Shtojca për Kulturë

Pavarësi e kushtëzuar, negociata të pakushtëzuara

Pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Serbisë në Prekaz, më 6 mars të vitit 1998 (Foto: Alban Bujari)

Negociatat, nga të qenët instrument për arritjen e sigurisë ontologjike të shtetësisë e të lirisë sonë, me produktet e deritanishme të tyre: Zonat e Mbrojtura, Asociacionin dhe të drejtën e vetos së serbëve në Kuvendin e Kosovës, janë shndërruar në ankth ekzistencial të shtetësisë sonë. Për të dobëtin dhe të paorganizuarin, gjendja ambiguide dhe ambivalente është kërcënuese dhe me plot të papritura. Ky është motivi se pse Serbia dëshiron pafundësisht negociata, dhe kjo është arsyeja se pse plani franko-gjerman, pa njohjen reciproke, me kërkesën për realizimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake, është ankth i pafund për shqiptarët

Titulli i tryezës së organizuar nga shoqata e intelektualëve “Jakova”, e mbajtur në Gjakovë më 24 shkurt, përmban tre terma: “Pavarësia, negociatat, dhe asociacioni”. Në këta tre terma mishërohen ambiguiteti dhe ambivalenca e gjendjes ontologjike të vetë ekzistencës së shtetësisë së Kosovës, dhe të cilat prodhojnë tension të vazhdueshëm në diskursin tonë politik.

Ambiguiteti dhe ambivalenca tashmë janë bërë tipare identitare të shtetësisë sonë, ashtu si edhe masa për verifikimin e paqëndrueshmërisë së gjykimeve për të ardhmen tonë. Është kjo gjendje ambiguide e ambivalente e cila e ushqen ankthin tonë; e cila të ardhmen tonë e bën të luhatet në mes të së sotmes dhe së kaluarës. Jo rastësisht, në mes të dy shënjuesve të tjerë qëndron termi negociatat. Negociatat (jo vetëm politike) janë instrumenti, i cili, përmes dhe në komunikim konkurrues me tjetrin, synon të vendosë qëndrueshmëri ontologjike të pozicionit në botë të palëve që negociojnë.

Siguria ontologjike përcakton një gjendje njohëse të mirëverifikuar që përmban parashikueshmëri dhe kontroll (Filiks Berenskoter dhe Nikola Najmem: “Gjendjet e ambivalencës: Rikuperimi i konceptit të “të huajit” në marrëdhëniet ndërkombëtare”). Në rastin e Kosovës, negociatat – me rezultatet e deritanishme – e kanë pamundësuar parashikueshmërinë duke e zvogëluar ashtu edhe aftësinë për kontroll dhe orientim. Negociatat, nga të qenit instrument për arritjen e sigurisë ontologjike të shtetësisë e të lirisë sonë, me produktet e deritanishme të tyre: Zonat e Mbrojtura, Asociacionin dhe të drejtën e vetos së serbëve në Kuvendin e Kosovës, janë shndërruar në ankth ekzistencial të shtetësisë sonë.

Standardet para statusit

Në fillim ishin standardet para statusit. Pastaj, përmes “bisedimeve teknike” me Serbinë deri te finalizimi i Planit të Ahtisaarit, do të sigurohet “Pavarësia e kushtëzuar”. Negociatat janë shkaku i pavarësisë së kushtëzuar që e mirëmbajnë kushtëzimin e pavarësisë që ajo të mbetet e kushtëzuar. Në negociata dhe përmes negociatave, tjetri ka zënë vendin qendror të të kuptuarit të vetes sonë si shtet midis tensionit të frikës nga fuqizimi i kundërshtarit dhe frikës nga shpërbërja e marrëdhënies miqësore me aleatët dhe “kalimit të kësaj miqësie” në anën e kundërshtarit. Poli i dytë i frikës tash është në rritje në krahasim me të parin.

