Shtojca për Kulturë

Përtej kufijve të një libri

“Vartësit” libri nga Olga Ravn

“Vartësit” bëhet një reflektim i thellë mbi dehumanizimin në sistemet e prodhimit dhe mbi mënyrën se si kapitalizmi e instrumentalizon jetën

Në sipërfaqe, “Vartësit” duket se paraqet ndarje të qarta mes njerëzve dhe humanoidëve, komisionit dhe ekuipazhit, objekteve dhe qenieve të gjalla. Por në thelb, romani i vë në dyshim këta kufij, i zbeh, i përmbys. Ai kërkon të kuptojë çfarë do të thotë të jesh njeri, dhe çfarë vendi ka krijimi – emocional, artistik apo biologjik – në këtë përkufizim

Agnete Bacher Andersen

Ky artikull shqyrton romanin “Vartësit” të autores daneze Olga Ravn, duke analizuar gjuhën, zhanrin dhe temat kryesore të veprës. Këtu vendoset romani në një kontekst më të gjerë, në raport me vepra të ngjashme si “Dora e majtë e errësirës” e Ursula K. Le Guin, dhe synon të tregojë se si Ravn frymëzohet nga arti bashkëkohor, veçanërisht nga instalacionet artistike. Artikulli argumenton se “Vartësit” e zgjat dhe e sfidon formën tradicionale të një libri, duke i ofruar lexuesit një përvojë që tejkalon format klasike të tregimit. 

Kur fillova të mendoj për këtë ese, u përpoqa të gjeja një mënyrë për t’ia prezantuar romanin e Ravn-it dikujt që nuk e ka lexuar më parë – veçanërisht një lexuesi jashtë Danimarkës – dhe për ta ftuar të hyjë, qoftë për pak çaste, në botën e “Vartësve”. Mendova të nisja me një krahasim, dhe menjëherë më erdhi në mendje autorja amerikane Ursula K. Le Guin, një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë fantastiko-shkencore. Romani i saj “Dora e majtë e errësirës” është ribotuar së fundmi në gjuhën daneze, me një pasthënie të shkruar nga vetë Ravn. Të dy veprat eksplorojnë marrëdhënien midis njeriut, natyrës dhe trupit, si dhe identitetet e paqëndrueshme. Janë romane që i përkasin zhanrit fantastiko-shkencor, por njëherazi i tejkalojnë kufijtë e tij, duke ofruar reflektime të thella mbi shoqërinë dhe mbi vetë qenien njerëzore. 

Romani “Vartësit” përbëhet nga një seri deklaratash të mbledhura nga një komision burokratik. Ato janë dhënë nga anëtarët e ekuipazhit të një anijeje kozmike të quajtur “Gjashtë-Mijë”, e cila ndodhet pranë një planeti të quajtur “Zbulimi i Ri”. Ekuipazhi përbëhet nga njerëz dhe nga krijesa të gjysmë-mekanizuara, të njohura si humanoidë. Kufiri mes këtyre kategorive është i paqartë – si për lexuesin, ashtu edhe për vetë vartësit – dhe bëhet gjithnjë e më i turbullt gjatë rrëfimit: “Nuk e dija se çfarë isha në atë intervistë, isha njeri, apo thjesht një gjallesë. Ndonëse kam lindur, jam rritur dhe dokumentet thonë se jam krijesë njerëzore, kishte diçka në sjelljen e tij që më bëri të mendoj se nuk më konsideronte të barabartë, dhe për ca pak sekonda të tmerrshme u ndjeva si të isha artificial, i krijuar, asgjë veç një makine humanoide prej mishi dhe gjaku” (2024: 71). 

Deklaratat janë të përqendruara rreth objekteve të panjohura, për të cilat vartësit duhet të kujdesen. Objektet nuk janë qëllimi vetë, por ndërveprimi i tyre me vartësit është thelbësor për narrativën. Objektet provokojnë ndjesi, kujtime, dëshira – një dimension emocional që komisioni përpiqet ta monitorojë e ta kontrollojë: “Nuk kam shumë kohë që kur fillova të ndiej një lloj lidhjeje me sendet në dhomë. Sa herë shkoja atje dhe ulesha, më kaplonte një ndjesi e çuditshme qetësie (…) Me një send në veçanti, atë tutje në qoshe, kam filluar të lidhem në mënyrë të pazakontë. Ngjan si dhuratë.” (2024:77)

Megjithatë, interesi i komisionit nuk është emocional, apo ekzistencial. Ai fokusohet në efektin që kjo marrëdhënie mund të ketë mbi performancën e punës dhe mbi mundësinë e optimizimit të procesit. Në këtë mënyrë, romani krijon një lidhje të fuqishme me realitetin tonë bashkëkohor, ku organizatat shpesh reduktojnë individin në një funksion ekonomik. Në fund të romanit, vendoset që anija dhe ekuipazhi të asgjësohen – ndërsa objektet, të vetmet që mund të kenë vlerë, do të ruhen. Procesi konsiderohet si eksperiment i suksesshëm, i përsëritshëm në kushte më të favorshme. Kështu, “Vartësit” bëhet një reflektim i thellë mbi dehumanizimin në sistemet e prodhimit dhe mbi mënyrën se si kapitalizmi e instrumentalizon jetën.

