Shtojca për Kulturë

Pasaporta e Skënderbeut

Busti i Skënderbeut në shkollën e Kaçanikut që mbanë emrin e tij, i përuruar më 2 mars të vitit 2003

Ka mijëra histori, libra e dëshmi për Skënderbeun, por ka edhe të tilla jo fort të njohura që zbërthehen edhe nëpërmjet busteve për të ose në emra shkollash. Për historinë e re të Kosovës, ato janë një kapitull më vete. Në 555-vjetorin e vdekjes së kryeheroit të shqiptarëve, portretizimet e Skënderbeut flasin zëshëm. Njëri bust, ai në shkollën e Kaçanikut, mbërriti me pasaportë, por figura e tij është pasaportë e shqiptarëve, kudo

Me shikimin hedhur kah gryka e Kaçanikut, busti i Skënderbeut i bën rojë gjimnazit që mban emrin e kryeheroit të shqiptarëve. Brenda spikasin portrete të autorëve të ndryshme.

“Jo veç mua, por të gjithë nxënësve të kësaj shkolle, na bën me u ndi krenarë fillimisht për shkak se ne e mbajmë emrin e kryetrimit të shqiptarisë, të Arbërisë më saktë”, thekson Shpat Bulica, kryetar i Këshillit të Nxënësve të “Skënderbeut”. “Ky është një nder tepër i madh që e mbajmë këtë emër”, shton ai për emisionin COSMO të KTV-së, derisa në klasë marrim pamje televizive gjatë orës së gjeografisë.

“Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta në mesin tuaj”, është thënia poshtë bustit para shkollës që historianët pretendojnë se e kishte thënë bujshëm Gjergj Kastrioti pas kthimit në Krujë për t’u prirë shqiptarëve kundër pushtimit osman.

“Me pasaportë ka ardhë ky, me pasaportë ka ardhë ky”

Dhe derisa ngjitemi shkallëve drejt bustit të kryetrimit, ish-drejtori Remzi Çaka rrëfen historinë e sjelljes së tij nga Shqipëria. Pas përfundimit të luftës së fundit çlirimtare të UÇK-së, Çaka do të merrte udhë drejt kryeqytetit shqiptar për ta sjellë bustin, që do të përurohej në 2 marsin e vitit 2003. Vepra e skulptorit tiranas, Artan Peqini, do të shpalosej pikërisht më 2 mars, kur edhe ishte mbajtur edhe Besëlidhja e Lezhës më 1444. 2 marsi do të zyrtarizohej si dita e shkollës “Skënderbeu”.

“Shpeshherë, ne e kemi vizituar Tiranën atje dhe e kemi parë se ku kemi arritur me bustin e Skënderbeut”, thekson Çaka teksa mësyn shkallëve përpjetë. Ai thotë se rruga e vjetër ishte e mundimshme prej shtatë-tetë orësh. “Ne, në pamundësi për ta sjellë me automjet, e kemi pru me aeroplan”, shton ai, duke treguar se “shoqërohej vetëm” nga busti i kryeheroit në fluturaken që ishte ngritur nga Tirana. “E kisha marrë bustin me vete deri te aeroplani. Aeroplani shumë larg, sigurisht 100-150 metra prej hyrjes. Dhe stjuardesat shqiptare, sigurisht më kanë ndihmu me e pru në aeroplan”, vazhdon të rrëfejë fytyrëqeshur Çaka. Dhe kishte momente humori kur do të ngacmohej se “ku e kishte Skënderbeu kalin”.

“Jo, jo absolutisht asnjë telash me doganë. Ata i kanë rregulluar të gjitha. Me pasaportë ka ardhë ky, me pasaportë ka ardhë ky”, përsërit Çaka, duke treguar se të gjitha procedurat e nevojshme kufitare i kishte marrë përsipër skulptori Peqini.

Image
Zbulimi i bustit të parë të Skënderbeut në Kosovë. Bedri Hysa zbulon bustin në gjimnazin “Skënderbeu” në Kaçanik, më 13 prill të vitit 1968

“Rilindja” e bustit

Në të vërtetë ishte “rilindja” e bustit të Skënderbeut në shkollën që mban emrin e prijësit politik e ushtarak arbëror. E madhe ishte festa në qytetin jugor që krenohet me vargjet e këngëzuara “Kaçanikut i raftë pika/ qysh s’e di se çka është frika”.

