Shtojca për Kulturë

Përvoja e perceptimit estetik

Thellësia është aspekti më zbulues i ndjenjës së qenies në veprën artistike. Në foto: “Filozofi duke lexuar”, Rembrandt van Rijn, ngjyra vaji, 60 me 48 centimetra, 1631

Përvoja estetike, përmes emocionit, synon të vërë në pah thellësinë e të padukshmes, ku është i vendosur fenomeni, të cilin emocion synon ta bëjë të dukshëm. Thellësia është aspekti më zbulues i ndjenjës së qenies në veprën artistike; është pika tangjente në të cilën takohen e bashkëveprojnë reciprokisht e jashtmja me të brendshmen, bota dhe njeriu. Përvoja estetike, si njohje, është instrumenti për ta bërë të dukshme këtë thellësi

Perceptimi estetik dhe njohja konceptuale

Perceptimin estetik, si akt intencional i ndërgjegjes prodhuese dhe receptuese estetike, nuk është një entitet i izoluar psikologjik-kognitiv apo një fenomen i izoluar në procesin e të vrojtuarit të botës së jashtme, por një aktivitet i rëndësishëm njohës, i cili nuk është identik, por as në kundërshtim me njohjen konceptuale. Perceptimi estetik është një aftësi njohëse, e cila i zbulon cilësitë që përmbajnë objektet perceptuese, marrëdhëniet, si dhe kapacitetet e tyre për t’i prodhuar efektet në procesin e ndriçimit të gjendjeve njerëzore. Perceptimi estetik përbën një agjent thelbësor për ndriçimin e kuptimeve të marrëdhënies që njeriu ndërton me veten dhe të tjerët, ashtu si dhe për ndriçimin e pozicionit të tij në univers. Perceptimi estetik, për shkak përfaqëson një mënyrë të të kuptuarit të marrëdhënies së vetes sonë me botën dhe me të tjerët, ai, njëkohësisht, përfaqëson potencialin e zgjedhjeve për të qeniesuarit tonë në botë.

Ashtu sikur njohja konceptuale, ashtu edhe perceptimi estetik bazën e vet e kanë në perceptim. Edhe pse janë dy entitete kategoriale që ndryshojnë në shkallë, duke përdorur të njëjtit burim njohës, ato nuk dallojnë në qëllime. Ndërsa njohja konceptuale përbën një strukturë të organizuar të shumësisë së perceptimeve duke e mbivendosur – si parim organizues dhe orientimor – një perceptim dominues kundrejt perceptimeve të tjera, në perceptimin estetik, përkundrazi, asnjë formë e perceptimit nuk e merr rolin dominues e drejtues: të gjitha perceptimet janë të barasvlershme karshi njëra-tjetrës. Njohja konceptuale ndikon në strukturimin e modeleve mendore, ndërsa perceptimi estetik: në strukturimin e imazheve vizuale. Sipas Jonson-Liard-it, dallimet midis modeleve mendore dhe imazheve vizuale konsistojnë në atë që ato synojnë të përfaqësojnë. Sipas tij, modelet mendore janë perceptime të strukturuara që përfaqësojnë një grup situatash, gjendjesh; ndërsa imazhet vizuale janë strukturë perceptimesh që përfaqësojnë situatat të veçanta, unike. Megjithatë, këto dy entitete kategoriale njohëse, edhe pse me identitete të veçanta, nuk janë krejtësisht autonome dhe pa ndikim në njëra-tjetrën. Njohja konceptuale përbën një dispozitiv për ngritjen e kapaciteteve të imazheve vizuale, ashtu sikur që imazhet vizuele mund t’u vijnë në ndihmë nevojave të reja strukturuese të koncepteve kognitive.

