“Teksa ecën midis veprave të tij që përthekohen në ekspozitën “Përtej ankthit të fantazisë”, piktori Nebih Muriqi kthehet shpejtazi prapa në kohë, për të kujtuar hapin e parë në botën e artit. Rrëfimi nëpërmjet veprave, është ai për dramën e njeriut. Thotë se krijuesi është me plot tërmet, dallgë e llavë vullkanike, vetëm varet nëse ai krijues ka ventilacion t’i gjuajë jashtë. Dhe ka kur jeta e pajis me përmbajtje”, shkruante “KOHA Ditore” më 11 dhjetor 2016 në një profil e bisedë me piktorin, poetin e kritikun Nebih Muriqi i cili vdiq të enjten e 25 korrikut, në moshën 81-vjeçare. Ky artikull ribotohet pa ndërhyrje në shenjë kujtimi për të
Prishtinë, dhjetor 2016 – Ilustrimet e kafshëve që ishin punuar me ngjyra në librin “Zoologjia” ia kishin tërhequr vëmendjen qysh në moshën parashkollore. Si fëmijë, Nebih Muriqi (73) do të kopjonte ato ilustrime.
“I riu lidhet shumë me ngjyra, pasi është emotiv”, thotë ai, i ulur në sallën e katit të parë të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Kishte punuar shumë në atë kohë dhe s’u ndal për shumë vjet. Thotë ta ketë mësuar zanatin ende pa shkuar në Shkollën e Mesme të Artit në Pejë. Me të parë objektin e kësaj shkolle imagjinata e Muriqit ishte “goditur” fort.
“Kur e kam parë për herë të parë Shkollën e Artit në Pejë, e kam parë një pikturë murale dhe jam lidhur emocionalisht me të. Pashë që është edhe më mirë të punohet me materiale tjera. Kjo shkollë ishte pesëvjeçare”, tregon ai derisa rrëfimin e zhvendos vite më pas.
“E dhunuara” si udhërrëfyese
Nebih Muriqi për dy vjet ka punuar si mësimdhënës i artit. I kujtohet mirë kur nga fshati Novoselë i Pejës me biçikletë kishte shkuar deri në Pejë e më pas me tren në Beograd. Për pesë vjet kishte studiuar në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd, derisa magjistroi në temën “Piktura monumentale në arkitekturën bashkëkohore”. Por rruga e tij deri te ky titull kishte shumë peripeci. Në vitin e tretë gati i ishte mbushur mendja t’i ndërpriste studimet shkaku i kushteve financiare.
“Në fillim e kam pasur shumë vështirë. Më është dashur të punoj natën që të shkoj ditën në Akademi. Punonim për panaire. Në vitin e tretë kam qenë në pikëpyetje nëse duhet ta vazhdoj apo jo. Këtë e hetuan në Akademi. E panë që materialisht jam shumë keq”, kujton Muriqi. Thotë se duheshin blerë disa përbërës për t’i kombinuar me ngjyra pluhuri. “E unë nuk mund t’i blija këto. Pluhuri kapet për karton, por kur të preket bie në tokë. Një profesor i pati rënë kokallë punimit dhe ngjyra ra në tokë”, rrëfen Muriqi, i cili numëron mbi dhjetë ekspozita personale e rreth 30 kolektive. I kishin mundësuar të shkonte në Poreç, ku kopjoheshin mozaikët e Bazilikës së Eufrazit. Aty kishte punuar për katër muaj. E një bursë prej 900 dinarësh në muaj që i ishte ndarë me propozimin e drejtorit të “Rilindjes”, Ismajl Bajra, i kishte mundësuar Muriqit të bëhej magjistër. I pensionuar si profesor në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, Muriqi thotë se në rrethanat e Kosovës, piktura monumentale nuk ekziston. E për Shqipëri ka një shpjegim tjetër.
“Në Shqipëri ekziston një lloj pikture monumentale e dirigjuar. Ka ndodhur që tre veta e kanë punuar një pikturë. Nëse e përkthejmë në letërsi i bie që tre veta kanë mundur ta shkruajnë një roman”, thotë ai. Midis pikturave të tij që janë pjesë e ekspozitës retrospektive të hapur së fundmi në Galerinë Kombëtare të Kosovës, thotë se gjithë jetën e ka kaluar me ngjyra e vija në pëlhurë e në letër. Konsideron se njeriu është sikur oqeani. “Kur e tund stuhia, i gjuan valët. Krijuesi është me plot tërmet, dallgë e llavë vullkanike. Vetëm varet nëse ai krijues ka ventilacion t’i gjuajë jashtë. Dhe ka kur jeta e pajis me përmbajtje”, thotë Muriqi, derisa ecën krahas pikturave, në ekspozitën e titulluar “Përtej ankthit të fantazisë”, që merr fort kuptim nëpërmjet veprave.
