Shtojca për Kulturë

Përballja e parë

Do të duhej pothuajse edhe një vit pas luftës derisa qytetarët e Kosovës do të bëheshin hisedarë të vërtetë të demokracisë. Zgjedhjet e para, testi i parë i madh për rrënjosjen e demokracisë plebishitare. Entuziazmi ishte i jashtëzakonshëm e radhët e njerëzve zgjateshin me dhjetëra metra përgjatë oborreve të shkollave të kthyera në qendra votimi më 28 tetor të 2001-tës në ditën e zgjedhjeve komunale

Zgjedhjet e para lokale, në të vërtetë do të mbahen në mend si përplasja e parë e madhe ndërmjet rivalëve politikë në betejën e madhe për pushtetin qendror.

Me mjete krejt të ndryshme e synonin çlirimin dy lëvizjet kryesore të Kosovës së viteve nëntëdhjetë. Por as liria nuk mjaftoi për t’ua davaritur dallimet e kohës së Kosovës së pushtuar.

Marrëveshja e zorit

Do të duheshin gjashtë muaj me presion sistematik ndërkombëtar që liderët e dy taborëve të kundërt të pajtoheshin për vënien e themeleve të institucioneve të Kosovës së çliruar, ani pse autoritet suprem ishte Misioni i Përkohshëm i Kombeve të Bashkuara, nën udhëheqjen e francezit Bernard Kouchner. Ishte dhjetori i vitit 1999.

Kouchneri e vlerësonte marrëveshjen si moment të rëndësishëm e historik, derisa për liderët kosovarë – hap drejt pavarësisë.

“Ky është fillimi i procesit që shpie drejt autonomisë substanciale, që shpie drejt vetëqeverisjes pas zgjedhjeve”, deklaronte Kouchner.

Gazetari Afrim Demiri, atëherë pjesë e “Kohës Ditore”, thotë se ndërtimi i institucioneve në liri ishte një sprovë e madhe për liderët politikë të Kosovës.

“Marrja e pushtetit nga një Qeveri e përkohshme e dalë nga Marrëveshja e Rambouilletit nuk u tregua një mençuri e madhe, nisur nga fakti se nuk u përcoll me një pajtueshmëri të të gjithë faktorëve politikë”, thekson Demiri, duke iu referuar Qeverisë së përkohshme të udhëhequr nga Hashim Thaçi, para se kontrollin e plotë ta shtrinin autoritetet e UNMIK-ut, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Image
Zgjedhjet e para, testi i parë i madh për rrënjosjen e demokracisë plebishitare. Entuziazmi ishte i jashtëzakonshëm e radhët e njerëzve zgjateshin me dhjetëra metra përgjatë oborreve të shkollave të kthyera në qendra votimi

“Puthja” e demokracisë

Por, do të duhej pothuajse edhe një vit derisa qytetarët e Kosovës të bëheshin hisedarë të vërtetë të demokracisë. Zgjedhjet e para, testi i parë i madh për rrënjosjen e demokracisë plebishitare. Entuziazmi ishte i jashtëzakonshëm e radhët e njerëzve zgjateshin me dhjetëra metra përgjatë oborreve të shkollave të kthyera në qendra votimi.

“P’e ni veten fort mirë që mujta dhe prita këtë ditë të sotit për me votu për popull tem, për shqiptarë dhe për Kosovën e lirë”, deklaronte një burrë goxha në moshë për agjencinë amerikane të lajmeve, AP, më 28 tetor, në ditën e zgjedhjeve.

Pas hedhjes së fletëvotimit në kuti, plaku, i shoqëruar me bashkëshorten, përkulet dhe puth kutinë. Demonstrim i vlerës së lirisë dhe demokracisë së arritur me shumë sakrifica ndër breza.

Dalja në zgjedhjet e para të bojkotuara nga serbët vazhdon të mbetet rekorde edhe pas të gjitha cikleve të pastajme zgjedhore, lokale e parlamentare

Në zgjedhjet e para të lira, nën organizimin e OSBE-së, qytetarët e Kosovës votuan për përfaqësuesit e tyre në kuvendet komunale. Më shumë se 900 mijë qytetarë, apo 79 për qind e tyre me të drejtë vote, legjitimuan bindjet e tyre politike. Dalja në zgjedhjet e para të bojkotuara nga serbët vazhdon të mbetet rekorde edhe pas të gjitha cikleve të pastajme zgjedhore, lokale e parlamentare.

“Ka një dalje të madhe të njerëzve në zgjedhje, është e qartë se ka nevojë të madhe të tyre për të shprehur të drejtat demokratike. Jam impresionuar së tepërmi me daljen e njerëzve”, deklaronte Dan Everts, atëherë shef i misionit të OSBE-së në Kosovë

“Ka një dalje të madhe të njerëzve në zgjedhje, është e qartë se ka nevojë të madhe të tyre për të shprehur të drejtat demokratike. Jam impresionuar së tepërmi me daljen e njerëzve”, deklaronte Dan Everts, atëherë shef i misionit të OSBE-së në Kosovë.