Por për Çakën, 74 nxënësit dhe mësimdhënësit e atëhershëm, edhe më e madhe ngelet dita e 13 prillit 1968, kur drejtori i gjimnazit të hapur një vit më parë, Bedri Hysa, do të shpaloste bustin prej argjile të punuar nga profesori i artit i së njëjtës shkollë, Musa Mehmeti.

“Unë realisht e kam një memorie të mjegullt si fëmijë kur është punuar skulptura dhe unë kisha një kërshëri si fëmijë për të parë një vepër të tillë, e cila është duke u ndërtuar dhe duke u transformuar në një imazh të dukshëm”, thekson historiani Ylber Hysa, i biri i Bedri Hysës, teksa përshkruan se si në kthinat anësore të shkollë së tanishme “Emin Duraku” – ku ishte vendosur atëherë gjimnazi – Mehmeti po ia jepte dorën e fundit para se të bëhej gati për ditën e ceremonisë madhështore, prej së cilës është ruajtur një fotografi.

Historiani e gazetari Salih Mehmeti, nip i skulptorit Mehmeti, thotë se simpoziumi i madh shkencor i Prishtinës me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut i kishte prirë bustit të parë të tij në Kosovë.

“Artisti dhe skulptori Musa Mehmeti, në të gjallë të tij, rrëfente me ëndje historinë e krijimit të këtij busti”, thekson Salih Mehmeti, duke shtuar se artisti ishte frymëzuar nga shfletimi i revistës letrare “Shejza” të Ernest Koliqit, që e kishte kthyer në platformën kryesore të intelektualëve shqiptarë në Perëndim.

“Në këtë kohë, Mehmeti mbante kontakte dhe korrospodenca të ngushta me Odhise Paskalin dhe piktorin Ibrahim Kodra në Milano”, tregon Mehmeti. “Si i pari, ashtu edhe i dyti, i dërguan nëpërmjet postës me dhjetëra skica dhe modele të kokës së Skënderbeut, të cilat shërbyen gjatë punës së skulptorit Musa Mehmeti”.

Propozimi për shtatoren e Skënderbeun në Prishtinë më 1968

Bedri Hysa kishte propozuar që një shtatore e Skënderbeut të vendosej në qendër të Prishtinës, por autoritetet komuniste nuk e kishin marrë parasysh kërkesën shtruar nga qyteti i grykës.

Ylber Hysa thotë se Kosova po e rizbulonte historinë e Skënderbeut në fund të viteve gjashtëdhjetë pas rënies së liderit famëkeq serbo-jugosllav, Aleksandar Rankoviq, në Plenumin e Brioneve më 1966.

“Dhe ky imazh që vinte duke u qartësuar për mua si fëmijë, ishte një riqartësim për memorien kolektive e një vendi që po dilte nga periudha e rëndë e Rakoviqit”, thekson Hysa, në zyrën e tij në Institutin Albanologjik të Prishtinës, të hapur më 1953, por të mbyllur pastaj nga regjimi jugosllav që i druante ngritjes së vetëdijes kombëtare e arsimore të shqiptarëve. “Dhe në këtë kohë, praktikisht u krijuan premisat për një lloj ndërgjegjësimi kombëtar dhe praktikisht pas Plenumit të Brioneve ishte kjo një sprovë e parë për të demonstruar identitetin kombëtar të shqiptarëve të Kosovës dhe prej kujtimeve të babait tim, Bedri Hysa, e di se ky ishte një lloj eksperimenti”, shton Hysa.

Beteja e fituar e “Skënderbeut” përballë “Mareshallit Tito”

Çaka, i cili atëherë ishte gjimnazist, thotë se u dukej utopike çfarë po u shihnin sytë derisa Musa Mehmeti po e “ringjallte” Skënderbeun në Kosovë pas kalërimeve të tij luftarake në gjysmën e dytë të shekullit të pesëmbëdhjetë. Dhe së bashku, nxënësit duke siguruar argjilën dhe duke i ndihmuar profesorit, e kanë komponuar, e kanë rregulluar, ta themi në mënyrë tamam profesionale bustin e Skënderbeut”, kujton ai.