“E dhunuara” qëllimisht është vendosur në hyrje të sallës. Për vizatimin me tush, thotë se është shumë ekspresiv.
“Ajo femër është lënë e ngrirë në gjak dhe ka ikur nga fytyra e vet”, thotë ai, teksa flet për vizatimin që qëndron pranë një hapësire me ujë dhe ka mbuluar fytyrën me dorë. Renditjen e punimeve e cilëson si një organizim të çuditshëm.
“Në fillim vjen ‘E dhunuara’, e cila shkakton një shqetësim të çuditshëm psikologjik dhe e obligon njeriun që t’i përcjellë me vëmendje të gjitha punimet. Ajo e kap njeriun për dore dhe e detyron t’i shohë të tjerat. Pastaj vjen ‘Mendimtari’, ‘Telat’, ‘Pushkatimi’”, thotë Muriqi.

“Simfonia blu”, për jetën dhe vdekjen
Pikturat e vizatimet ku paraqiten shqiponjat, grilat, turmat e njerëzve në pyll, ujku, fëmijë të tronditur janë të lidhura me fatin e popullit shqiptar. Muriqi thotë se në këtë ekspozitë njeriu mund ta shohë se çfarë fati e ka përcjellë një komb.
“Pas kësaj drame janë pesë shqiponjat, si shpend magjik apo zot i qiellit që përsëri fluturojnë. Vijnë përsëri grilat. Pas grilave janë turmat e njerëzve në pyll e atëherë vjen ujku”, thotë ai.
Vizatimet me kokat e zymta, ku secila fytyrë duket më e lodhur se tjetra përtej grilave, asocion me burgjet që dikur ishin mbushur me shqiptarë. Këtë çështje autori e konsideron si aktuale edhe tash. Jeta dhe vdekja përplasen fort në pikturat monumentale të formatit deri në dy me dy metra.
“Simfonia blu” mund të konsiderohet edhe si kryevepra e tij. Në këtë tablo ka bërë një rrumbullakim të luftës së fundit në Kosovë.
“Është një pikturë monumentale e përmasave dy me dy metra dhe ka lindur nga dheu i përgjakur i Prekazit. Në fillim e kam quajtur ‘Prekazi’ e tash quhet ‘Simfonia blu’, për faktin se e kam përgjithësuar temën, pasi është temë gjithënjerëzore”, thotë ai.
Katër vjet i janë dashur për ta finalizuar këtë pikturë. Vdekja e shpëtimi janë afër njëra-tjetrës në “Simfonia...”. E “Ujku” zë vend pikërisht në midis të grilave, pushkatimit e dhunimit. Kapërcimi në trupat e femrave nudo, bëhet si për t’i nxjerrë vizitorët nga bota e dhunës. Por këto punime në ekspozitën me kurator Zeni Ballazhin përballen me njerëzit e hutuar në male, që nuk dinë nga t’ia mbajnë. Pjesë e mozaikut janë edhe “Bjeshkët e Nemuna”.
Për njërin prej vizatimeve i është shprehur interesim ta shesë. Por nuk e ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë. Thotë se dikur shiteshin punimet, por tash kanë ndërruar gjërat.
“Nuk paguhen dhe nuk ka më koleksionistë siç kishte më herët”, thotë ai. Për shkaqe materiale, teknike e të hapësirës ka punuar vizatime të panumërta. E vizatimin e cilëson si alfabetin e këtij arti.
“Vizatimi është vepër e pavarur origjinale e papërsëritshme. Ka vlera kreative. I iket vizatimit, sepse është 100 herë më i ndërlikuar sesa teknikat tjera. Por kush është vizatues i mirë, ai është skulptor i mirë, piktor, grafist e dizajner i mirë”, thotë Muriqi.
Nuk përton të flasë me orë të tëra për artin, jo vetëm për faktin që një kohë të gjatë ka punuar si profesor universitar, por edhe e zotëron atë fort. “Përtej ankthit të fantazisë”, ku dramës shqiptare i ka dhënë përmasa universale, është dëshmia e radhës. Sepse ky është krijuesi me plot tërmet, dallgë e llavë vullkanike. E jeta kaherë e ka pajisur me përmbajtje.