Perceptimi estetik si formë e kërkimit të kuptimit

Përvoja e perceptimit estetik është e lidhur ngushtë me kuptimin dhe njohjen. Perceptimi dhe kuptimi janë në raporte korelative, sepse vetë objekti estetik e pretendon unitetin (e shenjës dhe të kuptimit) dhe autonominë. Nëse për Kantin në përvojën estetike e rëndësishme është kënaqësia e soditjes që ofron objekti që soditet dhe se kënaqësia estetike është e pavarur nga vetë ekzistenca e objektit (Immanuel Kant, “Kritika e gjykimit”, përktheu Dritan Thomollari, “Plejad”, Tiranë, 2002, fq. 39-40), për Mikel Dufrenne-in, uniteti dhe autonomia, si shprehje e përsosmërisë së formës, varen nga njohja që manifestohet në perceptim dhe anasjelltas. (Mikel Dufrenne, “The Phenomenology of Aesthetic Experience”, Northwestern University Press Evanston, 1973, fq. 199)

Kanti duke ia atribuuar gjykimit estetik tri karakteristika thelbësore: të qenët subjektiv, të qenët universal dhe të painteresuar; e përjashton mundësinë e lidhjes së tyre me çfarëdo gjykimi njohës, i cili pretendon të jetë universal. Për Kantin, universaliteti i gjykimit estetik bazohet në shkallën e subjektivitetit të tij; universaliteti i gjykimit njohës bazohet në shkallën e objektivitetit të tij normativ e rregullues. Ndërsa, gjykimit estetik, sipas Kantit, vetëmjaftohet brenda kufijve të kënaqësisë shqisore, gjykimi njohës duke mos u mjaftuar me kënaqësinë shqisore, pretendon të ngrihet mbi të.

Përkundër kësaj, filozofi i artit, Robert Stecker, konsideron se përvoja estetike është vetëm një nga mënyrat e tejet të rëndësishme të lidhjes sonë me veprat e artit dhe me botën. Sipas tij, përvoja estetike përfundon me njohje dhe se pjesa më e madhe e përvojës estetike do të ishte e pamundur pa një grup të madh gjykimesh njohëse. (Robert Stecker, “Aesthetics and the Philosophy of Art”, Rowman & Littlefield Publishers, Inc., UK), 2010. fq. 42.)

Në dhe përmes përvojës së perceptimit estetik, aktivizohen emocione me qëllim që, përmes tyre, të bëhet vlerësimi i indikacioneve në momentin kur ekziston pasiguri e lartë në procesin e ndërveprimit me botën për shkak të kufizimeve të skemave ekzistues konceptuale për t’u përfshirë në atë proces ndërveprimi. Aktivizimi i emocioneve bashkë me imagjinatën në fushëveprimin e vet kushtëzohet nga domosdoshmëria e qartësimit të vizionit të paqartë që ka subjekti krijues përballë kontekstit të ri të qeniesimit të qenies njerëzore në botë, e kjo do të thotë përballë kontekstit të ri afektor në të cilën ndodhet Un-i bashkë me ndërgjegjen për t’i dhënë qartësi pakuptimësisë në të cilën ndodhet vetëdija e subjektit perceptues për dhe rreth mundësive të humanitetit të qenies njerëzore përballë dhe në marrëdhënie me botën.

Emocionet bashkë me imagjinatën, si agjentë të perceptimit estetik e izolojnë objektin estetik, ndërsa objekti estetik përmes perceptimit estetik e bën të njohur autonominë e vet. Emocionet janë agjentë që vihen në funksion të lidhjes dhe ndriçimit të paqartësisë që ekziston në proceset tona ndërvepruese kognitive-konceptuale me botën. Përvoja estetike, përmes emocionit, synon të vërë në pah thellësinë e të padukshmes, ku është i vendosur fenomeni, të cilin emocioni synon ta bëjë të dukshëm.

