Shtojca për Kulturë

Pianoja “e pamjaftueshme” për virtuozin në dyluftim me tinguj

Kryefjala e natës të tretë të “Chopin Piano Festit” ka qenë Kosti Deti, virtuozi nga Shqipëria, i cili instrumentin e pianos në dy orë program e shndërroi në një gjallesë me të cilën shkëmben energji e temperament të zjarrtë (Foto: Chopin Piano Fest)

Kryefjala e natës të tretë të “Chopin Piano Festit” ka qenë Kosti Deti, virtuozi nga Shqipëria, i cili instrumentin e pianos në dy orë program e shndërroi në një gjallesë me të cilën shkëmben energji e temperament të zjarrtë (Foto: Chopin Piano Fest)

Sapo nis e luan, duket sikur pianoja është e pamjaftueshme për të, prej saj kërkon edhe më, interpretimi shndërrohet në një lloj dyluftimi me tinguj. Kosti Deti fitues i pesëdhjetë çmimeve gjithandej, është virtuoz në kuptimin e plotë të fjalës, dhe nata e tretë e “Chopin Piano Festit” i ka takuar krejt atij, e për publikun ka qenë një dhuratë prej një mjeshtri të lojës në piano

Mjeshtëria teknike dhe thellësia emocionale, të përforcuara nga një atmosferë dramatike e krijuar prej ndriçimit të sallës në të kuq, do të ishin veç një përshkrim i thjeshtë i koncertit të tretë në kuadër të edicionit të 14 festivalit më të madh të pianos në vend, “Chopin Piano Fest”. Kryefjala qe Kosti Deti, virtuozi nga Shqipëria, i cili instrumentin e pianos në dy orë program e shndërroi në një gjallesë me të cilën shkëmben energji e temperament të zjarrtë. 

Audienca e cila kishte zënë vendet në amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në kryeqytet ishte gati që të ndiqte një performancë me program të mbështetur në vepra muzikore nga literatura klasike evropiane, por vend në repertor Deti u ka bërë dhe dy kompozitorëve të mëdhenj shqiptarë. Veprat nga Feim Ibrahimi dhe Aleksandër Peçi u luajtën për publikun me një lojë brilante, e cila nga publiku u shërbye pa kursim me duartrokitje. 

Ky ka qenë koncerti i parë i Kosti Detit në Kosovë (Foto: Chopin Piano Fest) 

Si mysafir special në koncert ishte i ftuar ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, i cili i parapriu performancës së Kosti Detit me një fjalim i cili ndër të tjera evidentoi rolin që kanë festivalet e tilla për shkëmbimet ndërkulturore. 

“Ky festival do të thosha është një shembull i shkëlqyer i fuqisë së muzikës për të kapërcyer kufijtë dhe për të ndërtuar ato urat e nevojshme mes kulturave. Jo vetëm që e nderon trashëgiminë e madhe të njërit prej kompozitorëve më të mëdhenj dhe më të fuqishëm botërorë, por promovon dhe talentet e reja dhe nxit dialog kulturor të pasur dhe të shumëllojshëm”, kanë qenë fjalët me të cilat ambasadori Malaj ndër të tjera ka shprehur edhe admirimin për përkushtimin dhe pasionin e organizatoreve të festivalit. Sipas tij, me iniciativa të tilla audiencës i ofrohet mundësia e shijimit të pianos në të gjitha dimensionet. 

Recitali me piano filloi duke krijuar hije që thekson çdo lëvizje dhe shprehje të veprës “Fryn veriu” nga Aleksandër Peçi. Atmosfera u dend nga një energji e cila ngjan me melankolinë dhe ndjesinë e të mbinatyrshmes e cila ngërtheu vëmendjen që në lëvizjen e parë. 

Me “Sonatën nr. 32” të Beethovenit, edhe pasioni i Detit hodhi shtat. Gishtat e tij lëviznin me saktësi dhe bindje mbi tastierë, teksa trupi i tij lëkundej në harmoni me ritmin e muzikës. Shprehjet e tij të fytyrës qenë veç se një pasqyrë e një udhëtimi të thellë emocional nëpër sonatën e fundit të Beethovenit. Kryevepër për piano, por po aq sa edhe performanca e virtuozit nga Shqipëria, e cila shënohej nga një përqendrim i hatashëm që përthyej lehtazi kur Deti ndërronte faqet e partiturave, i flakte ato me shpejtësi po sikur të jetë pjesë e performancës. 