“Këto janë zgjedhjet e para të lira, sepse ne kemi punuar më shumë se një vit për të parë këtë entuziazëm fantastik të njerëzve që po votojnë për herë të parë në një palë zgjedhje të lira, demokratike dhe të mirorganizuara – për herë të parë në historinë e Kosovës dhe kemi së paku tri komunitete që po votojnë bashkë”, deklaronte Kouchner për mediat në një qendër votimi. “Boshnjakët, turqit, romët dhe shqiptarët. Ky është një shembull fantastik se çfarë mund të arrihet. Natyrisht se serbët nuk po votojnë, por ky nuk është faji im, por zoti Milosheviq urdhëroi dhe ata po zbatojnë urdhrat e Milosheviqit”.

Serbia kishte organizuar zgjedhjet e veta edhe në enklavat serbe dy muaj para zgjedhjeve lokale të Kosovës.

“Këto janë zgjedhjet e para të lira, sepse ne kemi punuar më shumë se një vit për të parë këtë entuziazëm fantastik të njerëzve që po votojnë për herë të parë në një palë zgjedhje të lira, demokratike dhe të mirorganizuara – për herë të parë në historinë e Kosovës dhe kemi së paku tri komunitete që po votojnë bashkë”, deklaronte Bernard Kouchner, asokohe shef i administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë

Zgjedhje lokale nën hije të protagonizmit të Rugovës e Thaçit

Në të vërtetë, ditës së votimit i kishte prirë një atmosferë goxha e tensionuar politike ndërmjet dy krahëve, që në diskursin publik do t’i referoheshin vetes si krahu i luftës dhe ai i paqes. Edhe fushata do të qendërzonte premtime për pavarësinë e Kosovës.

Adem Salihaj, ish-kryetar i parë i Kuvendit Komunal të Ferizajt, thotë se zgjedhjet e para ishin sprovë për qytetarët e Kosovës, të cilët, sipas tij, treguan pjekuri elektorale. Ai i vlerëson si zgjedhje të mira, pavarësisht faktit se ishte hera e parë që po organizoheshin zgjedhje në Kosovë, ku ende po kullonin plagët e luftës.

“E kemi dhënë testin e madh, por megjithatë janë përcjellë edhe me vështirësi, me probleme, veçanërisht me tensione”, thotë Salihaj.

Dy kryeprotagonistë, Ibrahim Rugova, simbol i rezistencës paqësore, dhe Hashim Thaçi, imazhi i politikës i UÇK-së.

“Po ju them se bashkë me partitë e ndryshme, duam të punojmë bashkërisht për të rindërtuar një Kosovë të lirë, demokratike dhe të pavarur, të integruar në Evropë nën strukturën e NATO-s. Ky është qëllimi ynë dhe kjo është puna jonë”, deklaronte Rugova para mijëra mbështetësve të LDK-së në stadiumin e futbollit në qytetin e Gjilanit.

“Ne për herë të parë në historinë e popullit të Kosovës siguruam mbajtjen e zgjedhjeve të lira...”, deklaronte Thaçi para masës së entuziazmuar në palestrën e sporteve në Ferizaj, duke ngritur gishtin tregues të dorës së djathtë: “...pa e pyetur Serbinë”.

“Partia Demokratike u garanton qytetarëve të Kosovës se ajo do të arrijë pavarësinë e Kosovës”, shtonte ai në fjalimin e shkruar.

Gazetari Afrim Demiri përshkruan diskursin e ashpër të fushatës.

“Ne mund edhe ta personalizojmë, edhe t’i nxjerrim protagonistë të kohës. Gjithsesi ata dy ishin, të shpallur apo të pashpallur. Perceptimi në publik ishte i tillë”, thekson Demiri.

Mst: Mesazhi i Joseph Dioguardit për Serbinë

Garës iu fut edhe partia e ish-komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, që kishte përkrahjen e kongresistit amerikan me prejardhje shqiptare, Joseph Dioguardi.

“Dhe mesazhi për zotin Kushtunica është ky: Shqetësohu për popullin serb, mos u shqetëso për popullin shqiptar”, deklaronte Dioguardi në fushatën e AAK-së së Haradinajt, që pas uniformës së UÇK-së të ndërruar me atë të TMK-së, do të vishej me kostum e kollare për t’u bërë pjesë e skenës politike të vendit.

“Pra do të angazhohemi për identitetin, për shtetin tonë të Kosovës, pra të pavarur nga Serbia”, deklaronte Haradinaj.

Pjesë e zgjedhjeve ishin edhe nismat e partitë politike të pakicave joserbe të Kosovës.

“Mas dhjetë vjete që po mbahen zgjedhjet e lira të Kosovës, aq jemi të kënaqur që populli shqiptar ka të drejtë aq lirisht, jo sikur përpara që s’kemi guxu”, deklaronte Haxhi Merxha, politikani i komunitetit rom, që në qendrën e votimit po shoqërohej nga kryeadministratori Kouchner. “Me këto votime do ta tregojmë veten, edhe Evropës, edhe botës, që për një kohë të shkurtër, si të kryhet edhe parlamenti shqiptar, do të jemi edhe të pavarur, Kosova jonë”.