17 Shkurti i 2008-s – dita e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës – do të pasohet nga 2 dhjetori i 2008-s i Planit të Ban Ki Moon-it. Në këtë plan, përtej Planit të Ahtisaarit, parashihej që të merren në rishqyrtim çështjet, si: 1) policia; 2) doganat; 3) drejtësia; 4) transporti dhe infrastruktura; 5) kufijtë; dhe 6) trashëgimia serbe. Në bazë të këtij plani, parashihej që enklavat serbe t’i përgjigjen UNMIK-ut, ndërkaq EULEX-i të bashkëpunojë me udhëheqjen shqiptare në pjesët e tjera të Kosovës. Pra me Planin 6-pikësh të Ban Ki Moon-it kërkohej që Kosova të funksionojë me dy sisteme të pavarura ligjore. Qeveria e Kosovës me kryeministrin Hashim Thaçi atëbotë do ta kundërshtojë këtë Plan për t’u shuar ky kundërshtim pas ndërhyrjes së ambasadores së atëhershme amerikane në Kosovë: Tina Kaidanov. Shuarjen e kundërshtimit do ta pasojë fillimi i bisedimeve për përmbushjen e Planit 6-pikësh të Ban Ki Moon-it.

Në procesin negociator Serbia do të kërkojë garanci juridike; ne do të mjaftohemi me fjalën e dhënë të “partnerëve ndërkombëtarë”. Më 10 shkurt 2007, protesta e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje! në kundërshtim të Planit të Ahtisaarit e theksonte mungesën e siguresave juridike të këtij Plani, të cilat do të duhej të garantonin ushtrimin e sovranitetit shtetëror të Kosovës në gjithë territorin e saj.

Serbia përmes Zonave të Mbrojtura si dhe përmes Asociacionit, do të arrijë të krijojë siguresa juridike e politike për ushtrimin e ndikimit të vet në Kosovë. Pasojat negative të mungesës së këtyre siguresave juridike e politike i ndiejmë edhe sot e kësaj dite, e do t’i ndiejmë edhe më shumë në të ardhmen. Serbia, gjatë negociatave, do të përpiqet të krijojë hapësirë veprimi përmes shfrytëzimit të ambiguiteteve semantike që përmbajnë termat juridikë në marrëveshje. Kosova – pa më të voglën përgjegjësi politike dhe në mungesë të plotë të vetëdijes juridike – do të nënshkruajë marrëveshje, e cila në 23 nenet e saj bie në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Atëbotë thuhej se kompromisi i dhimbshëm ishte i domosdoshëm, sepse vetëm ashtu e fitojmë pavarësinë si dhe ulësen në OKB. Kosova do ta pranojë Planin e Ahtisaarit. Serbia – jo. Njohjen e pavarësisë së Kosovës në bazë të platformës juridiko-politike të Ahtisaarit si dhe pranimin e saj në OKB, Rusia do ta kushtëzojë me njohjen nga perëndimi të realitetit të Abkazisë dhe Osetisë. Ashtu sikur kundërshtimi i Planit të Ahtisaarit më 10 shkurt 2007 do të bazohet në nevojën për siguri, ashtu edhe sot kundërshtimi i Asociacionit duhet të bazohet në nevojën për garantim të siguresave juridike e politike për sigurinë e Sovranitetit shtetëror të Kosovës.

Ambiguiteti si tipari identitar i shtetësisë

konceptin e Kantit kundërthëniet janë pamundësi; për Hegelin kundërthëniet janë mundësi dhe kusht i lëvizjes dhe progresit. Ambiguiteti dhe ambivalenca janë tipare identitare të qenies së shtetësisë së Kosovës. Negociatat në Rambouillet, Vjenë, dhe tani këto të fundit sipas Planit franko-gjerman, flasin se ato janë prodhuar dhe vazhdimin e ekzistencës së vet e sigurojnë përmes kundërshtimeve dhe kundërthënieve logjike, juridike e politike. Këso lloj kundërshtimesh e kundërthëniesh, për aq sa kemi arritur të informohemi deri më tani nga mediat, përmban edhe plani franko-gjerman: respektohet integriteti territorial i të dyja shteteve (thuajse Kosova e kërcënuaka integritetin territorial të Serbisë!), por duhet të themelohet Asociacioni si dhe të formalizohet statusi i Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Kosova, ashtu sikur në negociatat për Planin e Ahtisaarit, nuk do të marrë njohje (e as ndonjë siguresë për njohjen nga Serbia e as nga shtetet jonjohëse të BE-së), por do të futet në detyrime shtesë për themelimin e Asociacionit dhe për formalizmin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.