Pas përmbylljes së suksesshme të koncertit, festivali “Chopin...” i dhuroi pianistit kopjen e “Hyjneshës në fron” (Foto: Chopin Piano Fest) 

Kalimi në ”Ruines d'un Château” të Tchaikoskyt ishte po aq tërheqës. Nëpërmjet seksioneve me lirikë ilustrohej qartazi fabula prapa veprës, narrativa e humbjes dhe kujtesës. Soanata nr.4 “Kabacells” nga Aleksandër Peçi, vështirë e kuptueshme nga publiku, nëpërmjet lojës së Detit erdhi si një derdhje notash e drejtpërdrejt nga shpirti i tij, e cila përçoi natyrën ekstravagante me të cilën karakterizohen vepra. 

Impenjimi serioz në studimin e pianos dhe pasioni i regjur i Kosti Detit, janë tregues i potencialit të tij në rrugë për afirmim. Që nga viti 2021 ai studion nën mentorimin e njërit prej pianistëve më të vlerësuar në botë, Dimitri Alexeev. 
Recitali arriti kulmin emocionues me “Rapsodinë hungareze Nr. 6” të Franz Lisztit. Ndriçimi i kuq tani mori një kuptim edhe më të qartë, ishte pasqyrë e natyrës dinamike dhe të pasur të veprës. Virtuoziteti i Detit shkëlqeu derisa ai navigonte nëpër pasazhet komplekse të rapsodisë me shpejtësi dhe saktësi. Pasioni i tij bëhej i prekshëm nga publiku. Në fakt ai ngjante në një matador në dyluftim me tingujt, çdo gjest amplifikonte dramën brenda veprës.

Gjatë gjithë recitalit, lidhja e thellë e Detit me muzikën sa vinte e vërtetohej, ishte e pamohueshme, pikën perofrmancës së tij të parë para publikut kosovar ia vuri me një glisando e cila çoi peshë të pranishmit. Pas përmbylljes së suksesshme të koncertit, festivali “Chopin...” i dhuroi një dhuratë. Një figurinë e cila paraqiste “Hyjneshën në fron”, e cila njëherësh qe shenja e cila do shënonte këtë herë të parë për të dhe publikun kosovar. 

Për vetë atë, paraqitja me një recital në Prishtinë përbën veçanti dhe kënaqësi të rrallë. Është hera e parë që ai shkel Kosovën dhe kujdesin e ka treguar te përzgjedhja e veçantë e repertorit. 

“Në fakt përzgjedhja e këtij repertori ishte me tendencë sepse repertori ishte i ndarë në dy gjysma: në muzikën klasike të literaturës pianistike botërore dhe asaj shqiptare duke u fokusuar te dy kompozitorë të mëdhenj si Feim Ibrahimi dhe Aleksandër Peçi. Nuk mund të lija pa i futur në repertor dy kompozitorë kaq të mëdhenj shqiptarë, sidomos për t’i luajtur në Kosovë. Veprat e tyre më të rëndësishme ‘Tokatën’ e Feim Ibrahimit dhe e ‘Sonatën’ e Aleksandër Peçit, e cila ishte projektuar për t’u luajtur disa vjet më përpara këtu, nuk u bë e mundur dhe si të thuash... e kisha si borxh për publikun kosovar që ta interpretoj”, është shprehur Deti. 

Kosti Deti bën pjesë te kuadrot e piketuara nga drejtoresha artistike e “Chopin...”, Lejla Pula, e kjo për drejtoreshën organizative Besa Luzha, është fat dhe krenari që emra të tillë të bëhen pjesë e këtij festivali. 

“Profesoresha Lejla Pula si pianiste dhe anëtare e jurive të shumta nëpër gara të shumta botërore, ka njohur performues të tillë qysh nga vegjëlia, kur kanë fituar çmime dhe i përcjell vazhdimisht ata. Pastaj ne tentojmë që t’i ftojmë ata para publikut të Prishtinës. Kështu që kur arritëm ta sjellim këtu ishim shumë të kënaqur dhe e dinim se do të jetë i pranishëm me virtuozitetin e tij edhe veprat që ishin të zgjedhura, ishin shumë të guximshme sikur karakteri i tij. Gjithçka që solli, e solli me një mjeshtri dhe emocion me një karakter dhe temperament tamam qysh e kemi pritur”, ka thënë Luzha në një prononcim për KOHËN. 

“Chopini Piano Festi” sapo ka marrë vrull. Janë të tjerë isntrumentistë virtuozë që presin të ngjiten në skenë.