Thellësia është aspekti më zbulues i ndjenjës së qenies në veprën artistike; është pika tangjente në të cilën takohen e bashkëveprojnë reciprokisht e jashtmja me të brendshmen, bota dhe njeriu. Përvoja estetike, si njohje, është instrumenti për ta bërë të dukshme këtë thellësi. Merlo Ponti, në trajtesën e tij “Syri dhe mendja”, konsideron se thellësia është dimensioni i parë jo vetëm për rimendimin e artit, por edhe për rimendimin e vetë qenies. Meqenëse është një dimension, i cili i përmban të gjitha dimensionet e tjera, thellësia... – sipas Merlo Pont-it – është përvoja e kthyeshmërisë së dimensioneve, e një “lokaliteti” global në të cilin gjithçka është brenda të njëjtit vend në të njëjtën kohë, në një lokalitet në të cilin janë lartësia, gjerësia dhe thellësia. (Maurice Merleau-Ponty, “Eye and Mind”, fq.13; në linkun: http://www.biolinguagem.com/ling_cog_cult/merleauponty_1964_eyeandmind.pdf (10.02.2023)

Thellësia, si cilësi e kuptimit, është përmasa esenciale e vlerës artistike. Si përmasë kognitive, ajo e tejkalon dikotominë midis karakterit estetik (platonian) dhe atij artistik (aristotelian) të vlerës së veprës në funksion të zotërimit të kuptimeve më të thella për ekzistencën njerëzore.

Procesi i receptimit të veprave të artit nuk bazohet vetëm në aftësinë e përjetimit estetik dhe në kapacitetet e përvojës estetike, por edhe në aftësinë e përjetimit të objekteve joestetike. Sepse, siç thotë Robert Stecker, ka vepra artistike me vlera estetike, ashtu siç ka vepra artistike me vlera joestetike. Duke bërë dallimin midis estetikës dhe filozofisë së artit, si disiplina filozofike, Robert Stecker-i thekson se ndërsa estetika përqendrohet në aspektet e izoluara të perceptimit estetik të objektit estetik, të përvojës estetike, të vlerës estetike, të gjykimit estetik; filozofia e artit objekt të vetin i ka edhe përvojat dhe objektet joestetike. Si objektet estetike, ashtu edhe ato joestetike, kur janë nën vullnetin e vëmendjes, burim dhe synimi të përbashkët e kanë njohjen dhe të kuptuarit.

Mbi bazën e parimeve të ndryshme të filozofisë së perceptimit – si pjesë integrale e filozofisë së mendjes – që ato zbatojnë në procesin e vlerësimit të veprës artistike, filozofi i artit, Bence Nanay, ndryshimin midis përvojave estetike dhe joestetike e kërkon në vetë proceset perceptuese. (Bence Nanay, “Using Philosophy of Perception in Aesthetics”, Aesthetic Investigations 1, nr. 1, fq 104 https://doi.org/10.58519/aesthinv.v1i1.12017.). Ky autor konsideron se përvoja estetike nuk mund të reduktohet e as të identifikohet me komponentin ndijor, kahja vepruese e të cilit është nga poshtë-lart, sepse në perceptim kanë ndikim edhe proceset e kategorizimit e të konceptualizimit kahja e të cilave shkon nga lart-poshtë.

Llojet e përvojave estetike dhe aspektet e objekteve estetike

Ashtu sikurse në të menduarit konceptual-filozofik, botëkuptimi – si tërësi e strukturuar e pikëpamjeve (Dëluze do ta quante planomen) – është në lidhje sinergjike me konceptin, ashtu edhe përmbajtja e përvojës së perceptimit estetike diktohet, në njërën anë, nga marrëdhënia që ajo vendos me objektin estetik, ndërsa, nga ana tjetër, kushtet e përvojës së perceptimit estetik e përcaktojnë qenien e objektit estetik.

Edhe pse autorë të ndryshëm dhe me objektiva të pavarura kërkimore, megjithatë nuk është e vështirë për t’u dalluar lidhja që ekziston midis klasifikimit llojor që Nanay-n u bënë përvojave estetike dhe klasifikimit që Dufrenne iu bënë aspekteve të objekteve estetike.

Kështu, Bence Nanay dallon këto tri lloje të përvojave estetike:

1. përvojat estetike, të cilat përkufizohen në termat e vetive që përfaqësojnë këto përvoja;

2. përvojat estetike, të cilat përkufizohen në termat e rolit që luajnë këto përvoja në përpunimin tonë të përgjithshëm mendor; dhe

3. përvojat estetike, të cilat përkufizohen në termat e vetive të brendshme të këtyre përvojave.

