Shtojca për Kulturë

Përmbysja e narrativës historike serbe për Kosovën e periudhës osmane

“Ura e Prizrenit”, shtator 1863 (Foto: Josef Székely)

“Ura e Prizrenit”, shtator 1863 (Foto: Josef Székely)

“Popullsia e Kazasë së Prizrenit sipas defterëve të vitit 1833 (Prizreni, Suhareka, Rahoveci, Malisheva, Drenasi)” nga Sadik Mehmeti dhe Hatixhe Ahmedi – boto: Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2024 – është një kontribut origjinal mbi historinë e Kosovës së periudhës osmane. Kontributet e tyre bashkautoriale për të dhënat demografike të Kosovës kanë sfiduar dhe përmbysur narrativën historike serbe për Kosovën, duke u mbështetur në burime autentike nga arkivi i Stambollit, konkretisht në defterët osmanë të vitit 1833

Libri i Sadik Mehmetit dhe Hatixhe Ahmedit, “Popullsia e Kazasë së Prizrenit sipas defterëve të vitit 1833”, botuar nga Instituti Albanologjik në Prishtinë, është një studim historik i veçantë dhe shumë origjinal mbi historinë e Kosovës në periudhën osmane. Ky libër nuk është thjesht një analizë historike, por një kontribut i çmuar në studimin e historisë së Kosovës gjatë periudhës osmane.

Autorët, Mehmeti dhe Ahmedi, kanë sjellë edhe më parë kontribute të rëndësishme për historinë e Kosovës gjatë periudhës osmane, duke paraqitur dokumente dhe burime të panjohura nga arkivat e pasura të Stambollit. Kontributet e tyre bashkautoriale për të dhënat demografike të Kosovës kanë sfiduar dhe përmbysur narrativën historike serbe për Kosovën, duke u mbështetur në burime autentike nga arkivi i Stambollit, konkretisht në defterët osmanë të vitit 1833.

Defterët e vitit 1833 si burim kryesor i historisë së Perandorisë Osmane

Këta defterë janë një nga burimet kryesore për studimin e historisë së Perandorisë Osmane dhe mbulojnë një periudhë të gjatë, duke filluar nga themelimi i perandorisë deri në shpërbërjen e saj. Përveç kësaj, defterët e vitit 1833 janë dëshmi të proceseve të ndryshme historike, si ndarja administrative, luftërat dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Kjo është periudha kur në pjesën evropiane të Perandorisë Osmane fillojnë të shfaqen lëvizjet kombëtare dhe tendencat për krijimin e shteteve homogjene kombëtare. Në këtë kontekst, duhet pranuar se shqiptarët u paraqitën të vonuar në ndërtimin e identitetit të tyre kombëtar. 

Gjatë shekullit XIX, për shkak të interesave shtetërore dhe hegjemoniste, historiografia serbe ka krijuar një narrativë që sugjeron se popullata shumicë e Kosovës ishte serbe dhe ortodokse. Mohimi i pranisë së shqiptarëve në Kosovë ka shërbyer si një mjet për të legjitimuar pretendimet hegjemoniste të shtetit serb mbi Kosovën, e cila, siç vërtetohet nga ky studim, ka qenë pjesë organike e Arnautllëkut osman, me një shumicë absolute shqiptare. Ky studim sfidon këtë model të propagandës serbe duke sjellë dëshmi dhe dokumente autentike nga Arkivi i Stambollit.

Periudha që shënonte fillimin e reformave dhe organizimi i shqiptarëve

Periudha që mbulon ky studim është fillimi i shekullit XIX, kur Kosova ndodhej nën Perandorinë Osmane, një periudhë që shënonte fillimin e një serë reformash, të cilat synonin forcimin e pushtetit të centralizuar osman dhe krijimin e një aparati burokratik sipas modeleve evropiane. Këto reforma, të njohura më vonë si Tanzimat, kishin për qëllim modernizimin dhe konsolidimin e themeleve sociale dhe politike të perandorisë. Ndër të tjera, këto reforma përfshinin edhe shkatërrimin e trupës ushtarake të jeniçerëve, njësive elitare të këmbësorisë, nga Sulltan Mahmuti II, më 1826. Ky proces u shoqërua me ngritjen e ushtrisë së re, dhe për këtë arsye ishte i nevojshëm regjistrimi i popullsisë, një iniciativë që filloi pas Luftës Ruso-Osmane (1828-1829) dhe që u realizua në vitin 1830.

