Shtojca për Kulturë

“Pesë stinët e fëmijërisë sime” në animim të vetes nëpër kujtime

Pese stinet

“Pesë stinët...” pozicionohet si dokumentar biografik i animuar. Xhirimet kanë zgjatur më shumë se një vit, ndërsa imazhet lëvizëse në të paraqesin lokacione që definojnë banimin, shkollimin e pasionin e asaj kohe të karakterit në film. E personazhi është vetë autori i filmit, Besim Ugzmajli

Ka diçka tejet unike në filmin e Besim Ugzmajlit për aq sa ambienti e objektet janë reale, ndërsa karakteri që e portretizon vetë atë, vjen i animuar. Në këtë formë, ai e ka ndërtuar figurën e tij lëvizëse në film duke dokumentuar kujtimet mbi të cilat e ndërton krejt rrëfimin. Kthehet në fëmijëri, e animon vetveten në kohë tjetër. Ngërthen pamjen nga ekrani ku filmat e vizatuar ishin një prej formave të argëtimit

Nëse një periudhë kohore do të mund të kthehej, kjo do të ngjante veç me përsëritjen e stinëve. Ato ikin e cikli tjetër sjell tjetrën, por jo i njëjtë është njeriu. Ai evoluon. Me të edhe vetë koha e tij, jeta. Provë për këtë është filmi i Besim Ugzmajlit. 

“Pesë stinët e fëmijërisë sime” e përmbyll këtë cikël të stinëve dhe atë e vazhdon në stinën tjetër në radhë si dëshmi se e njëjta e gjen njeriun në një tjetër shkallë. Vetë krijuesin e filmit. Ai është personazhi dhe rrëfimi në filmin 15-minutësh ndërtohet mbi fëmijërinë e tij. 

Ka diçka tejet unike në filmin e Ugzmajlit për aq sa ambienti e objektet janë reale, ndërsa karakteri që e portretizon vetë atë, vjen i animuar. Në këtë formë ai e ka ndërtuar figurën e tij lëvizëse në film duke dokumentuar kujtimet mbi të cilat e ndërton krejt rrëfimin. 

Përtej skenës e kinematografisë vendore, jo shpesh shihet një teknikë e tillë edhe në atë ndërkombëtare. Ai shkon më larg duke e animuar veten në film. Ka një filozofi të thjeshtë që e bën edhe më kuptimplotë rrëfimin e fëmijërisë së tij. Ngërthen pamjen nga ekrani ku filmat e vizatuar ishin një prej formave të argëtimit.  

“Ka qenë pikëpamje imja për fëmijërinë. Kujtimet tona të fëmijërisë shpeshherë janë të turbullta për shkak të kujtesës, ngjarjeve që kanë ndodhur. Për shkak të asaj kohe që kemi qenë të lidhur me animacionin, kam dashur që këtë film të mos e bëjmë me aktorë, por në një tjetër nivel estetik e përmbajtjesor”, ka thënë Besim Ugzmajli, regjisor, skenarist e producent i filmit “Pesë stinët e fëmijërisë sime”.

Në një bisedë për KOHËN ka zbuluar se është film që ngërthen dokumentim e fiksion, bashkë me animacionin si art më vete. 

“Për herë të parë kam punuar në këtë formë. Madje nuk është hera e parë vetëm për mua, por është zhanër jashtëzakonisht i rrallë. Nuk kam pasur më herët diçka të tillë. Po flasim për një film ku zhanri është i përzier, ka dokumentar, fiksion dhe teknikën e animacionit brenda. Ka qenë përvojë krejt e re, por që me bashkëpunëtorët e animacionit ka shkuar shumë mirë”, ka thënë ai. 

Animacionet i ka punuar Flaka Kokolli bashkë me Salome Samadbegishvili dhe Giorgi Gabisonia. Nëpërmjet karakterit në film është projektuar imazhi i Ugzmajlit si fëmijë. 

“Personazhi lëviz brenda filmit, e bën të duket si dokumentar, por në fakt është fjala për një karakter të animuar, ku Flaka Kokolli ka bërë një punë të mrekullueshme, duke iu referuar fotografive të mia kur kam qenë i vogël dhe ka bërë një karakter lëvizës brenda videove në raport me atë se çfarë ndodh ashtu. Narracionin e kam bërë vetë natyrisht, pasi është storie personale”, ka thënë regjisori i filmit e teatrit, njëherësh edhe drejtor i teatrit “Adriana” në Ferizaj. 

“Pesë stinët...” pozicionohet si dokumentar biografik i animuar. Xhirimet kanë zgjatur më shumë se një vit, ndërsa imazhet lëvizëse në të paraqesin lokacione që definojnë banimin, shkollimin e pasionin e asaj kohe të karakterit në film. 

