Shtojca për Kulturë

Po Alban, kemi qenë

Nebi Qena dhe Alban Bujari

Nebi Qena dhe Alban Bujari

Alban, unë posa e kuptova që po flas me ty sikur ende të kam pranë. Ku mbetëm pra… - Eh, po, kemi qenë një herë unë, Xhovani, ti, Tina… Haziri, Bugari, Luki, Visari, Arbëri, Antonio, Tyleri...

Rreth dy javë më parë, aty nga mesi i këtij muaji shkurt, më kaploi një frikë se rrëfimet e mia do të humbnin pa Albanin. Se pa të nuk do të përmendesha në asnjë bisedë mes miqve, në asnjë tavolinë kur heshtja e momentit thyhet me rrudhje balli sikur në kërkim të kujtimit të përcjellë me një marrje të thellë fryme e pak tym duhani vazhdon me “Eh, kemi qenë një herë unë e Beni…” 

-    Po Alban, kemi qenë.

Ishim unë e ti. Ishe ti me Afrimin. Unë, ti, Afrimi e Tina.
Permutacione të pafundme. Pa fund sa edhe kujtime.

Nga e majta: Alban Bujari, Afrim Vitia – Xhovani dhe Nebi Qena më 2001

Nuk e ndava këtë frikë me askënd. As me Tinën, as me Afrimin. E aq më pak me ty, edhe pse dëgjoheshim me rregull, qoftë edhe sa për t’ia dëgjuar zërin njëri- tjetrit. Së paku tash telefonatat janë pa pagësë. Shumë më ndryshe në krahasim me ditët e para të telefonisë mobile kur mbushja shpenzohej shpejt e për të kursyer kreditin, thirrjet kufizoheshin në vetëm një cingërimë. Missed call d.m.th: “thirrëm se s’kam kredit.” E kështu me celular në dorë prisnim thirrjet me qëllim që të lajmëroheshim me cingërimën e parë vetëm sa për ta shpenzuar thirrësin. 

- “Hah! E zura!” – Urdhëro!” 
- Shih, pse bre u lajmërove?”

E sheh, miqësia jonë është më e vjetër edhe se vetë celularët. Është e shekullit të kaluar. Edhe ti ishe i shekullit të kaluar. Dhe këtë e them në kuptimin më të mirë. I një kohe më të mirë. Me rrënjë të thella në gjëra që kanë vlerë. Jo sikur tash. Me gjasë po plakemi e po bëhemi me konservatorë.

Asaj vale të frikës që më kaploi aty nga mesi i muajit shkurt nuk i dhashë fare rëndësi dhe e futa në skutë të mendjes sikur një rrobë në sirtar që nuk meriton të bëhet pjesë e gardërobës së ditës. Nuk e regjistrova aspak dhe tash kur i jap me shumë vëmendje, e kam bindjen sikur e vura në kornizë të një të ardhmeje mjaft të largët. Diku në ditët kur kujtesa ime zbehet nga mosha e vazhdoj të mbështetem në kujtesën tënde fotografike. Kujtesën prej fotografi.

- “A e mban mend kur shkuem në Lubizhde, unë, ti, Tina, Xhovani me Corse, ka qenë e diel e që shkuam tek ai plaku në zadrugë që pinte ‘Lord’?”
- Po më kujtohet që shkuam në Romajë po plaku s’po më kujtohet…

Natyrisht që ti do ta mbaje mend. Duke katologuar negativat e filmave natyrisht që do të dije se çka kishim veshur atë dite të diel e çfarë cigaresh pinte plaku në zadruga rrugës për në Kuzhnin. Kemi qenë rreth vdekjes e kemi parë vdekje me apo pa dashje qëkur ishim të rinj. Unë disa vjet më i ri. E ti, fytyrë e njohur e Prishtinës qysh para luftës, me Montin tënd të kuq. Më duket të kam njohur para se te dija se kush ishe. Frajeri i Jetës, bashkëshorti i Jetës. Baba i Zjarrit, Sharrit. Djali i Fadilit e Myberasë. Miku im.

Nga e majta: Alban Bujari, Afrim Vitia – Xhovani dhe Nebi Qena më 2011 

Me një prerje të shpejtë gërshërësh kur ia mora flokët Zjarrit, mora përsipër një obligim të bëhem kumbarë i tij. Çfarë dite e bardhë. Sikur u bënë bashkë botët tona e të baballarëve tanë. Një lloj ndjenje e vazhdimësisë.

- A të kujtohet në Koshare për përvjetor që ishim…
- Eh, jo s’kam qenë unë me ju. Veç e di foton qe ja ke shkrepë Tinës atë ditë. Është në kornizë. Është në shtëpi.

Alban, unë posa e kuptova që po flas me ty sikur ende të kam pranë. Ku mbetëm pra…

- Eh, po, kemi qenë një herë unë, Xhovani, ti, Tina… Haziri, Bugari, Luki, Visari, Arbëri, Antonio, Tyleri...