Regjistrimi i popullsisë kishte për qëllim evidentimin e resurseve demografike dhe ndryshimeve të ndodhura gjatë shekujve të dominimit osman, si dhe për regjistrimin e meshkujve të aftë për shërbim ushtarak dhe mbledhjen e taksave, të cilat ishin tepër të nevojshme për përballimin e lëvizjeve kombëtare që shpërthyen në pjesën evropiane të Perandorisë Osmane. Gjatë kësaj periudhe, edhe shqiptarët filluan të organizoheshin në lëvizje për forcimin e Rilindjes Kombëtare, një lëvizje që vepronte kryesisht nga jashtë për emancipimin kombëtar dhe kulturor të shqiptarëve, të cilët po ndienin rrezikun nga ambiciet hegjemoniste të shteteve ballkanike përballë dobësisë evidente të shtetit osman. 

Në aspektin administrativ, Kosova, në fillim të shekullit XIX, ishte pjesë e Ejaletit të Rumelisë, me qendër në Manastir, ndërsa pas Tanzimatit, territori i Kosovës u përfshi në Sanxhakun e Dukagjinit. Në gjysmën e parë të shekullit XIX, siç vërejnë autorët e këtij studimi, Mehmeti dhe Ahmedi, Kosova shtrinte një hapësirë gjeografike që përputhej me provincën ilire të Dardanisë, me kryeqendër Shkupin, dhe shtrihej në veri nga Jeni Pazari dhe kufiri me Serbinë, në verilindje dhe lindje nga Nishi, Prokupla, Krushumlija, Leskovci, Vranja dhe Kumanova, ndërsa në jug nga Shkupi. Edhe pse këto ndryshime administrative kishin për qëllim shmangien e homogenitetit etnik dhe fetar për të parandaluar organizimin e lëvizjeve osmane, ato e bënë të vështirë njohjen e strukturës etnike dhe fetare brenda ndarjeve administrative të shtetit osman.

Gjatë shekullit XIX, për shkak të interesave shtetërore dhe hegjemoniste, historiografia serbe ka krijuar një narrativë që sugjeron se popullata shumicë e Kosovës ishte serbe dhe ortodokse. Mohimi i pranisë së shqiptarëve në Kosovë ka shërbyer si një mjet për të legjitimuar pretendimet hegjemoniste të shtetit serb mbi Kosovën, e cila, siç vërtetohet nga ky studim, ka qenë pjesë organike e Arnautllëkut osman, me një shumicë absolute shqiptare

Heqja e pluhurit nga materialet në arkivat e Stambollit dhe Ankarasë

Sadik Mehmeti dhe Hatixhe Ahmedi në studimin e tyre, “Popullsia e Kazasë së Prizrenit sipas defterëve të vitit 1833”, vërejnë se shumë pak studiues kanë marrë përsipër të punojnë me materialet e pluhuruara të arkivave për të shkruar ndonjë studim të detajuar. Siç thekson shkencëtari i njohur turk, Kemal Hikmet Karpat, në veprën e tij “Popullsia Osmane 1830-1914" (Londër, 1984), shumica e studiuesve shmangin punën me këto dokumente të vjetra. Arkivat e Stambollit dhe Ankarasë përmbajnë shumë materiale, por studimet për popullsinë kanë qenë të pakta. Për sa i përket Kosovës, studimet për historinë dhe demografinë osmane janë edhe më të rralla për shkak të numrit të vogël të studiuesve që dinë gjuhën e vjetër turko-osmane.

Ky studim, i bazuar në defterët e regjistrimit të popullsisë myslimane, krishtere dhe kipte të vitit 1833, është shumë i rëndësishëm për studimin e historisë osmane të Kosovës. Përdorimi i këtyre burimeve ndihmon në përcaktimin e strukturës demografike të Kosovës në dekadën e katërt të shekullit XIX. Deri më tani, përveç disa informacioneve të pjesshme, të trajtuara në punime të ndryshme ose në artikuj të udhëpërshkruesve osmanë dhe evropianë, si dhe të dhënave të konsujve austro-hungarezë, nuk ka pasur studime të thelluara dhe gjithëpërfshirëse për këtë periudhë.