Si është e mundur që, edhe pas 24 vjetësh çlirim nga falanga serbe, të mos ketë një zgjidhje përfundimtare? Pse lufta antikoloniale e një populli bëhet çështje procesi, e jo çështje akti, aq më tepër pas një lufte të përgjakshme dhe pas intervenimit të forcës ushtarake më të madhe në të gjithë historinë e njerëzimit: NATO-s? Pse pas kapitullimit ushtarak të Gjermanisë naziste nuk pati “negociata” mes fitimtarit të luftës dhe humbësit të saj? Pse i gjithë ky mirëkuptim për Serbinë, si shkaktare e gjitha luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë? Si është i mundur gjithë ky mirëkuptim për Serbinë kur ajo nuk ka ofruar asnjë gjest moral për t’u bërë pjesë integrale e vlerave që ndan perëndimi? Pse nuk ka përmbyllje të negociatave? Pse nuk ka një zgjidhje përfundimtare? Pse aleatët tanë nuk i japin fund procesit të “përkëdheljes” së Serbisë, por vazhdojnë t’ia pranojnë kushtet e saj në proceset e vazhdueshme negociatore?

Kjo ka një shpjegim. Dhe ky shpjegim është i karakterit gjeopolitik.

Mjegulla negociatore

Negociatat – sidomos të tipit si këto midis Kosovës dhe Serbisë – zhvillohen në një kontekst të caktuar negociator, të kushtëzuar nga një kontekst gjeopolitik, në funksion të tejkalimit e ndryshimit të atij konteksti. Është e kuptueshme që proceset negociatore pritet të japin fryte pozitive mes subjekteve që kanë interesa të ndryshme, por jo edhe kur ato ndajnë qëllime vlerore të ndryshme, siç është rasti midis Kosovës dhe Serbisë: Kosovës properëndimore dhe Serbisë mbështetëse të Rusisë së Putinit; Serbisë – hartuese e planeve gjenocidale për shfarosjen e popullit shqiptar; dhe Kosovës, që pretendon lirinë dhe dekolonizimin nga forca gjenocidale e Serbisë.

Teoricieni i negociatave, Micheal Wheeler, në veprën e tij “Arti i Negocimit: Si të improvizohet marrëveshja në një botë kaotike”, thotë se në një botë kaotike negociatat lindin nga mjegullat negociatore dhe këto “mjegulla” mund të prodhojnë marrëveshje të dobëta, e jo të zhvillimit. Sipas këtij autori, prodhimi i mjegullës negociatore në një botë gjeopolitike kaotike, është siguria e vetme për procesin negociator. Mjegulla negociatore është treguesi i pafuqisë të subjekteve negociatore për tejkalimin kontekstit gjeopolitik si vendndodhje e negociatave dhe si mundësi për ruajtjen e integritetit moral të procesit negociator.

Me Gjermaninë naziste, humbëse të luftës, nuk do të ketë negociata, sepse humbja e saj do të ndodhë në kontekstin e një rendi botëror tashmë të vendosur në Konferencën e Jaltës. “Përkëdhelja” e Serbisë vjen në kontekstin gjeopolitik të “ekuilibrit botëror”. Rendi, për nga karakteri është një strukturë e mirëvendosur dhe e mbyllur. Rendi është statik. Ndërkaq, “ekuilibri” është sistem i hapur dhe dinamik, i cili brenda vetes përmban forca kundërshtuese (Saul Cohen). Tipar i rendit është konsistenca dhe koherenca; tipar i “ekuilibrit” është stabiliteti që nuk i përfill koherencën dhe konsistencën. Kosova e sotme është produkt i botës gjeopolitike të “ekuilibrit”. Vetëm në një botë të “ekuilibrit” do të mund të bëhej, dhe pastaj të mbështetej nga bota progresive demokratike, Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ashtu sikurse po nga e njëjta botë, ajo do të merret në “vlerësim juridik” si “grup i organizuar kriminal” përmes Gjykatës Speciale të Hagës. Në botën e rendit, për nga efektet e veprimit, brenda kontekstit kolonial jugosllav, nuk do të mund të prodhohej modeli i flijimtarit Adem Jashari. Bota e rendit maksimalisht mund të ofrojë modelin e Tahir Mehës, i cili – ashtu – siç thotë Kanti për rëndësinë e Revolucionit Francez, bën të lindë në zemrat e gjithë spektatorëve (...) një pozicion politik sipas dëshirës që prek entuziazmin për lirinë, por se nuk mund të bëhet dëshmitarja e realizimit të saj, ashtu siç ka ndodhur me flijimin e Jasharëve.