Vetoja ndaj vendimeve të organeve vendore

Zgjedhjet me lista të hapura do të vlerësoheshin pozitivisht edhe nga pesë mijë e pesëqind monitoruesit vendorë e ndërkombëtarë. LDK-ja i fitoi zgjedhjet me 58 për qind, pasuar nga PDK-ja me 27.3 dhe AAK-ja me 7.7 për qind të votave.

Adem Salihaj, i cili do ta mbijetonte tentim-vrasjen, do të zgjidhej kryetar i Kuvendit Komunal të Ferizajt prej zgjedhjeve të para, të cilat LDK-ja do t’i fitonte me 68 për qind të votave. Mandati i të zgjedhurve, i bazuar në rregulloren e UNMIK-it ishte dyvjeçar.

Por UNMIK-u nëpërmjet administratorëve rajonalë dhe komunalë kishte të drejtën e vetos ndaj çfarëdo vendimi të organeve të dala nga zgjedhjet, nëse vlerësonte se vendimet nuk përputheshin me rregulloret e tij.

“Ne kishim më shumë kulturë demokratike se ata”, thekson Salihaj, duke iu referuar administratorëve rajonalë e lokalë të UNMIK-ut.

Kuvendi Komunal i Ferizajt do të kthehej në arenë të përplasjeve midis vendorëve dhe ndërkombëtarëve në mandatin e dytë pesëvjeçar pas zgjedhjeve lokale të vitit 2002.

“Komploti i UNMIK-ut”

Përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, me rekomandim të administratorit të Ferizajt do t’ia rrëzonte Kuvendit Komunal kryetarin e zgjedhur pas dorëheqjes së Salihajt, i cili pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2004 do të zgjidhej zëvendëskryeministër në koalicionin e LDK-së dhe AAK-së. Ishin shkelur procedurat me votimin e hapur të kandidatit për kryetar nga disa prej asamblistëve të LDK-së. Procedura e kërkonte shprehimisht votimin e fshehur. Gjatë përsëritjes së votimit të kandidatëve të kryetarit të Kuvendit Komunal fitoi Faik Grainca i LDK-së, por me mbështetje të opozitës dhe disa prej asamblistëve të LDK-së. Kandidati zyrtar i LDK-së humbi garën.

“Pra ishte një lloj komploti nga UNMIK-u që e krijoi një situatë të tillë dhe në fakt neve na përçau si parti politike”, thotë Salihaj në zyrat e LDK-së në Ferizaj.

Në vitin 2007, do të aprovohej Rregullorja e re e UNMIK-ut për ndryshimin e së mëparshmes për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të kryetarëve të komunave, krahas kuvendeve komunale. Do të rihapeshin listat e kandidatëve.

Pikëpamjet për efektin e këtyre ndryshimeve janë të ndryshme për shkak të gjendjes faktike, pavarësisht qëllimit të ndryshimeve për të krijuar raport baraspeshe dhe llogaridhënie reciproke ndërmjet kryetarëve dhe kuvendeve komunale.

“Arroganca” e kryetarëve të komunave

Madje, kryetarët shpesh akuzohen për arrogancë politike në raport me kuvendet komunale dhe publikun.

“Kryetarët e komunave janë të fuqishëm dhe kanë kompetenca të shumta ekzekutive në shumë fusha. Mirëpo, vlerësimet e deritanishme tregojnë se kjo është pozitive”, thekson Bekim Salihu, nga Instituti GAP, që monitoron punën e kuvendeve komunale.

Kushtetuta dhe Ligji për vetëqeverisjen lokale u jep autonomi të madhe komunave të Kosovës si një të pushtetit lokal. Kosova e ka aprovuar edhe Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale si dokument më i rëndësishëm ndërkombëtar për qeverisjen lokale. Karta ka për synim ngritjen e efikasitetit të shërbimeve komunale dhe fuqizimin e demokracisë, meqë komunat kanë lidhjen më të afërt me qytetarët.

“Kryetari i komunës mori kompetenca shumë më të fuqishme dhe sikur kuvendi komunal nga atributi këshilltar, gati u shndërrua në organ këshillues”, thekson Demiri, i cili do të raportonte për më shumë se 15 vjet për punën e Kuvendit Komunal të Ferizajt.

Komunat kanë kompetenca edhe në zhvillimin ekonomik nëpërmjet krijimit të kushteve dhe lehtësimeve për bizneset në vendin që edhe me Kushtetutë është përcaktuar për ekonominë e tregut të lirë.

Në ditën kur qytetarët po votojnë në zgjedhjet e shtata lokale, Salihu mendon se kompetencat e kryetarëve të komunave do të duhej të përdoreshin si model edhe për menaxhimin e ministrive nga shefat e tyre.