Ky studim analizon në detaje tre defterët osmanë të regjistrimit të popullsisë së Kazasë së Prizrenit, përfshirë Suharekën, Rahovecin, Malishevën dhe Drenasin të hartuar në vitin 1833. Defterët ofrojnë të dhëna të vlefshme për organizimin administrativ të rajonit dhe mundësinë për të kuptuar më mirë përbërjen etnike dhe fetare të popullsisë. Sipas autorëve, defterët e regjistrimeve të popullsisë në Arkivin e Stambollit përmbajnë informacion të rëndësishëm që lidhet me periudhën e qeverisjes së Sanxhakut të Prizrenit, të drejtuar nga Mahmut Pasha Rrotulla, dhe me lëvizjet e rezistencës të pashallarëve shqiptarë kundër reformave osmane.

Konfirmimi për shqiptarët autoktonë dhe shumicë në Kosovë

Në këtë libër, autoret analizojnë edhe përbërjen etnike të popullsisë, duke konfirmuar se shumica e popullsisë në rajonet e Kosovës ishte shqiptare, kryesisht myslimane, dhe se pesha numerike e popullsisë ortodokse, përkatësisht sllave, ishte minimale, nga 10 deri në 15 për qind Këto të dhëna janë të rëndësishme për të kuptuar praninë e shqiptarëve në trojet e tyre historike si popullsi autoktone. Pjesë të tjera të studimit ndihmojnë në pasqyrimin e strukturës gjinore të popullsisë, që ishte kryesisht mashkullore dhe përdorej për të planifikuar potencialin ushtarak të rajonit.
Libri "Popullsia e Kazasë së Prizrenit sipas defterëve të vitit 1833" i autorëve Sadik Mehmeti dhe Hatixhe Ahmedi, paraqet një studim të thelluar mbi regjistrin e popullsisë të kazasë së Prizrenit, bazuar në dokumentet historike të vitit 1833. Ky libër është një përpjekje serioze për të pasqyruar situatën demografike dhe shoqërore të një zone të rëndësishme të Kosovës, duke ofruar një pasqyrë të detajuar mbi strukturën e popullsisë, organizimin administrativ dhe zhvillimin e fshatrave të Prizrenit, Suharekës, Rahovecit, Malishevës dhe Drenasit. Mbi bazën e defterëve origjinal të shtetit Osman bashkautorët e librit kanë ndihmuar në rikonstruksionin e asaj periudhe dhe të kuptuarit e jetës së përditshme të popullatës, duke analizuar të dhënat mbi numrin e familjeve, ndarjet etnike dhe fetare, si dhe kushteve socio-ekonomike të kohës. Kjo punë është e rëndësishme për studiuesit e historisë dhe etnologjisë, pasi ndihmon në ndriçimin e ndryshimeve që ndodhën në këtë rajon gjatë periudhës osmane, dhe pasqyron jetën dhe zhvillimin e komunitetit shqiptar në një periudhë të caktuar.

Autorët, duke përdorur shënime shtesë për terma të ndryshëm osmanë japin detaje të  hollësishme, të cilat i ndihmojnë studiuesve dhe përgjithësi lexuesit të gjerë të kenë një pasqyrë për ambientin e shoqërisë osmane si dhe mënyrën e operimit të administratës osmane në atë periudhë. Si i tillë, ky studim na ndihmon në kuptimin e rrjedhave historike të Kosovës dhe lidhjeve të saj me sistemin e shtetit Osman. Puna është e pasur me të dhëna të reja dhe është një kontribut i rëndësishëm për historiografinë dhe studimet albanologjike. Ky studim i Mehmetit dhe Ahmedit është një kontribut origjinal mbi historinë e Kosovës osmane, duke ofruar një pasqyrë të qartë dhe të dokumentuar të popullsisë dhe ngjarjeve të rëndësishme të kohës, që shkrijnë më mirë kontekstin historik dhe etnik të Kosovës gjatë periudhës osmane.