“Ngjarja kryesisht zhvillohet për fëmijërinë time dhe në relacion me të tashmen. Janë disa krahasime të vendbanimeve nga koha e fëmijërisë dhe sesi ato kanë degraduar dhe janë zhvilluar për së mbrapshti pas gjithë këtyre viteve. Flitet për pesë stinë. Fillon me pranverën dhe mbaron me pranverën tjetër. Xhirimet kanë zgjatur për më shumë se një vit pasi flitet për gjithë këto stinë dhe për të kaluarën, për fëmijërinë, ambientet ku jam rritur, jam shkolluar, kam pasur njohje me njerëz”, ka thënë Ugzmajli, duke theksuar se filmi flet për të kaluarën e tij dhe atë se si ajo korrespondon me të tashmen. 

Ngjarjet zhvillohen në Kosovën e viteve ’90, ku fëmijërinë e Ugzmajlit e përcjellin ngjarjet dramatike të asaj kohe në vend. Por nga perspektiva e një fëmije, ngjarjet politike nuk përfshihen fort.  

“Janë edhe rrethana okupimi e lufte, por ajo nuk është në qendër. Është më shumë një këndvështrim i një fëmije për situatën dhe fëmijët zakonisht shohin ambiente përreth tyre dhe nuk e kanë ngarkesën politike të ngjarjes. Edhe unë kur kam folur për fëmijërinë time kam folur për kujtimet që kam pasur në relacion më ambientin. Gjithçka ndodh duke bërë krahasimin e atyre ambienteve të asaj kohe me të njëjtat ambiente sot”, ka thënë regjisori, skenaristi e producenti i filmit “Pesë stinët e fëmijërisë sime”. 

Animacionet i ka punuar Flaka Kokolli bashkë me Salome Samadbegishvili dhe Giorgi Gabisonia. Nëpërmjet karakterit në film është projektuar imazhi i Ugzmajlit si fëmijë

Titulli fillimisht reflekton në idenë e një filmi që shpalos ngjarje krejtësisht të imagjinuar. Vetëm derisa të bëhet me dije se hyrja në film në stinën e pranverës, përthekimi i katër stinëve dhe mbarimi me stinën në radhë, pra pranverën, është një ilustrim filozofik. Një pikëpamje tjetër, retrospektive e autorit mbi jetën e tij të hershme. 

“Është një lloj cikli i zakonshëm i ndërrimit të stinëve. Sikurse është ndërrimi i minutave, orëve, ditëve. Por që për jetën e njeriut ato nuk janë thjesht ndërrime, për shkak të evoluimit të tij. Duket një lloj përsëritje në relacion me kohën, por jo për ngjarjet tona për jetën tonë. Ne zhvillohemi, rritemi, plakemi, krijojmë raporte me njerëz, kemi gëzimet dhe tragjeditë tona. Ndërsa përsëritja rutinë e stinëve është brenda domenit të vet, por jo si ngjarje, gjendje emocionale, jo si moshë”, ka thënë Ugzmajli. 

Për “Pesë stinët...” ai ka punuar me agjencinë e distribuimit “Mailuki Films” nga Spanja. Për shkaqe të shpërndarjes së filmit, Ugzmajli ka bërë të ditur se kjo agjenci konsiderohet si bashkëprodhuese e projektit. Ky është i pesti bashkëpunim ndërmjet tij dhe kompanisë spanjolle. “Forgive me” dhe “Red day” janë disa. 

Përderisa Ugzmajli nuk ka dhënë dhënë detaje rreth premierës, “Mailuki Films”, ka shkruar në ueb-faqen e tyre se “’Five Seasons of My Childhood’ do të ketë premierën botërore në një nga festivalet më të mira ndërkombëtare vjeshtën e ardhshme”. 

Në prezantimin e tyre bëhet e ditur se zgjedhin pavarësinë e projektit kinematografik. 

“Të jesh i pavarur nuk është vetëm një qëndrim, por zgjedhja jonë jetësore. Katalogu ynë përfshin filma të shkurtër të prodhuar në shumë vende të ndryshme të Azisë, Amerikës dhe Evropës, të realizuara nga filmbërësit më të talentuar, novatorë dhe më premtues të qarkut, dhe premiera në festivale prestigjioze; të tilla si Academy Awards, European Film Awards dhe të tjera”, shkruhet aty. 
Njeriu si fëmijë njihet me botën për herë të parë. Besim Ugzmajli e hedh vështrimin e tij aty edhe një tjetër herë. Në këtë përjetim synon ta fusë edhe publikun në ikje të përkohshme nga realiteti. Apo në zhvendosje të një realiteti të kaluar. Animon kujtimet, fëmijërinë tij.