Struktura e romanit ndjek këtë logjikë burokratike: të gjitha deklaratat janë të numëruara, të censuruara pjesërisht, dhe të paraqitura në mënyrë jo-lineare. Rendi kronologjik është i përmbysur, çka e shtyn lexuesin të ndërtojë vetë një rend të brendshëm. Emrat personalë janë të rrallë: humanoidët quhen vetëm sipas funksionit të tyre, ndërsa njerëzit – kur përmenden – e ruajnë emrin. Kjo krijon një ndarje të heshtur dhe një raport hierarkik mes grupeve. Nga ana tjetër, me kalimin e kohës, vetë humanoidët fillojnë të përjetojnë ndjenja dhe shqisa të reja, të panjohura më parë. Këto zgjime çojnë në një krizë identiteti, një afrim me qenien njerëzore – dhe më në fund, në rebelim.
Një nga aspektet më origjinale të romanit është mënyra se si përshkruhen objektet: përmes ndjesive shqisore, përmes prekjes, ngjyrave, aromave. Vartësit i përjetojnë ato me një lloj butësie fëminore: “Më duket se një nga sendet kishte pothuaj përmasat e një qeni të vogël, vezullonte si ndonjë larvë prej ndonjë tjetër bote, por gjithashtu si talisman që zakonisht mbaja me zinxhir rreth qafës, kur isha fëmijë, e vija në gojë dhe e thithja. Sa herë e shoh atje, në dhomë, ndiej të njëjtën dëshirë për ta futur në gojë” (2024: 58). 

Objektet trajtohen si qenie të gjalla, si partnerë të një marrëdhënieje simbiotike. Kjo më kujton “Manifestin e cyborg-ut” të Donna Haraway, ku ajo propozon zhdukjen e ndarjeve tradicionale midis njeriut, kafshës, natyrës dhe teknologjisë, për të krijuar një botë më të hapur ndaj të ndryshmes, ndaj tjetrit.

Ky aspekt trupor, shqisor, është ndoshta rezultat i bashkëpunimit mes Ravn dhe artistes Lea Guldditte Hestelund, instalacioni i së cilës – “Marrëdhënia mes tipave të ndryshëm të pranisë dhe trupit” – është zhvilluar paralelisht me romanin. Objektet dhe hapësirat që përshkruan Ravn korrespondojnë me elementët e ekspozitës, duke e kthyer librin në një shtrirje narrative të artit bashkëkohor. Kjo ndërlidhje mes letërsisë dhe artit vizual ka pasur ndikim edhe përtej autorëve: në përvojën time personale si studente e letërsisë, kam punuar me romanin në një kurs mbi klimën, trupin dhe gjininë, ndërsa një mike imja, studente arti, e përdori atë si frymëzim për një instalacion. Kjo dëshmon se vepra e Ravn ekziston në një qarkullim të vazhdueshëm, që frymëzon përtej kufijve të zhanreve dhe disiplinave.

Në sipërfaqe, “Vartësit” duket se paraqet ndarje të qarta: mes njerëzve dhe humanoidëve, komisionit dhe ekuipazhit, objekteve dhe qenieve të gjalla. Por në thelb, romani i vë në dyshim këto kufij, i zbeh, i përmbys. Ai kërkon të kuptojë çfarë do të thotë të jesh njeri, dhe çfarë vendi ka krijimi – emocional, artistik apo biologjik – në këtë përkufizim. Në fund, edhe pas shkatërrimit të anijes, disa nga vartësit mbijetojnë. Ata dalin jashtë për herë të parë dhe përballen me diçka që mund të jetë bar: “Po të marr ca bar nga toka dhe ta mbaj në dorë që tani e tutje, a do ta kem të mundur? Jo, do të na jepen trupa të rinj. Trupi im i vdekur do të qëndrojë këtu, me barin në dorë, teksa unë shkoj në një tjetër vend” (2024:140-141). 

Romani përfundon këtu, por jeta – apo të paktën natyra – vazhdon. Krijimi nuk ndalet. Përkundrazi, ai riformësohet, rishfaqet, në një qark që nuk njeh fund.

Agnete Bacher Andersen studion gjuhën daneze në Universitetin e Kopenhagës. Ajo do ta përfundojë diplomën bachelor këtë verë dhe është aktualisht në një shkëmbim Erasmus në Pragë, ku studion letërsi, dhe gjatë muajve tetor-dhjetor të vitit 2024, ka ndjekur kursin “Letërsia botërore dhe bota e letërsisë” të udhëhequr nga Ag Apolloni në Universitetin e Pragës. Ky punim është bërë për atë kurs dhe botohet me lejen e autores. Citatet e romanit këtu u morën nga botimi shqip: Olga Ravn, “Vartësit”, përkthyer nga Sokol Çunga, Berk, Tiranë, 2024) 
 


 

Olga Ravn (1986) është një nga shkrimtaret daneze më të njohura të ditëve tona. Është poete dhe kritike letrare, si dhe redaktore përgjegjëse për ribotimin e veprës së Tove Ditlevsen. Romani i saj, "Vartësit", ishte pjesë e listës së shkurtër të International Booker Prize 2021 dhe të Ursula K. Le Guin Prize, si dhe pjesë e listës së gjatë të National Book Award dhe të Dublin Literary Award. Tashmë po botohet në 25 vende, teksa janë shitur të drejtat për t’u kthyer në film. Ndërkohë romani “My Work”, fitoi Politikens Literature Prize më 2021 dhe solli ndryshimet e ligjeve vendase mbi amësinë. Në shtator 2023 u botua në anglisht dhe u prit mirë nga kritika. Ka shkruar gjithashtu pjesë të shkurtra letrare për muze dhe podcaste. Një pjesë e gjatë e veprës “Memorial - tekst për gjuetarët e shtrigave në Danimarkën e shek. XVII” –  u botua në The Paris Review më 2022. Romani i saj i ri “The Wax Child”, bazuar në një sërë gjyqesh të vërteta për shtrigat gjatë shek. XVII, u botua në Danimarkë në shtator 2023.