Shtojca për Kulturë

Për “Hanin e 2 Robertëve”

Ky libër (për)kujton një kohë që s’përsëritet më dhe mirë që s’përsëritet, por është me rëndësi të kujtohet

Një vëllim i bukur për një kohë të errët: shënime mbi botimin “Hani i 2 Robertëve. 1989–2019. Arti i Rezistencës”, përgatitur nga Merita dhe Fadil Dragaj

Kosova e viteve ‘90, nën sundimin serb, mund të definohet kësisoj: një vend i ndarë horizontalisht, në sipërfaqe serbët, në “nëntokë” shqiptarët. Mund të sundosh në sipërfaqe, siç bënin policët serbë, ushtarët serbë, gjykatësit serbë, satrapët serbë. Por nëse dridhet “nëntoka”, sipërfaqja shembet.

Kjo më erdhi ndërmend ndërsa po lexoja librin “Hani i 2 Robertëve. 1989-2019”, të përgatitur nga Merita dhe Fadil Dragaj. Libri i kushtohet një kafeneje e restoranti që ishte larg më shumë se kafene e restorant. Ishte një qendër e rezistencës, galeri arti, sallë koncertesh, hapësirë për promovim letërsie, një skutë për të menduar dhe filozofuar larg zymtësisë së qytetit të sunduar nga administrata e dhunshme serbe.

Ishte një vend ku politikanët kosovarë të asaj që quhej alternativa kosovare takoheshin me diplomatë perëndimorë, me raportues mbi shkeljen e të drejtave të njeriut. “Hani i 2 Robertëve. 1989-2019” ishte një hapësirë eksterritoriale, ku Kosova mund t’i qante hallet e veta, e rrethuar nga aparati represiv i Beogradit dhe shërbëtorëve të tij të shumtë të pakicës serbe në Kosovë.

Në 30-vjetorin e hapjes së restorantit u botua një vëllim i mirëpërgatitur, një libër-kujtim mbi historinë e lokalit “Hani i 2 Robertëve. 1989-2019”. Hapja e tij në vitin 1989 nuk është rastësi. Atë vit fillon revolucioni i madh demokratik në Europën Lindore, përveç se në Serbi, ku shumica e serbeve dhe serbëve e shohin Sllobodan Millosheviqin si profetin e ri politik dhe hyjnor, një kopje mes Car Llazarit dhe Aleksandër Rankoviqit.

Atë vit nisi heqja e autonomisë së Kosovës. Atë vit nisi largimi hap pas hapi i shqiptarëve të Kosovës nga jeta publike dhe përzënia e tyre në botën mundësisht të padukshme. Një gjeneratë e re e shqiptarëve nuk kishte më aq dëshirë të shëtiste nëpër korzo në qendër të Prishtinës, siç kishin bërë prindërit. Një gjeneratë e re po kërkonte hapësira të reja të shprehjes, dëfrimit, po kërkonte të tërhiqej aty ku ndihej më mirë, ndihej vetvetja. Mes muzikës alternative dhe larg zhurmës së muzikës së Lepa Brenës, Zorica Bruncllikut dhe Dragana Mirkoviqit, që po fillonte të dominonte në qendër të Prishtinës.

Emri i lokalit u huazua nga një vepër letrare e Ismail Kadaresë. Hani ishte homazh për orientalen, dy Robertët shprehnin ambicien e shqiptarëve të Kosovës të jenë pjesë e trungut mental dhe kulturor të Europës Perëndimore. Te “Hani”, siç quhej shkurt, akumulohej mllefi kundër terrorit serb dhe shndërrohej në diçka kreative. Këtë e shpjegon mirë Shkëlzen Maliqi në parathënien e tij, ai ka qenë njëri nga promotorët e kulturës, sidomos në atë kohë, dhe dëshmitar i ecjes së “Hanit”.

Por e shpjegojnë, secili nga këndvështrimi i vet, edhe shumë figura të tjera që ishin pjesë e këtij projekti kulturor dhe jo vetëm kulinarik. “Në gjithë atë amulli, erdhi e bukura”, shkruan fotografi Afrim Spahiu. Aktori Armond Morina e quan “Hanin” në mënyrë krejt origjinale: “Shtëpi larg shtëpisë”. Shumë nga autorët e teksteve të botuara në këtë libër kujtojnë kritikun letrar dhe politikanin Xhemail Mustafa. “Hani” ka qenë kafeja e tij e pëlqyer. Shtëpia e tij e dytë. Oaza ku gjente qetësi për të takuar miq, për të lexuar gazeta apo ndonjë libër – deri në ditën kur u vra. Kur e vranë.

Në tekstin e tij juristi Enver Hasani shkruan: “Mbaj mend, ndjesë pastë, Xhemail Mustafën, që u vra më vonë. Të gjithë ishim të habitur, të tmerruar me faktin se si mund të kishte vrasje, kur ne ndërkohë ishim çliruar. Ishte vërtet traumatike për ne. Kur shikoj në retrospektivë, kjo më duket naive, por vërtet ashtu ka qenë”.

Ky libër (për)kujton një kohë që s’përsëritet më dhe mirë që s’përsëritet, por është me rëndësi të kujtohet. Dhe këtë e kanë bërë të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në realizimin dhe botimin e këtij libri, natyrisht më meritorët janë Merita dhe Fadil Dragaj. Libri ka një vlerë të madhe jo vetëm për shkak të shkrimeve të autorëve të shumtë, por edhe vlerë dokumentare, ngase brenda kapakëve të tij janë shtrirë shumë fotografi personalitetesh të kohës, nga Kosova dhe nga bota. Gazetarë të huaj që për kosovarët nuk ishin të huaj, madje (shumica) u bënë njerëz të dashur për shkak të punës së ndershme që bënë. Nëpër derën e madhe të “Hanit” hynë edhe politikanë amerikanë, jo vetëm diplomatë. Njëri nga këta politikanë ishte George Pataki, guvernator republikan i New Yorkut mes viteve 1995–2007. - Kompliment, gjithsesi, edhe për cilësinë e botimit.