Kompozitori Rauf Dhomi është nderuar si personalitet që ka lënë gjurmë në artin e kulturën e vendit. Por mbi të gjitha koncerti i shkollës së muzikës “Prenk Jakova” është nder për të gjithë ata muzikantë e profesorë kur brezi i ri luan mjeshtërisht dhe dëshmon të ardhmen e skenës muzikore në vend. Por ajo që shihet në skenë është kontrasti i kushteve të kësaj shkolle. Koncerti është i pari në kuadër të turneut, përderisa “Prenk Jakova” ka vjet që është në “turne” pa objekt të vetin
Kompozitori është nderuar si personalitet që ka lënë gjurmë në artin e kulturën e vendit. Në repertor kanë qenë edhe veprat e kompozitorëve të shquar botërorë me të cilat janë sfidat talentët e rinj si pasardhës të skenës së muzikës klasike në vend.
Është koncert tradicional ai që e organizon shkolla e muzikës “Prenk Jakova” në kryeqytet. Ashtu edhe dedikimi që adresohet nëpërmjet programit. Por sivjet vjen edhe si turne në qytetet e Kosovës e të Shqipërisë.
Salla e Ateliesë së Pallatit të Rinisë në Prishtinë ka qenë plot për koncertin me muzikë klasike të muzikantëve e këngëtarëve rioshë. Nuk kanë mjaftuar kapacitetet e saj për akomodimin e krejt atyre që kanë ndjekur koncertin. Aty ku zënë vend koncertet e Filarmonisë së Kosovës, orkestra e kori i shkollës kanë qenë imazhi i një lloj versioni “junior” i institucionit shtetëror të muzikës klasike.
Drejtoresha e shkollës “Prenk Jakova”, Jeta Dida-Bujari, para nisjes së koncertit ka ndarë mirënjohje për akademikun e kompozitorin Rauf Dhomi. Ka thënë se si institucion edukativ në fushën e muzikës kanë për qëllim të nderojnë personalitetet e shquara dhe të kontribuojnë në edukimin e njohjen e gjeneratave të reja me opusin krijues të tyre.
“Turneu i koncerteve këtë vit i kushtohet kompozitorit Rauf Dhomi, artistit të shquar që dha kontribut të rëndësishëm në fushën e artit në vend. Përmes muzikës së tij ai ka ndërtuar ura të forta lidhëse mes nesh dhe kulturës sonë, ka rritur ndjenjën e atdhedashurisë duke qenë i guximshëm në aspektin përmbajtjesor të veprave edhe në kohë të vështira”, ka thënë Dida-Bujari.

Me mirënjohje është nderuar profesoresha e pianos Lejla Pula. Loja e saj është vlerësuar karakteristike për ndjeshmërinë, tingullin e thellë e virtuozitetin.
Interpretimi i një vepre - “Lacrimosa” e Mozartit – ka qenë forma me të cilën është kujtuar profesori Bajar Berisha, i cili vdiq në fillim të këtij viti. Është thënë se kjo pjesë nga “Requiem” kishte qenë shumë e dashur për dirigjentin Berisha.
Programi muzikor është hapur me veprën “Rondo” të Dhomit. Vepra vokalo-instrumentale është sjellë në version të lojës së instrumenteve me violonçel e piano nga Yll Haliti dhe Bleta Martinaj. Loja ka qenë harmonizim i pianos me violonçelin që i jep ngjyra të melankolisë veprës, siç është vetë natyra e instrumentit.
“Të falemi o dhe” ka qenë një shembull i prezantimit të punës së kompozitorit Dhomi në repertorin operistik shqiptar. Aria nga opera “Dasma arbëreshe” e Dhomit për kor të përzier ka qenë interpretim emocional që i kushtohet atdheut.
“A kanë ujë ato burime”, përpunim i këngës nga Kujtim Nushi, ka qenë interpretim i veçantë sa i përket kombinimit mahnitës të zërave.
“Lacrimosa” nga mesha e famshme “Requiem” e austriakut Wolfgang Amadeus Mozart ka qenë kënga liturgjike të cilën me mjeshtëri e kanë sjellë kori i shkollës së muzikës “Prenk Jakova”.
Si soliste ka interpretuar Elsa Gashi në piano. Bashkë me orkestrën kanë luajtur kohën e parë të “Koncertit Nr. 1” për piano dhe orkestër të Bachut.
Pianistja Elsa Gashi, që kishte ndjekur mësimet në klasën e profesoreshës Lejla Pula, ka thënë se kjo vepër ka qenë sfiduese për nivelin e tyre.
“Kam interpretuar koncertin e Bachut në D-mol që nuk është prej koncerteve të lehta. Është jashtëzakonisht i vështirë për moshën tonë, por së bashku ia kemi dalë mirë”, ka thënë ajo.
Profesoresha Lejla Pula ka thënë se për një pedagog lumturia më e madhe është të shohë rezultatin e punës së tyre tek ish-studentët.