Çaka tregon se nga viti 1973, pas të ashtuquajturave “reforma dhe eksperimente të kohës, dy shkollat e mesme, ‘Voskopoja’ dhe ‘Skënderbeu’, u fuzionuan, ndërsa sipas diktatit të politikës ditore u riemërtuan me emrin e përbashkët ‘Mareshali Tito’”, shkruan në “Historikun e shkollës”.

“Pikërisht kjo shkollë është nisur me qëllimin që të përurohet me emrin e Skënderbeut, më vonë këto përplasjet ideologjike, ‘Skënderbeu’ u bë ‘Mareshali Tito’, në fund ‘Skënderbeu’ prapë u risoll në atë që ishte në aspektin origjinal ‘Skënderbeu’. Ndoshta kjo është betejë ideologjike ndërmjet Titos dhe Skënderbeut dhe në histori zakonisht dikush mbijeton”, thekson Hysa

Gjimnazistët e mësimdhënësit pas dëbimit më 1991 nga shkolla dhe vazhdimit të mësimit në shtëpitë-shkolla deri në vitin shkollor 1996/97, “nxënësit dhe arsimtarët e shkollës së mesme ‘Skënderbeu’ provokuan rikthimin në lokalet e rregullta shkollore, me ç’rast pushteti okupator u detyrua të heshtte”, shkruan në monografinë e shkollës. “Por objektet ishin dëmtuar shumë. U desh një aksion i gjallë popullor - fizik e financiar - që të rehabilitoheshin objektet”.

“Përkëdhelja” e Skënderbeut

Por më 2014, shumëkush u trondit derisa po qarkullonte me të madhe në internet një videoxhirim i një të riu të radikalizuar kaçanikas, që po e rrihte shuplaka bustin e ri. Kaçaniku me rrethinë ishte njëri prej vendeve më të prekura nga numri goxha i lartë i shqiptarëve që i ishin bashkuar “Shtetit Islamik në Siri dhe Irak”.

Çaka teksa flet për historinë e mirënjohur botërisht të Skënderbeut, si me humor thotë se busti i kryheroit i mori si “përkëdhelje” shuplakat e të riut.

“Ka qenë një periudhë vërtet e sikletshme, jo vetëm për ne në gjimnaz, por për gjithë kaçanikasit”, thekson Selim Reka, drejtori aktual i gjimnazit. “E ajo krejt ka ndikuar që Kaçanikut t’i mvishen shumë gjëra dhe Kaçaniku nuk ishte i vetmi, por i doli zani atij komandantit, dhe ky duke bërë shaka me shokë, e ba një gjest jo të mirë”, shton ai.

“Në ’68-n kishte një qartësi në këtë, të thuash, dilemë identitare. Dhe kjo ndodhi në vitin 2014. Babai im i ndjerë ka vdekur një vit më herët në vitin 2013 dhe ndoshta është cinike, por më mirë që ka vdekur një vit më herët dhe nuk e ka përjetuar këtë incident”, thekson Hysa.

Ndryshe nga Evropa që nuk ka dilema për historinë e Skënderbeut, në mediat shqiptare herë pas here ka debate kundërthënëse për rolin e tij në historinë shqiptare. “Roli i Skënderbeut në histori është shumë i qartë. Roli i atyre që e kontestojnë nuk është i qartë, dhe roli jonë ndaj atyre që e kontestojnë, fatkeqësisht nganjëherë nuk është shumë i qartë”, thekson Hysa. “Gjenerata ime dhe gjenerata e babait tim, që e ka demonstruar këtë imazh në kuptimin e ndërtimit të përmendores e ka pasur të qartë. Nëse dikush nuk e ka të qartë, me siguri le të ngrejë debat dhe të shohim se si do të dalim nga debati”, shton Hysa në Institutin Albanologjik të Prishtinës.

Në Kaçanik, nxënësit e mësimdhënësit ngjiten e lëshohen teposhtë shkallëve të “Skënderbeut”, derisa në krye të oborrit qëndron busti hijerëndë i kryeheroit. Me shikimin nga gryka historike.