Stabiliteti si tipar i ekuilibrit global

Ashtu sikur që bota gjeopolitike e “ekuilibrit” do të jetë mundësi për shqiptarët në fund të shekullit XX, ajo, njëkohësisht, do të jetë edhe kufizim për finalizimin e shtetësisë së Kosovës. Gjithë procesi negociator, është ndërtuar mbi paradigmën e stabilitetit, si tipar i “ekuilibrit botëror”. Karakteri dinamik që buron nga përplasja e forcave të kundërta, për ta ruajtur ekuilibrin global, nuk e ka të vështirë të “flijojë” agjentë të ndryshëm që ka në dispozicion (edhe elementë të vlerës së lirisë!) në funksion të stabilitetit, si tipar i ekuilibrit global. Themelimi i Gjykatës Speciale, ashtu si edhe Asociacioni, burojnë nga paradigma e stabilitetit për ruajtjen e “ekuilibrit botëror”.

Për subjektin me fuqi të madhe organizimi e veprimi, në botën gjeopolitike “të ekuilibrit” ambivalenca dhe ambiguiteti janë avantazhe. Për të dobëtin dhe të paorganizuarin gjendja ambiguide dhe ambivalente është kërcënuese dhe me plot të papritura. Ky është motivi se pse Serbia dëshiron pafundësisht negociata, dhe kjo është arsyeja se pse Plani franko-gjerman, pa njohjen reciproke, me kërkesën për realizimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake (edhe Asociacionin si dhe formalizmin e statusit të Kishës Ortodokse serbe), është ankth i pafund për shqiptarët.

Që nga shpallja e Pakos së Atihsaarit e deri më sot, koncepti i “zonave të mbrojtura”, i krijimit të 10 komunave me shumicë serbe si dhe koncepti i të drejtës së vetos të 2/3 të komunitetit joshumicë në Parlamentin e Kosovës, janë kontrabanduar në sistemin legjislativ të Republikës së Kosovës (të gjitha këto koncepte tashmë janë përkthyer në kategori kushtetuese-juridike) vetëm duke marrë legjitimitet si koncepte të nënvendosura brenda konceptit politik të “diskriminimit pozitiv”.

Draftstatuti për Asociacionin, i propozuar nga FES-i – substanca e të cilit, sipas të gjitha gjasave, do të jetë material në procesin e negocimit Kosovë-Serbi – është akti përmbyllës i vetërealizimit të konceptit të “diskriminimit pozitiv” ndaj pakicës, i cili, në thelb, është legalizim dhe afirmim i idesë se si vullneti politik i një pakice mund ta diskriminojë vullnetin politik të shumicës. Në dramën e Georg Byhnerit “Vdekja e Dantonit”, Robespjeri duke iu drejtuar popullit thotë: “Ti mund të rrezohesh vetëm nga forca jote”.

Fuqia bëhet armikja e vetes sonë. Perandoritë, përpos faktorëve të tjerë, janë dobësuar edhe për arsye të qendërzimit të fuqisë së tyre. Në shoqëritë me traditë qeverisëse liberal-demokratike, decentralizimi i fuqisë së pushteteve qendrore, në të shumtën e rasteve, ka qenë rrjedhojë e logjikshme e nevojës për çlirim nga centralizimi mbingarkues i fuqisë së pushtetit, i cili, në një moment të caktuar është bërë vetëpengues për realizimin e potencialeve të veta për siguri, rritje të lirisë, mirëqenies dhe vazhdimësisë së kontrollit dhe mirëdrejtimit të resurseve brenda një territori të caktuar. Është ky rasti kur përqendrimi i fuqisë së pushteti i paraprin shpërndarjes së tij.

