajo mishëron shenjtërinë gotike dhe qetësinë e Seines. Është besimi dhe bukuria që u bënë të dukshme. Dhe, natyrisht, fjalët e Hugos dhe Aragonit janë akoma aty, duke vallëzuar në kokën time të pagjumë. Pyes veten se si do ta përballoj ditën. Si do të përballemi me të nesërmen? Hugo më furnizon me përgjigje: ‘Koha është arkitekt, por populli janë masonët’”, ka shkruar ai. 

Sipas Lévys, në njëfarë mënyre, “Notre Dame” është shpirti i vetë njerëzisë dhe një copë e kësaj njerëzie tani është dëmtuar përjetë. Ka shkruar se si parisienët e tjerë, besonte se “Zonja Jonë” e nderuar të jetë e pavdekshme. Për Lévyn në fund të fundit, djegia e “Notre Dame” kujton brishtësinë e historisë dhe trashëgimisë sonë, pasigurinë e asaj që është ndërtuar dhe natyrën e përcaktuar të Evropës së mijëvjeçarit, mëmëdhe i arteve, për të cilën “Notre Dami” është një prej testamenteve më fisnike.

“Teksa shikojmë përpara, çfarë duhet të mendojmë? Çfarë duhet të bëjmë? Duhet të shpresojmë se sakrifica e ‘Notre Damit’ do të zgjojë vetëdijen e dremitur se, nëpërmjet kësaj katastrofe, njerëzit do të kuptojnë se Evropa është një ‘Notre Dame’ i nënkuptueshëm”, ka shkruar ai.

Rikonstruktimi dhe ajo që s’mund të kthehet

Katedralja do të rikonstruktohet. Por ka diçka që nuk mund të kthehet. Është ndjesia e vjetërsisë. 
Arkitekti Xhelal Llonçari thotë se humbja është më tepër në këtë rast e natyrës sentimentale sa i përket ndjesisë. Sipas tij, teknikisht do të bëhet ashtu siç ka qenë. 

“Nuk është problem struktura pasi ajo bëhet. Por detajet e trashëgimisë do të jenë problem. Është djegur një fond i madh brenda katedrales. Do ta ketë pamjen e njëjtë, por nuk do ta ketë vetëdijen e njerëzve sa i përket origjinalitetit”, thotë Llonçari, ligjërues në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. 

E quan fatmirësi faktin që zjarri nuk ka prekur një pjesë të madhe të strukturës gurore. 

Kullashi thotë se deklarata e presidentit francez se katedralja do të rindërtohet për pesë vjet, kishte për qëllim që, së pari, të zbusë dhimbjen për fatkeqësinë e njëherazi të dëshmojë për vendosmërinë e tij për të vepruar. Ka kujtuar se kryeministri Edouard Philippe, duke shkuar hapave të presidentit dhe në bashkërenditje me të, paralajmëroi një projektligj, i cili duhet të ofrojë një “suazë juridike për ndihmat që po jepen” për restaurimin e katedrales sikurse edhe një konkurs ndërkombëtar për arkitektët që do të autorizoheshin për restaurim.

Kullashi thotë se në debatet publike, disa kritikojnë planin e “ngutshëm” të presidentit Macron, i cili mund të shpjerë te zgjedhje të gabueshme, kur është fjala për zgjedhjet arkitekturale e teknike të restaurimit.

“Njëra nga çështjet kyç rreth së cilës po zhvillohen debate e dilema, siç vë në pah edhe një editorial i së përditshmes ‘Le Monde’, ka të bëjë me dilemat: a duhet rikonstruktimi të bëhet me të njëjtat materiale dhe me forma të njëjta (si ajo e ‘Shigjetës’), apo duhen përdorur materiale (metale), më të forta, që premtojnë kohëzgjatje më të madhe, si dhe forma moderne? Polemikë kjo e kamotshme midis modernistëve dhe konservatorëve lidhur me mbrojtjen e monumenteve të kulturës”, thotë Kullashi. Sipas tij, për opsionin e dytë angazhohen ata që mendojnë se nuk duhet harruar se gjatë shekujve vazhdimisht janë mbivendosur, njëri mbi tjetrin, stile dhe gjurma që i kanë kërkuar zgjidhjet arkitekturale dhe teknike të periudhës kohore të tyre.

Rikonstruktimin e monumentit, Kamberi e sheh si diçka interesante kur ka parasysh aspektin sociologjik rreth debateve për paratë e shumta që jepen për ndërtesën, përderisa derisa me muaj të tërë jelekverdhët protestojnë për pabarazinë sociale në Francë. Thotë se kësaj radhe francezët janë bërë një sikur në kohën e sulmeve kundër “Charlie Hebdo” apo në “Bataclan”, dhe pse dhimbja nuk është ajo e njëjta, sepse në rastin e katedrales nuk ka të vdekur dhe sipas gjasave fatkeqësia ka ndodhur në mënyrë aksidentale e jo nga ndonjë zjarrëvënie kriminale. Efektin e kujdesit ndaj trashëgimisë, sipas saj, “Notre Dame” e ka çuar deri në Kosovë. 

“Këto ditë kemi mundur të lexojmë komente me vend e pa vend rreth mbrojtjes, ruajtjes, financimit të objekteve të trashëgimisë në Kosovë dhe Shqipëri. Pra është një sinjal për vetëdijesim më të madh”, thotë Kamberi. Si procese delikat e sheh rikonstruktimin e trashëgimisë kulturore. Për këtë përmend Urën e Mostarit në Bosnjë dhe qytetin e Palmyras në Siri. 

“’Notre Dame’ që ishte nuk do të jetë kurrë më e njëjtë, por memoria është ajo që e ndihmon rindërtimin krahas gurëve dhe e kthen shkëlqimin e atij monumenti apo e atij vendi”, thotë Kamberi. 
Midis vendeve që kanë ndihmuar me mjete financiare për rindërtimin e pjesës së djegur të Katedrales janë edhe Kosova e Shqipëria. Shteti më i ri në Evropë ka ndarë 20 mijë euro. Për këtë vendim, Qeveria edhe është kritikuar. 

Por filozofi Kullashi përmend një fakt të rëndësishëm sa i përket raporteve midis Kosovës dhe klerit fetar francez. Thotë se vlen të përmendet që Episkopati i Francës, përkatësisht Komisioni i tij “Justice et paix”(Drejtësi dhe paqe), më 1993 sajoi njërin nga raportet më të mira me nivelin e elaborimit, mbi krimet e shtetit serb në Kosovë. 

“Personalitete të larta të Episkopatit francez kërkuan me ngulm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për ndaljen e krimeve të regjimit serb në Kosovë dhe çlirimin e Kosovës”, thotë Kullashi. 

Nga kjo del se historia e monumentit lidhet edhe me shtetin më të ri të Evropës përtej vizitorëve që kanë hyrë në të nga këto anë. E se kur do të jetë gati si e kompletuar për vizitorë të rinj nuk dihet. Por është e sigurt se pas rindërtimit do të ketë edhe një shtresë të re të historisë, atë të flakës së këtij shekulli, por edhe atë të solidarizimit që është tregues i ndjeshmërisë ndaj trashëgimisë kulturore.

Ky tekst u botua për herë të parë në Shtojcën për kulturë të “Kohës Ditore” të 20 prillit të vitit 2019, dedikuar katedrales “Notre Dame”. 

© KOHA Ditore