“Sivjet mbushi plot 43 vjet në këtë profesion, të shkollimit dhe ngritjes së kuadrove pianistike në Kosovë. Jam shumë e lumtur, për një pedagog nuk ka lumturi më të madhe se të shohë rezultatin e punës së vet dhe të ish-studentëve. Unë gëzohem shumë me suksesin e sotëm të Elsa Gashit, që është një pianiste e re shumë e talentuar, mirëpo e cila e ka përpara karrierën koncertale”, ka thënë profesoresha e pianistja Pula.

E ka cilësuar pianisten e re Gashi si të talentuar, virtuoze e shumë të dashur. Në përgjithësi, sipas saj, po rritet interesimi i të rinjve për t’u marrë me muzikë.
“Duket se po masivizohen, çdoherë e më shumë ka nxënës që janë të interesuar për të ndjekur mësimet në shkollën e muzikës. Edhe pse na duket se mund të ketë krizë në kohën e digjitalizimit, mendoj se megjithatë dashuria ndaj muzikës dhe aktit të interpretimit nuk do të shuhet”, ka thënë Pula për KOHËN.
Pianoja e ansambli i instrumenteve harkore kanë nisur lojën harmonike ndërmjet tyre. Harqet shkojnë duke u shuar derisa një zë shumë i lehtë i tingullit mbetet i lidhur me tingujt e pianos.
Solistja tjetër ka qenë violinistja Aiola Bajrami, e cila ka interpretuar koncertin “Four Season” për violinë dhe orkestër të italianit Antonio Vivaldi.
Ka nisur me lojën paralele të Bajramit me pjesën tjetër të harqeve në lojë të lehtë që shkëputet për të sjellë tingujt dinamikë. Kryesisht violonçelët e mbajnë ritmin.
Në interpretimin e pjesës tradicionale “Romanian folk dance” të kompozitorit hungarez Béla Bartók, janë bashkuar edhe frymorët. Kështu shkolla e muzikës “Prenk Jakova” ka shpalosur kapacitetet e saj në sektorë të ndryshëm që e ndërtojnë krejt formacionin e orkestrës së institucionit edukativ. Në fillim ka qenë serioze derisa i ka dhënë ngjyra një pjesë solo e lojës së klarinetës. Ritmin e saj e kanë ndjekur më pas edhe instrumentet e tjera. Ndërsa loja solo është e theksuar, nëpër partitura të veprës është dalluar edhe flauti.
Koncertin e ka dirigjuar Lirjona Sylejmani, profesoreshë në shkollën “Prenk Jakova” e asistent-dirigjente e Orkestrës së Forcës së Sigurisë së Kosovës, në bashkëpunim me profesorin e kësaj shkolle, Fatbardh Dubovci.
Sylejmani ka thënë se qysh në fillim të vitit kanë qenë të informuar se koncerti sivjet i kushtohet kompozitorit Dhomi. Qysh atëkohë kishin nisur provat e përgatitjet për programin.
“Në fillim të vitit kemi qenë të informuar se ky koncert do t’i kushtohet kompozitorit Rauf Dhomi. Ai ka vepra mjaft komplekse që është e vështirë t’i përballojë një orkestër dhe kor i një shkolle të mesme. Ne jemi munduar të zgjedhim dy vepra. Sa i përket veprave serioze jemi munduar t’i sfidojmë nxënësit pasi janë nxënës të mrekullueshëm, me super talent, shumë punëtorë dhe pozitivë”, ka thënë Sylejmani.
Ka bërë të ditur se këtë vit do të realizojnë tuneun i cili vitin e kaluar kishte dështuar për shkak të mungesës së mbështetjes.
“Këtë vit do ta realizojmë turneun. Vitin e kaluar ka dështuar për shkak të mosmbështetjes. Mirëpo pas koncertit që ishte vitin e kaluar e që ishte pritur jashtëzakonisht mirë, na është bërë edhe ftesa në Gjirokastër në festivalin ‘GjiroKlasika’ që është një festival me rëndësi të madhe në botën e muzikës serioze, na kanë ftuar në hapje të festivalit. E kemi parë të rëndësishme që doemos t’i gjejmë fondet”, ka thënë Sylejmani.
Shkolla e muzikës “Prenk Jakova” do të mbajë koncert edhe në Gjakovë në sallën koncertale të shkollës “Prenk Jakova” më datë 13, ndërsa dy ditë më pas në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Më 16 maj e hap festivalin “GjiroKlasika” në Gjirokastër në teatrin “Zihni Sako”.
Nxënësit e shkollës “Prenk Jakova” tok me mësimdhënësit, përherë kanë qenë adresa numër një për mbajtjen gjallë të skenës së muzikës në vend. Shumica prej emrave të shquar kanë dalë prej aty. Mungesa e objektit, premtimet disavjeçare për ta bërë këtë shkollë me objekt të vetin, janë tjetër histori. Profesionalizmi që shfaq “Prenk Jakova” në skenë është kontrasti i kushteve të shkollës të vendosur “përkohësisht” në kthinat e një objekti tjetër shkollor.