“Dasma në Anë të Malit – ritet dhe ceremoniali i saj”, nga Esat Mehmeti – botoi “Art Club”, Ulqin, 2023 – është një botim i veçantë nga fusha e etnografisë, që i ka munguar literaturës në gjuhën shqipe. Kemi të bëjmë me krahinën etnografike të Anës së Malit, e cila ndonëse ishte në lidhje të drejtpërdrejtë me Shkodrën si kryeqendra e veriut shqiptar, ajo i ruajti veçoritë e veta socio-kulturore, që janë të pranishme edhe në ditët tona
Në tri dekadat e fundit nga autorë shqiptarë nga Mali i Zi janë botuar vepra të profileve të ndryshme, të cilat kanë ndriçuar çështje shumëdimensionale të veprimtarive shoqërore të shqiptarëve në këtë mjedis. Varësisht prej përgatitjes profesionale, pasionit dhe guximit për të trajtuar tema të ndryshme, ata kanë ofruar botime më vlerë që janë mirëpritur nga opinioni i gjerë.
Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse për të parën herë temat e trajtuara u publikuan pa pasur pasoja pas vitit 1990, në saje të ndryshimeve shoqërore në vendet e ish-kampit socialist. Pikërisht duke iu falënderuar këtyre autorëve, opinioni i gjerë kulturor dhe shkencor ka mundësi të njihet më detajisht më çështjet përkatëse, të cilat kanë qenë dhe janë preokupuese për shqiptarët në viset e tyre në Mal të Zi.
Në gamën e atyre botimeve bën pjesë edhe libri i Esat Mehmetit me titull “Dasma në Anë të Malit -ritet dhe ceremoniali i saj”, botuar ditë më parë nga “Art Clubi”.
Nga vetë titulli i tij, por edhe nga trajtimi i lëndës dhe argumentet e ofruara, del qartë se kemi të bëjmë me një botim të veçantë nga fusha e etnografisë, që i ka munguar literaturës në gjuhën shqipe te ne.
Trajtimi i temave të cilat janë pjesë e identitetit të një mjedisi paraqesin sfidë për autorin, si dhe kureshtje për lexuesit. Pikërisht i tillë është ceremoniali i dasmës në Anë të Malit, e cila është dëshmi autentike e ruajtjes së identitetit kombëtar shqiptar. Kemi të bëjmë me krahinën etnografike të Anës së Malit, e cila ndonëse ishte në lidhje të drejtpërdrejtë me Shkodrën si kryeqendra e veriut shqiptar, ajo i ruajti veçoritë e veta socio-kulturore, që janë të pranishme edhe në ditët tona.
Në këtë botim çështja e dasmës trajtohet me tërë kompleksitetin e saj, duke ofruar të dhëna me interes, në dhjetë kapituj. Të dhënat e prezantuara janë rezultat i mbledhjes së lëndës në një periudhë të gjatë kohore, të cilat janë sistemuar e përgatitur për këtë botim.
Ana e Malit si krahinë etnografike ofron mundësi të mëdha hulumtimi për studiues të profileve të ndryshme. Në këtë aspekt ka munguar botimi i veçantë që si temë trajtimi ka pasur ceremonialin e dasmës në Anë të Malit. Duke marrë parasysh se kjo krahinë është pjesë e arealit kulturor të Shkodrës, me ndonjë përjashtim, dasma është pothuaj identike si ajo shkodrane. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse në të kaluarën, anamalasit kishin raporte të përditshme sociale e shoqërore me qytetin e Shkodrës.
Autori dasmën e prezanton në dy kohë: në të shkuarën dhe në ditët tona. Kemi të bëjmë me ndryshime dinamike në aspektin social e shoqëror. Pikërisht në këtë aspekt këtu është vlera e këtij botimi për ta prezantuar të kaluarën e ceremonialit të dasmës, e cila është pothuaj e panjohur për moshën e re.
Në përgatitjen e këtij botimi autori përveç lëndës së mbledhur në terren ka konsultuar edhe literaturë selektive që është në favor të përmbajtjes dhe të konceptimit të këtij punimi.
Me këtë botim autori dëshmon se ai nuk ka qenë vetëm mësimdhënës e gazetar, por ai me pasion ka mbledhur e përgatitur lëndën për ceremonialin e dasmës anamalase. Ishte kjo një nismë personale në nderim të kulturës popullore, sepse ka ndodhur ajo që është shkruar. Si i tillë, ky botim është dëshmi e jetës sociale e shoqërore, çështje e cila do të zgjojë kërshërinë e lexuesve të pasionuar.
Libri është i mirëseardhur për të gjithë lexuesit të cilët dëshirojnë të njihen me ceremonialin e dasmës në Anë të Malit, si vlerë kulturore dhe të identitetit kombëtar shqiptar, si mision për brezat e tashëm dhe ato që do të vijnë pas nesh.