Ndërkaq, nga ana tjetër, Mikel Dufrenne thekson se objekti estetik i përmban tri aspekte:

1. për aq sa i afrohet perceptimit, objekti estetik e ka qenien e ndjeshme;

2. kur përfaqëson, e ka qenien e një ideje;

3. kur është shprehës, e ka qenien e ndjenjave.

Aspekti i parë i objektit estetik sipas Dufrenne-it, i përgjigjet llojit të parë të përvojës estetike sipas Nanay-it; aspekti i dytë i objektit estetik sipas Dufrenne-it, i përgjigjet llojit të dytë të përvojës estetike sipas Nanay-it; dhe aspekti i tretë i objektit estetik sipas Dufrenne-it, i përgjigjet llojit të tretë të përvojës estetike sipas Nanay-it.

Janë tri momente të rëndësishme në proceset mendore, të cilat luajnë rol të rëndësishëm në përvojën estetike, si mekanizëm për tejkalimin e kufizimeve të skemave konceptuale kognitive përballë paqartësive kuptimore: a) vëmendja; b) imagjinata shqisore dhe c) imazhet vizuale. Imagjinata shqisore dhe perceptimi kanë fenomenologji të njëjtë. Për Nanay-in imagjinata shqisore është të imagjinosh duke parë diçka, ndërsa imagjinata propozicionale është një qëndrim propozues: diçka që duket se si një gjë, ndërsa është një gjë tjetër. Në imagjinatën propozicionale, edhe pse objekti i perceptuar është një katalizator për imagjinatën, vetë objekti i perceptuar – siç do të thoshte Sartri – nuk do të mund ta orientojë e ta kufizojë imagjinatën. Por, e njëjta nuk ndodh me imagjinatën shqisore.

Varësisht se cilët mekanizma do të përfshihen në procesin e perceptimit të objektit estetik (imagjinata shqisore, imagjinata propozicionale, imazhet vizuale), do të përcaktohet edhe karakteri i përvojës estetike që ato mekanizma do të prodhojnë.

Në vend të përfundimi: rasti i letërsisë shqipe

Varësisht se a do të përdoret imagjinata shqisore, imagjinata propozicionale apo imazhi vizual, në letërsinë shqipe do të krijohen dy modele mbizotëruese të përvojave të perceptimit estetik:

a. modeli i realizmit të drejtpërdrejtë të perceptimit estetik; dhe

b. modeli fenomenologjist i perceptimit estetik.

Në letërsinë tonë përvoja e perceptimit estetik në të shumtën e rasteve do të bazohet në mekanizmin perceptimor të imagjinatës shqisore, e cila, në thelb e ruan karakterin real të objektit estetik me të gjithë vërtetësinë e kontekstit historik, moral, social e psikologjik në të cilën ai shfaqet dhe përmes të cilit fiton legjitimitet ekzistenca e tij.

Për shkak të dominimit të kulturës tradicionale kolektiviste në njërën anë, dhe, nga ana tjetër, për shkak të fenomenologjisë së perceptimit estetik, e cila do të bazohet në mekanizmin e imagjinatës shqisore, objekti estetik do të ndikojë që imagjinata të mos e tejkalojë perceptimin, në atë mënyrë që ta sigurojë në plotësi autonominë e objektit estetik. Në letërsinë tonë, jo rrallë, për shkak se do të bazohet në përfytyrimet kolektive të nxitura nga ideologjia klasore, bie fjala vetmia, si objekt estetik, nuk do të jetë vetmi e tipit të individualizmit atomist që e përjeton, ta zëmë, Antoan Rokanteni në romanin “Neveria” të Zhan-Pol Sartër-it, apo ajo e “Vetmitari” të Eugene Ionesco-s, por do të jetë vetmi kolektive e popullit shqiptar kundrejt kolektivit tjetër, siç ndodhë, bie fjala, në romanin e Ismail Kadaresë “Dimri i vetmisë së madhe”. Ose edhe kur vetmia do të shfaqet sipas tipologjisë si individualizmit atomist të “Neverisë” së Sartërit, do të jetë vetmi epigone, siç ndodh në një pjesë të letërsisë sonë estetizante.