Kosova nuk është rasti i zbatimit të “diskriminimit pozitiv”. Në rastin e Kosovës, në mënyrë alogjike, shpërndarja e fuqisë është bërë kusht për konsolidimin e ekzistencës, ngjashëm me sloganin standardet para statusit. Kosova nuk është rasti i motos së ekzistencializmit sartian: ekzistenca i paraprinë esencës. Në rastin e Kosovës aftësia e shtrirjes në mosekzistencës e përcakton “aftësinë” për ekzistencë.

Në Kosovë përmes konceptit të “diskriminimit pozitiv” është synuar të legjitimohet kontrabandueshëm vullneti antidemokratik për diskriminim negativ të shumicës me qëllim që t’i pamundësohet realizimi i vullnetit të saj. E drejta e vetos e garantuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës për komunitetin jo shumicë në Parlamentin e Kosovës, nuk është një instrument për akomodimin “pakicave të magjinalizuara”, siç është rasti në shtetet liberal-demokratike, por një instrument legal me fuqi juridike që vendos kontroll politik e juridik mbi sovranitetin shtetëror të Kosovës. “Diskriminimi pozitiv” në rastin e Kosovës, përpiqet ta natyralizojë si të logjikshme e demokratike atë që është e palogjikshme dhe jodemokratike: ndarjen e fuqisë së sovranitetit shtetëror midis vullnetit të një shumice dhe vullnetit të një pakice.

Me pamundësimin e realizimit të së drejtës së shumicës për të vetëvendosur përmes instrumentit demokratik të referendumit në njërën anë, dhe, nga ana tjetër, përmes së drejtës së vetos së komunitetit pakicë në Parlamentin e Kosovës, e drejta kolektive është reduktuar dhe zëvendësuar në mundësi për të drejtat e grupeve të ndryshme partikulare (etnike, religjioze, sociale, gjinore, seksuale etj.). Shumë të drejta partikulare për ta bërë të padukshme të drejtën e përgjithshme politike për referendum. Në mungesë të vullnetit (por jo edhe të dijes) që vullneti kolektiv dhe vullneti i gupeve të ndryshme të konceptohen si entitete në ndërvarësinë reciproke dhe në marrëdhënie sinergjike mes vete, në rastin e Kosovës vullneti kolektiv është konceptuar si pamundësi dhe me rrezik për realizimin e vullneteve partikulare, por jo anasjelltas, ashtu siç është provuar dhe vërtetuar në praktikën e jetës sonë politike e kushtetutare-juridike.

Asociacioni (edhe Draft-statuti i propozuar nga FES-i) në rastin e Kosovës e shkel me dy këmbët parimin e barazisë dhe të meritokracisë: atyre që shprehin lojalitet ndaj shteti u kufizohet vullneti për të vendosur; atyre që e refuzojnë lojalitetin ndaj pushtetit qendror u garantohet fushëveprim për realizimin e vullnetit të tyre partikular dhe në kundërshtim me vullnetin e shumicës. Serbët, me të drejtën e vetos, mund ta kontrollojnë pushtetin qendror të Prishtinës, ndërsa pushteti qendror mund të ofrojë “konsulencë profesionale” organeve vendimmarrëse të Asociacionit, gjithnjë duke u bazuar në “Ligjet në fuqi dhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ashtu ngjashëm siç ka funksionuar “konsulenca profesionale” e pushteti qendror të Kosovës në drejtim të serbëve të dirigjuar nga Beogradi që nga qershori i viti 2008 e deri më sot.

Kumtesë e lexuar në Tryezën “Pavarësia e Kosovës, negociatat dhe asociacioni”, e organizuar nga Shoqata e Intelektualëve “Jakova”, mbajtur më 24.02.2023 në Gjakovë. Fusnotat janë hequr nga Redaksia.