Shtojca për Kulturë

Piktori tunizian me prejardhje shqiptare, pionier i abstraksionizmit që vdiq në mizori

Lutfi Arnauti (1944–2023)

Ai ishte një prej figurave më në zë të artit bashkëkohor në Tunizi, i shkolluar edhe në Paris, ku u ndikua prej abstraksionizmit, të cilin më pas Lutfi Arnauti, me prejardhje shqiptare, e solli edhe në vendin ku u lind dhe veproi. Përkundër punës së tij si profesor në Fakultetin e Arteve të Bukura në Tunizi dhe kontributit të madh në zhvillimin e artit bashkëkohor, u tërhoq kohëve të fundit, me krizën e rëndë që e goditi vendin. Me këtë krizë nuk kishte më mundësinë ta paguante qiranë e banesës dhe vdiq në shtëpinë e pleqve më 18 janar

Në Tunizi, sikurse në shumë vende në Lindjen e Mesme, kemi figura të njohura (politikanë, shkrimtarë, piktorë e tjerë) që mbajnë emrin e përbashkët Arnaut që tregon prejardhjen e tyre etnike, pra shqiptare. Siç dihet, prania shqiptare ushtarake e civile u shtri në Lindjen e Mesme me pushtimin osman të asaj pjese të botës në shekullin XVI, ku atje u formuan shumë vilajete që u bënë shtete të pavarura në shekullin XX. Në mesin e tyre janë Algjeria, Tunizia, Libia e të tjera.

Tunizia kishte pak prani shqiptare në krahasim me Algjerinë e Libinë, por megjithatë u paraqiten atje figura shqiptare ushtarake, politike dhe të kulturës. Në Tunizi mbahet në mend deri më sot ushtaraku dhe politikani Sinan pasha i Topojanit (1506–1596), i cili në konflikt për dominim në Mesdhe midis Perandorisë Osmane dhe asaj Spanjolle, arriti të fitojë në betejën e njohur në Halk al-Wal (La Goletta) kundër ushtrisë spanjolle, në shtatorin e vitit 1574. Me këtë u vendos sundimi osman në këtë vend deri më 1881, ku bë protektorat francez. Në krahasim me vilajete të tjera osmane, sundimi osman në Algjeri, Tunizi e Libi ishte formal, kurse pushtetin e mbante një elitë ushtarake me prejardhje osmane, që përmbante edhe elemente shqiptare.

Ndonëse prania shqiptare mbeti simbolike pas pavarësisë së Tunizisë më 1956, por kishte figura të njohura me mbiemrin e përbashkët Arnaut, që kishin kontribut të dalluar në jetën kulturore, përkatësisht në gazetari, në teatër, në art e të tjera. Mjafton të përmendet këtu aktori i njohur Mahmud Arnauti (1945–2012), kurse këto ditë vdiq piktori i njohur Lutfi Arnauti (1944–2023), i cili ishte prej pionierëve të abstraksionizmit në Tunizi.

Image
Me qëndrimin e Lutfi Arnautit në Paris filloi të shihet ndikimi i abstraksionizmit në pikturat e tij

I biri i gazetarit që bëri emër si piktor

Lutfi Arnauti u lind në Tunizi më 1944 në një familje me traditë dhe u rrit në kujdesin e të atit Muhamed Arnauti, i cili ishte gazetar i njohur që e themeloi gazetën politike e kulturore “al-Salam” (Paqja). Për këtë i ati e regjistroi në shkollën e mesme (al-Sadikija), e themeluar më 1875, që nxori elitën tuniziane në krye me Habib Burgibën, presidenti i parë tunizian (1957–1987). Më pas ai vazhdoi studimet në Institutin për Art, Arkitekturë dhe Urbanizëm në Tunizi, kurse më vonë u dërgua në Paris për të vazhduar studimet e larta në Fakultetin e Arteve të Bukura.

Me qëndrimin e tij në Paris filloi të shihet ndikimi i abstraksionizmit. Kështu me të kthyer në Tunizi ai filloi punën si profesor në Fakultetin e Arteve të Bukura dhe të paraqitet me veprat artistike me ndikim të qartë të abstraksionizmit, që ishte risi për Tunizi. Më 1963 mori pjesë së bashku me disa kolegë tunizianë, si Naxhib Belhoxha (1933–2009) dhe Sadok Gmach (1940) dhe dy francezë, në themelimin e “Grupi i të Gjashtit”, që kishte rol në promovimin e artit bashkëkohor, që inspirohet nga trashëgimia e pasur vendase.

Image
Krijimtaria e Lutfi Arnautit u shqua me inspirim të elementeve dekorative të artit mysliman në vend, që u bazuan në vija gjeometrike dhe elemente bimore

Figurë me peshë në zhvillimin e artit bashkëkohor

Në kuadër të këtij grupi, Lutfi Arnauti u shqua me inspirim të elementeve dekorative të artit mysliman në vend, që u paraqitën që nga shekulli VIII, që u bazuan në vija gjeometrike dhe elemente bimore. Ky kombinim i trashëgimisë vendase me abstraksionizmin u duk qysh në ekspozitën e tij të parë personale, që u mbajt në Institutin kulturor italian në Tunizni më 1965, e kështu vazhdoi me ekspozitën e dytë më 1968 dhe të tretë më 1976. Përveç kësaj, mori pjesë në disa ekspozita kolektive, që u hapen në Itali, Francë, Belgjikë e të tjera. Ndërkohë, më 1968, ai mori pjesë në themelimin e Lidhjes Nacionale për Artet e Bukura në Tunizi.

Përkundër punës së tij si profesor në Fakultetin e Arteve të Bukura, prej nga dolën disa gjenerata deri më 2022, dhe kontributit të madh në zhvillimin e artit bashkëkohor në Tunizi (1963–2022), Lutfi Arnauti ishte pak i tërhequr kohëve të fundit me krizën e rendë që e goditi Tunizinë prej vitit 2019. Me këtë krizë, që arriti kulmin më 2021, ai nuk e kishte më mundësinë ta paguante qiranë e banesës, ndaj kaloi në Shtëpinë e Pleqve, ku vdiq në mizori më 18 janar 2023.